Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/31/2021 9:56:40 AM

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës priti në takim bilateral homologun e tij nga Polonia

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, të hënën ka pritur në takim bilateral presidentin e Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë Marian Banas me delegacionin e tij. Homologët diskutuan për mënyrat e vazhdimit të bashkëpunimit bilateral përmes shkëmbimit të njohurive dhe përvojave që kanë për qëllim avancimin e mëtejmë të auditimit të jashtëm dhe përmirësimin e menaxhimit të parasë publike. Ata kanë folur edhe për vështirësitë dhe sfidat si dhe për procesin e auditimit në kohë pandemie. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, me këtë rast ka falënderuar homologun polak për ndihëm e vazhdueshme dhënë ZKA-së në ngritjen e kapaciteteve profesionale. Osmani është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm si dhe u zotua për vazhdimin e këtij bashkëpunimit në mes të dy organizatave përmes projekteve të reja. Nga ana tjetër Presidenti i Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë, Marian Banas, ka përgëzuar Osmanin për arritjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit në përgjithësi, e në veçanti për anëtarësimin me të drejta të plota në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI). Banasi ka thënë se mbështesin ZKA-në dhe presim që të punojmë edhe më tutje në ngritjen e marrëdhënieve të mira në mes të organizatave, veçanërisht punën që lidhet me procesin e auditimit për Covid - 19. Ai ka vlerësuar se bashkëpunimi ndërmjet dy organizatave është në shërbim të rritjes së cilësisë në auditimin e jashtëm. Osmani dhe Banas  janë shprehur të kënaqur që Zyra Kombëtare e Auditimit të Polonisë dhe Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës kanë arritur që ta përmbyllin me sukses Projektin e Binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Kosovë” të financuar nga Bashkimi Evropian. Pavarësisht sfidave të shkaktuara nga pandemia Covid-19 për më shumë se një vit, të gjitha aktivitetet janë zhvilluar përmes platformës online duke mos u shkaktuar asnjë vonesë apo aktivitet i humbur. Ky takim u realizua në kuadër të vizitës së presidentit të Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë Marian Banas në Kosovë për të marrë pjesë në konferencën përmbyllëse të Projektit të Binjakëzimit.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor avancojnë njohuritë për sigurimin dhe kontrollin e cilësisë në auditim

Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor avancojnë njohuritë për sigurimin dhe kontrollin e cilësisë në auditim

Në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë për Institucionet Supreme të Auditimit në Ballkanin Perëndimor gjatë kësaj jave përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina kanë ndjekur punëtorinë e  fundit të seminarit lidhur me sigurimin dhe kontrollin e cilësisë në auditim. Kjo punëtorie që ishte e treta më radhë kishte për synim sqarimet e mëtejshme sesi një Institucion Suprem i Auditimit mund të forcojë kapacitetin e tij përmes një përqendrimi sistematik në çështjet e cilësisë në organizatë. Me këtë rast është bërë një përmbledhje e ndryshimeve midis kontrollit të cilësisë dhe sigurimit të cilësisë. Pjesëmarrësit nga tri Institucionet Supreme të Auditimit kanë biseduar për  një strategji të mundshme se si të vazhdojnë zhvillimin dhe adresimin e çështjeve në lidhje me kontrollin dhe sigurimin e cilësisë në organizatat përkatëse. Seminari për sigurimin e cilësisë dhe kontrollin e cilësisë i organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë ishte i ndarë në tri punëtori, punëtoria e parë u mbajt në Sarajevë në vitin 2019, ndërsa për shkak të pandemisë, punëtoria e dytë dhe e tretë janë mbajtur online, përmes platformës Zoom.
Lexo më shumë
Përfundon me sukses të plotë Projekti i Binjakëzimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe asaj të Polonisë

Përfundon me sukses të plotë Projekti i Binjakëzimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe asaj të Polonisë

