Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
8/31/2021 12:38:48 PM

Komunës së Pejës i kërkohet të punojë më shumë në zbatimin e rekomandimeve të Auditorit

Komuna e Pejës ka shënuar progres sa i përket numrit të rekomandimeve të pranuara nga Auditori i Përgjithshëm dhe zbatimit të tyre, megjithatë duhet të punojë në përmirësimin e procedurave të prokurimit, menaxhimit të kontratave si dhe arkëtimin e borxheve. Kështu është thënë të martën në debatin e radhës të mbajtur në Komunën e Pejës, ku kanë qenë të pranishëm kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri, Udhëheqësi i Auditimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Arian Haxha, Visar Prebreza nga BIRN-i si dhe këshilltarët komunal. Me këtë rast Udhëheqësi i Auditimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Arian Haxha, ka thënë niveli i zbatimit të rekomandimit është treguesi më i mirë për të kuptuar nëse menaxhmenti po përmirëson proceset ekzistuese dhe kontrollet në fushat ku janë identifikuar gabimet dhe parregullsitë. Ai ka bërë me dije se rekomandimet e dhëna në raportin e auditimit për Komunën e Pejës përshkruajnë veprimet e nevojshme për të korrigjuar situatën, prandaj që të kenë efektin e dëshiruar duhet të zbatohen. Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se raporti i auditimit është  i pranueshëm dhe do të adresohen gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm. Muhaxheri është zotuar se disa prej gjetjeve të auditorit të vitit 2020 nuk do të përsëriten në raportin e auditimit për vitin 2021 meqë është përgatitur plani i adresimit të tyre. Muhaxheri ka thënë se janë ndërmarrë masat sa i përket dobësive të evidentuara në procesin e ndarjes së subvencioneve për OJQ, kurse sa i përket gjetjeve në procesin e menaxhimit të kontratave ai ka thënë se është problem të adresohen rekomandimet meqë ka numër të vogël të mbikëqyrësve të këtyre kontratave. Ndërsa lidhur me borxhet ndaj komunës, ai ka thënë se ky proces është më sfidues. Ndërsa Visar Prebreza nga BIRN-i ka vlerësuar se në Komunën e Pejës ka një progres sa i përket numrit të rekomandimeve të pranuara vit pas viti. Kurse sa i përket zbatimit të rekomandimeve ai ka thënë se janë zbatuar 6 rekomandime prej 15 sa kanë qenë gjithsej në 2019-n. Prandaj Prebreza ka deklaruar se Komuna e Pejës duhet të punojë më shumë në zbatimin e rekomandimeve Auditorit të Përgjithshëm. Ai ka bërë me dije se sikurse në komunat e tjera, edhe në Pejë janë identifikuar dobësi te ndarja e subvencioneve, janë evidentuar disa shkelje në prokurimi, si dhe borxhi ndaj komunës është i madh, rreth 18 milionë euro. Ky debat është organizuar nga BIRN Kosova në  kuadër të Projektit me USAID TEAM i cili ju ka ndihmuar komunave që t’i zbatojnë rekomandimet e auditorit. Debati ka për qellim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e raporteve të auditimit dhe zbatimin e rekomandimeve.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja gjen mangësi të shumta në procesin e ndërtimit të rrugëve lokale dhe rajonale

ZKA-ja gjen mangësi të shumta në procesin e ndërtimit të rrugëve lokale dhe rajonale

