Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/24/2020 2:18:19 PM

Përmirësimet në administrimin e programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike janë të pamjaftueshme

Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer një auditim për të vlerësuar nivelin e zbatimit të rekomandimeve të dhëna në raportin e auditimit “Administrimi i programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike” të publikuar në vitin 2017 dhe  është vlerësuar nëse institucionet përgjegjëse kanë analizuar informatat dhe rezultatet e programit me qëllim të rritjes së kapaciteteve të  institucioneve shëndetësore publike në trajtimin e një numri më të madh të pacientëve dhe në kohë optimale. Procesit të auditimit i janë nënshtruar Ministria e Shëndetësisë, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës dhe Fondi për Sigurime Shëndetësore. Në raport është konstatuar se Fondi për Sigurime Shëndetësore duhet të rris përpjekjet për zbatimin e rekomandimeve që kanë të bëjnë me përcaktimin e prioriteteve gjatë trajtimit të aplikacioneve nga Komisioni për Vlerësim Mjekësor dhe barazimet financiare me institucionet shëndetësore private ku janë trajtuar pacientët. Më tutje, auditimi ka nxjerrë në pah se institucionet shëndetësore publike, nuk kanë bërë mjaftueshëm që të shfrytëzojnë të dhënat e Programit për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike që të shërbejnë si burim i rëndësishëm i informatave për përcaktimin e prioriteteve shëndetësore në vend. Është e rëndësishme që çmimorja së bashku me llojet e sëmundjeve që nuk trajtohen nga institucionet shëndetësore publike, të përditësohet sa ma shpjet, pasi përditësimi i fundit është bërë në vitin 2017. Mungesa e të dhënave i pamundëson institucionet shëndetësore në identifikimin e mundësive dhe zhvillimin  e kapaciteteve brenda klinikave, me qëllim të reduktimit të kërkesave në periudha afatmesme dhe afatgjata. Prandaj, me qëllim të adresimit të çështjeve për të përmirësuar procesin e trajtimit të pacientëve brenda institucioneve shëndetësore publike dhe ato private të vendit, në këtë raport, Auditori i Përgjithshëm ka dhënë 10 rekomandime për Ministrinë e Shëndetësisë, Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës dhe Fondin për Sigurime Shëndetësore. Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegëz.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit bilateral në mes Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe asaj të Kosovës 

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit bilateral në mes Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe asaj të Kosovës 

Në vazhdën e bashkëpunimit të frytshëm shumëvjeçar, Zyra Kombëtare e Auditimit e Suedisë dhe Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës kanë avancuar sot bashkëpunimin bilateral me nënshkrimin e memorandumit “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023”. Memorandumi i bashkëpunimit, i nënshkruar nga Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani dhe Auditori i Përgjithshëm i Suedisë, Helena Lindberg, ka për qëllim zhvillimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve organizative të ZKA-së që promovojnë punë me cilësi të lartë, si dhe forcimin e kapacitetit për të përgatitur raporte të auditimit të performancës me cilësi të lartë dhe të dobishme për shoqërinë. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, tha: “Mundësia për të marrë përvojat suedeze është një rast unik për të përfituar dije dhe ngritur kapacitetet tona në fushën e auditimit të performancës dhe në modernizimin e organizimit institucional të ZKA-së. Kjo ndihmë që vjen nga taksapaguesit suedez, të cilëve u jemi pafundësisht mirënjohës dhe falënderues, si dhe angazhimi i personelit dhe ekspertëve të ISA-së suedeze na inkurajon drejt sukseseve të reja. Do të vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar që të maksimizojmë përfitimin nga ky projekt dhe të ecim krah për krah me Institucionet Supreme të Auditimit në Evropë për sa i përket modernizimit të proceseve dhe kryerjes së auditimeve cilësore”. Në anën tjetër, Auditori i Përgjithshëm i Suedisë, Helena Lindberg, tha: “Jam shumë e lumtur që vazhdojmë tutje këtë bashkëpunim mes zyrave tona. Ky vërtetë është një bashkëpunim mes kolegësh, ku stafi i të dyja organizatave tona mësojnë nga njëri-tjetri. Dëshiroj të përgëzoj kolegun tim z.  Osmani për anëtarësimin e ZKA-së së Kosovës në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI). Pres me padurim që të kemi bashkëpunime me ZKA-në e Kosovës në forumet evropiane të EUROSAI-t dhe në forumet botërore të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) ”. Memorandumi “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023” është hartuar në përputhje me planet dhe objektivat stategjike të ZKA-së, qëllimi afatgjatë i të cilit është të mbështesë ZKA-në e Kosovës për t’u bërë një Institucion Suprem Auditmi që punon në pajtim me standardet dhe parimet e INTOSAI-t (IFPP). Ky projekt i ka të përcaktuara dy objektiva,  të cilat janë: forcimi i disa proceseve organizative për nxitjen e një pune me cilësi të lartë dhe zhvillimi i kapaciteteve për hartimin e raporteve të auditimit të performancës me cilësi më të lartë, të cilat janë të dobishme për palët relevante të interesit. Pas nënshkrimit të memorandumit, Komiteti Drejtues i Projektit për bashkëpunim, i përbërë nga përfaqësues të ZKA-së Suedeze dhe ZKA-së së Kosovës, mbajtën mbledhjen e rregullt vjetore. Përfaqësuesit e të dyja institucioneve supreme të auditimit diskutuan për nivelin e zbatimit të planit të aktiviteteve për vitin 2020, të arriturat dhe sfidat e projektit si dhe për rezultatet që priten nga marrëveshja e re. Partneriteti mes ZKA-së të Suedisë dhe asaj të Kosovës daton që nga viti 2011, kur është arritur Marrëveshja e Bashkëpunimit për zhvillimin e kapaciteteve, përmes së cilës ZKA-së së Kosovës i ofrohej mbështetje për të përmbushur mandatin e saj dhe për t`u bërë një institucion i qëndrueshëm suprem i auditimit, i cili vepron në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira. Ky ka qenë projekti më gjithëpërfshirës zhvillimor i zbatuar në ZKA.
Lexo më shumë
Komuna e Vitisë premton se do t’i zbatojë të gjitha rekomandimet e Auditorit

