Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/31/2020 3:20:16 PM

Auditori i Përgjithshëm: Zbatuam me sukses të plotë Planin Strategjik

Përmbushja e misionit kushtetues e ligjor, forcimi i  kapacitetit institucional dhe zhvillimi i marrëdhënieve  të mira me palët e jashtme janë tri objektivat kryesore që ka arritur Zyra Kombëtare e Auditimit në kuadër të zbatimit të Planit Strategjik 2018-2021. Kështu ka deklaruar Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani të enjten në konferencën e fundvitit për media. Ai ka bërë me dije se rezultatet kryesore të vitit 2020 janë publikimi i 132 raporteve të auditimit që në historinë e zyrës është numri më i madh i publikuar; anëtarësimi në dy organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare: INTOSAI dhe EUROSAI; zhvillimi dhe përdorimi i sistemit  elektronik të auditimit;  zhvillimi dhe miratimi i Strategjisë së Komunikimit 2020-2023 dhe Doracakët Administrativ si dhe auditimi në procesi i 124 projekteve të reja raportet e së cilave  do të publikohen në 6 mujorin e parë të vitit 2021. Tutje Osmani deklaroi se ZKA-ja për çdo vit, përmes auditimeve financiare dhe të pajtueshmërisë bën vlerësimin për cilësinë e raportimit financiar; efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm; dhe pajtueshmërinë e transaksioneve financiare me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Po ashtu, përmes auditimeve të performancës vlerësohet nëse fondet publike po shfrytëzohen në mënyrë efikase dhe efektive. Osmani ka thënë se konkluzioni i përgjithshëm i auditimit është se ende ka mangësi serioze te organizatat buxhetore në fushën e pajtueshmërisë me ligjet dhe rregulloret në fuqi. “Për të përmirësuar mënyrën ekzistuese të menaxhimit, në raportet tona financiare e të perfomancës kemi dhënë mbi 1100 rekomandime për institucionet publike të audituara. Megjithatë, rreth një e treta e rekomandimeve të dhëna mbesin fare të pa adresuara dhe rrjedhimisht përsëriten në raportet tona vit pas viti, derisa vetëm rreth 40% të rekomandimeve janë adresuar. Kjo shkallë e zbatimit të rekomandimeve nuk siguron menaxhim të shëndoshë financiar dhe qeverisje të mirë”, ka deklaruar Osmani. Fjalimi i plotë i Auditorit të Përgjithshëm në konferencën për media: Të nderuar përfaqësues të mediave, Më lejoni t’ju falënderoj që keni gjetur kohë që sot të jeni së bashku me ne. Dy vjet më parë, kur e kemi promovuar para publikut Planin Strategjik të Zyrës Kombëtare të Auditimit, ia kishim përcaktuar vetes tri qëllime kryesore:

