Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/16/2021 3:30:44 PM

Auditori rekomandon përmirësime në administrimin dhe sigurinë e Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të mërkurën ka publikuar raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi për Menaxhimin Informativ të Lëndëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK)”. Auditimi kishte për qëllim vlerësimin e sigurisë dhe administrimit të sistemit informativ për menaxhimin e lëndëve, nëse është duke ofruar informacione të besueshme, me integritet dhe në kohë. Projekti ka filluar të realizohet në qershor të vitit 2015 dhe ka për objektivë zëvendësimin e punës manuale duke mundësuar procesimin dhe menaxhimin elektronik të lëndëve në gjykata dhe prokurori si dhe rritjen e efikasitetit dhe transparencës. Po ashtu, mundëson përpunimin e të dhënave në kohë reale, lehtësimin e ofrimit të shërbimeve për zyrtarët e institucioneve dhe eliminimin e shkëmbimit të të dhënave në kopje fizike. Ky sistem është ende në fazën e zhvillimit dhe avancimit të mëtejmë për zbatimin në të gjitha instancat e gjykatave dhe prokurorive. Pavarësisht përparimit të vazhdueshëm në SMIL në KGjK  dhe KPK, rezultatet e auditimit kanë treguar që ende nuk është realizuar shtrirja e plotë e zbatimit të këtij sistemi në të gjitha instancat në gjykata dhe prokurori. Shpërndarja automatike e lëndëve në gjykatë dhe prokurori, ndërveprimi i SMIL-it të prokurorisë dhe gjykatës për të gjitha shkresat dhe raportet statistikore me tregues të avancuar janë disa nga zhvillimet që duhet të finalizohen plotësisht. Përveç këtyre, ende nuk është hartuar strategjia e teknologjisë së informacionit në KGjK dhe procedurat standarde të operimit nuk kanë arritur të zbatohen plotësisht në KPK. Këto mangësi mund të ndikojnë në administrimin jo të mirë të SMIL dhe pasqyrimin jo të saktë të efikasitetit, transparencës dhe planifikimit të burimeve të nevojshme në gjykata dhe prokurori. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, lidhur me këtë auditim ka vlerësuar se zbatimi i plotë i Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve është kritik për të përmbyllur këtë projekt me sukses. Përmes tij gjykatat dhe prokuroritë mund të marrin përfitimet e synuara në procesimin dhe menaxhimin e lëndëve. Duke marrë parasysh rëndësinë e sistemit të drejtësisë për shtetin dhe në veçanti për qytetarët, Zyra Kombëtare e Auditimit për adresimin e shpejtë të çështjeve të qeverisjes së teknologjisë së informacionit dhe sigurisë së sistemeve të informacionit ka dhënë 16 rekomandime për KGjK  dhe 14 për KPK. Raportin e plotë mund ta lexoni këtu.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja shënon progres në fushën e komunikimit me publikun

ZKA-ja shënon progres në fushën e komunikimit me publikun

Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës është vlerësuar se ka shënuar progres në fushën e  komunikimit me publikun gjatë vitit 2020. Kështu është konstatuar në Raportin Kombëtar të monitorimit nen projektin rajonal WeBER 2.0 të Grupit për Studime Juridike dhe Politike i cili është publikuar në tryezën “Reforma në Administratën Publike”. Për ZKA-në tregues i monitorimit të këtij Raporti ka qenë  “Komunikimi dhe bashkëpunimi i Institucionit Suprem të Auditimit me publikun që ka të bëjë me punën e tij”. Gjetjet e raportit  tregojnë se ZKA-ja ka marrë vlerësim pozitiv sa i përket hartimit të Strategjisë së Komunikimit për të arritur te publiku. “Në monitorimin e mëparshëm ZKA-ja nuk kishte një strategji specifike të komunikimit, ndërsa monitorimi i vitit 2020 njeh se Strategjia e Komunikimit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës për periudhën 2020-2022 është zhvilluar me qëllime dhe objektiva të përcaktuara për ZKA-në. Dokumenti është në përputhje me Planin Strategjik 2018-2021. Në Strategji është treguar se ZKA-ja duhet të mbajë marrëdhënie të mira me degët ekzekutive dhe legjislative për të inkurajuar zbatimin dhe për të lehtësuar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e publikut. Plani do të rishikohet çdo vit dhe do të jetë nën Departamentin e Komunikimit të ZKA-së”, është thënë në raport. Poashtu ZKA-ja ka marrë vlerësim pozitiv edhe për konsultimin me Organizatat e Shoqërisë Civile dhe punën e tyre me qëllim të identifikimit të rreziqeve në sektorin publik. “Shoqëria civile ka qenë vazhdimisht pjesëmarrëse në grupet e këshillimit për hartimin e dokumenteve strategjike të ZKA-së dhe pjesë e hartimit të strategjisë së komunikimit të ZKA-së. Ky proces konsultimi zyrtarizohet përmes rregullores (ZKA) nr.02/2020 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës ku parashikohet Forumi Konsultativ me Shoqërinë Civile”, është thënë më tutje në raport. Ndërsa progres të pjesshëm ZKA-ja ka shënuar në përdorimin e mënyrave të ndryshme të komunikimit me publikun si dhe në komunikimin pro aktiv dhe sigurimin e reagimeve ndaj publikut. “ZKA-ja si në raportet e mëparshme të monitorimit ka përkushtuar të paktën një pozitë pune për komunikim proaktiv dhe ofrimin e komenteve ndaj publikut. Për më tepër, hulumtimet e mëparshme kanë treguar që ZKA-ja përdor të paktën dy mjete shtesë të komunikimit me publikun. Më konkretisht, duke mirëmbajtur aktivisht llogarinë në ‘Facebook’ dhe duke mbajtur konferenca për shtyp ku u prezantuan Raportet e Auditimit të Performancës së ZKA-së dhe u zhvillua diskutimi në tryezë të rrumbullakët”, është thënë ndër të tjera në raport. Megjithatë ky raport ka identifikuar edhe dy çështje në të cilat ZKA-ja duhet të përmirësohet meqë aktualisht nuk qëndron mirë, siç janë mungesa e një kanali specifik në ueb faqen e ZKA-së për paraqitjen e ankesave ose iniciativave për çështje të identifikuara nga palët e jashtme të interesit, si dhe mungesa e përmbledhjes miqësore ndaj qytetarëve të raporteve të auditimit.
Lexo më shumë
Auditori i Përgjithshëm identifikon mangësi në procesin e financimit të organizatave joqeveritare

