Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/28/2019 3:03:11 PM

Zbatimi i rekomandimeve të auditimit është në interes të institucioneve publike dhe të qytetarit

Në ambientet e Kuvendit Komunal në Podujevë, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), ka organizuar debat të hapur për gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit për Komunën e Podujevës.  Gjetjet e monitorimit nga analiza e bërë nga raportet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Podujevës, u prezantuan nga Visar Prebreza, redaktor përgjegjës i Gazetës Jeta në Kosovë. Të pranishëm në këtë debat ishin Zëvendës Auditori i Përgjithshëm z.Ilir Salihu, nënkryetari i Komunës së Podujevës z. Nexhmi Rudari, këshilltarët komunal të komunës, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe qytetarë. Zëvendës Auditori i Përgjithshëm z. Ilir Salihu, në fjalën e tij tha se takimet e tilla janë një senzibilizim për rëndësinë dhe ndikimin që kanë raportet e auditimit në përmirësimin e qeverisjes në institucionet publike dhe menaxhimin e financave publike. “Niveli i përgjithshëm i zbatimit të rekomandimeve të auditimit në Kosovë është rreth 40%, ndërsa në komuna është diku rreth 30%. Kjo e bën edhe me të rëndësishëm faktin që jemi takuar sot që të bisedojmë për format më të mira se si këto rekomandime të gjejnë zbatim”, tha ai. Z. Salihu theksoi se raportet e auditimit synojnë të paraqesin sa më saktë gjendjen me shpenzimin e parasë publike dhe në përgjithësi të performancës së institucioneve publike. Tutje z. Salihu, këshilloi që të analizohen rekomandimet e dhëna në raportet e auditimit dhe planet e veprimit të jenë sa më reale, në mënyrë që të adresohen të gjitha rekomandimet, pasi që kjo është në interes të komunës dhe të qytetarëve. Ndërkaq, nënkryetari i komunës së Podujevës z. Nexhmi Rudari, falënderoj ZKA-në për përkrahjen e vazhdueshme për përmirësimin e performancës komunale. Ai shtoi se vazhdimisht ka pasur një bashkëpunim të mirë me ZKA-në. Komuna ka pranuar të gjitha gjetjet e auditimit dhe ka bërë përpjekje për adresimin e rekomandimeve. Mirëpo, rrethanat me të cilat është ballafaquar institucioni i tyre, kanë pamundësuar zbatimin e të gjitha rekomandimeve të dhëna nga ZKA. Debatit të sotëm i ka paraprirë analiza e raporteve të auditimit për katër vitet e fundit për Komunën e Podujevës. Visar Prebreza gjatë prezantimit të analizë së raporteve të auditimit ka thënë se kanë identifikuar gjetjet më të shpeshta të komunës së Podujevës në sektorë të caktuar. Ai ka theksuar se gjatë katër viteve të fundit, në Komunën e Podujevës janë evidentuar raste të punësimit të personave me kontrata mbi vepër, dobësi sistematike në prokurim, mungesë të dëshmive për dhënien e subvencioneve, punësim i personave me kontrata mbi vepër dhe nivel jo i kënaqshëm i zbatimit të rekomandimeve të auditimit.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve në Komuna është shqetësues, sjell efekte negative për qytetarët dhe rrezikon përdorimin e fondeve në mënyrë efektive

Niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve në Komuna është shqetësues, sjell efekte negative për qytetarët dhe rrezikon përdorimin e fondeve në mënyrë efektive

