Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/10/2021 4:10:40 PM

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca kërkon nga organizatat buxhetore zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së

Ministria e Financave, përkatësisht Departamenti i Thesarit të Republikës së Kosovës me mbështetjen e USAID-it, Programi për Qeverisje Ekonomike, ka mbajtur punëtorinë e përvitshme “Ngritja e performancës së Organizatave Buxhetore dhe zbatimi i rekomandimeve të dala nga Raporti Vjetor i Auditimit”. Në këtë punëtori ka marrë pjesë Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, Blerim Kabashi drejtor i departamentit të auditimit dhe Zukë Zuka ushtrues detyre i Ndihmës Auditorit të Përgjithshëm si dhe përfaqësues të tjerë të organizatave buxhetore nga niveli qendror dhe ai lokal. Punëtoria është udhëhequr nga drejtori i Thesarit z. Ahmet Ismaili i cili ka dhënë udhëzimet për mbylljen e vitit fiskal, kërkesat për raportim financiar 2021, reformat në sistemin financiar si dhe ka vënë theksin tek nevoja për rritjen e përgjegjësisë në adresimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka qenë pjesë e dy sesioneve të punëtorisë, në atë me përfaqësues të nivelit qendror dhe nivelit lokal, ku ka konfirmuar përkushtimin e saj dhe të ZKA-së për avancimin e bashkëpunimit me organizatat buxhetore me qëllim të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës publike në përmirësimin e qeverisjes në sektorin publik të Kosovës. Me këtë rast znj. Spanca ka bërë me dije se konkluzioni i përgjithshëm i auditimit për vitin 2020, ka nxjerrë në pah se organizatat buxhetore në fushën e raportimit financiar po bëjnë përmirësime të lehta nga viti në vit, ndonëse shpalosjet lidhur me informatat financiare kanë ende mangësi të theksuara. Po ashtu, gjetjet në fushën e pajtueshmërisë janë mjaft të përhapura dhe domethënëse. Tutje ajo ka theksuar se në raportet e auditimit për organizatat buxhetore, ZKA-ja ka dhënë 63 opinione të pamodifikuara dhe 27 të kualifikuara. “Arsyet kryesore për modifikimin e opinioneve të auditimit kanë qenë kryesisht: keq-klasifikimi dhe raportimi jo i duhur i shpenzimeve; gabimet në prezantimin e informatave për pasuritë kapitale dhe jo kapitale; pagesat e paarsyetuara, mos shpalosja e informatave për shpenzimet për Covid-19, etj”, ka deklaruar Spanca. Auditorja e Përgjithshme ka thënë se zbatimi i Standardeve Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit është i padiskutueshëm dhe çfarëdo gabimi material në nivel të pasqyrave financiare, pavarësisht se nga kush është shkaktuar do të merret në bazën për formulimin e opinionit të auditimit. Po ashtu znj. Spanca ka theksuar se me qëllim të përmirësimit të raportimit dhe menaxhimit financiar për institucionet publike, Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin 2020 ka dhënë rekomandimet përkatëse për evitimin e mangësive. Rekomandimet e auditimit kanë për qëllim që t’i ndihmojnë institucionet publike të përmirësojnë qeverisjen dhe të rrisin kontrollet për menaxhimin me paranë publike. Ajo ka thënë se për të rritur nivelin e zbatimit të rekomandimeve, nevojitet të shtohet kujdesi dhe përgjegjësia në kryerjen e detyrave zyrtare, masa shtesë nga ana e qeverisë ndaj organizatave buxhetore si dhe forcimi i masave të llogaridhënies nga Kuvendi i Kosovës dhe Asambleve Komunale. “Auditimi i vitit 2020, ka treguar se ka një përmirësim të lehtë të zbatimit të rekomandimeve nga 40% në vitin 2018, në 45% në vitin 2019 në nivel të përgjithshëm. Përkundër përmirësimeve, ky nivel nuk është i kënaqshëm dhe ne presim që rekomandimet e dhëna në vitin 2020 të zbatohen në tërësi”, është shprehur Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme: Shumica e shkeljeve të identifikuara në raportet e auditimit i referohen prokurimit publik

Auditorja e Përgjithshme: Shumica e shkeljeve të identifikuara në raportet e auditimit i referohen prokurimit publik