Auditori i Përgjithshëm identifikon mangësi në procesin e financimit të organizatave joqeveritare

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Transparenca dhe llogaridhënia në procesin e financimit të organizatave joqeveritare”. Auditimi kishte për qëllim vlerësimin nëse procesi i financimit të organizatave joqeveritare është menaxhuar si duhet, ofron transparencë të plotë, është konkurrues dhe arrin qëllimet e synuara të institucioneve publike. Subjekte të këtij auditimi kanë qenë  Zyra e Kryeministrit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Komuna e Prishtinës. Auditimi ka identifikuar mangësi në procesin e financimit të organizatave joqeveritare nga institucionet publike të audituara, të cilat rrezikojnë llogaridhënien, transparencën, konkurrencën dhe arritjen e qëllimeve të synuara. Rezultatet e auditimit tregojnë se institucionet publike kanë realizuar financime direkte të projekteve të ndryshme pa thirrje publike, pa plotësimin e kritereve dhe vetëm me vendime të udhëheqësve, krerëve të drejtorive dhe departamenteve përkatëse. Për më tepër organizatat joqeveritare janë përkrahur nga më shumë se një burim i financimit publik për projektin e njëjtë nga institucionet publike, ishin financuar operator ekonomik të cilat nuk ishin organizata joqeveritare, si dhe kishte raste të konfliktit të interesit. Një çështje me theks të veçantë është dështimi në vlerësimin e rezultateve për projektet e financuara, si pasojë e mungesës së monitorimit të projekteve. Institucionet publike nuk kanë arritur të monitorojnë ecurinë e projekteve dhe organizatat joqeveritare nuk janë mbajtur përgjegjës për zbatimin e projekteve. Si rezultat, nuk ka një vlerësim nëse janë arritur qëllimet e synuara dhe nëse fushat e caktuara janë përmirësuar nga financimet e dhëna për organizatat joqeveritare. Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit nuk ka bërë përpjekje që të bëjë publikimin e të dhënave mbi financimet e projekteve të organizatave joqeveritare në uebfaqe dhe të bëjë menaxhimin e bazë së të dhënave në nivel të kënaqshëm. Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit nuk kanë pasqyruar të dhënat e financimit përmes raporteve vjetore. Mungesa e raportimit dhe monitorimit të projekteve ka pamundësuar vlerësimin nëse janë arritur rezultatet e synuara për projektet e financuara. Rezultatet e këtij auditimi theksojnë nevojën për përmirësimin e procesit të financimit të organizatave joqeveritare nga institucionet publike në nivelin qendror dhe lokal. Auditor i Përgjithshëm, Besnik Osmani,  lidhur me këtë auditim ka deklaruar se institucionet publike që përkrahin organizatat joqeveritare kanë një rol të rëndësishëm që përmes një financimi të duhur dhe transparent të OJQ-ve të përmirësojnë jetën qytetarëve në fusha të ndryshme ekonomike-sociale. Megjithatë, mangësitë e identifikuara në auditim paraqesin një shqetësim për menaxhimin e procesit të financimit të organizatave joqeveritare dhe transparencën nga institucionet publike. Me qëllim të adresimit të shpejtë të çështjeve rreth menaxhimit të procesit të financimit të organizatave jo-qeveritare si dhe rritjes së transparencës dhe llogaridhënies Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë nëntë rekomandime për Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe për Komunën e Prishtinës. Raportin e plotë mund ta lexoni këtu.
Lexo më shumë