Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
9/7/2020 3:40:18 PM

Nis zbatimi i programit për trajnimet e brendshme në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Në kuadër të Projektit të Binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejshëm i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës” dhe me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të brendshme për zbatimin e metodologjisë së përditësuar në auditimin financiar dhe të pajtueshmërisë sot ka filluar trajnimi tre javor i auditorëve të ZKA-së. Ky trajnim është aktiviteti i parë në kuadër të programit të trajnimeve të brendshme që do të zhvillohen gjatë shtatorit dhe gjysmës së parë të tetorit 2020, në ZKA. Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, përmes komunikimit elektronik me stafin, vlerësoi se trajnimi ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të ZKA-së në fushën e metodologjisë. Me këtë rast Osmani përmendi investimet e shumta që janë bërë në përditësimin e metodologjisë së auditimit në mënyrë që ZKA-ja të jetë sa më afër standardeve ndërkombëtare të auditimit si dhe të përvetësojë praktikat më të mira ndërkombëtare të planifikimit dhe zbatimit të auditimit. Auditori i Përgjithshëm falënderoj drejtuesit e projektit dhe stafin e ZKA-së për punën e mirë të bërë deri më tani në zhvillimin e doracakëve dhe letrave të punës. Për shkak të gjendjes pandemike me Covid-19 seancat trajnuese janë duke u mbajtur përmes platformës Zoom. Realizimi i trajnimit është ndarë në dy pjesë/module. Në pjesën e parë parashihet mbajtja e trajnimit për zbatimin e metodologjisë për planifikimin e përgjithshëm dhe detaj në auditim, kurse në pjesën e dytë do të mbahet trajnimi për zbatimin e metodologjisë për fazën e ekzekutimit dhe të raportimit në auditim. Faza e parë e këtij trajnimi ka filluar sot dhe do të zgjasë deri më 25 shtator, ndërsa faza e dytë do të organizohet gjatë muajit janar të vitit 2021. Në fund të trajnimit auditorët do t’i nënshtrohen testimit si dhe do të pajisen me certifikatë.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Kryetarja e Kuvendit pret në takim Auditorin e Përgjithshëm Besnik Osmani

Kryetarja e Kuvendit pret në takim Auditorin e Përgjithshëm Besnik Osmani

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, i ka dorëzuar kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani -Sadriu, Raportin Vjetor të Auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019. Osmani u pritë në takim të veçantë nga kryetarja e Kuvendit dhe me këtë rast, e ka informuar atë për përmbylljen me sukses të vitit auditues, si dhe për sfidat, të cilat e kanë shoqëruar procesin, për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia. “Ka qenë sfiduese balancimi i nevojave për ruajtjen e shëndetit të auditorëve dhe paralelisht zbatimi i mandatit, duke siguruar cilësinë e punës sonë, por, përkundër vështirësive kemi arritur që me kohë të dorëzojmë Raportin e Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Buxhetit të Republikës të Kosovës për vitin 2019, duke e përmbyllur me sukses të plotë vitin auditues”, ka deklaruar Osmani. Ndër të tjera, Auditori i Përgjithshëm, ka theksuar se fokusi parësor i punës së ZKA-së kanë qenë vlerësimet për cilësinë e raportimit financiar, dizajnimin dhe efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, si dhe pajtueshmërinë e transaksioneve financiare me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Përmes procesit të auditimit është konstatuar se ka një progres të lehtë në fushën e raportimit financiar, por mangësitë dhe dobësitë më të theksuara vazhdojnë të mbeten në aktivitetet ekzekutive të buxhetit, ku shumë projekte kapitale fillohen pa fonde të mjaftueshme, dhe për shkak të kësaj, ato rrallëherë përfundohen me kohë, ndërkohë që mbikëqyrja nuk parandalon devijimet e shumta nga kushtet e përcaktuara me kontrata. Me këtë rast në mënyrë të veçantë është kërkuar nga Qeveria që të forcojë disiplinën financiare, sepse shumat e detyrimeve të papaguara dhe llogarive të arkëtueshme kanë arritur shifra të larta, dhe pa dyshim janë sfidat kryesore të Qeverisë derisa regjistrimi dhe menaxhimi i pasurive paraqesin një problem të përsëritur prej shumë vitesh, dhe progresi në këtë fushë është i varfër, u shpreh Auditori i Përgjithshëm. Gjatë vitit raportues janë audituar 95 organizata buxhetore me një buxhet të përgjithshëm rreth 2.5 miliardë, 14 ndërmarrje publike kryesisht në fushën e telekomunikimit, furnizimit me ujë dhe trajtimit të mbeturinave, 13 auditime të performancës si dhe 9 projekte të financuara nga fondet e donatorëve. Zyra Kombëtare e Auditimit me 15 shtator fillon vitin e ri të auditimit dhe aktualisht në mënyrë intensive po punohet në planin vjetor të punës 2020/2021.
Lexo më shumë
Komunës së Dragashit i kërkohet zbatimi i rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm

Komunës së Dragashit i kërkohet zbatimi i rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm