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës të enjten ka marrë pjesë në aktivitetin “Arritjet dhe sfidat në prokurim publik në Kosovë” të organizuar me rastin e shënimit  të Ditës Kundër Korrupsionit nga USAID-it – Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse në Kosovë. Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë edhe Kryeministri i Kosovës z. Albin Kurti, i ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë z. Nicholas Giacobbe, drejtoresha e USAID-it, Zeinah Salahi, si dhe ministra, kryetarë të komunave, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.  Me këtë rast para të pranishmëve Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, ka thënë se prokurimi publik vazhdon të mbetet një prej temave më të rëndësishme në Kosovë. Ajo ka theksuar se prokurimi publik është pjesa më e cenueshme ndaj korrupsionit dhe tenderimi shihet si proces ku zyrtarët publikë e keqpërdorin autoritetin zyrtar. Znj. Spanca ka bërë më dije se këtë e vërtetojnë edhe raportet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Kosovë, meqë shumica e shkeljeve të identifikuara i referohen prokurimit. Auditorja e Përgjithshme ka deklaruar se për të funksionuar sistemi i llogaridhënies një nga masat më efektive në luftimin dhe parandalimin e dukurive negative është që zyrtarët që abuzojnë me autoritetin zyrtar të vihen para përgjegjësisë. Znj. Spanca ka treguar se në kuadër të kompetencave ZKA-ja është duke e kryer misionin e vet që prokurimi publik të jetë një proces transparent dhe llogaridhënës. Duke folur për funksionimin e njësisë së veçantë të ZKA-së e cila merret ekskluzivisht me identifikimin e mashtrimeve dhe shkeljeve tjera, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka theksuar se deri më tani janë raportuar mbi 193 raste të tilla në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Fjalimi i plotë i Auditores së Përgjithshme:  ARRITJET DHE SFIDAT NË PROKURIM PUBLIK NË KOSOVË I nderuar Kryeministër z. Kurti, I nderuar, i ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA në Kosovë Z. Nicholas, E nderuara drejtoreshë e USAID Znj. Salahi, Të nderuar ministra, kryetarë të komunave, Kolegë nga institucione të ndryshme, përfaqësues të shoqërisë civile dhe media Më lejoni që fillimisht të falënderojë USAID-in gjegjësisht aktivitetin e tyre “Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse” që sot na ka mbledhë të diskutojmë për një temë që është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe aktuale në Kosovë, siç është prokurimi publik. Këtë e bënë akoma më të rëndësishëm fakti se jemi në javën që shënon luftën kundër korrupsionit. Nuk është vetëm perceptim publik se prokurimi publik është pjesa më e cenueshme ndaj korrupsionit dhe se në sytë e publikut tenderimi shihet si proces ku zyrtarët publikë përfitojnë apo keqpërdorin autoritetin e tyre zyrtar. Një gjë të tillë e vërtetojnë edhe raportet e auditimit të ZKA në Kosovë, që tregojnë se shumica e gjetjeve tona apo shkeljeve të identifikuara gjatë auditimeve i referohen kësaj fushe. Gjithsesi që vetëm konstatimi se një fushë ka probleme nuk mjafton, aq më tepër ne si bartës institucionesh kemi përgjegjësinë që edhe të marrim masa që zyrtarët që abuzojnë me detyrën zyrtare të vihen para përgjegjësisë, që sistemi i llogaridhënies të funksionojë si një nga masat më efektive në luftimin dhe parandalimin e dukurive negative. Në kuadër të kompetencave të saj edhe ZKA-ja ka përgjegjësitë e veta dhe është duke e kryer misionin e vet që prokurimi publik të jetë një proces transparent dhe llogaridhënës. Në këtë drejtim, ZKA-ja kryen afërisht 130 auditime dhe jep afër 1,000 rekomandime në baza vjetore. Marrë parasysh që përmes prokurimit publik, në baza vjetore shpenzohen 40% e buxhetit të shtetit dhe nënshkruhen mbi 10,000 kontrata publike, prokurimi mbetet në fokus të auditimeve si financiare dhe te pajtueshmërisë ashtu edhe nga aspekti i auditimit të performancës. Përveç kësaj, ZKA-ja mbështetur nga USAID TEAM me qëllim që të bëjë më të lehtë punën për organet e zbatimit të ligjit në identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë së zyrtarëve publikë, ka themeluar një njësi të veçantë që merret ekskluzivisht me identifikimin e mashtrimeve dhe shkeljeve tjera. Për dallim nga e kaluara kur gjetjet tona janë paraqitur vetëm në raportin e auditimit, tani ZKA-ja përmes kësaj njësie bën edhe një filtrim tjetër duke përzgjedhur gjetjet apo shkeljet me elemente të mashtrimit dhe duke ia dërguar ato Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Deri më tani janë raportuar mbi 193 raste të tilla. Edhe pse zbulimi i mashtrimit nuk është fokusi kryesor i auditimit, Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit kërkojnë që auditorët të kryejnë procedura specifike të lidhura me mashtrimet për secilin angazhim të auditimit. Gjithsesi se themelimi i kësaj njësie është një nga mekanizmat që ZKA ka avancuar në drejtim të promovimit të një llogaridhënie më të mirë në sektorin publik. Tani, nëse shtrohet pyetja se a ka pasur zhvillime pozitive në prokurimin publik në këto vitet e fundit që është edhe temë - bosht e këtij paneli, sigurisht që ka pasur por a janë të mjaftueshme mund të themi se nuk janë. E-prokurimi ka qenë një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv dhe ka rritë transparencën. Ky sistem ka reduktuar në masë të madhe keqpërdorimin nga aplikimi në procesin tenderues deri tek vlerësimi. Por a është ky prokurim publik i kompletuar, unë them se jo. Nga auditimet e kryera në këtë fushë mund të nënvizoj se shpesh problemet nisen tek njësia kërkuese, specifikimet teknike jo adekuate, menaxhim jo të mirë të kontratave, ekzekutim të pagesave për punë të cilat nuk janë kryer, anashkalimi i procedurave të prokurimit, jo efikasitet në përfundimin e projekteve me kohë, dhe mos arritje e vlerës për paranë e shpenzuar. Andaj, duhet të punojmë akoma më shumë që të kemi sisteme më adekuate të kontrollit të brendshëm që edhe kjo hallkë e sistemit të prokurimit të përmirësohet. Sigurisht ky është një fillim i mirë dhe ky takim tregon për një vullnet të mirë por që mbetet që ta intensifikojmë punën tonë, të koordinojmë atë që ta rrisim përgjegjësinë e zyrtarëve që paraja publike të shpenzohet me nikoqirllëk dhe për të mirën e publikut. Ne si ZKA mbesim të përkushtuar që në këtë angazhim të japim kontributin tonë dhe unë si Auditore e Përgjithshme e konfirmoj se do jem e pa kompromis në këtë betejë. Ju faleminderit për vëmendjen.
Lexo më shumë
Prokurimi publik në Korporatën Energjetike të Kosovës në fokus të auditimit të performancës

