Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
4/20/2021 7:44:40 PM

Deputetët e Kuvendit të Kosovës vizituan Zyrën Kombëtare të Auditimit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës njëherësh anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) zhvilluan një vizitë pune të martën në Zyrën Kombëtare të Auditimit, me ç’rast u priten në takim nga Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani dhe bashkëpunëtorët e tij. Kryetarja e KMFP-së, Hykmete Bajrami, nënkryetarja Arta Bajralija, si dhe anëtarët Eman Rrahmani, Mirlinda Sadiku, Jetmire Vrenezi, Hajdar Beqa, Fadil Nura, dhe Albana Bytyqi u njoftuan në detaje nga përfaqësuesit e ZKA-së lidhur me zbatimin e Planit Strategjik të Zyrës Kombëtare të Auditimit 2018-2021 dhe Planit aktual vjetor të auditimit; Procesin e Auditimit, Kontrollin e cilësisë dhe Sigurimin e cilësisë; Sistemin elektronik për menaxhimin e auditimit- SITA; Zhvillimin Profesional dhe Komunikimi me palët  e interesit; si dhe për bashkëpunimin me organet e drejtësisë dhe organizmat përkatëse për luftimin e korrupsionit. Më tutje ligjvënësit u njoftuan edhe me nevojën e ndryshimit të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, në mënyrë që auditimet të përzgjidhen duke vlerësuar shkallën e rrezikut për paranë publike. Këto ndryshime do të ndikonin në rritjen e numrit të auditimeve të Ndërmarrjeve Publike dhe auditimeve të performancës. Kryetarja e KMFP-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se informata e prezantuara nga përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit janë mjaftë të vlefshme për punën e Komisionit për Financa Publike i cili merret me shqyrtimin e raporteve të auditimit. Bajrami ka deklaruar se përmes shqyrtimit të raporteve të auditimit të organizatave buxhetore në KMFP, Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon rritjen e përgjegjësisë llogaridhënëse nga institucionet e audituara në mënyrë që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për zbatimin e rekomandimeve dhe adresimin e mangësive të raportuara. Anëtarët e KMFP-së u interesuan që të dinë nëse ZKA-ja do të mund ta përmbush planin auditues 2020/2021 për shkak të pandemisë Covid 19 sipas dinamikës së paraparë në mënyrë që të bëhen harmonizimet e nevojshme për planin e punës së Komisionit. Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kanë vlerësuar punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit duke shprehur gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në mënyrë që rezultatet e auditimit të përmirësojnë qeverisjen në vend dhe shërbimet ndaj qytetarëve.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Mbahet kongresi i XI i EUROSAI-t, ZKA-ja anëtare me të drejta të barabarta

