Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
2/12/2020 12:15:58 PM

Konferenca Ndërkombëtare “Domethënia dhe rëndësia e anëtarësimit në INTOSAI: ndikimi dhe përfitimet për Institucionet Supreme të Auditimit”

Zyra Kombëtare e Auditimit është duke mbajtur Konferencën Ndërkombëtare “Domethënia dhe rëndësia e anëtarësimit në INTOSAI: ndikimi dhe përfitimet për Institucionet Supreme të Auditimit”. Konferenca u organizua me rastin e pranimit të ZKA-së në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) efektiv nga 1 janari i këtij viti. Pjesëmarrës në këtë konferencë janë përfaqësues të lartë nga Institucionet Supreme të Auditimit nga Suedia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Polonia, Turqia, Finlanda, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi,  nga Gjykata Evropiane e Auditorëve,  si dhe përfaqësues nga INTOSAI. Po ashtu, në konferencë po marrin pjesë edhe udhëheqës të lartë të Institucioneve publike të Kosovës, përfaqësues nga shoqërisë civile, mediave dhe organizatave ndërkombëtare dhe donatorë. Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, hapi punimet e konferencës, duke falënderuar  të pranishmit për pjesëmarrje dhe kontributin e dhënë në procesin e anëtarësimit në INTOSAI. Osmani tha se procesi i anëtarësimit është moment shumë i rëndësishëm për secilin Institucion të Auditimit, sepse INTOSAI është një platformë globale bashkëpunimi për shkëmbimin e përvojave, hartimin e standardeve të auditimit dhe promovimin e ngritjes së kapaciteteve. Të pranishmëve në konferencë u është drejtuar edhe Drejtori i Pergjithshëm i Thesarit, Ahmet Ismaili, i cili e përgëzoi Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Audtimit për anëtarësim në INTOSAI. Ai tha se ZKA-ja është institucion profesional dhe kredibil dhe këtë e dëshmon edhe anëtarësimi në INTOSAI. Ismaili shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovë për të mbështetur Zyrën Kombëtare të Auditimit në përmbushjen e misionit të saj. “Është kënaqësi të fillojë punën qeveria me këtë sukses të ZKA-së. Raportet e auditimit janë vlerë e shtuar dhe kanë për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënien”, tha Ismaili. Në një fjalë rasti, Dr. Harbib Saeed Al Amimi, president i Institucionit Shtetëror të Auditimit të Emirateve të Bashkuara Arabe, e uroi ZKA-në për anëtarësimin në INTOSAI, si dhe për organizimin e suksesshëm të kësaj konference. Ai është fokusuar te domethënia e anëtarësimit në INTOSAI. Tha se me anëtarësimin e ZKA-së INTOSAI është bërë me 194 shtete anëtare. “Qëllimet kryesore të INTOSAI-t janë shkëmbimi i përvojave dhe maksimizimi i tyre. Kjo organizatë tenton të promovojë qeverisjen e mirë, të rrisë transparencën, të ruajë kredibilitetin dhe të luftojë korrupsionit, të promovojë besimin publik, duke ofruar vlerë e dobi për qytetarët e tyre. Nën moton e INTOSAI-t nga përvoja e përbashkët përftojnë të gjithë. Urime të gjithëve”, tha ai. Kurse Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, njëherësh zëvendëskryetare e Komitetit për Ngritje të Kapaciteteve të INTOSAI-t, Helena Lindberg, foli për rendësinë e anëtarësimit të Zyrës Kombëtare të Auditimtit të Kosovës në INTOSAI. Ajo tha se anëtarësimi në INTOSAI tregon se sa e përgatitur dhe profesionale është Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës. Edhe Gene L Dodaro, Auditor i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zyra Qeveritare e Auditimit të SHBA-ve, përmes një video-mesazhi e uroi ZKA-në dhe Kosovën për anëtarësimin në INTOSAI. E falënderoi Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani, për ftesën qe ia ka bërë për t`iu adresuar përmes këtij video-mesazhi. Dodaro tha se presin që të kenë edhe me tutje bashkëpunim me ZKA-në. “INTOSAI ndihmon ISA-t në zbatimin e standardeve ndërkombëtare të auditimit, ngritjes se kapaciteteve, ndihmës për kolegët ndërkombëtar dhe siguron zbatimin e praktikave te mira”, tha ai. Konferenca Ndërkombëtare me temë qendrore “Domethënia dhe rëndësia e anëtarësimit në INTOSAI: ndikimi dhe përfitimet për Institucionet Supreme të Auditimit” po vazhdon punimet në tri panele. Në panelin e parë po diskutohet lidhur me temën ‘Domethënia dhe rëndësia e anëtarësimit në INTOSAI: ndikimi dhe përfitimet që kanë ISA-të”. Në panelin e  dytë diskutimi do të përqendrohet në temën ‘Si të zbatohen Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit–praktikat e mira?’. Ndërkaq, në panelin e tretë do të diskutohet për temën ‘Roli i Thesarit në menaxhimin e parasë publike dhe ndikimi i auditimit të jashtëm’.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja në shenjë mirënjohje ndaj ndihmes së Suedisë inaguroi sallën ‘SNAO’

ZKA-ja në shenjë mirënjohje ndaj ndihmes së Suedisë inaguroi sallën ‘SNAO’

