Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/21/2021 7:14:51 PM

Auditorja e Përgjithshme e mirëpret iniciativën e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike për mekanizmat shtesë për zbatimin e rekomandimeve të auditimit

Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) në mbledhjen e së martës kanë diskutuar për rritur fokusin në mbikëqyrjen e zbatimit të rekomandimeve të dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit për organizatat buxhetore. E pranishme në këtë mbledhje ishte edhe Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, për të ofruar më shumë informata rreth çështjeve të ngritura nga anëtarët e KMFP-së. Deputetët dhe Auditorja e Përgjithshme kanë diskutuar për gjetjen e praktikave më të mira për të nxitur zbatimin e rekomandimeve të auditimit, meqë ky është edhe qëllimi i përbashkët. Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka thënë se pavarësisht se ka një rritje të nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit, nga 40 në 45% në nivel të përgjithshëm për vitin 2019, kjo rritje nuk është e kënaqshme dhe pret që institucionet të angazhohen më seriozisht që rekomandimet e dhëna në vitin 2020 të zbatohen në tërësi. Znj. Spanca ka theksuar se për të rritur nivelin e zbatimit të rekomandimeve, nevojitet të shtohet kujdesi dhe përgjegjësia në kryerjen e detyrave zyrtare, masa shtesë nga ana e qeverisë ndaj organizatave buxhetore si dhe forcimi i masave të llogaridhënies nga Kuvendi i Kosovës dhe Asambleve Komunale. Në këtë takim është theksuar se fokusi i punës së Komisionit mbetet rritja e nivelit të zbatimit të rekomandimeve. Për këtë qëllim, anëtarët e komisionit kanë vendosur të vizitojnë disa institucione, veçanërisht ato të cilat kanë opinion të auditimit të kualifikuar, në mënyrë që të informohen për së afërmi me ngecjet gjatë procesit të adresimit të rekomandimeve. Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike gjatë këtij viti ka shqyrtuar 27 raporte të auditimit të perfomancës dhe të pasqyrave vjetore financiare për institucionet publike.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja: Institucionet shëndetësore nuk kanë arritur t’i sigurojnë me kohë të gjitha barërat dhe materialet e nevojshme shëndetësore për trajtimin e pacientëve me COVID-19

ZKA-ja: Institucionet shëndetësore nuk kanë arritur t’i sigurojnë me kohë të gjitha barërat dhe materialet e nevojshme shëndetësore për trajtimin e pacientëve me COVID-19

