Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
3/25/2021 3:37:46 PM

ZKA-ja dhe Kolegji UBT thellojnë bashkëpunimin profesional dhe akademik

Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet akademike, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, të enjten vizitojë Kampusin Inovativ të UBT-së, me ç’rast u prit në takim të veçantë nga rektori i UBT-së, z, Edmond Hajrizi si dhe pastaj mbajti një ligjëratë para studentëve. Qëllimi kryesor i diskutimit ishte prezantimi i përparimit të bërjes së strategjive sektoriale dhe niveli i zbatimit të tyre i matur përmes punës audituese për të vlerësuar se si menaxhimi i rrezikut, sistemet e kontrollit të brendshëm dhe qasja koorporative po zbatohet nga ana e institucioneve publike. Para të pranishmëve, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, foli për rolin dhe përgjegjësitë e Zyrës Kombëtare të Auditimit, duke shpalosur planin strategjik dhe progresin ne zbatimin e auditimeve. Në këtë kontekst ka theksuar rëndësinë e zbatimit të  rekomandimeve dhe ndikimin e tyre në fuqizimin e qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies. Osmani ka thënë se sfidë mbetet niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve që nuk e kalon 40 % në nivel të përgjithshëm, përderisa në vendet evropiane shkalla e zbatimit të rekomandimeve kalon 80%. Për të pasur sukses dhe ndikim të plotë auditimi, institucionet që auditohen duhet ta shohin ZKA-në si aleat për të përmirësuar performancën e tyre. Për të ndryshuar këtë perceptim nevojitet mbështetja e institucioneve akademike, shoqërisë civile dhe mediave. Gjithashtu gjatë këtij debati u diskutua edhe për mungesën e strategjive institucionale në nivel vendi si dhe nevoja për një koordinim në mes të gjitha niveleve të institucioneve qeverisëse, institucioneve akademike dhe të tjera. Ndërkohë Rektori i Kolegjit UBT, z. Edmond Hajrizi, ka vlerësuar se ZKA-ja vazhdon të jetë shembull i mirë për institucionet e tjera si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë funksional dhe të pavarur. Hajrizi ka përgëzuar Auditorin e Përgjithshëm edhe për arritjet në nivel ndërkombëtar me anëtarësimin në dy organizatat më të rëndësishme të audtimit: INTOSAI dhe EUROSAI, duke thënë se kjo tregon për nivelin e lartë të standardeve profesionale dhe pavarësisë së institucionit. Në kuadër të këtij bashkëbisedimi studentët u interesuan që të dinë më shumë  për realizimin e procesit të auditimit; për gjetjet kryesore më të rëndësishme si dhe ndikimin e tyre në nivelin e përgjithshëm të qeverisjes në vend.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Bashkëpunimi rajonal me fokus në zhvillimin e kapaciteteve për auditimet e performancës

Bashkëpunimi rajonal me fokus në zhvillimin e kapaciteteve për auditimet e performancës

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve për auditimet e performancës si dhe përgatitjeve për projektin e tretë të auditimeve paralele, Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë ka filluar programin e trajnimit e-learning,  për Institucionet Supreme të Auditimit të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.  Pjesë e këtij programi është edhe Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës, përmes pjesëmarrjes se auditorëve nga departamenti i performancës, Alba Keqa dhe Elira Hashani. Ky program do të zhvillohet përmes mentorimit të drejtpërdrejtë,  punëtorive e seminareve dhe punës së ekipeve në auditimet e tyre reale që të jenë në gjendje të zbatojnë aftësitë e tyre në praktikë. Programi përbehet nga gjashtë module dhe për shkak të pandemisë do të mbahet kryesisht on-line dhe do  të zgjatë në një periudhe prej 6-10 muaj. Në kuadër të trajnimit janë parashikuar mësimet si dhe njohuri për  standardet e auditimit të performancës, përfshirë të gjitha fazat e auditimit. Gjithashtu pjesëmarrësit do të përfshihen në punë praktike në të gjitha fazat e auditimit konkret – nga parastudimi, ekzekutimi  deri në raportim, ku në te njëjtën kohë do të marrin udhëzime dhe mbështetje nga trajnerët. Programi i trajnimit për auditimin e performancës është hartuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë dhe me mbështetjen e ISA-ve të tjera është zbatuar me sukses në rajonin e AFROSAI për shumë vite. Ky trajnim profesional  është zhvilluar edhe në ZKA gjatë vitit 2019, ku kanë marrë pjesë  dhe janë certifikuar të gjithë auditorët e performancës. Trajnimet e sistemuara dhe të standardizuara, të zbatuara në bazë rajonale, kanë rezultuar të jenë shumë efektive dhe kontribuojnë në institucionalizimin e auditimit të performancës.    
Lexo më shumë
Mbahet kongresi i XI i EUROSAI-t, ZKA-ja anëtare me të drejta të barabarta

