Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/11/2021 2:16:55 PM

“Të rinjtë në politikë” zhvilluan vizitë studimore në ZKA

Rreth tridhjetë studentë të forumeve rinore të të gjitha partive politike të premten kanë zhvilluar një vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit, me ç’rast u priten në takim nga Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani me bashkëpunëtor. Kjo vizitë u realizua nga Grupi për Ballkan në kuadër të Programit “Të rinjtë në politikë” i cili ka për synim trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të të rinjve aktiv në parti politike në fushën e sundimit të ligjit, politikat publike, qeverisja e mirë, zhvillimi ekonomik, politikat shoqërore, politikat e edukimit, bashkëpunimi rajonal, etj. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, pati një bashkëbisedim me politikanët e rinj të cilëve u shpjegoj rolin, misionin, mënyrën se si funksionon Zyra Kombëtare e Auditimit, si dhe detaje të tjera rreth procesit të përpilimit të raporteve të auditimit. Me këtë rast Osmani ka thënë se ZKA-ja auditon fondet publike për t’i siguruar taksapaguesit që paratë e tyre po përdorën në mënyrë ekonomike, që raportimi financiar është i saktë dhe vendimet janë në pajtim me kërkesat ligjore. Auditori i Përgjithshëm ka theksuar rëndësinë e zbatimit të  rekomandimeve të ZKA-së dhe ndikimin e tyre në fuqizimin e qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies. Politikanët e rinj u interesuan që të informohen më shumë për realizimin e procesit të auditimit; për gjetjet kryesore më të rëndësishme si dhe ndikimin e tyre në nivelin e përgjithshëm të qeverisjes në vend.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditori rekomandon rritjen e sigurisë dhe integritetit të sistemeve të informacionit në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë

Auditori rekomandon rritjen e sigurisë dhe integritetit të sistemeve të informacionit në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të martën ka publikuar raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemet elektronike për menaxhimin e granteve dhe subvencioneve në AZhB-MBPZhR”. Auditimi është kryer në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë e cila është në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe ka rol ekzekutiv me qëllim të zbatimit të programeve për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Ky auditim përfshin periudhën 2018-2020 dhe kishte për qëllim të vlerësojë nëse sistemet e informacionit për menaxhimin e granteve dhe subvencioneve bujqësore kanë arritur qëllimin e tyre dhe nëse sigurojnë integritetin, vlefshmërinë dhe besueshmërinë e të dhënave gjatë përpunimit të tyre. Me vënien në funksion të këtyre aplikacioneve, Agjencia ka arritur që të menaxhoj më me lehtësi proceset për mbështetjen financiare të fermerëve dhe ato kanë ndikuar në rritjen e transparencës. Megjithatë, auditimi ka nxjerrë në pah mangësi të theksuara lidhur me qeverisjen e  teknologjisë së informacionit si dhe në sigurimin e integritetit, vlefshmërisë dhe besueshmërisë së të dhënave që përmbajnë këto aplikacione. Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë nuk kishte hartuar planin strategjik apo strategjinë e teknologjisë së informacionit dhe as politikat dhe procedurat e teknologjisë së informacionit. AZhB-ja  poashtu nuk kishte bërë shpërndarjen e burimeve financiare dhe njerëzore sipas nevojave të saj dhe kishte krijuar varësi nga palët e treta duke rrezikuar disponueshmërinë, integritetin dhe besueshmërinë e proceseve të teknologjisë së informacionit. Në aplikacionet që përdor Agjencia nuk ishin vendosur kontrolle për t’u siguruar që ato pranojnë vetëm të dhëna të autorizuara, të sakta dhe të plota. Si pasojë, bazat e shënimeve përmbanin të dhëna jo të sakta. Poashtu, mangësi janë vërejtur edhe në sigurinë e sistemeve të informacionit të cilat rrezikojnë që infrastruktura dhe sistemet të jenë të pasigurta dhe të cenueshme kundrejt gabimeve dhe keqpërdorimeve të mundshme dhe ekziston rreziku që të ndryshohen të dhënat e ruajtura në bazat e të dhënave pa u identifikuar. Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, lidhur me këtë auditim ka theksuar që rezultatet e auditimit tregojnë se aplikacionet që ka në shfrytëzim Agjencia nuk i përmbajnë standardet e kërkuara që të menaxhojnë në mënyrë efikase dhe të sigurt proceset për shpërndarjen e granteve dhe subvencioneve bujqësore. Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar Ministrin  e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të ndërmarrë veprime të menjëhershme për koordinimin e aktiviteteve me Agjencinë e Zhvillimit të Bujqësisë në mënyrë që të siguroj qeverisje të mirë dhe integritet të sistemeve të informacionit.  Për këtë ZKA-ja ka dhënë 16 rekomandime. Raportin e plotë mund ta lexoni këtu.
Lexo më shumë
ZKA-ja shënon progres në fushën e komunikimit me publikun

