Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
2/26/2021 2:05:26 PM

ZKA-ja fillon fazën e ekzekutimit të auditimit për sezonën 2020/2021

Me qëllim të përmbushjes së planit vjetor të auditimit  2020/2021, 38 ekipe të auditimit kanë dal në teren për të filluar me ekzekutimin e auditimeve të para, ku parashihet të kryhen 124 auditime.  116 auditime të rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë) përfshijnë: auditimin e buxhetit të Kosovës, 52 auditime të institucioneve të nivelit qendror, 38 të nivelit lokal, 12 ndërmarrje publike dhe 13 projekte të financuara  nga fondet e jashtme. Krahas, auditimeve të rregullsisë, gjatë vitit 2021 do të publikohen edhe 8 auditime të performancës. Megjithatë, realizimi i sezonit auditues është mjaft sfidues pasi që do të zhvillohet në rrethana të shtrirjes së pandemisë. Përderisa, Institucionet Supreme të Auditimit kanë mundësi që të hartojnë planet e tyre vjetore bazuar në rrezik, ZKA-ja është e obliguar të kryej në baza vjetore auditimin e detyrueshëm të rregullsisë së: Raportit të Qeverisë për Buxhetin e Kosovës; të gjitha organizatave buxhetore të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë pranuar një buxhet përmes Ligjit vjetor të Buxhetit dhe janë të obliguara të hartojnë Pasqyra Vjetore Financiare.  Cikli i auditimeve të rregullsisë përmbyllet në fund të muajit gusht, kur Raporti Vjetor i Auditimit (RVA) për Raportin Financiar Vjetor të Buxhetit të Kosovës (RFV/BK) dorëzohet në Kuvendin e Kosovës. Ndikimi i pandemisë është i dukshëm edhe gjatë këtij sezoni të auditimit, pasi që entitetet audituese janë duke  punuar me staf të reduktuar. Për më tepër disa prej auditorëve janë prekur nga Covid-19 dhe janë detyruar të izolohen dhe t'i nënshtrohen trajtimit mjekësor. Përveç kësaj vitin e kaluar, ka pasur edhe ndryshime në strukturën  e ministrive. Një sfidë tjetër e rëndësishme gjatë këtij sezoni do të jetë zbatimi paralel i metodologjisë së re për auditime financiare dhe të pajtueshmërisë që është zhvilluar me përkrahjen e partnerit të projektit të binjakëzimit, ISA-në e Polonisë, si dhe sistemit elektronik për menaxhimin e auditimit – SITA. Të dy këto projekte shumë domethënëse për ZKA-në janë duke u realizuar gjatë kësaj sezone të auditimit. Ndërsa, me qëllim të futjes në përdorim të tyre, janë mbajtur dhe po vazhdojnë të mbahen një numër i madh i trajnimeve për të gjithë stafin. Zyra Kombëtare e Auditimit në shërbim të misionit të saj për fuqizimin e llogaridhënies në administratën publike, për çdo vit, përmes auditimeve financiare dhe të pajtueshmërisë bën vlerësimin për: Cilësinë e raportimit financiar; Efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm; dhe Pajtueshmërinë e transaksioneve financiare me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Ndërsa, përmes auditimeve të performancës vlerëson nëse fondet publike po shfrytëzohen në mënyrë efikase dhe efektive.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja pjesë e projektit të EUROSAI-t për reagim ndaj Covid-19

ZKA-ja pjesë e projektit të EUROSAI-t për reagim ndaj Covid-19

Pas anëtarësimit në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI), Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur të bëhet pjesë aktive e grupeve punuese të kësaj organizate. Së fundmi një grup auditorësh nga ZKA-ja të cilët janë të angazhuar për të kryer auditime të veçanta për Covid-19 i janë bashkuar projektit të EUROSAI-it për reagim ndaj pandemisë “Auditimi i reagimit ndaj Pandemisë COVID”. Deri më tani në kuadër të këtij projekti janë mbajtur disa takime, në të cilat Institucionet Supreme të Auditimit nga vende të ndryshme kanë shkëmbyer njohuritë dhe përvojat e tyre lidhur me auditimin e pandemisë Covid-19. Ndërkaq në takimin e fundit ISA i Spanjës ka prezantuar përvojën e tij me temën: Auditimi i procedurave dhe sistemeve të informacionit në shëndetësi (COVID-19); kurse nga Gjykata Evropiane e Audituesve për temën: Auditimi i kontributit fillestar të BE-së për reagimin e shëndetit publik ndaj Covid-19; si dhe ISA e Republikës së Çekisë ka prezantuar temën: Mbështetje me TI lidhur me procesin e vaksinimit. Aktiviteti i projektit të EUROSAI-t “Auditimi i reagimit ndaj Pandemisë COVID” është i vazhdueshëm dhe në muajin prill do të mbahet takimi i radhës. Ndërkaq edhe ZKA-ja, është duke kryer auditimin e performancës me temën ?Furnizimi me materiale shëndetësore dhe optimizimi i resurseve njerëzore dhe teknike për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me Covid-19?.      
Lexo më shumë
Shpenzimet, ndikimi dhe reagimi ndaj pandemisë COVID-19, në fokus të auditimit

Shpenzimet, ndikimi dhe reagimi ndaj pandemisë COVID-19, në fokus të auditimit

Zyra Kombëtare e Auditimit, do të testoj shpenzimet, ndikimin dhe reagimin ndaj pandemisë Covid-19, nga perspektiva të ndryshme, si nga aspekti financiar dhe i pajtueshmërisë përmes 116 auditimeve të rregullta vjetore, gjithashtu edhe përmes auditimeve të veçanta të performancës dhe projekteve për fondet e ndara për menaxhimin e pandemisë. Auditimi i performancës me temën ?Furnizimi me materiale shëndetësore dhe optimizimi i resurseve njerëzore dhe teknike për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19?, ka për objektivë vlerësimin nëse institucionet përgjegjëse kanë arritur të kryejnë furnizimet e duhura me kohë dhe të menaxhojnë siç duhet me resurset teknike dhe njerëzore për të siguruar se i përgjigjen nevojave të pacientëve me COVID-19. Për ta bërë këtë vlerësim janë paraparë dy objektiva të auditimit: Tek pjesa e furnizimit me barna, material mbrojtës dhe pajisje tjera të nevojshme do të vlerësojmë nëse është bërë analiza e nevojave dhe si është bërë ajo. Ndërsa, tek pjesa e menaxhimit të kapaciteteve njerëzore dhe teknike do të vlerësohet se si institucionet relevante kanë organizuar dhe menaxhuar personelin shëndetësor dhe nëse janë koordinuar në mënyrën e duhur për të siguruar se i përgjigjen nevojave të krijuara si pasojë e pandemisë. Përveç këtij auditimi, ZKA-ja është në faza të hershme të hulumtimit edhe për auditimet e performancës që lidhen me menaxhimin e emergjencave në aspekt me të përgjithshëm dhe ndikimi apo mbrojtja e ekonomisë, gjatë pandemisë COVID-19. Auditimet pritet të publikohen sipas planit vjetor të auditimi 2020/2021.
Lexo më shumë