  1. Të përmbushim misionin kushtetues e ligjor, duke kryer auditime relevante, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA);
  2. Të forcojmë kapacitetin institucional për të mbështetur auditimin dhe qeverisjen korporative; dhe
  3. Të zhvillojmë marrëdhënie të mira me palët e jashtme, duke promovuar auditimin, rritur ndikimin dhe duke u integruar në organizatat globale dhe rajonale të Institucioneve Supreme të Auditimit.
Më lejoni të shpalos këtu disa nga të arriturat e këtij viti, për të realizuar këto qëllime:
  1. Kemi publikuar 132 raporte - që në historinë e institucionit është numri më i madh i publikuar ndonjëherë,
  2. Jemi anëtarësuar në dy organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare të auditimit: e para në nivel botëror INTOSAI, e tjetra në nivel evropian EUROSAI
  3. Kemi zhvilluar dhe vendosur në përdorim sistemin elektronik të auditimit që do të rrisë efikasitetin dhe transparencën e procesit të auditimit,
  4. Janë përditësuar doracakët e metodologjisë së auditimeve financiare dhe të pajtueshmërisë - një detyrë komplekse që është realizuar me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe në partneritet me Institucionin Suprem të Auditimit të Polonisë.
  5. Kemi zhvilluar dhe miratuar: Strategjinë e Komunikimit 2020-2023 dhe Doracakët Administrativ.
  6. Kemi filluar në shtator procesin e auditimit të 124 projekteve të reja dhe raportet do të publikohen në 6mujorin e parë të vitit 2021.
Në shërbim të misionit të saj për fuqizimin e llogaridhënies në administratën publike, Zyra Kombëtare e Auditimit, për çdo vit, përmes auditimeve financiare dhe të pajtueshmërisë bën vlerësimin për:
  • Cilësinë e raportimit financiar;
  • Efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm; dhe
  • Pajtueshmërinë e transaksioneve financiare me ligjet dhe rregulloret në fuqi.
Ndërsa, përmes auditimeve të performancës vlerësojmë nëse fondet publike po shfrytëzohen në mënyrë efikase dhe efektive.  Konkluzioni i përgjithshëm i auditimit është se ende kemi mangësi serioze te organizatat buxhetore në fushën e pajtueshmërisë me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Për të përmirësuar mënyrën ekzistuese të menaxhimit, në raportet tona financiare e të perfomancës kemi dhënë mbi 1100 rekomandime për institucionet publike të audituara. Megjithatë, rreth një e treta e rekomandimeve të dhëna mbesin fare të pa adresuara dhe rrjedhimisht përsëriten në raportet tona vit pas viti, derisa vetëm rreth 40% të rekomandimeve janë adresuar. Kjo shkallë e zbatimit të rekomandimeve nuk siguron menaxhim të shëndoshë financiar dhe qeverisje të mirë. Në mënyrë të veçantë janë shqetësues parametrat financiar që kanë të bëjnë me obligimet financiare që janë rreth 310 milionë euro dhe e llogarive të arkëtueshme që janë rreth 637 milionë euro pa llogaritur përkeqësimin e kësaj gjendje si pasojë e ndikimit të pandemisë në vitin 2020. Bazuara në raportet tona, lidhur me këto 2 çështje të rëndësishme të stabilitetit fiskal në vend, Kuvendi i Kosovës ka nxjerr rekomandime të veçanta që obligojnë institucionet përkatëse që përmes planeve konkrete të veprimit të përmirësojnë situatën e konstatuar. Krahas kësaj ne kemi audituar sisteme rëndësishme të Teknologjisë së Informacionit ku kemi nxjerr në pah mangësi të theksuara në lidhje me menaxhimin e tyre, integritetin dhe sigurinë e sistemeve, etj. Sipas vlerësimit tonë rreth 70% e institucioneve kanë mungesë të strategjisë, politikave dhe procedurave për zhvillimin si dhe mirëmbajtjen e tyre. Aplikimi i kujdesshëm i këtyre procedurave do të minimizonte veprimet e paligjshme siç kishim rastin në Thesarin e shtetit, për të cilin publiku është tashmë i informuar. Me planin e auditimit për këtë sezonë, ZKA-ja një vëmendje të veçantë do t’ia kushtojë auditimit të Sistemit Informativ të Menaxhimit të Financave të Kosovës. Në vazhdim dua të shpalos vetëm disa nga papajtueshmëritë ligjore të shprehura gjerësisht nëpër institucionet publike të nivelit qendror dhe lokal të cilat duhet të eliminohen sepse të plota janë prezantuar në raportet tona dhe që kanë të bëjnë me:
  • Punësim pa konkurs
  • Ushtrimi i pozitave të punës në mospërputhje me gradat e fituara;
  • Mosmbyllja e avanseve konform kërkesave ligjore;
  • Përdorimi i procedurave të negociuar pa publikim dhe kufizimi i konkurrencës;
  • Dobësi në menaxhimin e kontratave publike;
  • Aplikimi i anekse kontratave pa mbështetje ligjore;
  • Tejkalimi i vlerës se kontratës kornize; dhe
  • Vonesa në liferimin e mallrave dhe furnizimeve;
  • Mbështetja financiare për OJQ pa shpallje publike;
  • Mosraportimi për arsyetimin e subvencioneve nga përfituesit.
  • Mbikëqyrja e dobët e projekteve në fazën e ekzekutimit;
  • Certifikimi i pagesave për punët e pa kryera dhe furnizimet e papranuara, etj.
  Sa i përket ndërmarrjeve publike rezultatet e auditimit shpalosin se raportimi financiar është i pasaktë. Për këtë arsye, për 13 ndërmarrje është dhënë opinion negativ për vitin 2019. Gjetjet kryesore të auditimit në Ndërmarrjet Publike janë:
  • Gjashtë ndërmarrje publike kishin prezantuar rezultat negativ financiar që në total paraqesin humbje prej mbi 28 milion euro;
  • Të gjitha Ndërmarrjet e audituara së bashku, kanë afër 161 milionë euro detyrime afatshkurtra apo afatgjata.
Në kuadër të bashkëpunimit të rregullt institucional me Prokurorin e Shtetit në lidhje me rastet indikative me elemente të veprave penale, të cilat janë hasur gjatë punës audituese kemi raportuar dy vitet e fundit mbi 100 raste të cilat po trajtohen nga organet kompetente. Në këtë vit pandemik kur bota është përballur me pasojat serioze të virusit Covid-19, Institucionet Supreme të Auditimit kanë reduktuar planet e tyre të auditimit, duke aplikuar qasjen e auditimit të bazuar në rrezik. Megjithatë, këtë mundësi nuk gëzon ZKA. Kuadri ligjor ekzistues i kërkon Auditorit të Përgjithshëm të auditoj të gjitha organizatat buxhetore për çdo vit, pavarësisht shkallës së rrezikut dhe rrethanave specifike siç është kjo e pandemisë. Përkundër këtyre kufizimeve brenda kapaciteteve ekzistuese, për të rritur llogaridhënien dhe transparencën e shpenzimeve publike në lidhje me Covid 19, ZKA ka adaptuar qasjen e auditimit për t’i identifikuar rreziqet në aspektin financiar dhe të pajtueshmërisë të fondeve për luftimin e pandemisë. Po ashtu, për të vlerësuar nëse institucionet publike shëndetësore kanë menaxhuar siç duhet pandeminë COVID-19 kemi iniciuar auditimin e performancës. i cili ka filluar të zbatohet dhe rezultatet priten në periudhën e parë të vitit të ardhshëm. Të nderuara media, Zyra Kombëtare e Auditimit mesatarisht çdo 3 ditë kalendarike ka publikuar një raport këtë vit. Të gjitha këto raporte janë në 3 gjuhë në mënyrë që publiku kosovar të ketë mundësi për t’u informuar. Pikërisht për këtë vit kemi marr edhe çmimin për respektimin e gjuhës dhe transparencës nga OSBE. Dua të falënderoj organizatat e shoqërisë civile dhe mediat që kanë ndihmuar shumë për të rritur ndikimin tonë në përmirëmin e menaxhimit financiar. Poashtu, falënderoj BE, SHBA dhe Ambasadat e Suedisë, Holandës dhe Zvicrës për mbështetjen e vazhdueshme. Natyrisht, Kuvendin e Kosovës dhe Komisionet respektive për bashkëpunimin korrekt dhe trajtimin e raporteve të auditimit. Urime Festat!