Mbahet kongresi i XI i EUROSAI-t, ZKA-ja anëtare me të drejta të barabarta

ZKA-ja përfaqësohet si anëtare fuqiplotë në Kongresin e XI të EUROSAI-t Me datë 14 dhe 15 prill 2021 u mbajt Kongresi i XI i Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI). Për shkak të pandemisë me Covid-19 mbajtja e Kongresit ishte shtyrë nga viti 2020 dhe për herë të parë në historinë e kësaj organizate, kongresi është mbajtur online. Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës në punimet e Kongresit u përfaqësua si anëtare më të drejta të plota e kësaj organizate. Për herë të parë ZKA-ja ishte pjesë aktive, mori përgjegjësitë dhe ushtroj të drejtën e plotë të votimit për anëtarët e rinj të Bordit Drejtues dhe çështjet tjera që ishin paraparë me agjendë. Në këtë kongres është bërë edhe ndryshimi i Statutit të EUROSAI-t me qëllim që të mundësohej caktimi i tarifës financiare të kontributit në buxhetin e EUROSAI-t për Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës si anëtare e kësaj organizate. Pjesë e punimeve të kongresit ishin Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu si dhe Drejtoresha për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj. Kongresi mes tjerash ka marr edhe vendime tjera të rëndësishme duke zgjedhur Britaninë e Madhe dhe Lituaninë si anëtarë të Bordit Drejtues dhe po ashtu ka vendosur që kryesimi i radhës së EUROSAI, pas mandatit trevjeçar të Çekisë të bëhet nga Izraeli ku dhe do të mbahet Kongresi i radhës. Pas përfundimit të Kongresit të XI të EUROSAI-t, Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka thënë se Zyra Kombëtare e Auditimit si anëtare e EUROSAI-t synon të jap kontribut dhe të ndajë me kolegët njohuritë dhe përvojën e vet profesionale dhe të prezantojë Kosovën me dinjitet. “Përfundimisht Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës është anëtare fuqiplotë e Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit. Faleminderit të gjitha shteteve anëtare që në Kongresin e XI-të që u mbajt në Pragë votuan me 2/3 e votave të nevojshme. Ndjenjë e veçantë që nga ky moment të marrim pjesë aktive në punimet e Kongresit dhe të votojmë për anëtarët e rinj të Bordit Drejtues. U jam mirënjohës ekipit të ZKA-së që patën dijen dhe kurajon që të punojmë së bashku për këtë sukses”, është shprehur Osmani. Në kuadër të Kongresit të XI të EUROSAI-t është prezantuar Raporti i Aktiviteteve 2017 -2021 i Sekretariatit të EUROSAIT, pasqyrat financiare si dhe raporti i buxhetit të organizatës. Ndërsa, kanë kaluar në votim dhe janë zgjedhur: Institucioni Suprem i Auditimit të Izraelit është zgjedhur që të marrë Presidencën në vitin 2024 pas Çekisë, Zyra Kombëtare e Auditimit të Britanisë së Madhe dhe Institucioni Suprem i Auditimit të Lituanisë janë zgjedhur anëtarë të rinj të Bordit Drejtues të EUROSAIT, ndërsa Institucioni Suprem i Kroacisë dhe ai i Bullgarisë janë zgjedhur auditorë të jashtëm të EUROSAI-t. Gjithashtu janë prezantuar raportet e punës nga grupet punuese dhe task forcat siç janë: Grupi Punues për Teknologjinë e Informacionit; Grupit Punues për Auditimet e Mjedisit; Grupi Punues për Auditimin e Fondeve për Fatkeqësi dhe Katastrofa; Task Forca për Auditimin e Komunave si dhe Task Forca për Auditim dhe Etikë.
Lexo më shumë