Komuna e Vitisë premton se do t’i zbatojë të gjitha rekomandimet e Auditorit

Debati i fundit në kuadër të projektit ‘Promovimi i rolit të Auditorit të Përgjithshëm/ZKA në Kosovë’, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës/Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës, u organizua të enjten nga BIRN Kosova në Komunën e Vitisë. Në këtë debat morën pjesë kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, Udhëheqësi i Auditimit, Astrit Bllaca, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe asamblistë të kësaj komune. Udhëheqësi i Auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Astrit Bllaca tha se që nga viti 2016 Komuna e Vitisë vazhdon të ketë opinion të pamodifikuar. Kurse sa i përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve shihet se Vitia po përmirëson proceset ekzistuese dhe kontrollet ku janë identifikuar gabimet dhe parregullsitë.  “Të gjeturat kanë të bëjnë me keqklasifikimin e shpenzimeve, dhënien me qira të pronës, dobësitë në menaxhimin e pasurive.  Për vitin 2018 janë dhënë 17 rekomandime, prej tyre 10 janë zbatuar plotësisht, 4 nuk janë adresuar si dhe 3 janë konsideruar të mbyllura. Kurse për vitin 2019 kemi dhënë 5 rekomandime”, deklaroi Bllaca. Ndërsa kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, u zotua se do t’i zbatojë të gjitha rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm. Ai tha se sukseset e arritura janë rezultat i një pune të përbashkët.  “Kjo është një analizë e saktë nga ZKA dhe më duhet ta pranojë. Në vitet e fundit jemi përmirësuar shumë sepse në të kaluarën kemi pas më shumë rekomandime.  Së shpejti do të bëhemi komuna e parë në Kosovë që do t'i zbatojmë të gjitha rekomandimet nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Edhe pse disa rekomandime nuk varen vetëm nga ne, por edhe me nivelin qendror”, tha Haliti. Ndërkaq, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza tha se Komuna e Vitisë është ndër komunat që ka pasur më së paku rekomandime, megjithatë nuk do të thotë se qeverisja është në nivelin më të mirë. Ai tha se kjo komunë duhet të fokusohet në përmirësimin e fushës së borxheve.“ Borxhet ndaj komunës kanë pësuar rritje të vogël, trendi i borxheve po vazhdon dhe ky është një shqetësim dhe brengë që duhet ngritur sepse borxhet në të gjitha komunat duhet të kenë një rënie. Bizneset dhe qytetarët ja kanë rreth dy milionë euro Komunës së Vitisë. Por edhe borxhet e komunës ndaj furnitorëve janë diku 870 mijë euro”, theksoi Prebreza.
Lexo më shumë