Në shenjë falenderimi dhe respekti për ndihmën e gjithanshme e shumëvjeçare për ngritjen e kapaciteteve të personelit të Zyres Kombëtare të Auditimit (ZKA), sot në ambientet e ZKA-së u bë inaugurimi i sallës së trajnimeve me emrin e institucionit të Zyres Kombetare të Auditimit të Suedisë (SNAO). Ceremonia simbolike e inagurimit u bë nga Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani dhe Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Helena Lindberg, e cila njëherësh është edhe zëvendëskryetare e Komitetit për Ngritje të Kapaciteteve të INTOSAI-t.
Lexo më shumë
Zyra Kombëtare e Auditimit prezantoi raportin e performancës ‘Sistemi i Përcaktimit të Tarifave të Energjisë Elektrike, Termike dhe atyre të Ujësjellësit’

Zyra Kombëtare e Auditimit prezantoi raportin e performancës ‘Sistemi i Përcaktimit të Tarifave të Energjisë Elektrike, Termike dhe atyre të Ujësjellësit’

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) sot bëri prezantimin publik të raportit të performancës  “Sistemi i Përcaktimit të Tarifave të Energjisë Elektrike, Termike dhe atyre të Ujësjellësit”, ku morën pjesë përfaqësues nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Autoriteti Rregullativ për Shërbimet e Ujit (ARRU), KRU “Hidroregjioni Jugor”, KRU “Hidrodrini”, KRU Mitrovica, Ngrohtorja Qendrore Termokos Prishtinë, Ngrohtorja Qendrore ‘Gjakova’, përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare dhe mediave. Me këtë rast, Ndihmës -Auditor i Përgjithshëm, Vlora Spanca, nën mbikëqyrjen e së cilës është kryer ky auditim, tha se auditimi nxjerr në pah disa mangësi që ndikojnë në saktësinë e tarifave të aprovuara dhe rrezikojnë që tarifat të mos jenë drejtë të përcaktura. “Pavarësisht dizajnit të mirë të procesit për përcaktimin e tarifave, ky dizajn nuk është inkorpouar siç duhet në procesin tarifor. Rregullatorët dhe ofruesit e shërbimeve publike nuk kanë zhvilluar një proces të identifikimit të sasisë së konsumuar të shërbimeve nga konsumatorët të cilët janë të liruar nga pagesa e shërbimeve publike. Struktura tarifore për shërbime publike përveç sasisë volumentirike të shërbimeve të ujit dhe energjisë elektrike e ngarkon konsumatorin edhe me tarifa fikse”, theksoi Spanca. Znj. Spanca tha se përkundër përpjekjeve për të aplikuar mirë metodologjinë për përcaktimin e tarifave sistemi ekzistues nuk ka siguruar se tarifat janë përcaktuar siç duhet. “Aprovimi i humbjeve të ofruesve të shërbimeve nuk është i bazuar në një metodologji uniforme për të gjitha kompanitë e shërbimeve përkatëse. Kostot operative dhe kapitale janë aprovuar pa arsyeshmëri të dokumentuar dhe në mungesë të analizave të duhura. Rregullatorët kanë aprovuar nivel më të lartë të borxhit të keq se sa që është borxhi i keq real i ofruesve të shërbimeve”, u shpreh Spanca. Ndërkohë drejtori i Departamentit të Auditimit të Performancës, Myrvete Gashi, tha se ky auditim tregon se sa efektiv është sistemi i aplikuar për caktimin e tarifave dhe nëse ky proces është bërë sipas kritereve të matshme në përshtatje më shpenzimet reale dhe relevante. Gashi bëri me dije se  ZKA-ja ka dhënë 23 rekomandime, 3 prej tyre për qeverinë kurse 20 të tjerat për autoritetet rregullative. “Auditimi përfshinë periudhën 2016-2018, ndërsa raporti i auditimit përmban informata rreth të arriturave, sfidave dhe ngecjeve që janë identifikuar përgjatë këtij auditimi. Përmes këtij raporti kemi dhënë 23 rekomandime, 3 rekomandime për Qeverinë e Kosovës, dhe 20 rekomandime për autoritetet rregullative”, tha Gashi. Ndërkaq udhëheqësi i ekipit që ka realizuar këtë auditim, Fikret Ibrahimi, prezantoi në detaje raportin dhe të gjeturat e auditimit. Ai tha se në procesin e përcaktimit të tarifave ekzistojnë disa mangësi të cilat duhet të eliminohen me qëllim që të kemi tarifa sa më të sakta, më të drejta, më transparente dhe në nivelin më të mirë të mundshëm. Ibrahimi theksoi se kjo mund të arrihet nëse merren parasysh dhe zbatohen rekomandimet e dhëna nga  Zyra  Kombëtare e Auditimit. Ai tha se përfituesit e ndihmës sociale nuk janë kompensuar për shpenzimet e shërbimeve të ujësjellësit dhe energjisë termike, të cilët në parim sipas legjislacionit në fuqi do të duhej të ishin liruar prej këtyre pagesave. Në anën tjetër pjesëmarrësit kanë vlerësuar lartë kontributin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në forcimin e llogaridhënies dhe rritjen e transparencës në administratë publike. Ata kanë shprehur opinionet e tyre lidhur me raportin e auditimit. Poashtu ata kanë shprehur gatishmërinë për t’i zbatuar rekomandimet e dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
Lexo më shumë