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja shpall punonjësin e vitit 2020

ZKA-ja shpall punonjësin e vitit 2020

Zyra Kombëtare e Auditimit ka përzgjedhur Shqipe Azemin punëtoren e vitit 2020. Ndarjen e kësaj mirënjohje e ka bërë Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani. Ai tha se kjo mirënjohje i ndahet punonjëses së ZKA-së Shqipe Azemi për punën e suksesshme dhe performancën e treguar gjatë dizajnimit dhe zhvillimit të tërësishëm të sistemit elektronik për menaxhimin e auditimit SITA. “Sigurisht që ka në numër dyshifror personel që ka kontribuar në arritjet e rezultateve të ZKA-së, megjithatë kam bindjen e plotë se ju pajtoheni me mua dhe me kolegët e juaj nga të cilët kam pasur rastin gjatë këtyre dy ditëve të marr mendimin se nuk bëjmë as më të voglin gabim që znj. Shqipe Azemi të shpallet punëtorja e vitit 2020 në Zyrën Kombëtare të Auditimit”, ka deklaruar Osmani. Ndërkohë Shqipe Azemi ka thënë se ndihet e privilegjuar që është vlerësuar në një konkurrencë të madhe, në mesin e shumë kolegëve me rezultate të shquara. Ajo  ka thënë se do të vazhdojë angazhimin që SITA të plotësoj pritjet e stafit dhe të menaxhmentit të Zyrës Kombëtare të Auditimit si dhe të siguroj kualitetin dhe efektivitetin e synuar. “Dua të shfrytëzoj këtë rast, të falënderoj shumë të gjithë kolegët që janë angazhuar dhe kanë dhënë kontributin e tyre në projektin për zhvillimin e SITA-s. Suksesi im i dedikohet atyre dhe të gjithë stafit të ZKA. Unë thjesht kam mbetur gjithmonë e befasuar me përgjigjen dhe përgjegjësinë e kolegëve në secilën thirrje time. Shpesh kërkesat e projektit për tu angazhuar kanë qenë përtej mundësive normale ditore, por të gjithë që janë ftuar janë përgjigjur, madje edhe kur kanë pasur probleme shëndetësore serioze dhe kanë bërë të pamundurën që çdo detal të përfundoj në kohë. Pa këtë kontribut nuk do ishte SITA sot”, u shpreh Azemi.
Lexo më shumë
Proceset ekzistuese lidhur me licencimin e shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore e industriale nuk sigurojnë  mbrojtje të mjedisit