Mbahet Konferenca Përmbyllëse e Projektit të Binjakëzimit ”Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit”. Ky projekt është  financuar nga Bashkimi Evropian dhe është zbatuar nga Zyra Supreme e Auditimit të Polonisë. Në konferencë morën pjesë Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, presidenti i Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë, Marian Banas me bashkëpunëtor, si dhe Zëvendësshefja e Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Hillen Francke. Në fjalën hyrës të kësaj konference, Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, falënderoj Bashkimin Evropian për financimin e Projektit të Binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit” si dhe Institucionin Suprem të Auditimit të Polonisë për profesionalizimin, angazhimin dhe kontributin e dhënë për të zbatuar me sukses këtë projekt. Osmani ka vlerësuar lartë bashkëpunimin me kolegët polak, duke thënë se realizimi i këtij projekti ka pasur për qëllim përmirësimin e mëtejmë të menaxhimit të financave publike në Kosovë si dhe të rrisë besimin në shpenzimet publike duke promovuar transparencë dhe duke rritur llogaridhënien publike. “Pavarësisht se 90% e projektit është zbatuar gjatë kohës së pandemisë, me shumë sfida dhe paqartësi rreth situatës, projekti arriti të zbatohet me sukses. Falë këtij projekti Zyra Kombëtare e Auditimit ka Strategjinë e Komunikimit përmes së cilës synohet komunikim më efektiv me qytetarët, Parlamentin dhe palët e tjera të interesit; Udhëzuesin për rekomandime të auditimit dhe data bazën e rekomandimeve përmes së cilave synojmë të rrisim cilësinë e rekomandimeve që ne japim dhe të rrisim transparencën lidhur me rekomandimet në kohë reale; si dhe Doracakun e përditësuar të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë përmes së cilit synojmë të rrisim cilësinë e auditimeve tona dhe të jemi më afër Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit”, është shprehur Osmani. Ndërkohë presidenti i  Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë, Marian Banas, është shprehur i kënaqur me rezultatet e arritura nga Projekti i Binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit”. Ai ka thënë se ky projekt ka shërbyer për rritje të cilësisë në auditim dhe zbatimin e rekomandimet nga subjektet e audituara. Banas ka falënderuar për bashkëpunim të vazhdueshëm në kuadër të këtij projekti kolegët nga Institucioni Suprem i Auditimit të Polonisë si dhe ata të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës. “Jam shumë i lumtur dhe krenar që ISA e Polonisë ka mundur të implementojë këtë Projekt këtu në Kosovë, ne si dy vende ndajmë eksperiencë dhe histori të ngjashme. Falënderoj Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës  për vizionin dhe kurajon e tij. Besnik Osmani më të vërtetë është një lider i përgjegjshëm i cili e kupton rëndësinë e zhvillimit dhe bashkëpunimit”, ka deklaruar Banasi. Kurse zëvendësshefja e Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Hillen Francke, ka thënë se ndihet mirë për financimin e këtij projekti që ka dhënë rezultate të frytshme dhe se Zyra e Bashkimit Evropian mbetet e përkushtuar që në vazhdimësi ta mbështes Zyrën Kombëtare të Auditimit në ngritjen e kapaciteteve të saj. “Më të vërtetë jam e kënaqur me rezultatet e Projektit të Binjakëzimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë. Po ashtu si BE jemi të kënaqur me bashkëpunimin në mes të këtyre dy organizatave sepse të dy palët kanë treguar shumë fleksibilitet gjatë zbatimit të projektit në kohë pandemie. Nuk është hera e parë që e ndihmojmë ZKA-në e Kosovës, në fakt ky është projekti i shtatë të cilin ne e mbështesim. Institucionet Supreme të Auditimit kanë rendësi të madhe në shpenzimin e parasë publike dhe llogaridhënien”, ka deklaruar Francke. Ajo ka shtuar se ZKA-ja në vazhdimësi ka rritur numrin e auditimeve të Ndërmarrjeve Publike si dhe auditimet e fondeve të donatorëve. Mirëpo suksesi më i madh i saj është anëtarësimi në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare të auditimit INTOSAI dhe EUROSAI. Ndërkaq rezultatet e projektit në detaje janë prezantuar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, njëherësh udhëheqës i Projektit, Ilir Salihu dhe kryesuesi i projektit nga Institucioni Suprem i Auditimit të Polonisë Wojciech Kutyla. Objektivë e projektit të binjakëzimit ishte që të mbështetet Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës në zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve të saj në realizimin e qëndrueshëm të objektivave dhe  të misionit të vet sipas Standardeve Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA) dhe rritjen e ndikimit të saj përmes komunikimit të intensifikuar me qytetarët, Parlamentin dhe palët tjera të interesit. Komponentët kryesore të këtij projekti ishin: (i) Komunikimi me qytetarët, Parlamentin dhe palët e tjera të interesit; (ii) Fuqizimi i kapaciteteve institucionale të ZKA-së; dhe (iii) Përditësimi i doracakëve të auditimit (financiar dhe të pajtueshmërisë) dhe të letrave të punës, në përputhje me legjislacionin dhe SNISA-t.  
Lexo më shumë