Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/17/2020 6:19:42 PM

Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Transfere miraton njëzëri Raportin Vjetor të Performacës së Zyrës Kombëtare të Auditimit

Komisioni për Buxhet dhe Transfere në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar Raportin Financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2019. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, prezantoi dhe arsyetoi në mënyrë të detajuar Raportin e Punës dhe Pasqyrat Vjetore Financiare 2019 të audituara. Prezantimi është fokusuar në strukturën e buxhetit, qëllimet e përdorimit dhe rezultatet e arritura. Deputetët kanë vlerësuar pozitivisht jo vetëm rritjen e numrit të auditimeve, por edhe rritjen e vazhdueshme të cilësisë së raporteve e të forcimit të kapaciteteve të ZKA-së dhe e cila është zbatuar me një rritje të lehtë të buxhetit të dhënë në dispozicion nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Duke folur për sfidat, Auditori i Përgjithshëm nënvizoi se shpenzimet e qirasë që marrin rreth 26 për qind të buxhetit të mallrave dhe shërbimeve duhet të tejkalohen duke siguruar një objekt nga organet kompetente të Kosovës dhe se është urgjente ndryshimi i kornizës ligjore për tejkalimin e dualizmave në sektorin e auditimit publik dhe harmonizimin me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Tutje duke folur për aktivitetin dhe punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Osmani i njoftojë deputetët e Kuvendit të Kosovës se ka pasur rritje të numrit të auditimeve, nga 98 auditime sa kane qenë në vitin 2016 tani janë rreth 130 auditime. Deputetët kanë vlerësuar bashkëpunimin cilësor të ZKA-së në nivel rajonal dhe global i cili  është kurorëzuar me anëtarësimin e plotë në INTOSAI si dhe shprehen mbështetjen e tyre që të punojnë në ruajtjen dhe forcimin e mëtejmë të integritetit dhe pavarësisë në punën audituese të Auditorit të Përgjithshëm dhe ZKA-së. Raporti financiar i ZKA-së mori miratimin e të gjithë anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Transfere dhe i njëjti bashkë me rekomandime do të dërgohet për miratim në seancë të Kuvendit.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Ministrja Hykmete Bajrami priti në takim Auditorin e Përgjithshëm Besnik Osmani

Ministrja Hykmete Bajrami priti në takim Auditorin e Përgjithshëm Besnik Osmani

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami, ka pritur sot në takim Auditorin e Përgjithshëm Besnik Osmani me bashkëpunëtorë, me të cilët ka diskutuar për reformën në menaxhimin e financave publike, me theks të veçantë rritjen e performancës në shpenzimin e parasë publike. Me këtë rast, Ministrja Bajrami, ka theksuar rëndësinë e avancimit të kontrollit të financave publike me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe cilësisë së  ofrimit të shërbimeve për qytetarët nga Organizatat Buxhetore. Ministrja Bajrami shprehu gatishmërinë e Qeverisë Hoti për bashkëpunim të ngushtë me Zyrën Kombëtare të Auditimit në ngritjen e efikasitetit të kontrollit të financave publike, me qëllim të eliminimit të keqmenaxhimit të financave publike. Ajo gjithashtu njoftoi auditorin e përgjithshëm Besnik Osmani për procesin e rishikimit të Buxhetit, i cili sipas saj shumë shpejt do t’i dorëzohet Qeverisë dhe Kuvendit për miratim. Në anën tjetër, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani ka shprehur gatishmërinë e tij për bashkëpunim me institucionet qeverisëse, veçanërisht me Ministrinë e Financave në avancimin e menaxhimit të financave publike nga organizatat buxhetore.
Lexo më shumë
Auditori kërkon përmirësime në sigurinë e informacionit të sistemeve statistikore 

Auditori kërkon përmirësime në sigurinë e informacionit të sistemeve statistikore 

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar Raportin e Auditimit të Teknologjisë së Informacionit “Qeverisja, menaxhimi i operacioneve dhe siguria e sistemeve të teknologjisë së informacionit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës”. Auditimi është kryer në këtë Agjenci që është bartëse, shpërndarëse dhe koordinatore e statistikave zyrtare të Kosovës. Ky auditim përfshin periudhën 2019-2020 dhe kishte për qëllim të vlerësojë organizimin dhe qeverisjen e teknologjisë së informacionit, lidhur me kontrollet e sigurisë së të dhënave, kontrollet e aplikacioneve si dhe ruajtjen e integritetit të të dhënave. Rezultatet e auditimit tregojnë se Agjencia përmes sistemeve të teknologjisë së informacionit në përgjithësi ka arritur të realizojë dhe të publikojë projektet statistikore të parapara me planin e publikimeve. Megjithatë, nuk kishte vendosur mekanizmat e nevojshëm për kontrollet e përgjithshme të teknologjisë së informacionit, që përfshijnë mjedisin në të cilin aktivitetet janë zhvilluar, operuar, menaxhuar dhe mirëmbajtur. Ka mungesë të vlerësimit adekuat të nevojave në fushën e teknologjisë së informacionit, ndarje joadekuate të detyrave dhe përgjegjësive të stafit si dhe ka staf të pamjaftueshëm të teknologjisë së informacionit. Po ashtu, menaxhimi i aktiviteteve të teknologjisë së informacionit nuk është mjaftueshëm i bazuar në politika, procedura dhe procese të operimit. Agjencia nuk kishte marrë hapat e mjaftueshëm për t’u siguruar që informacioni i përpunuar nuk ekspozohet ndaj palëve të paautorizuara. Mungojnë politikat që trajtojnë çështjet e sigurisë së informacionit si dhe ndërgjegjësimi mbi kërkesat e përgjithshme të sigurisë së informacionit nga personeli i Agjencisë ka rezultuar i mangët. Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka theksuar që rezultatet e auditimit tregojnë se çështjet lidhur me sigurinë e informacionit rreth sistemeve statistikore kanë nevojë të përmirësohen. Në veçanti, sistemet e teknologjisë së informacionit duhet të forcohen para fillimit të proceseve të rëndësishme të parapara për vitin 2021 siç janë realizimi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Duke marrë parasysh rëndësinë që kanë statistikat në nivel shtetëror, Osmani tha se Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar Qeverinë e Kosovës që posaçërisht të adresojë çështjet rreth sigurisë së informacionit dhe kapaciteteve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Ndërsa, me qëllim të adresimit të shpejtë të çështjeve rreth menaxhimit dhe qeverisjes së teknologjisë së informacionit brenda Agjencisë, ka dhënë 13 rekomandime për Agjencinë e Statistikave të Kosovës. Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegëz.
Lexo më shumë