Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/19/2019 1:53:35 PM

Mungesa e organizimit dhe koordinimit mes autoriteteve përgjegjëse e bënë të pasigurt trafikun rrugor

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) e bëri publik raportin e auditimit të performancës “Siguria në trafikun rrugor”. Raporti konkludon se mungesa e zbatimit, organizimit dhe koordinimit të aktiviteteve nga autoritetet përgjegjëse e bënë të pasigurt trafikun rrugor për pjesëmarrësit në trafik. Në këtë raport theksohet se organet përgjegjëse, Policia e Kosovës, e cila duhet të garantojë zbatimin e rregullave nga pjesëmarrësit në trafik dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit së  bashku me komunat, të cilat duhet të sigurojnë rrugë dhe infrastrukturë të sigurt për pjesëmarrësit në trafik, nuk janë efektive dhe nuk po bëjnë sa duhet për të rritur sigurinë në trafik. Të gjeturat e auditimit nxjerrin në pah se mbulimi i rrugëve me kontroll policore në trafikun rrugor në rajonin e Prishtinës është i mangët; kontrollet policore nuk orientohen sipas nevojave apo rreziqeve, si dhe kontrollet nuk inspektohen/mbikëqyren rregullisht nga Divizioni i Komunikacionit Rrugor dhe nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor–Prishtinë. Për më tepër, Sistemi Informativ i Policisë së Kosovës karakterizohet me të dhëna jo të plota dhe të pasakta rreth analizimit dhe identifikimit të shkaktarëve e të faktorëve të aksidenteve në trafikun rrugor. Gjithashtu, sipas gjetjeve të auditimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) nuk ka arritur të implementojë kriteret e rëndësishme të sigurisë rrugore, si dhe nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme për identifikimin dhe menaxhimin e vendeve të rrezikshme në rrugë (pikat e zeza). Pos kësaj, MIT-ja nuk ka krijuar bazë të të dhënave që do të mundësonin identifikimin e vendeve të rrezikshme dhe evidentimin/identifikimin e saktë të shkaktarëve dhe faktorëve të aksidenteve.  Për më shumë, monitorimi ndaj qendrave për kontrolle teknike të automjeteve nga MIT-ja dhe subjekti i autorizuar për mbikëqyrje ishte i mangët. Lidhur me të gjeturat e raportit, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, deklaroi se mangësitë e identifikuara në auditim paraqesin shqetësim për nivelin e zbatimit të masave të duhura për përmirësimin e sigurisë në trafik. “Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, Policia e Kosovës dhe niveli lokal kanë rol kyç në ofrimin e sigurisë në trafikun rrugor për pjesëmarrësit në trafik. Megjithatë, mangësitë e identifikuara në auditim paraqesin shqetësim  për nivelin e zbatimit të masave të duhura për përmirësimin e sigurisë në trafikun rrugor”, theksoi Osmani. Me qëllim të adresimit urgjent të sigurisë në trafikun rrugor në vend, Zyra Kombëtare e Auditimit i rekomandon Qeverisë së Kosovës  dhe autoriteteve përgjegjëse që të ndërmarrin hapa konkret për të ofruar siguri në trafikun rrugor. Raporti i auditimit të performancës “Siguria në trafikun rrugor” përfshin periudhën 2016, 2017 dhe 2018. Auditimi kishte për qëllim vlerësimin nëse institucionet publike kanë ndërmarrë veprimet e duhura për të ofruar dhe promovuar siguri në trafikun rrugor në vend. Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegëz.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Mbahet takimi vjetor i Komitetit Drejtues i projektit “Bashkëpunimi për zhvillimin institucional në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Suedisë”

Mbahet takimi vjetor i Komitetit Drejtues i projektit “Bashkëpunimi për zhvillimin institucional në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Suedisë”

Këshilli i Komitetit Drejtues i Projektit për bashkëpunim e për zhvillim institucional në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës mbajtën mbledhjen e rregullt vjetore në Stokholm të Suedisë.  Mbledhja u drejtua nga Auditori i Përgjithshëm i Suedisë, Helena Lindberg dhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani. Përfaqësuesit e dy institucioneve supreme të auditimit diskutuan për nivelin e zbatimit të planit të aktiviteteve për vitin 2019, të arriturat e deritanishme dhe për mundësinë e arritjes së marrëveshjes së re, e cila ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve dhe sigurimin e mbështetjes profesionale për ZKA-në në zbatimin standardeve ndërkombëtare të auditimit. Marrëveshja parasheh zhvillimin e aktiviteteve specifike në fushat si: auditime të performancës, auditime të rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë), lidership, menaxhim të burimeve njerëzore, komunikim dhe planifikim strategjik. Në këtë takim Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, u shoqërua nga Zëvendës-Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu dhe Udhëheqësi i Departamentit për Çështje Juridike, Safet Berisha.  
Lexo më shumë
S’ka siguri se ushqimi në treg është mjaftueshëm i kontrolluar dhe i sigurt

S’ka siguri se ushqimi në treg është mjaftueshëm i kontrolluar dhe i sigurt

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) bëri publik raportin e performancës “Siguria e Ushqimit, rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit”. Raporti konstaton se institucioni përgjegjës Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ende nuk e ka plotësisht funksional sistemin e sigurisë në tërë zinxhirin ushqimor dhe për pasojë nuk ka siguri se ushqimi në treg është mjaftueshëm i kontrolluar dhe është i sigurt për konsumatorin. Gjetjet e auditimit nxjerrin në pah mangësitë në procesin e planifikimit të kontrolleve dhe mungesën e analizës së rreziqeve. Në raport thuhet se vlerësimi i sigurisë në ushqim përmes listave të kontrollit nuk i përfshinë të gjitha parimet e Analizës së Rrezikut dhe Pikave të Kontrollit Kritik (HACCP). Për më tepër, as Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë nuk është i akredituar për të gjitha analizat e nevojshme për siguri në ushqim. Pos kësaj, edhe mënyra e marrjes së mostrave në pikat inspektuese kufitare nuk ofron mjaftueshëm siguri se produktet të cilat hyjnë në treg kontrollohen si duhet dhe sipas procedurave të vendosura. Raporti thekson se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ende nuk i ka kompletuar procedurat dhe standardet e nevojshme për të siguruar se inspektorët sanitarë dhe fitosanitarë janë duke kryer kontrolle zyrtare në pajtim me standardet e sigurisë për ushqim. Auditimi konkludon se inspektorët komunal nuk janë transferuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe nuk ka koordinim të mirë të kontrolleve mes nivelit qendror dhe lokal. Zyra Kombëtare e Auditimit i rekomandon Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë që të kryejë kontrolle cilësore, duke siguruar zbatimin e parimeve të Analizës së Rrezikut dhe Pikave të Kontrollit Kritik (HACCP), të cilat janë bazë për të ofruar siguri në ushqimin për konsumatorë. Ky auditim është realizuar për të vlerësuar nëse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka vendosur sistem adekuat për të ofruar siguri në ushqim. Raporti përfshinë vitin 2018 dhe gjashtëmujorin e parë të vitit 2019. Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegëz.    
Lexo më shumë