Prokurimi publik në Korporatën Energjetike të Kosovës në fokus të auditimit të performancës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka filluar auditimin e performancës në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) me temën “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020)”. Fokus kryesor i auditimit janë aktivitetet e prokurimit, përmes së cilave janë shpenzuar shuma të konsiderueshme të parave. Në fakt, KEK-u është organizata me pjesëmarrjen më të madhe në prokurim publik në Kosovë. Përmes tenderëve publik, gjatë viteve 2018-2020, KEK-u kishte lidhur 1,060 kontrata me vlerë të përgjithshme prej 181.5 milionë euro. Aktivitetet e prokurimit në KEK, sikurse në çdo autoritet tjetër kontraktues, duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik, që kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi për mallra, shërbime dhe punë e arrin qëllimin e përcaktuar. Duke qenë shoqëri aksionare 100% në pronësi të Republikës së Kosovës, aktivitetet e KEK-ut janë interes publik prandaj Zyra Kombëtare e Auditimit ka vendosur që t'i bëhet një vlerësim i përgjithshëm i performancës së KEK-ut nga aspekti i prokurimit. Objektivi i këtij auditimi është të vlerësojë nëse gjatë viteve 2018-2020, KEK-u ka arritur objektivat e paracaktuara të prokurimit dhe nëse po, a i ka arritur duke kombinuar burimet në mënyrën më të mirë të mundshme. Fushëveprimi i auditimit të performancës përfshin kontratat e prokurimit të lidhura gjatë viteve 2018-2020 me fokus të veçantë në kontratat e lidhura përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, vlera e të cilave arrin afër 33 milion euro, që përfaqëson 18% të vlerës totale të kontratave të lidhura nga KEK-u në këtë periudhë. Nga këto, kemi përzgjedhur gjithsej 108 kontrata në vlerë 7.75 milion euro për t'i audituar. Edhe kontratat e lidhura me procedurë të hapur janë pjesë e fushëveprimit nga të cilat 55 milion euro (39 kontrata) do të auditohen. Nga to gjashtë janë kontrata për punë, 33 kontrata të tjera janë kontrata për furnizim. Auditimi synon t’i trajtojë çështjet në vijim:
  • Identifikimin e nevojave dhe planifikimin e prokurimit;
  • Hartimin e specifikimit teknik;
  • Parashtrimin e kërkesave të përshtatshmërisë profesionale dhe teknike;
  • Menaxhimin e kontratave; dhe
  • Vlerësimin që KEK-u i ka bërë proceseve të prokurimit.
Ky auditim synon të rris llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e aktiviteteve të prokurimit publik në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe aty ku është e nevojshme të ofroj rekomandime që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë më efektive dhe efikase.
Lexo më shumë