Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/2/2020 7:04:19 PM

Institucionet që nuk dorëzuan planet e veprimit kanë shpërfillur kërkesat ligjore

Edhe pse Ligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës Nr. 05/L-055 i obligon institucionet/organizatat buxhetore të audituara, që t’i dorëzojnë Zyrës Kombëtare të Auditimit planin e veprimit për adresimin e rekomandimeve jo të gjitha e kanë kryer këtë obligim. Rekomandimet e auditimit kanë për qëllim që t’i ndihmojnë institucionet publike të përmirësojnë qeverisjen dhe të rrisin kontrollet për menaxhimin me paranë publike. Mënyra e zbatimit të rekomandimeve duke përfshirë kohën, masat dhe  resurset e nevojshme përcaktohen përmes Planit të Veprimit që përgatitet nga organizatat e audituara. Sa i përket auditimit të rregullsisë nga 95 institucionet që i janë nënshtruar këtij procesi, pesë prej tyre nuk e kanë zbatuar ligjin për t’i dërguar planet e veprimit për adresimin e rekomandimeve të auditorit. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Komuna e Deçanit, Komuna e Kllokotit, Telekomi i Kosovës si dhe Kompania Rajonale e Mbeturinave “Uniteti Sh.A” Mitrovicë nuk kanë arritur t’i përgjigjen kësaj kërkese ligjore. Ndërsa, gjendja është me e keqe te auditimet e performancës. Dhjetëra entitete që i janë nënshtruar procesit të auditimit nuk i kanë dorëzuar planet për adresimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm. Për raportin e auditimit “Menaxhimi i kontratave publike të ndërtimit” planin e veprimit nuk e kanë dorëzuar, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ndërsa për raportin e auditimit “Siguria në trafikun rrugor” planet e veprimit nuk i kanë dërguar Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit si dhe Komuna e Prishtinës. Për raportin e auditimit “Korniza Afatmesme e Shpenzimeve” planin e veprimit nuk e kanë dërguar Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit si dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ndërkaq Ministria e Financave dhe Komuna e Prizrenit nuk i kanë dorëzuar planet e veprimit për raportin e auditimit “Organizimi dhe menaxhimi i investimeve të teknologjisë së informacionit në institucionet publike”. Kurse Komuna e Prizrenit, Pejës, Podujevës, Mamushës dhe Graçanicës nuk i kanë dorëzuar planet e veprimit për auditimin “Projektet e financuara nga grantet e DEMOS”. As komunat Mitrovicë Veriore, Zveqan dhe Zubin Potok nuk i kanë dorëzuar planet e veprimit sa i përket raportit të auditimit “Zbatimi i rekomandimeve të raportit ‘Fondi Zhvillimor’ dhe efektet e fondit. Po ashtu edhe për raportin “Efektiviteti i programeve të veçanta për banim” nuk kanë dorëzuar planin komunat: Gjakovë, Mitrovicë, Prishtinë, Ferizaj dhe Obiliq. Ndërkohë lidhur me raportin “Menaxhimi i Mirëmbajtjes së Institucioneve Publike Arsimore” planet e veprimit nuk i kanë dorëzuar Ministria e Arsimit dhe Shkencës; Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit; Komuna e Prishtinës, Vushtrrisë dhe Ferizajt. Edhe për raportin e auditimit “Efektiviteti i ndërlidhjes së Arsimit dhe Aftësimit Profesional me nevojat e tregut të punës” planin e veprimit nuk e kanë dorëzuar entitetet e audituara DKA-të e komunës së Prishtinës, Prizrenit dhe Ferizajt.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Vazhdon bashkëpunimi rajonal për sigurimin dhe kontrollin e cilësisë në auditim

Vazhdon bashkëpunimi rajonal për sigurimin dhe kontrollin e cilësisë në auditim

Me qellim të avancimit të kontrollit dhe rritjes së cilësisë në Institucionet Supreme të Auditimit gjatë kësaj jave përmes platformës online “Zoom” u mbajt punëtoria e radhës e organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës. Kjo punëtori ishte planifikuar të mbahej në fund të marsit në Prishtinë, por për shkak të situatës me pandeminë Covid-19, ky aktivitetet ishte pezulluar. Synimi kryesor i kësaj punëtorie ishte që pjesëmarrësit nga tri Institucione Supreme të Auditimit të avancojnë njohuritë për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e një sistemi të qartë dhe të strukturuar të kontrollit të cilësisë. Në veçanti pjesëmarrësit diskutuan mundësitë e ndryshme se si të ndajnë përgjegjësitë midis pozicioneve të ndryshme në hierarkisië. Po ashtu ata u fokusuan edhe të sqarimet për ndryshimin/dallimin midis kontrollit të cilësisë dhe sistemeve të sigurimit të cilësisë. Institucionet Supreme të Auditimit nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina shkëmbyen zgjidhjet më të mira për ndërtimin e sistemit të tyre të kontrollit të cilësisë dhe aktivitetet që mund të nevojiten për të qenë në gjendje të zhvillojnë këto sisteme. Për një javë rresht SAI-t pjesëmarrëse përshkruan se si ata punojnë me kontrollin e cilësisë dhe sigurimin e cilësisë në organizatat e tyre, përfshirë përshkrimin e hierarkive dhe delegimin e përgjegjësive. Mbajtja e kësaj punëtorie është vazhdim i serisë së punëtorive të mbajtura në Sarajevë dhe Podgoricë gjatë vitit 2019, në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë për Institucionet Supreme të Auditimit në Ballkanin Përendimor.
Lexo më shumë
BE-ja i kërkon Kosovës zbatim më efikas të rekomandimeve të nxjerra nga ZKA-ja