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportet e auditimit të performancës për projektet “Furnizimi me barëra dhe materiale shëndetësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19” dhe “Optimizimi i resurseve njerëzore, hapësirave spitalore dhe pajisjeve teknike mjekësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19”. Ky auditim kishte për qëllim vlerësimin e procesit të furnizimit me barëra dhe materiale shëndetësore të institucioneve shëndetësore dhe menaxhimin e resurseve njerëzore në institucionet shëndetësore, hapësirave spitalore dhe pajisjeve teknike mjekësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19 dhe njëkohësisht të identifikojë boshllëqet ekzistuese duke vlerësuar nëse ky proces mund të realizohet më mirë. Raporti konstaton se pavarësisht përpjekjeve që t’i përgjigjen si duhet dhe me kohë nevojave, institucionet shëndetësore nuk kanë arritur me kohë të sigurojnë të gjitha barërat dhe materialet e nevojshme shëndetësore për trajtimin e pacientëve me COVID-19, prandaj në shumë raste pacientët janë detyruar që vetë t’i blejnë disa nga barërat për trajtim mjekësor. Po ashtu gjatë procesit të luftimit me pandeminë COVID-19 pavarësisht faktit se plani i veprimit kundër gripit pandemik dhe ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 e përcakton se përveç ekzaminimit, institucionet duhet të sigurojnë edhe medikamentet dhe bazën materiale të nevojshme për trajtimin e pacientëve me COVID-19, kjo nuk ishte realizuar në shumë raste. Edhe përkundër përpjekjeve që t’i përgjigjen si duhet dhe me kohë nevojave për resurset të mjaftueshme njerëzore, institucionet shëndetësore nuk kanë arritur të sigurojnë me kohë dhe në numër të mjaftueshëm të personelit shëndetësor për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Mungesa e analizave të vazhdueshme adekuate të shkruara për identifikimin me kohë të nevojave për personel shëndetësor dhe koordinimit të duhur dhe të vazhdueshëm në mes të institucioneve shëndetësore krahas nevojave për ballafaqim me COVID-19, ka ndikuar në vështirësi për aktivizimin me kohë të numrit dhe profilit të duhur të personelit shëndetësor. Raporti thekson se rekrutimi i personelit të përkohshëm shëndetësor është bërë pa konsultime të mjaftueshme në mes të institucioneve shëndetësore, ndërsa trajnimet specifike paraprake për personelin shëndetësor të angazhuar për trajtimin e pacientëve me COVID-19 kanë qenë jo të mjaftueshme. Vështirësitë procedurale dhe buxhetore për rekrutim të personelit të nevojshëm shëndetësor kishin shkaktuar telashe shtesë duke pasur parasysh se personeli i rregullt ishte reduktuar pjesërisht për arsye se shumë nga ta ishin infektuar me virusin COVID-19, ndërsa të tjerë ishin me sëmundje kronike apo moshë më të madhe për tu aktivizuar në repartet ku trajtoheshin pacientët me COVID-19. Me përjashtim të spitalit të Prizrenit, institucionet shëndetësore nuk kanë pasur plan veprimi për menaxhimin e hapësirave spitalore për trajtimin e pacientëve me COVID-19, ndërsa SHSKUK-ja nuk ka pasur një plan veprimi për menaxhimin e pajisjeve mjekësore. Mungesa e procedurave standarde për bartjen e sigurtë të pacientëve krijon pasiguri tek pacientët që mund të shpie drejt ekspozimit të pacientëve ndaj rreziqeve të mundshme gjatë bartjes. Edhe planet përgatitore lidhur me sasinë dhe llojin e nevojshëm të Pajisjeve Personale Mbrojtëse (PPM-të) dhe materialeve tjera shëndetësore të nevojshme për t’u përballur me pandeminë nuk janë përcjellur me furnizim të mjaftueshëm, arsye e cila ka ndikuar që institucionet shëndetësore të mos kenë rezervat e duhura në fillim të pandemisë. Problemet me lidhjen e kontratave, rritjet e vazhdueshme të çmimit të barnave, vonesat në liferimin e mallit për shkak të vështirësive të qarkullimit ndërkombëtar, ankesat e Operatorëve Ekonomik dhe ankesat në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) janë shkaktarët kryesor që kanë ndikuar në planifikimin jo të mirë dhe furnizimin e pamjaftueshëm me medikamente, PPM, pajisje dhe materiale tjera medicinale. Raporti thekson se planifikimi i sasisë apo llojit të barërave dhe materialeve medicinale të nevojshme për trajtimin e pacientëve me COVID-19 nuk është bërë bazuar në barërat që u ipen pacientëve sepse institucionet shëndetësore nuk kanë një sistem të rregulluar i cili i siguronë këto informata. Edhe mungesa e një procesi të rregulltë të komunikimit gjithëpërfshirës dhe sistematik në mes Kujdesit Primar Shëndetësor (KPSH) dhe niveleve tjera të kujdesit shëndetësor lidhur me trajtimin e pacientëve COVID-19 të cilët nuk janë hospitalizuar duke identifikuar me kohë nevojat për trajtim klinik të këtyre pacientëve mund të ndikoj në trajtimin me vonesë të pacientëve me COVID-19. Këto mangësi në masë të madhe janë ndikuar nga mosfunksionalizimi i plotë i Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH), duke ndikuar që të mos ketë një planifikim dhe menaxhim të duhur të burimeve njerëzore shëndetësore, barërave dhe materialeve tjera shëndetësore, hapësirave shëndetësore (qendrat e mjekësisë familjare dhe spitalet), dhe menaxhimin e pacientëve. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë auditim ka deklaruar se sistemi shëndetësor ka nevojë për përmirësime në procesin e shërbimeve shëndetësore me theks të veçantë në sigurimin e barërave dhe materialeve shëndetësore të nevojshme për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Poashtu lidhur me këtë auditim ka deklaruar se sistemi shëndetësor ka nevojë për përmirësime në procesin e menaxhimit të resurseve njerëzore për ballafaqim me pandeminë COVID-19. Institucionet shëndetësore përgjegjëse për menaxhimin e pandemisë poashtu kanë nevojë për zhvillimin në vazhdimësi të planeve paraprake të veprimit për sigurimin me kohë të hapësirave të veçanta spitalore dhe pajisjeve mjekësore të nevojshme për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Ne i falënderojmë të gjithë stafin shëndetësor mjekët, infermierët, punëtorët teknik të spitaleve dhe punëtorët e tjerë shëndetësorë për përkushtimin e tyre të palodhshëm të cilët janë mobilizuar, duke ndihmuar pacientët që ta luftojnë virusin COVID-19 duke punuar në vazhdimësi për shëndetin e qytetarëve. Përveç punës së palodhshme që ky staf kishte me trajtimin e pacientëve me COVID-19 ata kontribuan shumë edhe në realizimin e këtij auditimi e që padyshim i shtuan vlerë të madhe punës tonë. Raportin e plotë “Furnizimi me barëra dhe materiale shëndetësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19” mund ta gjeni  këtu. Raportin e plotë “Optimizimi i resurseve njerëzore, hapësirave spitalore dhe pajisjeve teknike mjekësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19”mund ta gjeni  këtu.
Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme uron homologun maqedonas me rastin e 22-vjetorit të themelimit të Entit Shtetëror të Revizionit të Maqedonisë së Veriut

Auditorja e Përgjithshme uron homologun maqedonas me rastin e 22-vjetorit të themelimit të Entit Shtetëror të Revizionit të Maqedonisë së Veriut

Auditorja e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, i ka dërguar telegram urimi presidentit të Entit Shtetëror të Revizionit, Maksim Acevski, me rastin e 22-vjetorit të themelimit të këtij institucioni. Znj. Spanca ka thënë se Enti Shtetëror i Revizionit ka bërë një udhëtim të mrekullueshëm gjatë këtyre viteve, duke u bërë një prej institucioneve më të besueshme në Maqedoninë e Veriut, falë angazhimit dhe punës profesionale. Auditorja e Përgjithshme ka shprehur përkushtimin e saj për vazhdim të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, në arritjen e objektivave dhe rezultateve të mëtutjeshme. “Në emrin tim dhe të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës ju shpreh urimet më të përzemërta për 22-vjetorin e themelimit dhe punës së suksesshme të Entit Shtetëror të Revizionit të Maqedonisë së Veriut. Dy institucionet tona kanë pasur bashkëpunim në vazhdimësi, dhe ky bashkëpunim është avancuar më tutje në vitin 2019 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Entit Shtetëror të Revizionit të Maqedonisë së Veriut”, është thënë në urimin e Auditores së Përgjithshme Vlora Spanca dërguar homologut nga Maqedonia e Veriut.
Lexo më shumë