Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
9/13/2021 7:44:12 PM

Komuna e Prizrenit do t’i adresojë gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit

Në Komunën e Prizrenit të hënën është mbajtur debati i radhës për zbatimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Në këtë debat të pranishëm kanë qenë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, Udhëheqësi i Auditimit nga Zyra Kombëtare të Auditimit (ZKA), Arian Haxha, Visar Prebreza nga BIRN si dhe këshilltarët e Kuvendit Komunal. Udhëheqësi i Auditimit nga Zyra Kombëtare të Auditimit (ZKA), Arian Haxha, ka thënë se Komuna e Prizrenit ka shënuar progres sa i përket zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm, mirëpo ekzistojnë edhe disa çështje të cilat duhet të adresohen. Sipas tij, fakti se prej 23 rekomandimeve sa kanë qenë në vitin 2019, për vitin 2020 janë 15 rekomandime tregon interesimin e Komunës së Prizrenit  për adresimin e gjetjeve dhe zbatimin e rekomandimeve. Haxha ka folur edhe për pandeminë, duke thënë se përveç disa vonesave pandemia nuk ka pasur ndikim në cilësinë e punës. Ai ka thënë se puna audituese është kryer në mënyrë të rregullt dhe të gjitha mostrat e planifikuara janë testuar. Ndërkaq kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë me dije se pas pranimit të raportit të auditorit është hartuar plani i veprimit për zbatimin e rekomandimeve. Sa i përket vonesave për  pagesat e  faturave dhe shpenzimeve të tjera, Haskuka ka bërë me dije se janë duke krijuar një program digjital përmes së cilit do të përcillet i gjithë proces që nga lëshimi i faturës deri të dorëzimi i saj në thesar. Kurse Visar Prebreza nga BIRN-i, ka theksuar se raporti i auditimit për Komunën e Prizrenit tregon për punët e mira që janë bërë, por edhe evidenton disa shkelje të cilat duhet të adresohen sa më shpejtë, dhe njëra prej tyre është borxhi i komunës ndaj operatorëve ekonomik. Ai ka thënë se Prizreni ka ulur numrin e rekomandimeve në dy vitet e fundit nga 23 në 15 rekomandime. Prebreza ka vlerësuar se kjo komunë nuk qëndron keq edhe me zbatimin e rekomandimeve, por sipas tij, duhet të vazhdohet edhe më tutje të punohet në adresimin e gjetjeve dhe zbatimin e rekomandimeve.  Prebreza ka theksuar se ekzekutimi i buxhetit vazhdon të jetë problem, prandaj duhet shikuar shkaqet që po ndikojnë në suficit, sidomos për investimet kapitale. Ky debat është organizuar nga BIRN Kosova në  kuadër të Projektit me USAID TEAM i cili ju ka ndihmuar komunave që t’i zbatojnë rekomandimet e auditorit. Debati ka për qellim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e raporteve të auditimit dhe zbatimin e rekomandimeve.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, u prit në takim nga    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, u prit në takim nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca është pritur sot në takim nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, të cilit ia ka dorëzuar edhe formalisht Raportin Vjetor të Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020. Auditorja e Përgjithshme e ka njoftuar Kryetarin e Kuvendit se auditimet e vitit 2020 kanë nxjerrë në pah një sërë mangësish në shumicën e organizatave buxhetore, të cilat karakterizojnë një menaxhim të dobët të fondeve buxhetore. Më tutje, znj. Spanca ka theksuar nevojën për forcimin e kontrolleve në raportimin financiar dhe një qasje më të fokusuar në zgjidhjen dhe adresimin e problemeve të identifikuara. Shqetësuese vazhdon të mbetet niveli jo i kënaqshëm i zbatimit të rekomandimeve. Ndonëse përpjekjet e koordinuara të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe të komisioneve parlamentare të Kuvendit kanë filluar të japin efekte pozitive, është rritur përqindja e rekomandimeve të zbatuara nga 40% në vitin 2019, në 45% për vitin 2020, përmirësimi i mëtejshëm në këtë fushë, kërkon përkushtim më të madh të vendimmarrësve. Po ashtu Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e ka informuar kryeparlamentarin për planet e ardhshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Përveç auditimeve të obligueshme, do të vazhdojë të përfshijë në portofolin e auditimit Ndërmarrjet Publike që paraqesin një shkallë më të lartë të rrezikut, si dhe tek auditimet e performancës do të përzgjedh fusha dhe tema me interes për publikun. Në takimin me kryeparlamentarin, znj. Spanca ka theksuar nevojën për ndryshimin e Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm, duke theksuar se ky ndryshim do të mundësonte përzgjedhjen e auditimeve duke vlerësuar shkallën e rrezikut për paranë publike. U diskutua edhe çështja e akomodimit të ZKA-së në pronë publike meqë aktualisht është duke operuar në një pronë private. Auditorja e Përgjithshme, ka thënë se një Institucion Suprem i Auditimit, i mandatuar për tu kujdesur për paranë publike shpenzon një shumë të konsiderueshme të parasë publike në qiradhënie. Kjo përveç që zbeh kredibilitetin e institucionit tonë, paratë e dedikuara për qiradhënie do t’i ishin shfrytëzuar për rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka uruar znj. Spanca për marrjen e detyrës së re, si dhe ka shprehur mbështetjen për punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit, në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në sektorin publik.
Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme dhe Avokati i Popullit zotohen për angazhim të përbashkët në adresimin e çështjeve me interes për vendin

Auditorja e Përgjithshme dhe Avokati i Popullit zotohen për angazhim të përbashkët në adresimin e çështjeve me interes për vendin

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, ka pritur të martën në takim Avokatin e Popullit, Naim Qelaj. Me këtë rast znj. Spanca ka vlerësuar punën e deritanishme të Institucionit të Avokatit të Popullit në avokimin për mbrojtjen, mbikëqyrjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore në Kosovë. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka shprehur përkushtimin e saj për vazhdimin e bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Institucionit të Avokatit të Popullit, me qëllim të adresimit të çështjeve me interes për vendin dhe shoqërinë. Ndërsa Avokati i Popullit Naim Qelaj, ka përgëzuar Auditoren e Përgjithshme, Vlora Spanca për marrjen e detyrës së re, duke i dëshiruar suksese gjatë realizimit të mandatit në fuqizimin e llogaridhënies dhe transparencës në sektorin publik. Me këtë rast z. Qelaj është zotuar se bashkëpunimi i mirë në mes të Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit do të vazhdojë edhe më tutje në funksion të respektimit të të drejtave të njeriut dhe forcimit të sundimit të ligjit.  
Lexo më shumë