Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
4/29/2020 2:03:56 PM

ZKA-ja dorëzon në Kuvendin e Kosovës Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2019

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) e dorëzoi në Kuvendin e Kosovës Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2019. Pas dorëzimit, raporti i njëjtë është publikuar edhe në uebfaqen e ZKA-së. Ky raport përfshinë shënime të rëndësishme rreth performancës së institucionit të Auditorit të Përgjithshëm në përmbushjen e obligimeve të tij kushtetuese e ligjore, në pajtim me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA). Të gjitha aktivitetet e Zyrës gjatë vitit 2019 janë mbështetur në Planin Strategjik 2018-2021, Planin Vjetor të Auditimit 2018/19, që paraprakisht i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës, si dhe në Planin Operativ 2019. Ngjarja kryesore, e cila e ka karakterizuar performancën e Zyrës Kombëtare të Auditimit gjatë vitit 2019 është anëtarësimi me të drejta të plota në në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI). Ky anëtarësim përbën arritjen më të madhe në historinë e auditimit të jashtëm, të sektorit publik të Republikës së Kosovës. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, në fjalën e tij brenda raportit deklaroi se me anëtarësimin e ZKA-së në INTOSAI është bërë i mundur shkëmbimi i dijes dhe i përvojave me Institucionet Supreme të Auditimit, me194 shtete anëtare të kësaj organizate, në mënyrë që të zhvillohen më tutje kapacitetet institucionale, për të zbatuar detyrat dhe përgjegjësitë me integritet të lartë profesional. “ Tani, mbetet një aspiratë e natyrshme që të angazhohemi për anëtarësimin e ZKA-së në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI). Edhe gjatë vitit 2019 kemi vazhduar të zgjerojmë portofolin e auditimeve, duke përfshirë më shumë ndërmarrje publike dhe organizata buxhetore nën auditimin e ZKA-së. Në pajtim me Planin Strategjik të ZKA-së kemi vazhduar angazhimin në auditimet e e performancës, duke e mbajtur numrin e njëjtë, por duke audituar tema dhe sektorë kompleks pasi që edhe në këtë lloj të auditimeve kemi ngritje shumë të mirë të kompetencës profesionale të auditorëve”, theksoi Osmani. Gjatë vitit 2019, sipas Auditorit  të Përgjithshëm është shtrirë më tej ndikimi i ZKA-së përmes rekomandimeve praktike, për drejtuesit e institucioneve publike të Kosovës. “Gëzon fakti që gjatë vitit të kaluar është vërejtur një progres i lehtë në rritjen e shkallës së zbatimit të rekomandimeve të auditimit, por ky trend duhet të rritet ndjeshëm për të pasur efekt në menaxhimin e shëndoshë financiar dhe forcimin e kapaciteteve të administratës publike”, shkroi Osmani. Bazuar në rezultatet e punës së Zyrës Kombëtare e Auditimit të përfshira në raport, gjatë vitit 2019 janë përfunduar dhe publikuar 128 raporte të auditimit. Prej tyre, 115 raporte janë të auditimit të rregullsisë dhe 13 raporte të auditimit të performancës. Numri i auditimeve të rregullsisë është rritur për 4 në raport me sezonin e kaluar, kurse auditimet e performancës kanë pasur rritje nga viti 2016 dhe përbëjnë rreth 11 % të auditimeve të ZKA-së. Auditimi i Ndërmarrjeve Publike (NP) ka filluar në sezonin auditues 2016/17 me vetëm 4 sosh dhe në sezonin 2019/2020 ka arritur në 14 NP, kurse krahasuar me sezonin e kaluar është rritur për 3 ndërmarrje më shumë. Ndërkaq, me Planin Vjetor për sezonin e auditimit 2019/20, ZKA-ja planifikon të kryejë auditimet, si në vijim: 119 Auditime të rregullsisë, si dhe 13 auditime të performancës. Megjithatë, për shkak të ndikimit të pandemisë COVID 19 në funksionimin normal të institucioneve publike në Kosovë, ZKA-ja do të mund sfidohet në realizimin e planit të auditimit. Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2019 mund ta gjeni në këtë vegëz.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Vazhdon zbatimi i projektit të binjakëzimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe të Polonisë përmes komunikimit online