Sot, në ambientet e Kuvendit Komunal në Ferizaj, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), ka organizuar debat të hapur mbi gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit për Komunën e Ferizajt. Të pranishëm në këtë debat ishin Auditori i Përgjithshëm Z. Besnik Osmani, nënkryetari i  Komunës së Ferizajit z. Naim Ferati, këshilltarët komunal të Ferizajt, përfaqësues të shoqërisë civile  dhe qytetarë nga komuna e Ferizajit. Auditori i Përgjithshëm i Kosovës z. Besnik Osmani, në këtë debat ka theksuar rëndësinë  dhe ndikimin e raporteve të auditimit në përmirësimin e menaxhimit të financave publike si dhe përmirësimin e kualitetit të shërbimeve për qytetarët. Niveli i zbatimit të rekomandimeve në nivel vendi është rreth 40%, ku nivelin më të ulët e kanë komunat, të cilat nuk e kalojnë pragun prej 27%të rekomandimeve të zbatuara, e që është një nivel mjaftë i ulët, tha Osmani. Tutje z. Osmani tha se raporti i auditimit i vitit të kaluar për Komunën e Ferizajit ka një opinion të kualifikuar. Opinioni i kualifikuar dëmton menaxhmentin e organizatës dhe dëmton qytetarët e Ferizajit. “Kjo situatë sjellë efekte sepse një Institucion Publik në Kosovë i cili merr dy vite rresht opinion të kualifikuar përjashtohet nga mundësia e marrjes së borxhit publik, përjashtohet nga mundësia e marrjes së donacioneve dhe ndikon negativisht në marrjen e fondeve të BE-së,  sepse matësi kryesor janë raportet e auditimit” shtoi ai. Ndërkaq, nënkryetari i komunës së Ferizajit, z.Naim Ferati ka theksuar se auditorin e trajtojnë si partner serioz që të arrihet zbatimi dhe ligjshmëria e procedurave komunale, megjithëse ka pranuar se ka ngecje në zbatim të rekomandimeve. “Ka shumë shqetësime që janë të përbashkëta sa i përket raportit dhe rekomandimeve të dhëna. Pas këtij takimi, do të trajtojë edhe analizat e BIRN-it dhe të Auditorit të Përgjithshëm që të shihet gjendja se ku jemi”, ka shtuar ai. Debatit të sotëm i ka paraprirë analiza e raporteve të auditimit për pesë vitet e fundit për Komunën e Ferizajit, e cila u prezantua nga Visar Prebreza, redaktor përgjegjës i Gazetës Jeta në Kosovë. z. Prebreza tha se numri i madh i rekomandimeve që komuna ka marr nga Auditori i Përgjithshëm tregon se për disa çështje ka pasur shkelje, lëshime apo dobësi.  Në dy vitet e fundit komuna ka marr opinion të kualifikuar, pasi ka çalime në këtë pjesë”, tha ai. Ndërsa sa i përket zbatimit të rekomandimeve, në vitin 2016, kanë qenë 29 rekomandime, në 2017 janë adresuar vetëm 5 nga 29 të tilla. Ka nevojë që rekomandimet e auditorit të merren shumë më seriozisht nga komuna e Ferizajt, duke filluar nga kryetari. Zyra Kombëtare e Auditimit, në baza vjetore kryen auditimin e detyrueshëm të rregullsisë për Buxhetin e Qeverisë së Kosovës; të gjitha organizatat buxhetore të cilat pranojnë buxhet përmes ligjit vjetor të buxhetit; dhe Ndërmarrjet Publike. Raportet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien dhe ofrojnë bazë të qëndrueshme për t’u kërkuar llogari menaxherëve të çdo organizate buxhetore. Rëndësia e raporteve të auditimit qëndron në identifikimin e dobësive në sistemet e qeverisjes, veçanërisht të sistemeve financiare, ndërsa zbatimi i rekomandimeve të auditimit shërben si një mekanizëm për sanimin e këtyre dobësive dhe bërjen e sistemeve më efikase dhe efektive në arritjen e objektivave. Analizat në këtë fushë kanë rezultuar se niveli aktual i zbatimit të rekomandimeve të auditimit në nivel vendi nuk është i kënaqshëm.
Lexo më shumë
Donatorët rrisin  kërkesat  ndaj Zyrës Kombëtare të Auditimit për auditimin e fondeve të tyre dhënë Institucioneve Publike 

Donatorët rrisin  kërkesat  ndaj Zyrës Kombëtare të Auditimit për auditimin e fondeve të tyre dhënë Institucioneve Publike 

Për shkak të rritjes së besueshmërisë ndaj punës së Zyrës Kombëtare të Auditimit, janë rritur edhe kërkesat e donatorëve për auditimin e fondeve të tyre dhëne Institucioneve Publike në Kosovë. Sot, Zyra Kombëtare e Auditimit dhe Projekti DEMOS- Decentralizimi dhe Përkrahja e komunave, kanë nënshkruar marrëveshje për kryerjen e auditimit të veçantë të projekteve kapitale të financuar përmes Grantit të Performancës. Me anë të këtij auditimi  do të vlerësohet nëse procesi i prokurimit për projektet kapitale është në pajtim me kërkesat ligjore që nga planifikimi deri te realizimi i kontratës. Po ashtu do të vlerësohet nëse projektet e realizuara nga granti i DEMOS kanë arritur qëllimin e synuar e që nënkupton nëse me anë të këtyre investimeve komunat kanë përmirësuar ofrimin e  shërbimeve publike ndaj qytetarëve. Në vitin 2018, të drejtën e përfitimit të granteve nga DEMOS e kanë fituar 22 komuna. Duke zhvilluar konkurrencën në mes të Komunave grantet e performancës kanë për qëllim të nxisin ndryshime pozitive në sjelljen e komunave për përmirësimin e qeverisjes demokratike, menaxhimit financiar, burimeve njerëzore si dhe transparencën dhe integritetin. Auditimi i këtij projekti do të kryhet në përputhje me Standardet Ndërkombëtarë të Institucioneve Supreme të Auditimit si dhe praktikat e mira evropiane. Auditimet e performancës të kryera nga Zyra Kombëtare e Auditimit janë shqyrtime të pavarura dhe të besueshme që vlerësojmë nëse veprimet qeveritare, sistemet, operacionet, programet, aktivitetet ose organizatat veprojnë në përputhje me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe efektivitetit dhe nëse ka vend për përmirësim. Ky është auditimi i dytë i performancës, që do të kryhet në vitin 2019 me kërkesë të donatorëve. Poashtu, Zyra Kombëtare e Auditimit në sezonin auditues 2019/2020,  do të auditoj edhe  pasqyrat financiare për 9 projekte të fondeve të donatorëve.
Lexo më shumë