Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/25/2021 4:45:02 PM

Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit në mes të ZKA-së dhe Autoritetit të Auditimit të Maqedonisë së Veriut

Në një ceremoni të rastit ku prezentë ishin Ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në Kosovës, Shpresa Jusufi, Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi dhe Zëvendëskryeministrja Donika Gervalla, Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës dhe Autoriteti i Auditimit të Maqedonisë së Veriut kanë avancuar bashkëpunimin institucional me nënshkrimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit/Bashkëpunimit. Memorandumi i mirëkuptimi për bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve i nënshkruar të martën në Prishtinë nga Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani dhe Auditori i Përgjithshëm i Autoritetit të Auditimit të Maqedonisë së Veriut për auditimin e fondeve IPA, Adem Curi ka për qëllim forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale për auditim efektiv dhe efikas në fushën e auditimit të fondeve nga IPA. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka vlerësuar se ky Memorandum  është mundësi e mirë që auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës të forcojnë njohuritë e tyre për specifikat e auditimeve të fondeve IPA. Përafrimi i Kosovës në procesin e integrimeve evropiane do të sjellë nevojën e zbatimit të këtyre auditimeve për të cilat aktualisht ne nuk kemi ndonjë përvojë të veçantë. Edhe Auditori i Përgjithshëm i Autoritetit të Auditimit të Maqedonisë së Veriut për auditimin e fondeve IPA, Adem Curi, e ka vlerësuar të rëndësishëm nënshkrimin e këtij memorandumi, duke thënë se shkëmbimi i praktikave profesionale mundëson  përmirësimin e kapaciteteve audituese të dy institucioneve. Ky bashkëpunim parasheh shkëmbimin e përvojës në qasjen e audimit dhe metodologjinë e përdorur në pajtim me standardet e auditimit; shkëmbimin e përvojës dhe mësimet e nxjerra në fushën e auditimit; ofrimin e ndihmës dhe bashkëpunimit nga eksperti në fushën e auditimit; organizimin e hulumtimeve, takimeve, konferencave, trajnimeve, vizitave studimore, dhe praktikave profesionale për përmirësimin e kapaciteteve audituese te të dy institucioneve si dhe organizimin e vizitave të përbashkëta tek organet dhe institucionet profesionale në fushën e auditimit. Zëvendëskryeministrja njëherësh Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Qeveria mirëpret një bashkëpunim të tillë mes dy shteteve për forcimin e marrëdhënieve bilaterale. “Memorandumit të Mirëkuptimit i cili do të nënshkruhet sot, i paraprijnë një sërë marrëveshjesh qoftë ndërinstitucionale apo ndërqeveritare në mes të Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Si Qeveri e re e mirëpresim një bashkëpunim të tillë mes dy shteteve për forcimin e marrëdhënieve bilaterale. Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut ndajnë interesa të përbashkëta politike dhe ekonomike, për stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e rajonit tonë. Fuqizimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe fqinjësisë së mirë madje miqësisë së ndërsjellë është përkushtimi ynë”, ka thënë Gërvalla. Edhe Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi e ka përshëndetur nënshkrimin e këtij memorandumi. “Nënshkrimi i memorandumit të sotëm dëshmon që bashkëpunimi ynë rajonal i bazuar në paradigmën e konkurueshmerisë rajonale kundrejt konkurrencës rajonale të vendeve të Ballkanit Perëndimor jetësohet edhe në praktikë, duke shkëmbyer përvojat ”, ka deklaruar Bytyqi.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditori i Përgjithshëm mbajti takim virtual me Presidentin e EUROSAI-t