Vazhdon zbatimi i projektit të binjakëzimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe të Polonisë përmes komunikimit online

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, takimi i radhës për zbatimin e projektit “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës” në mes të zyrtarëve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe atyre të Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë u mbajt përmes një video-konference. Në takimin virtual me ekspertë nga Varshava dhe Lisbona u diskutua draft-raporti i auditimit të teknologjisë informative i cili i dedikohet menaxhimit të sistemeve IT-së në njërin prej institucioneve qendrore të Kosovës. Ky takim u mbajt në kuadër të komponentës së tretë të projektit “Përditësimi i doracakëve të auditimit dhe të letrave të punës, në përputhje me legjislacionin dhe Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit”. Në kuadër të kësaj komponente veç të tjerash janë duke u pilotuar edhe dy auditime të teknologjisë informative, të cilat do të realizohen nga auditorët e teknologjisë informative të ZKA-së, me ndihmën e kolegëve të tyre polakë dhe portugezë. Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për mënyrën e paraqitjes së konkluzioneve dhe rekomandimeve të auditimit në mënyrë efektive, që ato të jenë më të kuptueshme dhe të zbatueshme. Auditimi i Teknologjisë së Informacionit është një ndër llojet më me interes të auditimeve që zhvillohet nga Institucionet Supreme të Auditimit në mbarë botën. Në këtë drejtim edhe ZKA-ja është duke kryer auditime të sistemeve të TI-së, duke pasur parasysh parimet e përgjithshme të auditimit që rrjedhin nga Standardet Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit. Auditimi i TI-së nënkupton ekzaminimin e zbatimit të sistemeve të TI-së për të garantuar se ato përmbushin nevojat e subjektit, pa komprometuar sigurinë e të dhënave, privatësinë, koston dhe elemente të tjera kritike të veprimtarisë së subjektit të audituar.
Lexo më shumë
Gazetarët e rinj përfitojnë njohuri rreth ZKA-së dhe raporteve të auditimit

Gazetarët e rinj përfitojnë njohuri rreth ZKA-së dhe raporteve të auditimit

Në kuadër të projektit “Përmirësimi i performancës në raportimin dhe monitorimin e Raporteve të Auditorit”, i organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), u mbajt kursi i parë i trajnimit të gazetarëve të rinj, me qëllim që të përfitojnë njohuri për trajtimin e raporteve të auditimit, të cilat janë produkt i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Kursi u zhvillua në tri seanca përmes platformës “online”. Në seancën e parë, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, mbajti një ligjëratë gjithëpërfshirëse, duke e shpjeguar rolin, misionin, mënyrën se si funksionon Zyra Kombëtare e Auditimit, si dhe detaje të tjera rreth procesit të përpilimit të raporteve të auditimit. Trajnimi ishte interaktiv, ku gazetarët e rinj patën mundësinë që përmes pyetjeve t`i zhvillojnë edhe më tutje njohuritë  rreth fushës së auditimit. Seanca e dytë u administrua nga Visar Prebreza, redaktor në KALLXO.com, ndërsa e treta u drejtua nga Labinot Leposhtica, koordinatori i zyrave ligjore në BIRN Kosovë. Ky projekt përmban edhe kurse të tjera trajnuese, të cilat janë në proces të realizimit. Projekti është i përkrahur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Prishtinë dhe ka për qëllim që të përmirësojë aftësitë e gazetarëve dhe monitoruesve në mënyrë që ata të mund të identifikojnë më mirë shkeljet në alokimin e parave publike. Këto seanca trajnimi, gjithashtu duhet të inkurajojnë gazetarët e rinj që të ndërmarrin gazetari hulumtuese.  
Lexo më shumë