Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
3/11/2021 7:34:05 PM

ZKA-ja dhe OSHC-të në bashkëpunim të ngushtë për të fuqizuar rolin dhe ndikimin e auditimit të jashtëm

Në kuadër të takimeve periodike me organizatat e shoqërisë civile dhe shoqatat profesionale, Zyra Kombëtare e Auditimit ka mbajtur të enjten tryezën me temën “Fuqizimi i ndikimit të Auditimit të Jashtëm përmes bashkëpunimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit me organizatat e shoqërisë civile”, në të cilën u diskutua  për arritjet në përmbushjen e planit strategjik 2018-2021, rritjen e bashkëpunimit për hartimin e planit të ri strategjik të ZKA-së, fushat me interes për t’u audituar si dhe rritjen e ndikimit të auditimit në përmirësimin e qeverisjes së mirë. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka thënë se është tejet e rëndësishme përfshirja e hershme dhe dhënia e kontributit të organizatave të shoqërisë civile në hartimin e planit të ri strategjik të ZKA-së, i cili do t’i përshtatet realitetit në Kosovës dhe kulturës së saj. Tutje Osmani ka folur për zbatimin e planit të auditimit, përkatësisht realizimin e 124 auditimeve të rregullsisë dhe të performancës dhe sfidat me të cilat po përballet ZKA-ja për zbatimin e planit. Në këtë kontekst, Auditori i Përgjithshëm ka përmendur edhe ndryshimet në metodologjinë e auditimit, ku këtë vit në raportet e auditimit do të përfshihet edhe dhënia e konkluzionit  për pajtueshmëri si dhe zhvillimi i softuerit të auditimit. Osmani ka deklaruar se kërkesë e vazhdueshme e ZKA-së është ndryshimi i legjislacionit përkatës në mënyrë që auditimet të përzgjidhen duke vlerësuar shkallën e rrezikut për paranë publike. Ndërsa Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu, ka bërë prezantimin e qëllimeve të Planit Strategjik të Zyrës Kombëtare të Auditimit 2018-2021. Salihu ka treguar se ky plan ka pasur tri qëllime kryesore: Pavarësia dhe standardet profesionale; Qeverisja dhe zhvillimi i kapaciteteve institucionale; si dhe Komunikimi, ndikimi dhe integrimi. Salihu ka thënë se ZKA-ja çmon kontributin e Shoqërisë Civile në fuqizimin dhe përmirësimin e qeverisjes në vend, sepse pa mbështetjen e shoqërisë civile nuk mund të  shtrihet ndikimi i auditimit në sektorin publik. Drejtoresha e Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresë Mulaj, ka shpalosur në detaje përmbushjen e objektivave të planit strategjik  të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Mulaj ka deklaruar se Plani ka përcaktuar qëllimet strategjike dhe objektivat e qarta përmes të cilave ZKA-ja ka rritur performancën e vet në përputhje me kornizën ligjore dhe Standardet Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit. Mulaj ka bërë me dije se ZKA-ja ka arritur që të përmbush me sukses planin strategjik, ndonëse procesi ka qenë mjaftë sfidues. ZKA-ja brenda këtyre viteve, përmes përditësimit dhe hartimit të dokumenteve të metodologjisë së auditimit ka siguruar cilësinë në auditim dhe ka rritur sigurinë në punën audituese.  Në veçanti duhet përmendur rritjen e numrit të auditimeve sidomos të atyre të performancës dhe të ndërmarrjeve publike. Një nga arritjet më të rëndësishme në historinë e ZKA-së është anëtarësimi në dy organizatat kryesore të auditimit: INTOSAI dhe EUROSAI. Jo më pak të rëndësishme se kjo kanë qenë edhe zbatimi i objektivave të komunikimit me palët e jashtme dhe intensifikimit të punës me Kuvendin. Strategjia për komunikim dhe angazhim me partnerët e jashtëm është hartuar dhe është në zbatim. ZKA-ja është institucion më i njohur për publikun se sa ishte vite më parë falë edhe bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile dhe prezencës në media. Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile kanë shprehur gatishmërinë për të dhënë kontributin në draftimin e planit të ri strategjik të ZKA-së. Ata vlerësuan arritjet e ZKA-së ndër vite, duke kërkuar që të rritet numri i auditimeve të ndërmarrjeve publike, auditimeve të performancës dhe përfshirja e ekspertëve të fushave, si dhe aplikimin e qasjes së auditimeve të bazuara në rrezik.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditori i Përgjithshëm kërkon fuqizimin e rolit të grave në shoqëri

Auditori i Përgjithshëm kërkon fuqizimin e rolit të grave në shoqëri

52 për qind e personelit në Zyrën Kombëtare të Auditimit  janë gra, sikurse edhe gjysma e pozitave udhëheqëse në nivele të ndryshme të organizatës përfaqësohen nga gratë, prandaj fuqizimi i pozitës së grave në Kosovë është misioni i përbashkët. Kështu ka deklaruar të hënën Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani me rastin e 8 marsit, Ditës Ndërkombëtarë të Gruas. Osmani ka vlerësuar se roli i gruas është i pazëvendësueshëm në të gjitha fushat e jetës dhe zhvillimi i vendit pa pjesëmarrjen e gruas është i pamundshëm. Dita Ndërkombëtare e Gruas është vetëm një ditë simbolike. Përgjatë gjithë historisë, roli i grave ka qenë i domosdoshëm për krijimin e vlerave të përgjithshme shoqërore, kulturore, politike dhe jetësore. Gratë kosovare kanë luajtur rol të rëndësishëm në të gjitha ngjarjet më vendimtare të historisë së  Kosovës. Sa i përket aspektit të barazisë gjinore, Zyra Kombëtare e Auditimit qëndron mirë dhe mund të shërbejë si shembull për institucionet tjera. Aktualisht 52 për qind e stafit të ZKA-së janë gra dhe po ashtu gjysma e pozitave udhëheqëse janë gra. Auditimet e  organizatave buxhetore komplekse ku për zbatimin e auditimit cilësor kërkohet punë, dije e shkathtësi të veçanta zbatohen nga gratë.  Këto pozita nuk janë dhuruar, por janë fituar falë kompetencës profesionale dhe punës së vazhdueshme duke i bërë që të jenë pjesë e vendimmarrjes në ZKA. Në këtë ditë të shënjuar, kur vlerësohet roli dhe kontributi i grave, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani u  ka dhuruar lule gruas së parë të punësuar në ZKA si dhe zyrtares për barazi gjinore, duke uruar që të fuqizohet pozita e grave në shoqërinë kosovare.  
Lexo më shumë
Punonjësja e ZKA-së ka përfunduar me sukses programin “Liderët e rinj” të organizuar nga Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t

Punonjësja e ZKA-së ka përfunduar me sukses programin “Liderët e rinj” të organizuar nga Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t

Drejtoresha për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj, ka përfunduar me sukses programin “Liderët e rinj” 2019-2021, të organizuar nga Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t. Me këtë rast Mulaj ka thënë se ky program ka qenë një mundësi e mirë për të mësuar dhe eksploruar më shumë për zhvillimin personal dhe institucional. Ajo ka thënë se përmes zbatimit të strategjisë për ndryshim ka kontribuar në ndryshimin pozitiv të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Kurse Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka uruar të gjithë të diplomuarit e programit, në veçanti znj. Mulaj duke thënë se ajo ka treguar vizionin dhe ambicien e saj për të qenë një agjente e ndryshimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit. “Prandaj ndjehem i sigurt që puna e saj në të ardhmen do të jetë në të mirë të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Osmani.
Lexo më shumë