Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/1/2021 5:21:14 PM

Gazeta e INTOSAI-t shkruan për emërimin e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës

Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) ka publikuar edicionin vjeshtor të gazetës së saj. Në pjesën e lajmeve për Institucionet Supreme të Auditimit shkruan edhe për emërimin e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, Vlora Spanca. Në këtë lajm është theksuar se Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca është e përkushtuar që të vazhdojë të forcojë rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin publik. Tutje thuhet se nën udhëheqjen e saj, ZKA-ja si anëtar i INTOSAI-t dhe Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI)- do të vazhdojë gjithashtu të kontribuojë në mënyrë aktive në përpjekjet bashkëpunuese për zhvillimin e kompetencës profesionale dhe shkëmbimin e përvojave në zbatimin e standardeve të auditimit. Gjithashtu gazeta ka shkruar edhe për përvojën e znj. Spanca në auditimin e sektorit publik në veçanti për angazhimin e saj 14-vjecar në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës. “Zonja Spanca ka 14 vite përvojë në auditimin e sektorit publik, 12 prej të cilave në poste drejtuese. Para zgjedhjes së saj Auditore e  Përgjithshme, znj. Spanca shërbeu për katër vjet si Ndihmës Auditore e Përgjithshme e ZKA-së. Gjatë kësaj periudhe, ajo ishte përgjegjëse për disa departamente auditimi, duke përfshirë auditimin e performancës, auditimin e teknologjisë së informacionit dhe auditimin e prokurimit, si dhe për mbikëqyrjen e auditimeve financiare të projekteve të financuara nga donatorët”, është thënë në artikullin e prezantuar në gazetë. “Nga viti 2009 deri në vitin 2016, znj. Spanca ishte Drejtuese e Departamentit të Auditimit të Rregullsisë (financiare dhe përputhshmërisë), i cili përfshin ministritë dhe institucionet e pavarura. Nga viti 2015 deri në vitin 2016 ka qenë përgjegjëse për auditimin e Pasqyrave Vjetore Financiare të Buxhetit të Kosovës. Znj. Spanca gjithashtu ka koordinuar zbatimin e iniciativave të ndryshme për ngritjen e kapaciteteve. Znj. Spanca, është Auditore e Certifikuar në Sektorin Publik, ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Ajo ka kryer shumë trajnime për kontabilitet, auditim, administratë publike, lidership dhe prokurim publik, si dhe ka marrë pjesë në konferenca dhe seminare të shumta ndërkombëtare”, është thënë ndër të tjera në lajmin e publikuar në edicionin vjeshtor të gazetës së INTOSAI-t. Kjo gazetë botohet çdo tre muaj në 5 gjuhë të botës si botim zyrtar i INTOSAI-t dhe ka për qëllim mbështetjen e auditimit të jashtëm dhe promovimin e llogaridhënies. Edicionin vjeshtor të gazetës së INTOSAI-t mund ta lexoni në këtë vegëz.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca zhvillon vizitë zyrtare në Kontrollin e Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca zhvillon vizitë zyrtare në Kontrollin e Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë

Në datat 27 dhe 28 tetor 2021, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca bashkë me delegacionin nga Zyra Kombëtare e Auditimit, Qerkin Morina, Emine Fazliu, Zukë Zuka dhe Ramadan Gashi kanë zhvilluar vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë. Me këtë rast delegacioni nga Kosova u pritë nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu, i cili falënderoi kolegët nga Kosova për vizitën e tyre, duke shprehur vullnetin e plotë për thellim të bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të përvojave profesionale në mes të KLSH-së dhe ZKA-së. Znj. Spanca nga ana e saj falënderoi kryetarin Shehu për mikpritjen dhe vlerësoi frymën pozitive të bashkëpunimit mes dy institucioneve. Në këtë takim u bisedua për veprimtarinë audituese mes dy institucioneve homologe, për menaxhimin e parasë publike nga ana e institucioneve të shtetit në të dyja vendet, me theks të veçantë për auditimin e përdorimit të fondeve publike për pandeminë Covid-19. Gjithashtu nga ana e palës mikpritëse u trajtua edhe tematika mbi auditimin e fondeve të akorduara për ri-ndërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Kreret e të dyja institucioneve supreme të auditimit u zotuan që niveli i bashkpunimit të thellohet në shkembimin e përvojave dhe auditimeve të përbashkta në fusha të ndryshme me interes publik. Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca e ftoi Kryetarin Shehu për një vizitë zyrtare në Zyren Kombëtare të Auditimit.
Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme pret në vizitë Ambasadorin Tomáš Szunyog

Auditorja e Përgjithshme pret në vizitë Ambasadorin Tomáš Szunyog

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, priti sot në vizitë ambasadorin Tomáš Szunyog, njëherësh Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë. Në këtë rast, znj. Spanca informoi ambasadorin Szunyog rreth aktiviteteve të tanishme në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) me nisjen e sezonit të ri të auditimit 2021/22 si dhe rreth vizionit strategjik për të ardhmen e ZKA-së. Duke paraqitur rezultatet e auditimit, znj. Spanca vuri theksin mbi auditimin e performancës për Covid-19, i cili është duke u finalizuar dhe raportet e të cilit do të publikohen së shpejti. Tutje, Auditorja e Përgjithshme falënderoi z. Szunyog për bashkëpunimin mes Zyrë së BE-së në Kosovë me ZKA-në si dhe shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme që BE-ja i ka dhënë ZKA-së, veçanërisht në ngritjen e kapaciteteve. Z. Szunyog uroi znj. Spanca për rolin e saj të ri dhe shprehu vlerësimin që BE-ja ka për ZKA-në si një partner kyç në Kosovë për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet publike jo vetëm për mënyrën si e shpenzojnë ata paranë publike, por edhe për performancën e tyre. Këto janë aspekte kyçe të procesit të reformës në administratën publike, të cilën është duke e mbështetur BE-ja. Të dyja palët konsideruan se Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2021 e pranon progresin e bërë nga ZKA-ja, megjithëse e thekson se është e rëndësishme që organizatat buxhetore dhe ndërmarrjet publike të punojnë më shumë në drejtim të zbatimit të rekomandimeve të auditimit për një menaxhim më të mirë të parasë publike dhe përmirësim të performancës së administratës publike në tërësi.
Lexo më shumë