Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
7/4/2020 6:38:32 PM

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës uron Kryetarin e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit Arben Shehu

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, uroi z. Arben Shehu me rastin e emërimit të tij Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë. Nëpërmjet një letre urimi, Osmani i ka dëshiruar Shehut sukses në arritjen e synimeve institucionale dhe përmbushjen e misionit kushtetues dhe ligjor në shërbim të vendit dhe qytetarëve. “Institucionet tona tashmë kanë ndërtuar një bashkëpunim të fortë dhe ka një traditë të shkëmbimeve profesionale dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta.  Në këtë frymë, dua të ju siguroj për dëshirën dhe gatishmërinë time për të rritur dhe forcuar më tej këtë bashkëpunim, e në veçanti për çështjet me interes të përbashkët dhe paraqitjes aktive të institucioneve tona në ngjarjet dhe aktivitetet e organizuara nga INTOSAI dhe EUROSAI”, thuhet ndër të tjera në letrën e urimit të Auditorit të Përgjithshëm, Besnik Osmani dërguar homologut të tij shqiptar Arben Shehu.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditori i Përgjithshëm miraton Strategjinë e Komunikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit  2020-2022

Auditori i Përgjithshëm miraton Strategjinë e Komunikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit  2020-2022

Zyra Kombëtare e Auditimit e njeh rëndësinë e ofrimit të informacionit te Parlamenti dhe publiku i gjerë rreth mënyrës se si Qeveria i menaxhon burimet shtetërore, prandaj strategjia e komunikimit është mjet thelbësor për promovimin e praktikave më të mira, llogaridhënies dhe rritjen e transparencës. Auditori i Përgjithshëm sot ka miratuar Strategjinë e Komunikimit, e cila përcakton qëllimet dhe objektivat që Zyra synon të arrijë gjatë periudhës 2020-2022, në komunikimin me palët e interesit dhe publikun. Përmes kësaj strategjie ZKA synon të: promovojë rolin kushtetues të ZKA-së dhe të rris vetëdijesimin publik për rezultatet e auditimit; rris llogaridhënien në sektorin publik përmes bashkëpunimit  intensiv me Parlamentin; rris ndikimin e punës audituese si dhe të komunikojë  dhe marrë pjesë aktive në aktivitete ndërkombëtare. Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, në fjalën e tij ka theksuar se Strategjia e Komunikimit 2020-2022 përqendrohet në rrjedhën efektive dhe të pandërprerë të informacionit mes ZKA-së dhe palëve të saj të interesit. Ajo, gjithashtu kontribuon në zbatimin e misionit, vizionit dhe qëllimeve strategjike të ZKA-së, si një institucion që mbështet funksionimin më të mirë të shtetit. Miratimit të kësaj strategjie i ka paraprirë proces i diskutimit me bashkëpunëtor, shoqërinë civile, mediat dhe qytetarët. Procesi i hartimit të Strategjisë së Komunikimit është mbështetur nga ekspertë të Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë përmes projektit të binjakëzimit. Strategjinë e Komunikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit e gjeni në këtë vegëz.
Lexo më shumë
Auditori kërkon përmirësim të menjëhershëm të sistemeve të informacionit përmes të cilave administrohen detyrimet tatimore

Auditori kërkon përmirësim të menjëhershëm të sistemeve të informacionit përmes të cilave administrohen detyrimet tatimore

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Menaxhimi i Obligimeve Tatimore në Sistemet e Informacionit të Administratës Tatimore të Kosovës”. Auditimi është kryer në Administratën Tatimore të Kosovës dhe kishte për qëllim vlerësimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit të cilat mbështesin menaxhimin dhe administrimin e detyrimeve tatimore, për të siguruar që sistemet ofrojnë informacione të besueshme, të plota dhe të sakta. Administrimi dhe menaxhimi i detyrimeve tatimore bëhet nëpërmjet sistemeve të informacionit të ndërlidhura siç janë Sistemi Elektronik për Deklarim të Tatimit, Sistemi i Integruar Qeveritar për Administratën Tatimore dhe Sistemi për Menaxhimin e Rasteve të Mbledhjes. Sistemet e ndërlidhura tatimore kanë mundësuar ofrimin e shërbimeve online, ruajtjen dhe trajtimin e deklaratave tatimore dhe kanë zvogëluar shpenzimet operative për ATK-në duke mundësuar menaxhim më të lehtë të borxheve tatimore. Mirëpo, auditimi ka nxjerr përfundimin se pavarësisht avancimit të sistemeve dhe lehtësirave të ofruara, sistemet e teknologjisë së informacionit kanë mangësi që ndërlidhen me kontrollet e aplikacionit, konfigurimin e sistemit, kontrollet e qasjes logjike në sisteme, si dhe me sigurinë e informacionit dhe vazhdimësinë e sistemeve. Sistemet janë të ekspozuara ndaj rreziqeve të humbjes së integritetit dhe konfidencialitetit të të dhënave dhe disponueshmërisë së sistemeve. Këto mangësi kanë ndikuar në paraqitjen e një pasqyre jo të saktë dhe jo të plotë të llogarive të deklaratave tatimore, në rreziqe të funksionimit të sistemeve të informacionit, humbje të integritetit dhe konfidencialitetit të të dhënave dhe rreziqe në sigurinë e informacionit dhe vazhdimësinë e punës së sistemeve. Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka theksuar që rezultatet e auditimit tregojnë nevojën për përmirësime të menjëhershme në menaxhimin e sistemeve të informacionit, nëpërmjet të cilave administrohen detyrimet tatimore. Osmani, tha se duke marrë parasysh rëndësinë e detyrimeve tatimore që kanë për buxhetin e shtetit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar Ministrinë e Financave që me prioritet të adresoj çështjet rreth sigurisë së informacionit dhe kapaciteteve të Administratës Tatimore të Kosovës. Me qëllim të adresimit të shpejtë të çështjeve të menaxhimit dhe kontrollit të teknologjisë së informacionit brenda organizatës, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 18 rekomandime për Administratën Tatimore të Kosovës. Procesi dhe Metodologjia e zbatuar në këtë auditim, është mbështetur nga Projekti i Binjakëzimit i financuar nga BE-ja KS 17 IPA FI 01 19 “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës”. Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegëz.
Lexo më shumë