Auditori i Përgjithshëm mbajti takim virtual me Presidentin e EUROSAI-t

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani dhe presidenti i EUROSAI-t Miloslav Kala flasin për avancimin e bashkëpunimit në forumet e EUROSAI-t Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka mbajtur takim virtual me Presidentin e Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI), z. Miloslav Kala njëherësh President i Institucionit Suprem të Auditimit të Republikës së Çekisë. Me këtë rast presidenti i EUROSAI-t Miloslav Kala i ka uruar mirëseardhje Zyrës Kombëtare të Auditimit në këtë organizatë, duke shprehur gatishmërinë për të avancuar bashkëpunimin ndërinstitucional përmes zhvillimit të aktiviteteve në forumet e EUROSAI-t. Ndërsa Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka deklaruar se anëtarësimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit në EUROSAI ofron një mundësi të shkëlqyeshme për zhvillimin tonë profesional në të ardhmen dhe lejon stafin tonë të ndajnë përvojën dhe idetë me interes të përbashkët me kolegët e tyre evropianë. Osmani ka rikonfirmuar  gatishmërinë e tij dhe të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës për të pranuar dhe marrë përsipër të gjitha detyrimet dhe të drejtat që lidhen me statusin si anëtar i plotë në EUROSAI. Të pranishëm në këtë takim kanë qenë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Ilir Salihu dhe drejtoresha për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qëndresa Mulaj.
Lexo më shumë
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2020

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2020

Raporti Vjetor i Performancës i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020 është shqyrtuar të mërkurën nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani ka prezantuar në mënyrë të detajuar aktivitetin, të arriturat dhe sfidat e ZKA-së gjatë vitit 2020, si dhe u është përgjigjur interesimit të deputetëve për çështjet e parashtruara. Osmani ka thënë se pavarësisht se viti 2020 ka qenë sfidues për shkak të ndikimit të pandemisë COVID  19, ZKA-ja ka arritur t’i përmbush të gjitha kërkesat dhe afatet ligjore për punën  audituese, duke forcuar mbulueshmërinë dhe cilësinë e auditimit. “Gjatë vitit  2020 kemi kryer numrin më të lartë të auditimeve të rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë) që nga themelimi i ZKA-së. Kemi audituar 95 organizata buxhetore me një buxhet të përgjithshëm rreth 2.5 miliardë euro; 14 ndërmarrje publike kryesisht në fushën e telekomunikimit, furnizimit me ujë dhe trajtimit të mbeturinave; 8 auditime të performancës me  fokus tema komplekse, si dhe 9 projekte të financuara nga fondet e donatorëve”, ka deklaruar Osmani, duke shtuar se përmes rekomandimeve praktike, ZKA-ja ka shtrirë më tej ndikimin e saj, ku është vërejtur një progres i lehtë në rritjen e shkallës së zbatimit të rekomandimeve të auditimit. Ai ka treguar se paralelisht me realizimin e planit të auditimit, gjatë vitit 2020 Zyra Kombëtare e Audiitmit ka përditësuar doracakët dhe letrat e punës sipas Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit dhe praktikave të mira ndërkombëtare si dhe ka digjitalizuar procesin e punës audituese ku kemi lancuar sistemin elektronik të auditimit SITA, përmes së cilit do të racionalizohet koha në auditim, rritet cilësia dhe siguria e auditimeve dhe forcohet transparenca. Gjithashtu në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, mediat dhe partnerët ndërkombëtar, ZKA-ja ka hartuar strategjinë e komunikimit, si mjet thelbësor për promovimin e praktikave të mira, të llogaridhënies dhe rritjen e transparencës. Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka njoftuar deputetët se një prej të arriturave më të rëndësishme, që e ka karakterizuar performancën e Zyrës Kombëtare të Auditimit në rrafshin ndërkombëtar gjatë vitit 2020, është anëtarësimi me të drejta të plota në dy organizata ndërkombëtare, Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) dhe në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI).  “Integrimi i ZKA-së në organizatat ndërkombëtare, përbën suksesin më të madh në historinë e auditimit të jashtëm, të sektorit publik të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Osmani. Gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Performancës Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani i ka siguruar anëtarët e Komisionit se Zyra Kombëtare e Auditimit do të përmbush mandatin e vet kushtetues dhe ligjor duke i ofruar Kuvendit të Republikës së Kosovës auditime cilësore dhe profesionale. Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike kanë bërë pyetje të shumta dhe vërejtje gjatë shqyrtimit të Raportit Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2020. Për më shumë raportin e gjeni në këtë vegzë.
Lexo më shumë