Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/7/2021 3:03:54 PM

Auditorët e ZKA-së avancojnë njohuritë për auditimin e projekteve të Bankës Botërore

Me qëllim të marrjes së informacioneve të mjaftueshme dhe të qarta sa i përket rregullave dhe mënyrës se si duhet të auditohen projektet e Bankës Botërore më shumë se njëzet auditorë të Zyrës Kombëtare të Auditimit të hënën kanë ndjekur trajnimin online për auditimin e Projekteve të Bankës Botërore. Trajnim është mbajtur në dy pjesë me temat “Termat e Referencës për Auditimin” dhe “Prokurimi sipas rregullave të Bankës Botërore”. Në trajnim u trajtuan në mënyrë të detajuar çështjet lidhur me termet e referencës për projektet e Bankës Botërore, Përmbledhja e Kornizës së Prokurimit;  Metodat e Përzgjedhjes për Mallra, Punë dhe Shërbime Jo-Konsultuese; Metodat e Përzgjedhjes për Shërbimet e Konsulencës; Menaxhimi në përputhje dhe Periudha e Qëndrimit të Qetë; Çështjet e zakonshme të prokurimit në Projektet e Bankës; si dhe Devijime të vogla gjatë vlerësimit të ofertave. Zyra Kombëtare e Auditimit për sezonin auditues 2020/2021 është duke i audituar 11 projekte të Bankës Botërore me vlerë rreth 69 milionë euro. Projektet që do të auditohet në kuadër të marrëveshjes me Bankën Botërore janë: Projekti për përmirësimin e sistemit edukativ në Kosovë (MASHT - BB); Konkurrueshmëria dhe gatishmëria për eksport (MTI - BB); Efiçienca e Energjisë së ripërtritshme (MZHE - BB);  Zhvillimi Rural dhe Agrobujqësor (MBPZHR - BB); Ekonomia Digjitale në Kosovë (MEA – BB); Projekti për Shëndetësinë e Kosovës (MSH - BB); Projekti i emergjencës Covid-19 në Kosovë (MSH - BB);  Financimi i emergjencës pandemike në Kosovë (MSH - BB);  Projekti i emergjencës Covid-19 në Kosovë (MPMS - BB); Pasuria e paluajtshme & infrastruktura gjeohapësinore (Agjencia Kadastrale e Kosovës - BB); si dhe Projekti “Komunat për rininë në Kosovë” (MPL – BB).  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditori i Përgjithshëm uron 1 Qershorin: Fëmijët janë e ardhmja e vendit

Auditori i Përgjithshëm uron 1 Qershorin: Fëmijët janë e ardhmja e vendit

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka uruar 1 Qershorin – Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. Ai ka thënë se në këtë ditë fëmijët shprehin lirshëm të drejtat e tyre dhe protestat i realizojnë nëpërmjet lojërave dhe festave. Osmani ka vlerësuar se me kontributin e secilit prej nesh, Kosovën duhet ta bëjmë vendin e mundësive në mënyrë që fëmijët tanë t’i realizojnë ëndrrat e tyre këtu. “Tashmë kjo ditë është kthyer jo vetëm në një ditë festive, por edhe në një ditë sensibilizimi, për ti thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Fëmijët janë ata që i japin vlerë çdo gjëje në jetë. Ata  janë e ardhmja e vendit. Prandaj të gjithë ne, pa dallim duhet të angazhohemi për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Kosovën duhet ta bëjmë vendin e mundësive ku fëmijët realizojnë ëndrrat e tyre”, ka deklaruar  Osmani. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani ka falënderuar auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit të cilët me punën e tyre të përditshme kontribuojnë për një të ardhme më të ndritshme të fëmijëve.
Lexo më shumë
Auditori rekomandon rritjen e sigurisë dhe integritetit të sistemeve të informacionit në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë

Auditori rekomandon rritjen e sigurisë dhe integritetit të sistemeve të informacionit në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të martën ka publikuar raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemet elektronike për menaxhimin e granteve dhe subvencioneve në AZhB-MBPZhR”. Auditimi është kryer në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë e cila është në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe ka rol ekzekutiv me qëllim të zbatimit të programeve për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Ky auditim përfshin periudhën 2018-2020 dhe kishte për qëllim të vlerësojë nëse sistemet e informacionit për menaxhimin e granteve dhe subvencioneve bujqësore kanë arritur qëllimin e tyre dhe nëse sigurojnë integritetin, vlefshmërinë dhe besueshmërinë e të dhënave gjatë përpunimit të tyre. Me vënien në funksion të këtyre aplikacioneve, Agjencia ka arritur që të menaxhoj më me lehtësi proceset për mbështetjen financiare të fermerëve dhe ato kanë ndikuar në rritjen e transparencës. Megjithatë, auditimi ka nxjerrë në pah mangësi të theksuara lidhur me qeverisjen e  teknologjisë së informacionit si dhe në sigurimin e integritetit, vlefshmërisë dhe besueshmërisë së të dhënave që përmbajnë këto aplikacione. Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë nuk kishte hartuar planin strategjik apo strategjinë e teknologjisë së informacionit dhe as politikat dhe procedurat e teknologjisë së informacionit. AZhB-ja  poashtu nuk kishte bërë shpërndarjen e burimeve financiare dhe njerëzore sipas nevojave të saj dhe kishte krijuar varësi nga palët e treta duke rrezikuar disponueshmërinë, integritetin dhe besueshmërinë e proceseve të teknologjisë së informacionit. Në aplikacionet që përdor Agjencia nuk ishin vendosur kontrolle për t’u siguruar që ato pranojnë vetëm të dhëna të autorizuara, të sakta dhe të plota. Si pasojë, bazat e shënimeve përmbanin të dhëna jo të sakta. Poashtu, mangësi janë vërejtur edhe në sigurinë e sistemeve të informacionit të cilat rrezikojnë që infrastruktura dhe sistemet të jenë të pasigurta dhe të cenueshme kundrejt gabimeve dhe keqpërdorimeve të mundshme dhe ekziston rreziku që të ndryshohen të dhënat e ruajtura në bazat e të dhënave pa u identifikuar. Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, lidhur me këtë auditim ka theksuar që rezultatet e auditimit tregojnë se aplikacionet që ka në shfrytëzim Agjencia nuk i përmbajnë standardet e kërkuara që të menaxhojnë në mënyrë efikase dhe të sigurt proceset për shpërndarjen e granteve dhe subvencioneve bujqësore. Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar Ministrin  e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të ndërmarrë veprime të menjëhershme për koordinimin e aktiviteteve me Agjencinë e Zhvillimit të Bujqësisë në mënyrë që të siguroj qeverisje të mirë dhe integritet të sistemeve të informacionit.  Për këtë ZKA-ja ka dhënë 16 rekomandime. Raportin e plotë mund ta lexoni këtu.
Lexo më shumë