Në kuadër të projektit “Promovimi i rolit të Auditorit të Përgjithshëm / ZKA në Kosovë”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë Holandeze/ Ministria e Punëve të Jashtme, BIRN Kosova të mërkurën në Komunën e Dragashit organizoi debatin me temën “Ndikimi i pandemisë në të hyrat dhe shpenzimet e komunës”. Të pranishëm në debat ishin kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Emine Fazliu, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe përfaqësues të shoqërisë civile e asamblistë të kësaj komune. Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Emine Fazliu, tha se opinioni i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Dragashit për vitin 2019 është opinion i pamodifikuar, që do të thotë se pasqyrat financiare vjetore prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë. Fazliu bëri me dije se gjetjet kryesore të raportit të auditimit të Komunës së Dragashit për vitin 2019 kryesisht kanë të bëjnë me klasifikimin jo adekuat të shpenzimeve, parregullsi në dhënien e pronave komunale me qira, dobësi në procedurat e mbajtjes së ankandit publik, mangësi në inkasimin e të hyrave për lejet mjedisore komunale, depozitim i vonuar i parasë publike si dhe dobësi në procesin e rekrutimit. Tutje Fazliu theksoi se rekomandimet e Auditorit kanë për qellim përmirësimin e menaxhimit të  financave publike dhe forcimin e kontrolleve të brendshme në komunë dhe se zbatimi i plotë i tyre ndikon në rritjen e performancës së komunës dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. “Komuna e Dragashit ka zbatuar 38.9 për qind të rekomandimeve e që është pak mbi mesataren e zbatimit të përgjithshëm të rekomandimeve në nivel lokal prej 37 për qind. ZKA në raportin e auditimit për vitin 2018 kishte dhënë 18 rekomandime, prej tyre shtatë janë zbatuar, një ishte në proces, tri ishin të pa adresuara dhe shtatë janë vlerësuar si rekomandime të mbyllura. Kurse në raportin e auditimit për vitin 2019 kemi dhënë 15 rekomandime, prej tyre nëntë rekomandime janë të reja ndërsa të tjerat janë rekomandime që përsëriten ndër vite. ZKA kërkon nga kryetari i Komunës së Dragashit që të fokusohet te zbatimi i rekomandimeve”, deklaroi Fazliu. Kurse kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, vlerësoi se mbajtja e këtij debati i kontribuon rritjes së transparencës të komunës. Shabani tha se Auditorin e Përgjithshëm e konsiderojnë si mekanizëm mjaftë të rëndësishëm për përmirësimin e qeverisjes dhe shërbimeve ndaj qytetarëve. Në këtë kontekst ai tha se gjetjet e auditorit janë të pranueshme dhe të arsyeshme, me ç’rast u zotua se do të implementohen të gjitha rekomandimet. “Auditori i Përgjithshëm nga viti në vit na ka inkurajuar që ne të përmirësohemi dhe kemi përparim në këtë drejtim. Jemi në proces të implementimit të rekomandimeve dhe po punojmë për të përmirësuar gjendjen dhe qeverisjen në Komunën e Dragashit”, u shpreh Shabani. Ndër të tjera Shabani tha se pandemia Covid-19 ka ndikuar në uljen e të hyrave në Komunën e Dragashit. Ndërsa redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza, duke  prezantuar analizën për të gjeturat e auditorit, tha se pandemia në këtë komunë ka vështirësuar çështjen e të hyrave dhe shpenzimeve të parasë publike. Ai theksoi se në raportin e shpenzimeve në gjashtëmujorin e parë vërehet një ekzekutim i ulët i shpenzimeve kapitale, pra vetëm 8 për qind e planit. Megjithatë sipas Prebrezes, nuk duhet t’i lihet faji vetëm pandemisë sepse Dragashi  ka qenë keq sa i përket shpenzimeve edhe vitin e kaluar, duke ekzekutuar vetëm 56 për qind të shpenzimeve të planifikuara kapitale. “Madje Auditori në raportin e tij ka thënë se 60 për qind e tyre janë ekzekutuar në muajt e fundit të vitit dhe kjo praktikë duhet të ndryshohet. Shpenzimet kryesisht kapitale lidhen me prokurimin publik dhe në ketë fushë shumica e institucioneve kanë pasur çalime. Komuna e Dragashit  ka pasur vonesa për disa vite në projektin e ujësjellësit, pra banorët e 15 fshatrave mbesin pa ujë për shkak të shkeljeve që bëhen në prokurim, dhe Komuna e ka fajin e vet për zvarritjen e projekteve në prokurim”, theksoi ai, duke shtuar se Auditori ka gjetur lëshime edhe sa i përket dhënies se pronave me qira, problem ky që ka nisur moti, por që nuk është adresuar prej qeverisjes aktuale. Prebreza vlerësoi se kur do të kemi zbatim të rekomandimeve në nivel prej 70 për qind do të jemi pjesë e BE-së. Ai tha se duhet të kemi sa më pak gjetje dhe ato që janë të merren seriozisht nga drejtuesit e institucioneve.
Lexo më shumë