Procesi i ndërtimit dhe përmirësimit të rrugëve rajonale dhe lokale gjatë periudhës 2017-2019 për të cilin janë shpenzuar mbi 343 milionë euro, është përcjellë me mangësi të shumta dhe vonesa nga tri deri në pesë vjet. Ky është konkluzioni i përgjithshëm i auditimit të Raportit të Performancës “Vlera për para në ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale” i Zyrës Kombëtare të Auditimit që është publikuar të hënën. Ky auditim kishte për qëllim vlerësimin nëse rrugët e ndërtuara përfundohen me kohë, me cilësi sipas standardeve dhe nëse është arritur vlera për para. Subjekte të auditimit kanë qenë Ministria e Infrastrukturës[1], Komuna e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt dhe e Malishevës. Rezultatet e auditimit tregojnë se ndërtimi rrugëve lokale dhe rajonale është karakterizuar me dobësi të shumta duke filluar nga mungesa e analizës kosto-përfitime, planifikimi jo adekuat i aktiviteteve, buxhetimi i pamjaftueshëm i fondeve, probleme me shpronësime si dhe problemet me hartimin e projekteve kryesore dhe paqartësi sa i përket referimit në standarde të ndërtimit të rrugëve. Për pasojë, ndërtimi i rrugëve ishte përcjellë me vonesa nga tri deri në pesë vite prandaj në shumicën e projekteve të audituara nuk është siguruar vlera më e mirë për para. Auditimi ka identifikuar se Ministria e Infrastrukturës dhe komunat e audituara kishin shpallur tenderë pa u siguruar se janë plotësuar parakushtet për fillimin e tyre përfshirë edhe mospërfundimin e shpronësimeve. Edhe inicimi i aktivitetit të prokurimit dhe lidhja e kontratave është bërë në kohë të papërshtatshme gjë që kishte pamundësuar zbatimin e tyre me kohë. Mandej nuk kishin buxhetuar fonde të mjaftueshme për të siguruar zbatimin e pandërprerë të kontratave, mirëpo këto fonde ishin vënë në dispozicion vetëm pas dy apo tri vitesh. Po ashtu procesi i auditimit ka nxjerr në pah mangësi edhe në hartimin  e projekteve kryesore, me ç’rast disa rrugë ishin ndërtuar duke u bazuar vetëm në paramasë. Për pasojë, në disa raste, ishin bërë punë shtesë, duke krijuar kështu edhe shpenzime shtesë. Përveç këtyre çështjeve auditimi ka identifikuar edhe disa mangësi të përbashkëta rreth pajtueshmërisë me kërkesat ligjore në procesin e ndërtimit të rrugëve. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë auditim ka deklaruar se cilësia e mirë e punimeve në rrugë është e rëndësishme si për sigurinë ashtu edhe për arsyet e zhvillimit ekonomik. Prandaj bazuar në mangësitë e identifikuara, përmirësimet në procesin e ndërtimit të rrugëve janë të domosdoshme dhe për të eliminuar mangësitë në këtë proces duhet të ndërmerren veprime konkrete. Me qëllim të adresimit të gjetjeve dhe përmirësimit të procesit, Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë nëntë rekomandime për Ministrinë e Infrastrukturës,  Komunën e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt dhe Malishevës. Raportin e plotë mund ta lexoni këtu. [1] Tani Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës-MMPHI  
Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca pranon urime nga homologu slloven Tomaž Vesel

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca pranon urime nga homologu slloven Tomaž Vesel

Në rrjedhën e urimeve për emërimin në pozitën e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, znj. Spanca ka pranuar letër urimi edhe nga Presidenti i Gjykatës Sllovene të Llogarive, Tomaž Vesel. Në urimin dërguar homologes së tij, Vesel ka thënë se presin një bashkëpunim efikas midis dy institucioneve në shkëmbimin e opinioneve, praktikave më të mira dhe adresimin e sfidave për zhvillimin e Institucioneve Supreme të Auditimit. Ai ka theksuar se duhet shfrytëzuar mundësitë për shkëmbimin e pikëpamjeve të rëndësishme dhe të dobishme midis ekspertëve ndërkombëtarë për të krijuar procese të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të auditimit. “Jam i bindur se kontributet tuaja të mëtejshme do ta bëjnë Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës një partner të besueshëm në forcimin e mëtejshëm të llogaridhënies në administratën publike për një përdorim efektiv, efikas dhe ekonomik të burimeve kombëtare”, është theksuar ndër të tjera në urimin e Presidentit të Gjykatës Sllovene të Llogarive, Tomaž Vesel.
Lexo më shumë