Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/25/2020 2:38:18 PM

16 vite punë me përkushtim dhe profesionalizëm në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Kolegu dhe miku ynë Enver Ramadani, sot shënon me sukses dhe shëndet të plotë mbylljen e karrierës profesionale si “Auditor Senior” që është shkalla më e lartë e funksionit auditues. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani dhe kolegët nga Zyra Kombëtare e Auditimit shprehin respekt të veçantë për kontributin dhe bashkëpunimin e tij gjatë kohës sa kemi punuar bashkë. Enver Ramadani ka filluar punën në Zyrën Kombëtare të Auditimit në shtator të viti 2004. Për 16 vite me radhë ka punuar me përkushtim dhe profesionalizëm duke dhënë kontribut të çmuar për institucionin dhe auditimin publik në përgjithësi. Gjatë karrierës së tij si auditor,  Ramadani ka udhëhequr auditime të rëndësishme që në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë ndikuar në rritjen e cilësisë dhe përmirësimin e proceseve, qoftë në institucion por edhe në administratën publike në përgjithësi. Përvoja dhe këshillat e tij profesionale do t’u shërbejnë kolegëve edhe për një kohë të gjatë.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditori kërkon përmirësime në sigurinë e informacionit të sistemeve statistikore 

Auditori kërkon përmirësime në sigurinë e informacionit të sistemeve statistikore 

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar Raportin e Auditimit të Teknologjisë së Informacionit “Qeverisja, menaxhimi i operacioneve dhe siguria e sistemeve të teknologjisë së informacionit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës”. Auditimi është kryer në këtë Agjenci që është bartëse, shpërndarëse dhe koordinatore e statistikave zyrtare të Kosovës. Ky auditim përfshin periudhën 2019-2020 dhe kishte për qëllim të vlerësojë organizimin dhe qeverisjen e teknologjisë së informacionit, lidhur me kontrollet e sigurisë së të dhënave, kontrollet e aplikacioneve si dhe ruajtjen e integritetit të të dhënave. Rezultatet e auditimit tregojnë se Agjencia përmes sistemeve të teknologjisë së informacionit në përgjithësi ka arritur të realizojë dhe të publikojë projektet statistikore të parapara me planin e publikimeve. Megjithatë, nuk kishte vendosur mekanizmat e nevojshëm për kontrollet e përgjithshme të teknologjisë së informacionit, që përfshijnë mjedisin në të cilin aktivitetet janë zhvilluar, operuar, menaxhuar dhe mirëmbajtur. Ka mungesë të vlerësimit adekuat të nevojave në fushën e teknologjisë së informacionit, ndarje joadekuate të detyrave dhe përgjegjësive të stafit si dhe ka staf të pamjaftueshëm të teknologjisë së informacionit. Po ashtu, menaxhimi i aktiviteteve të teknologjisë së informacionit nuk është mjaftueshëm i bazuar në politika, procedura dhe procese të operimit. Agjencia nuk kishte marrë hapat e mjaftueshëm për t’u siguruar që informacioni i përpunuar nuk ekspozohet ndaj palëve të paautorizuara. Mungojnë politikat që trajtojnë çështjet e sigurisë së informacionit si dhe ndërgjegjësimi mbi kërkesat e përgjithshme të sigurisë së informacionit nga personeli i Agjencisë ka rezultuar i mangët. Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka theksuar që rezultatet e auditimit tregojnë se çështjet lidhur me sigurinë e informacionit rreth sistemeve statistikore kanë nevojë të përmirësohen. Në veçanti, sistemet e teknologjisë së informacionit duhet të forcohen para fillimit të proceseve të rëndësishme të parapara për vitin 2021 siç janë realizimi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Duke marrë parasysh rëndësinë që kanë statistikat në nivel shtetëror, Osmani tha se Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar Qeverinë e Kosovës që posaçërisht të adresojë çështjet rreth sigurisë së informacionit dhe kapaciteteve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Ndërsa, me qëllim të adresimit të shpejtë të çështjeve rreth menaxhimit dhe qeverisjes së teknologjisë së informacionit brenda Agjencisë, ka dhënë 13 rekomandime për Agjencinë e Statistikave të Kosovës. Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegëz.
Lexo më shumë
Auditori i Përgjithshëm miraton Strategjinë e Komunikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit  2020-2022

Auditori i Përgjithshëm miraton Strategjinë e Komunikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit  2020-2022

Zyra Kombëtare e Auditimit e njeh rëndësinë e ofrimit të informacionit te Parlamenti dhe publiku i gjerë rreth mënyrës se si Qeveria i menaxhon burimet shtetërore, prandaj strategjia e komunikimit është mjet thelbësor për promovimin e praktikave më të mira, llogaridhënies dhe rritjen e transparencës. Auditori i Përgjithshëm sot ka miratuar Strategjinë e Komunikimit, e cila përcakton qëllimet dhe objektivat që Zyra synon të arrijë gjatë periudhës 2020-2022, në komunikimin me palët e interesit dhe publikun. Përmes kësaj strategjie ZKA synon të: promovojë rolin kushtetues të ZKA-së dhe të rris vetëdijesimin publik për rezultatet e auditimit; rris llogaridhënien në sektorin publik përmes bashkëpunimit  intensiv me Parlamentin; rris ndikimin e punës audituese si dhe të komunikojë  dhe marrë pjesë aktive në aktivitete ndërkombëtare. Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, në fjalën e tij ka theksuar se Strategjia e Komunikimit 2020-2022 përqendrohet në rrjedhën efektive dhe të pandërprerë të informacionit mes ZKA-së dhe palëve të saj të interesit. Ajo, gjithashtu kontribuon në zbatimin e misionit, vizionit dhe qëllimeve strategjike të ZKA-së, si një institucion që mbështet funksionimin më të mirë të shtetit. Miratimit të kësaj strategjie i ka paraprirë proces i diskutimit me bashkëpunëtor, shoqërinë civile, mediat dhe qytetarët. Procesi i hartimit të Strategjisë së Komunikimit është mbështetur nga ekspertë të Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë përmes projektit të binjakëzimit. Strategjinë e Komunikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit e gjeni në këtë vegëz.
Lexo më shumë