BE-ja i kërkon Kosovës zbatim më efikas të rekomandimeve të nxjerra nga ZKA-ja

Puna dhe rezultatet e Zyrës Kombëtare të Auditimit janë adresuar në Raportin e Progresit për Kosovën (për vitin 2020), i cili u publikua një ditë më parë, në kuadër të Pakos së Zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE). Komisioni Evropian ka vlerësuar institucionet e pavarura, veçanërisht ZKA-në dhe Avokatin e Popullit, duke thënë se po vazhdojnë të adresojnë të drejtën e qytetarëve për administrim më të mirë. Megjithatë, Komisioni u ka kërkuar institucioneve qeveritare që të tregohen me efikase për zbatim të rekomandimeve, të nxjerra nga ZKA-ja. “Qeveria duhet të sigurojë zbatim më efikas të rekomandimeve të tyre”, theksohet ndër të tjera në raport. Në Raport është përmendur edhe themelimi i Njësisë Kundër Mashtrimit, në kuadër të Zyrës Kombëtare të Auditimit, e cila siç përshkruhet nga Komisioni Evropian, i ka identifikuar 26 raste të mashtrimit të dyshuar në fushën e prokurimit publik, nga 12 sa ishin identifikuar në vitin 2018 (në vitin e parë të themelimit të Njësisë). Të 26 rastet tanimë janë dorëzuar në Prokurori të Shtetit. Poashtu, në Raport të Progresit për Kosovën është cekur se “kuadri kushtetues dhe ligjor i Kosovës siguron pavarësinë funksionale, organizative dhe financiare të Zyrës Kombëtare të Auditimit në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, të cilave Zyra iu bashkua në 1 janar 2020”. “Kapaciteti institucional i Zyrës u rritë më tej në 170 staf, nga të cilët 141 janë personel auditimi. ZKA-ja po zbaton Planin e saj Strategjik të Zhvillimit 2018-2021, i cili përfshin objektivat, 103 treguesit e performancës dhe një kornizë monitorimi. Kohët e fundit ka themeluar një Njësi Kundër Mashtrimit, e cila aktualisht është e përbërë nga një zyrtar”, vazhdon Raporti. Në vazhdim, Raporti ka theksuar se Zyra Kombëtare e Auditimit ka prezantuar procedurat e kontrollit dhe të sigurimit të cilësisë së auditimit dhe ka vazhduar të zbatojë një program certifikimi për auditorët. “ZKA-ja finalizoi 15 raporte të auditimit të performancës, krahasuar me 13 në 2018 dhe 11 në 2017. Sado që ka një përpjekje të vazhdueshme, Zyra ndërmerr kryesisht auditime të rregullsisë dhe numri i auditimeve të performancës duhet të vazhdojë të rritet. Në mënyrë që të përmirësohet ndikimi i punës së auditimit, veçanërisht në nivelin lokal, Zyra ka punuar me organizata të shoqërisë civile, për të organizuar debate publike në nivel komune mbi rekomandimet e auditimit. Sipas raportit vjetor të saj 2018, përqindja e rekomandimeve të zbatuara plotësisht u rrit nga 34% në 39%. Ndërsa, bashkëpunimi i tij me komisionet e Kuvendit është përmirësuar”, theksohet në raport. Në fund, Komisioni Evropian i ka kërkuar Kuvendit, që t`i ndjekë më sistematikisht rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, kurse vetë ZKA-së i ka kërkuar që të bëjë përpjekje të vazhdueshme në fushën e komunikimit, për të forcuar imazhin e saj të përgjithshëm. Raporti i Progresit është instrument me anë të së cilit Komisioni Evropian e matë progresin e një vendi gjatë përmbushjes së agjendës evropiane brenda vitit kalendarik. Ky raport publikohet një herë në vit, zakonisht në fillim të tetorit të çdo viti.
Lexo më shumë