Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/17/2019 12:36:24 PM

Auditori i Përgjithshëm pret në takim përfaqësues nga këshilli studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”

Sot, në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani, ka mirëpritur në takim informues përfaqësues nga Këshilli Studentor i Fakultetit Ekonomik, të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Me këtë rast, Auditori i Përgjithshëm, ka bashkëbiseduar me studentët për mandatin, rolin dhe punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit, si dhe u informua për së afërmi me punën dhe aktivitetet e tyre studentore. Në takim u bisedua edhe për marrëveshjen e bashkëpunimit që Zyra Kombëtare e Auditimit ka me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, e cila përfshin mundësinë e shkëmbimit të njohurive profesionale në mes të dyja institucioneve, ofrimin e punës praktike për studentët si dhe organizimin e ngjarjeve dhe diskutimeve publike për raportet e auditimit. Auditori i Përgjithshëm i ka inkurajuar studentët që të angazhohen në avancimin  e tyre profesional duke shfrytëzuar burime të besueshme informacioni për mësim efektiv dhe të qëndrueshëm.  Z. Osmani, u shpreh se bazuar edhe në marrëveshjen e lartpërmendur, ai dhe stafi i tij do të angazhohen të përkrahin gjeneratat e reja në edukim dhe zhvillim profesional. Përfaqësuesit e Këshillit Studentor shprehën falënderimin e tyre lidhur me këtë takim dhe e mirëpritën mundësinë e bashkëpunimit në mes të studentëve dhe ZKA-së.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Fuqizimi i bashkëpunimit mes Parlamenteve dhe Institucioneve Supreme të Auditimit për përmirësimin e perfomancës së auditimit të jashtëm

Fuqizimi i bashkëpunimit mes Parlamenteve dhe Institucioneve Supreme të Auditimit për përmirësimin e perfomancës së auditimit të jashtëm

Me datat 9 dhe 10 Maj në Tiranë, Auditori i Përgjithshëm z.Besnik Osmani,  së bashku me përfaqësues nga Zyra Kombëtare e Auditimit, morën pjesë në Konferencën Rajonale të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Rrjetit të Komisioneve Parlamentare për Ekonomi, Financa, dhe Integrime Evropiane të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga Banka Botërore dhe OECD/SIGMA. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin deputetë nga Parlamentet dhe përfaqësues nga Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në emër të Parlamentit të Kosovës, pjesëmarrës ishin  kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Driton Selmanaj dhe zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadergjonaj. Temë kryesore e konferencës ishte "Fuqizimi i marrëdhënieve të Parlamentit dhe Institucioneve Supreme të Auditimit për të përmirësuar performancën e auditimit të jashtëm në Shtetet e Ballkanit Perëndimor". Pjesëmarrësit shkëmbyen përvojave e vendeve të tyre lidhur me rolin e Parlamentit dhe komisioneve respektive për mbikëqyrjen financiare, çështjen e shqyrtimit të raporteve te auditimit si dhe bashkëpunimin dhe sfidat kryesore me të cilat përballen ISA-të dhe parlamentet në krijimin e një marrëdhënie më efektive. Në procesin e bashkëpunimit në mes të ZKA-së dhe komisioneve parlamentare, u vlerësua se në Kosovë ka një proces të vazhdueshëm dhe bashkëpunim të mirë mes ZKA-së dhe dy Komisioneve parlamentare, Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe  Komisionit për Buxhet dhe Financave. Me qëllim të rritjes së llogaridhënies në sektorin publik  dhe rritjes së ndikimit të raporteve të auditimit, u diskutua lidhur me  mënyrën e analizimit të raporteve te auditimit nga Parlamenti dhe aplikimin e mekanizmit të përcjelljes së zbatimit të rekomandimeve të auditimit nga komisionet parlamentare. Temat e tjera të diskutimit dhe shkëmbimit të përvojave në kuadër të konferencës lidhen me sfidat dhe zgjidhjet për llogaridhënien dhe fuqizimin e llogarisë financiare. Konferenca ka trajtuar ne mënyre te veçantë çështje që lidhen  me pavarësinë e Institucioneve Supreme të Audimit, shqyrtimi i raporteve të auditimit, përcjellja e rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit, etj. Në këtë konferencë nga ZKA, përveç Auditorit të Përgjithshëm pjesëmarrës ishin edhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm z. Naser Arllati, Saranda Husaj Baraliu dhe Violeta Smajlaj nga Departamenti për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në Auditim.
Lexo më shumë
Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike shqyrton Raportin e Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2018

Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike shqyrton Raportin e Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2018

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani, sot ka prezantuar para Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Raportin Vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2018 së bashku me PVF- të e audituara. Në fjalën e tij para këtij komisioni, Auditori i Përgjithshëm z Besnik Osmani, ka prezantuar rezultatet e punës për vitin 2018 dhe ka raportuar lidhur me përdorimin e buxhetit të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Më këtë rast ka nënvizuar tri sukseset kryesore që kanë të bëjnë me miratimin e Planit Strategjik 2018 – 2021, rritjen e portofolios së të gjitha llojeve të auditimeve dhe ngritjen e kapaciteteve humane e administrative të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Numri i auditimeve të rregullsisë është rritur për 20% në krahasim me sezonin 2015/16 dhe janë trefishuar auditimet e performancës. Po ashtu, auditimi i ndërmarrjeve publike ka filluar në sezonin auditues 2016/17 me 4 auditime dhe ky  numër është trefishuar në sezonin auditues 2018/19. Duke folur për sfidat, Auditori i Përgjithshëm, ka vendosur theksin në miratimin e paketës ligjore në fushën e administratës publike përmes së cilave është vendosur në rrezik pavarësia institucionale, administrative e financiare e ZKA-së dhe në nevojën e profilizimit të auditorëve sipas fushave të auditimit në sektorin e performancës. Në vazhdim të fjalës së tij, ka prezantuar Pasqyrat Vjetore Financiare dhe Raportin e Auditimit, duke prezantuar aspektet kryesore të menaxhimit që kanë të bëjnë me buxhetin e realizuar në shkallën 98%, nga të cilat 74% i përkasin kategorisë paga dhe mëditje, 23% mallrave e shërbimeve, 2% investime kapitale dhe 1% shpenzime komunale. Z. Driton Selmanaj, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike (KMFP), ka vlerësuar lartë punën e ZKA-së, dhe ka falënderuar Auditorin e Përgjithshëm për gatishmërinë dhe përkushtimin për t’iu përgjigjur gjithmonë këtij komisioni. Po ashtu, anëtarët e komisionit kanë përgëzuar Auditorin e Përgjithshëm për punën dhe raportet profesionale të ZKA-së.  Në këtë takim janë diskutuar edhe çështje tjera me interes si mundësia e rritjes së numrit të auditimeve të performancës dhe ndërmarrjeve publike, rritja e adresimit të rekomandimeve si dhe shqyrtimi i kërkesave për auditime të veçanta që vijnë nga Kuvendi. Të gjithë deputet pjesëmarrës në diskutim kanë nënvizuar rëndësinë e pavarësisë institucionale të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe trajtimin me dinjitet të personelit profesional të angazhuar, përmes financimit të edukimit profesional dhe lartësisë së kompensimit.
Lexo më shumë