Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
1/24/2025 3:42:00 PM

ZKA-ja auditon mbrojtjen dhe menaxhimin e hapësirave pyjore në Kosovë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar procesin e auditimit të performancës mbi efikasitetin e institucioneve për mbrojtjen, zhvillimin dhe ripërtëritjen e hapësirave pyjore në Kosovë, i cili është pjesë e Planit Vjetor të Auditimit për periudhën 2024/2025. Ky auditim synon të vlerësojë masat dhe veprimet e institucioneve për ruajtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të pasurive pyjore, të cilat përfaqësojnë një nga burimet më të vlefshme natyrore të vendit.

Fushëveprim i këtij auditimi është Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Pyjore e Kosovës, e cila vepron në kuadër të kësaj ministrie si dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës.

Pyjet luajnë një rol jetik në ruajtjen e ekuilibrit ekologjik, zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe sigurimin e kushteve më të mira për mjedisin dhe shoqërinë. Megjithatë, sfida si shpyllëzimi i paligjshëm, degradimi i tokës, mungesa e monitorimit dhe koordinimi i dobët institucional vazhdojnë të dëmtojnë këto burime të vlefshme natyrore.

Auditimi do të fokusohet në vlerësimin e masave për mbrojtjen e pyjeve nga prerjet ilegale dhe shfrytëzimi i paqëndrueshëm i burimeve pyjore, efikasitetin e institucioneve në zbatimin e programeve të rikultivimit dhe ripërtëritjes së pyjeve, dhe përcaktimin e mënyrave për bashkëpunim efektiv midis institucioneve për menaxhimin e pyjeve shtetërore dhe atyre brenda parqeve kombëtare.

ZKA vlerëson se ruajtja dhe menaxhimi efektiv i pyjeve është thelbësor për mjedisin, shëndetin e popullsisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Raportet e ndryshme tregojnë se veprimet ilegale dhe mungesa e planifikimit strategjik kanë shkaktuar dëmtime serioze në ekosistemet pyjore.

Përmes këtij auditimi, ZKA synon të ndihmojë në identifikimin e masave që mund të ndërmerren për të përmirësuar menaxhimin e pyjeve, në mënyrë që të sigurohet ruajtja dhe përdorimi i tyre i qëndrueshëm për brezat e ardhshëm.

Zyra Kombëtare e Auditimit vazhdon të jetë e përkushtuar për të siguruar që pasuritë natyrore të vendit tonë të menaxhohen në mënyrë transparente dhe efektive.

 

 

 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja fokusohet te zhvillimi i aftësive për udhëheqje, menaxhim dhe komunikim të brendshëm

ZKA-ja fokusohet te zhvillimi i aftësive për udhëheqje, menaxhim dhe komunikim të brendshëm

Në kuadër të projektit të bashkëpunimit ndërmjet Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë (ZKAS), në datat 16 – 22 janar 2025, janë zhvilluar dy punëtori, trajnime dhe sesione konsultuese për zhvillimin e aftësive për udhëheqje, menaxhim dhe komunikim të brendshëm, nga ekspertët e ZKA-së së Suedisë, Tinna Bondestam dhe Jonas Ablad. 

 

Më 16 dhe 17 janar 2025 u mbajt punëtoria me menaxhmentin e lartë  për zhvillimin e udhëheqjes strategjike dhe komunikimit të brendshëm. Diskutimet e menaxhmentit u përqëndruan te ndikimi i strukturës së re organizative, qasja strategjike për harmonizimin me udhëzuesin e komunikimit të brendshëm dhe balancimi mes ambicieve dhe rezultateve praktike.

 

Po ashtu, më 21 janar 2025, u mbajt punëtoria njëditore për menaxhim me drejtorët e ZKA-së, ku u trajtuan  përgjegjësitë dhe sfidat që ndikojnë në zhvillimin e ekipeve si dhe përfaqësimi dhe komunikimi efektiv si menaxherë të nivelit të mesëm. Diskutimet u mbështetën në strategjitë dhe udhëzimet e brendshme të komunikimit dhe pjesëmarrësit punuan në grupe të vogla duke ndarë përvojat e tyre si dhe zhvilluan qasje praktike për adresimin e sfidave.

 

Gjithashtu në datat 20-21 janar 2025 u mbajt trajnimi për trajnerë mbi përdorimin e gjuhës së thjeshtë në hartimin e raporteve. Qëllimi i trajnimit ishte fuqizimi i rolit të ambasadorëve për të promovuar dhe zbatuar gjuhën e thjeshtë. Pjesëmarrësit mësuan teknika efektive për shkrim dhe komunikim të qartë, duke u bazuar në shembuj praktikë dhe duke shkëmbyer ide për t’a integruar gjuhën e thjeshtë si pjesë të kulturës organizative.

 

Gjatë kësaj kohe janë mbajtur edhe sesione konsultuese individuale me qëllim të ofrimit të mbështetjes profesionale nga ekspertët suedezë për çështje me interes të veçantë të zhvillimit.

 

Lexo më shumë
ZKA-ja nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me CIPFA

ZKA-ja nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me CIPFA

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca me delegacionin e përbërë nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme Myrvete Gashi-Morina dhe Drejtori i Auditimit Faruk Rrahmani, po qëndron për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar.  Në kuadër të vizitës, Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës (ZKA) dhe Instituti i Miratuar i Financave Publike dhe Kontabilitetit (CIPFA) nënshkruan një memorandum mirëkuptimi i cili do të shërbejë si platformë bashkëpunimi për përmirësimin e menaxhimit të financave publike.

 

Memorandumi i lidhur nga zonja Spanca dhe Kryeshefi Ekzekutiv i CIPFA, Owen Mapley, parasheh marrjen e iniciativave të përbashkëta, përfshirë promovimin e praktikave më të mira, organizimin e trajnimeve dhe kualifikimeve për stafin e ZKA-së dhe përkrahjen e institucioneve të sektorit publik.

 

Përmes këtij partneriteti, palët synojnë të avancojnë përdorimin efektiv dhe të përgjegjshëm të fondeve publike dhe të rrisin cilësinë e shërbimeve publike në Kosovë. Ky bashkëpunim pritet të jetë aktiv deri në vitin 2028 me mundësi vazhdimi.

 

CIPFA është i vetmi organ profesional i kontabilitetit në botë, i dedikuar ekskluzivisht për financat publike. Ky organ mbron performancën e lartë në shërbimet publike, duke përkthyer përvojën dhe njohuritë në këshilla të qarta dhe shërbime praktike. CIPFA udhëheq rrugën në financat publike duke u mbështetur për menaxhimin e shëndoshë të financave publike dhe qeverisjen e mirë.

Lexo më shumë