Mbahet kongresi i XI i EUROSAI-t, ZKA-ja anëtare me të drejta të barabarta

ZKA-ja përfaqësohet si anëtare fuqiplotë në Kongresin e XI të EUROSAI-t Me datë 14 dhe 15 prill 2021 u mbajt Kongresi i XI i Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI). Për shkak të pandemisë me Covid-19 mbajtja e Kongresit ishte shtyrë nga viti 2020 dhe për herë të parë në historinë e kësaj organizate, kongresi është mbajtur online. Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës në punimet e Kongresit u përfaqësua si anëtare më të drejta të plota e kësaj organizate. Për herë të parë ZKA-ja ishte pjesë aktive, mori përgjegjësitë dhe ushtroj të drejtën e plotë të votimit për anëtarët e rinj të Bordit Drejtues dhe çështjet tjera që ishin paraparë me agjendë. Në këtë kongres është bërë edhe ndryshimi i Statutit të EUROSAI-t me qëllim që të mundësohej caktimi i tarifës financiare të kontributit në buxhetin e EUROSAI-t për Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës si anëtare e kësaj organizate. Pjesë e punimeve të kongresit ishin Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu si dhe Drejtoresha për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj. Kongresi mes tjerash ka marr edhe vendime tjera të rëndësishme duke zgjedhur Britaninë e Madhe dhe Lituaninë si anëtarë të Bordit Drejtues dhe po ashtu ka vendosur që kryesimi i radhës së EUROSAI, pas mandatit trevjeçar të Çekisë të bëhet nga Izraeli ku dhe do të mbahet Kongresi i radhës. Pas përfundimit të Kongresit të XI të EUROSAI-t, Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka thënë se Zyra Kombëtare e Auditimit si anëtare e EUROSAI-t synon të jap kontribut dhe të ndajë me kolegët njohuritë dhe përvojën e vet profesionale dhe të prezantojë Kosovën me dinjitet. “Përfundimisht Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës është anëtare fuqiplotë e Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit. Faleminderit të gjitha shteteve anëtare që në Kongresin e XI-të që u mbajt në Pragë votuan me 2/3 e votave të nevojshme. Ndjenjë e veçantë që nga ky moment të marrim pjesë aktive në punimet e Kongresit dhe të votojmë për anëtarët e rinj të Bordit Drejtues. U jam mirënjohës ekipit të ZKA-së që patën dijen dhe kurajon që të punojmë së bashku për këtë sukses”, është shprehur Osmani. Në kuadër të Kongresit të XI të EUROSAI-t është prezantuar Raporti i Aktiviteteve 2017 -2021 i Sekretariatit të EUROSAIT, pasqyrat financiare si dhe raporti i buxhetit të organizatës. Ndërsa, kanë kaluar në votim dhe janë zgjedhur: Institucioni Suprem i Auditimit të Izraelit është zgjedhur që të marrë Presidencën në vitin 2024 pas Çekisë, Zyra Kombëtare e Auditimit të Britanisë së Madhe dhe Institucioni Suprem i Auditimit të Lituanisë janë zgjedhur anëtarë të rinj të Bordit Drejtues të EUROSAIT, ndërsa Institucioni Suprem i Kroacisë dhe ai i Bullgarisë janë zgjedhur auditorë të jashtëm të EUROSAI-t. Gjithashtu janë prezantuar raportet e punës nga grupet punuese dhe task forcat siç janë: Grupi Punues për Teknologjinë e Informacionit; Grupit Punues për Auditimet e Mjedisit; Grupi Punues për Auditimin e Fondeve për Fatkeqësi dhe Katastrofa; Task Forca për Auditimin e Komunave si dhe Task Forca për Auditim dhe Etikë.
Lexo më shumë
Përfaqësuesit e ZKA-së morën pjesë në konferencën ndërkombëtare shkencore dhe praktike të INTOSAI-t

Përfaqësuesit e ZKA-së morën pjesë në konferencën ndërkombëtare shkencore dhe praktike të INTOSAI-t

Organizata  Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) me 21 dhe 22 prill mbajti konferencën ndërkombëtare shkencore dhe praktike. Për shkak të pandemisë Covid 19 konferenca u mbajt në platformën online. Punimet e kësaj konference janë ndjekur edhe nga përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, ku janë diskutuar tema të ndryshme për praktikat e auditimit në sektorin publik, kryesisht përgjatë situatës aktuale të pandemisë. Në ditën e parë të konferencës tema kryesore e diskutimit ka qenë “Auditimi në sektorin publik dhe përparimi i praktikave të qeverisjes gjatë dhe pas emergjencës”. Më pas në kuadër të kësaj teme diskutimi i pjesëmarrësve ka vazhduar me shpalosjen e praktikave të Institucioneve Supreme të Auditimit lidhur me “Auditimi i kujdesit shëndetësor dhe kujdesit shoqëror: mjete të reja për komunitetin e INTOSAI-t”; Prokurimi publik dhe risitë në auditim: Zgjidhje të reja për probleme të vjetra;  si dhe “Gjithëpërfshirja: objektivi i auditimit ose kriteret e auditimit”. Ndërsa në ditën e dytë konferenca shkencore e INTOSAI-t ka vazhduar punimet me temën “Mësimi online: Normë e re, apo zgjidhje e përkohshme?”; për të vazhduar më tutje diskutimet për “Auditimi strategjik”; “Analitika e të dhënave në punën e ISA-ve”; “Hapja (transparenca) e ISA-së; si dhe “Auditimi i synimeve për zhvillim të qëndrueshëm (SZhQ)”.
Lexo më shumë