Proceset ekzistuese lidhur me licencimin e shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore e industriale nuk sigurojnë mbrojtje të mjedisit

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Procesi i licencimit të shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore e industriale dhe mbrojtja e ambientit nga kjo veprimtari”. Qëllimi i auditimit është dhënia e rekomandimeve për përmirësimin dhe ruajtjen e mjedisit nga ndotja dhe degradimi gjatë shfrytëzimit të mineraleve dhe për përmirësimin e efikasitetit të sistemit të licencimit. Subjekt i auditimit ishin Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, Komuna e Pejës dhe e Malishevës. Rezultatet e auditimit nxjerrin në pah se proceset ekzistuese lidhur me licencimin e shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore e industriale nuk janë plotësisht funksionale dhe nuk sigurojnë mbrojtje të mjedisit. Procesi i dhënies së licencave dhe lejeve për aktivitete të veçanta nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, nuk ka ofruar siguri të mjaftueshme se plotësohen të gjitha kriteret gjatë licencimit të operatorëve ekonomik. Nuk ka koordinim mes palëve në aspektin e mbrojtjes se mjedisit, mungon programi i rehabilitimit dhe vazhdimi i licencave është bërë në mungesë të rikultivimit të zonave ku janë shfrytëzuar mineralet. Po ashtu, edhe inspektimet në terren janë përcjellë me mangësi në zbatimin e dispozitave ndëshkuese dhe në monitorimin e operuesve ilegal. Rezultatet e auditimit tregojnë se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk ka bërë mjaftueshëm që të kujdeset për shfrytëzimin strategjik të mineraleve ndërtimore në vend dhe i mungon koordinimi me institucionet përgjegjëse. Po ashtu, edhe procesi për dhënien e pëlqimeve dhe lejeve mjedisore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit është përcjellë me disa mangësi në monitorimin e kushteve në pëlqimet mjedisore, vlefshmërinë e tyre dhe procesin e dhënies së lejeve mjedisore. Monitorimi i mbrojtjes së mjedisit nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk është funksional sa duhet dhe inspektimet e shfrytëzuesve të mineraleve përcjellët me dobësi në zbatimin e dispozitave ndëshkuese. Këto mangësi të palëve dhe shkëputjet në këtë proces kanë ndikim negativ në mjedis nga aktiviteti minerar, ambienti bëhet i pa sigurt dhe paraqet rrezik për njerëzit dhe kafshët. Auditor i Përgjithshëm, Besnik Osmani, lidhur me këtë auditim ka vlerësuar se Qeveria duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme për koordinimin e aktiviteteve ndërmjet institucioneve përgjegjëse për të parandaluar shfrytëzimin ilegal të mineraleve dhe ruajtjen e ambientit nga kjo veprimtari. Po ashtu, të analizojë infrastrukturën ligjore lidhur me fushën e shfrytëzimit të mineraleve ndërtimore me qëllim të harmonizimit të aktiviteteve mes akterëve relevant. Për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale janë dhënë 10 rekomandime, për Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit 6 rekomandime dhe një  rekomandim për inspektoratet komunale. Raportin e plotë mund ta lexoni këtu.  
Lexo më shumë