ZKA-ja shënon progres në fushën e komunikimit me publikun

Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës është vlerësuar se ka shënuar progres në fushën e  komunikimit me publikun gjatë vitit 2020. Kështu është konstatuar në Raportin Kombëtar të monitorimit nen projektin rajonal WeBER 2.0 të Grupit për Studime Juridike dhe Politike i cili është publikuar në tryezën “Reforma në Administratën Publike”. Për ZKA-në tregues i monitorimit të këtij Raporti ka qenë  “Komunikimi dhe bashkëpunimi i Institucionit Suprem të Auditimit me publikun që ka të bëjë me punën e tij”. Gjetjet e raportit  tregojnë se ZKA-ja ka marrë vlerësim pozitiv sa i përket hartimit të Strategjisë së Komunikimit për të arritur te publiku. “Në monitorimin e mëparshëm ZKA-ja nuk kishte një strategji specifike të komunikimit, ndërsa monitorimi i vitit 2020 njeh se Strategjia e Komunikimit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës për periudhën 2020-2022 është zhvilluar me qëllime dhe objektiva të përcaktuara për ZKA-në. Dokumenti është në përputhje me Planin Strategjik 2018-2021. Në Strategji është treguar se ZKA-ja duhet të mbajë marrëdhënie të mira me degët ekzekutive dhe legjislative për të inkurajuar zbatimin dhe për të lehtësuar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e publikut. Plani do të rishikohet çdo vit dhe do të jetë nën Departamentin e Komunikimit të ZKA-së”, është thënë në raport. Poashtu ZKA-ja ka marrë vlerësim pozitiv edhe për konsultimin me Organizatat e Shoqërisë Civile dhe punën e tyre me qëllim të identifikimit të rreziqeve në sektorin publik. “Shoqëria civile ka qenë vazhdimisht pjesëmarrëse në grupet e këshillimit për hartimin e dokumenteve strategjike të ZKA-së dhe pjesë e hartimit të strategjisë së komunikimit të ZKA-së. Ky proces konsultimi zyrtarizohet përmes rregullores (ZKA) nr.02/2020 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës ku parashikohet Forumi Konsultativ me Shoqërinë Civile”, është thënë më tutje në raport. Ndërsa progres të pjesshëm ZKA-ja ka shënuar në përdorimin e mënyrave të ndryshme të komunikimit me publikun si dhe në komunikimin pro aktiv dhe sigurimin e reagimeve ndaj publikut. “ZKA-ja si në raportet e mëparshme të monitorimit ka përkushtuar të paktën një pozitë pune për komunikim proaktiv dhe ofrimin e komenteve ndaj publikut. Për më tepër, hulumtimet e mëparshme kanë treguar që ZKA-ja përdor të paktën dy mjete shtesë të komunikimit me publikun. Më konkretisht, duke mirëmbajtur aktivisht llogarinë në ‘Facebook’ dhe duke mbajtur konferenca për shtyp ku u prezantuan Raportet e Auditimit të Performancës së ZKA-së dhe u zhvillua diskutimi në tryezë të rrumbullakët”, është thënë ndër të tjera në raport. Megjithatë ky raport ka identifikuar edhe dy çështje në të cilat ZKA-ja duhet të përmirësohet meqë aktualisht nuk qëndron mirë, siç janë mungesa e një kanali specifik në ueb faqen e ZKA-së për paraqitjen e ankesave ose iniciativave për çështje të identifikuara nga palët e jashtme të interesit, si dhe mungesa e përmbledhjes miqësore ndaj qytetarëve të raporteve të auditimit.
Lexo më shumë