Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/27/2021 4:31:53 PM

Auditori kërkon nga komunat që të përmirësojnë procesin e menaxhimit të projekteve nga Granti i Performancës Komunale

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar të enjten raportin e auditimit të performancës “Projektet e financuara nga Granti i Performancës Komunale për vitin fiskal 2019". Granti është bashkëfinancuar nga Fondacioni Zviceran në Kosovë/Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave si dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Qëllimi i këtij auditimi ka qenë  të vlerësoj nëse shpenzimet dhe menaxhimi i projekteve nga Granti janë në harmoni me kërkesat e donatorëve dhe nëse kanë arritur rezultatet e synuara. Subjekt i auditimit kanë qenë grantet e dhëna nga Ministria  e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komunat: Prizren, Gllogoc, Vushtrri, Viti, Shtërpcë dhe Obiliq. Rezultatet e auditimit tregojnë se institucionet e audituara në përgjithësi  kanë aplikuar procedurat e prokurimit në fuqi, ashtu siç parashihet me kërkesat e këtij Granti: fondet e ndara janë shpenzuar për projektet kapitale dhe për qëllimin e kontraktuar, dhe qytetarët janë shprehur të kënaqur me investimet e bëra në kuadër të këtyre projekteve. Megjithatë, auditimi ka nxjerrë në pah disa mangësi që duhet të përmirësohen për të maksimizuar përfitimin nga Grantet. Një prej këtyre mangësive është mungesa e një  procesi standard të pranimit të kërkesave nga qytetarët, shqyrtimit të tyre dhe prioritizimit të nevojave për investime komunale. Gjithashtu inicimi i procedurave të prokurimit është bërë me vonesë. Operatorëve Ekonomik nuk i janë ofruar kushtet e përshtatshme për  punë, si dhe ka pasur rast kur operatori nuk ishte i përgjegjshëm ndaj kontratës. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, lidhur me këtë auditim ka vlerësuar se Granti i Performancës Komunale në përgjithësi ka ndihmuar komunat në arritjen e objektivave strategjike dhe ka arritur qëllimin e tij kryesor duke ofruar shërbime më të mira komunale për qytetarët, mirëpo komunat e audituara duhet të shtojnë vëmendjen në procesin e monitorimit të menaxhimit të kontratave për të maksimizuar rezultatet e synuara. Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar komunat e audituara të përmirësojnë  procesin e menaxhimit të këtyre projekteve, duke filluar me inicimin e procedurave të prokurimit me kohë deri te përfundimi i projekteve brenda kohës së kontraktuar. Ky auditim është realizuar në kuadër të marrëveshjes në mes Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, (përmes Decentralizimit dhe Përkrahjes Komunale). Raportin e plotë mund ta lexoni këtu.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani mori pjesë në Konferencën “Pavarësia e Institucioneve Supreme të Auditimit”

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani mori pjesë në Konferencën “Pavarësia e Institucioneve Supreme të Auditimit”

Drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) të enjten kanë marrë pjesë në konferencën online “Pavarësia e Institucioneve Supreme të Auditimit” të organizuar nga Institucioni Suprem i Auditimit të Polonisë, në të cilën është diskutuar për rëndësinë e pavarësisë institucionale. Në këtë konferencë përvojat e tyre i kanë ndarë drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve evropiane si Polonia, Norvegjia, Hungaria, Bullgaria, Malta,  Moldova, Rumania, Turqia, Ukraina, Kroacia dhe Kosova, si dhe përfaqësues nga Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t. (IDI) Punimet e kësaj konference i ka ndjekur edhe Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani. Në prezantimin e tij, Osmani ka thënë se Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, sipas Kushtetutës, është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar në Republikën e Kosovës, dhe ushtron mandatin, funksionet dhe përgjegjësitë e tij funksionale, financiare dhe operacionale në mënyrë të pavarur. “Një Institucion Suprem i Auditimit, për  të përmbushë misionin dhe të rrisë ndikimin e tij për një jetë më të mirë të qytetarëve duhet të jetë vazhdimisht i vetëdijshëm për sfidat e mundshme për pavarësinë e tij në të gjitha aspektet, funksionalisht, financiarisht dhe operacionalisht”, ka deklaruar Osmani. Tutje Osmani ka theksuar se përkundër se operon në një mjedis të brishtë dhe sfidues, Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës ka qenë në gjendje të përmbushë mandatin e saj dhe në vazhdimësi ka dorëzuar dhe botuar raporte të auditimit me profesionalizëm dhe të rëndësisë së veçantë. Osmani ka treguar se megjithatë në disa raste ZKA-ja ka hasur në vështirësi dhe përpjekje për të ndërhyrë në punën dhe mandatin e saj, siç ka qenë rasti në vitin 2019, ku me Ligjin për Zyrtarët Publik është rrezikuar pavarësia  e Auditori të Përgjithshëm lidhur me çështjet që ndërlidhen me strukturën organizative, funksionimin, klasifikimin e pozitave të punës dhe kriteret e rekrutimit të stafit të ZKA-së por që është tejkaluar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. "Ky vendim ka rikonfirmuar vendosjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë funksionale dhe organizative të Auditorit të Përgjithshëm në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe më në fund ka shmangur diskutimet e mëtejshme dhe mosmarrëveshjet e mundshme”, ka thënë Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani. Po ashtu Auditorët e Përgjithshëm të vendeve pjesëmarrëse kanë prezantuar përvojat e vendeve të tyre dhe ka qenë konkludim i përbashkët që përpjekjet për ndërhyrje janë të vazhdueshme dhe gjerësisht të shprehura në shumë vende por të përhershme duhet të jenë edhe përpjekjet e ISA-ve që t’i parandalojnë dhe mënyra më e mirë është aleanca me mediat dhe shoqërinë civile.
Lexo më shumë
Mbahet trajnimi për përdorimin e Doracakut të Auditimit të Pajtueshmërisë

Mbahet trajnimi për përdorimin e Doracakut të Auditimit të Pajtueshmërisë

Për tri ditë më radhë (24-26 maj) përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit kanë ndjekur trajnimin mbi përdorimin e Doracakut të Auditimit të Pajtueshmërisë i cili u mbajt në kuadër të Projektit të Binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejshëm i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës”. Trajnimi kishte për synim avancimin e teknikave të përdorimit të Doracakut të Auditimit të Pajtueshmërisë. Ndërsa,  qëllimi kryesor i këtij Doracaku është që tu ofrojë punonjësve të ZKA-së një pikë referimi për t'ju ndihmuar gjatë gjithë procesit të auditimit. Në mënyrë që të sigurohet cilësi e lartë e financiare dhe punës së auditimit të pajtueshmërisë, Manuali ofron një kornizë për planifikimin, ekzekutimin, përfundimin dhe raportimin mbi auditimet, ndërsa thekson rëndësinë e vënies së fokusit në rrezikun ndaj objektivave të pajtueshmërisë, për të ofruar auditime efektive dhe efikase dhe për të mbrojtur dhe rritur reputacionin e ZKA. Pjesëmarrësit në kuadër të punëtorive trajtuan disa tema si: Përmbledhja e Manualit të ri të Auditimit të Pajtueshmërisë, ku diskutimi u fokusua te Koncepti i një auditimi të pavarur të pajtueshmërisë; Procesi i modifikuar i auditimit; Përzgjedhja e dokumenteve të punës; Kriteret e vlerësimit të provave të marra; si dhe Struktura dhe përmbajtja e raportit të auditorit. Kurse tema Prezantimi i çështjes u elaborua në detaje me përzgjedhjen e një teme për një auditim të pavarur të pajtueshmërisë; Vlerësimin paraprak të rrezikut si dhe Planifikimin paraprak të auditimit. Ndërsa të Zgjidhja e çështjes u diskutua për Analizën e procesit themelor të çështjes; Vlerësimin e hollësishëm të rrezikut të procesit; Planifikimit të procedurave të hollësishme; Vlerësimin e provave të marra potencialisht; Marrjen e vendimit për opinionin e auditimit si dhe Hartimin e shembujve të gjetjeve dhe rekomandimeve.
Lexo më shumë