Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/30/2021 2:36:53 PM

RTK-ja i nënshtrohet auditimit publik, ky proces është në interes të publikut

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës dhe auditimin e Pasqyrave Financiare Vjetore (PFV) të Radio Televizionit të Kosovës (RTK-së). RTK financohet nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe të hyrat tjera vetanake. Për vitin 2020 nga buxheti i Kosovës është financuar me 11,200,000€ dhe buxheti i planifikuar nga të hyrat vetanake për këtë vit ishte 1,812,000€. Shpenzimet e RTK-së për vitin 2020 ishin në vlerë prej  12,591,000€. Auditimi i Pasqyrave Vjetore Financiare të RTK-së për herë të fundit nga ZKA-ja është kryer në vitin 2010. Që atëherë auditimi i PFV-ve të RTK-së kryhet nga një auditor i jashtëm, të cilin RTK-ja e përzgjedhë me procedura të prokurimit. Përderisa, raporti i fundit i auditimit të performancës së RTK-së nga ZKA-ja është publikuar në vitin 2015. Prandaj, duke e pasur parasysh kohën e gjatë që ZKA-ja nuk ka kryer një auditim të RTK-së dhe vlerën e lartë monetare me të cilën buxheti i Kosovës e financon këtë medium publik, vlerësohet se ky auditim është me interes për publikun dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës. Objektivë e auditimit të pasqyrave financiare të RTK-së për vitin 2021 është të ofrohet siguri e arsyeshme nëse  pasqyrat financiare si tërësi nuk përmbajnë keq-deklarime materiale, qoftë për shkak të mashtrimit ose gabimit dhe të hartojmë një raport të auditimit që përfshin opinionin tonë. Zyra Kombëtare e Auditimit do të testojë nëse transaksionet e kryera nga organizata janë në përputhje me kornizën ligjore në të cilën vepron. Kjo nënkupton marrje të sigurisë se transaksionet janë në përputhje me autoritetet e duhura, duke përfshirë kornizën statutore të organizatës. Objektivi tjetër në këtë auditim është të shprehim një konkluzion të auditimit për pajtueshmërinë e autoriteteve përkatëse të RTK-së me kriteret e përcaktuara të auditimit që burojnë nga legjislacioni i zbatueshëm në kontekstin e përdorimit të burimeve financiare, lidhur me subjektin e audituar. Ndërsa, sa i përket auditimit të performancës, objektivë e auditimit është të vlerësohet nëse RTK-ja ka menaxhuar në mënyrë të duhur fondet publike. Ky auditim i performancës do të mbuloj aspektin e burimeve njerëzore, duke përfshirë stafin aktual, nevojat për rekrutim të stafit shtesë, angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe kontraktimin e programeve të prodhuara vendore. Auditimi do të fokusohet në këtë fushë, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e buxhetit vjetor të RTK-së shpenzohet në kategorinë e pagave dhe mëditjeve. Fushëveprimi i auditimit të performancës do të përfshijë RTK-në si përgjegjëse për vlerësimin e nevojave për burime njerëzore, caktimin e objektivave të stafit, zbatimin e procedurave të ndryshme, vlerësimin e performancës edhe sigurimin e vlerës për paranë e shpenzuar. Më konkretisht, auditimi do të përfshijë aktivitetet e ndërlidhura me burimet njerëzore e që janë zhvilluar në vitet 2019, 2020 dhe deri në shtator të vitit 2021. Auditimet do të kryhen në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe praktikat e mira evropiane. Përmes këtyre auditimeve synohet rritja e llogaridhënies, transparencës dhe integritetit të aktiviteteve në aspektin e burimeve njerëzore, angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe kontraktimin e programeve të prodhuara vendore të RTK-së. Aty ku do të konsiderohet e nevojshme auditimi do të ofroj rekomandime që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë më efektive dhe efikase dhe të arrijnë qëllimet e synuara për përmirësimin e nivelit të përgjithshëm të performancës së RTK-së. RTK-ja është transmetues publik i Kosovës, person juridik jo-profitabil me status të institucionit të pavarur publik, me rëndësi të posaçme, i cili ofron shërbime për publikun në fushën e veprimtarisë mediale. Programi i RTK-së duhet të drejtohet nga interesi publik, siç përcaktohet edhe në kornizën legjislative të bazuar në standardet evropiane. Qëllimi është ofrimi i informacionit të saktë, objektiv, të paanshëm dhe të shpejtë për qytetarët. Si televizion publik, synimi dhe zgjidhja është që ai të dallojë nga media shtetërore, ku autoritetet shtetërore mbikëqyrin median drejtpërdrejtë dhe kontrollojnë përmbajtjen. Programet e RTK-së duhet të jenë në përputhje me nevojat programore dhe mundësitë buxhetore, duke marrë parasysh detyrimin e shërbimit publik për të siguruar interesin publik nëpërmjet përmbajtjeve informative, edukative, kulturore dhe argëtuese.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme uron homologun maqedonas me rastin e 22-vjetorit të themelimit të Entit Shtetëror të Revizionit të Maqedonisë së Veriut

Auditorja e Përgjithshme uron homologun maqedonas me rastin e 22-vjetorit të themelimit të Entit Shtetëror të Revizionit të Maqedonisë së Veriut

Auditorja e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, i ka dërguar telegram urimi presidentit të Entit Shtetëror të Revizionit, Maksim Acevski, me rastin e 22-vjetorit të themelimit të këtij institucioni. Znj. Spanca ka thënë se Enti Shtetëror i Revizionit ka bërë një udhëtim të mrekullueshëm gjatë këtyre viteve, duke u bërë një prej institucioneve më të besueshme në Maqedoninë e Veriut, falë angazhimit dhe punës profesionale. Auditorja e Përgjithshme ka shprehur përkushtimin e saj për vazhdim të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, në arritjen e objektivave dhe rezultateve të mëtutjeshme. “Në emrin tim dhe të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës ju shpreh urimet më të përzemërta për 22-vjetorin e themelimit dhe punës së suksesshme të Entit Shtetëror të Revizionit të Maqedonisë së Veriut. Dy institucionet tona kanë pasur bashkëpunim në vazhdimësi, dhe ky bashkëpunim është avancuar më tutje në vitin 2019 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Entit Shtetëror të Revizionit të Maqedonisë së Veriut”, është thënë në urimin e Auditores së Përgjithshme Vlora Spanca dërguar homologut nga Maqedonia e Veriut.
Lexo më shumë
ZKA-ja nisë auditimin e sistemit të licencimit të hidrocentraleve

ZKA-ja nisë auditimin e sistemit të licencimit të hidrocentraleve

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës në fushën e energjisë dhe mjedisit me temën “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe ndikimi i tyre në mjedis dhe ujëra (2015 – 2021)”.  Trajtimi i kësaj teme të auditimit është me rëndësi të veçantë pasi që shfrytëzimi i ujërave për prodhimin e energjisë elektrike duhet të bëhet në mënyrën e duhur duke mos ndikuar në cilësinë dhe rrjedhën e ujërave. Raportimet e ndryshme në media dhe hulumtimet fillestare në fazën e planifikimit në këtë fushë tregojnë se ka indikacione që procesi i licencimit të hidrocentraleve karakterizohet me mangësi dhe mungesë të transparencës. Poashtu ka indikacione për moskoordinim mes palëve përgjegjëse gjatë procesit të licencimit, mungesë të mbikëqyrjes së duhur nga institucionet përgjegjëse që për pasojë mjedisi mund të rrezikohet nga kjo veprimtari. Ndikimi që ka kjo veprimtari në mjedis dhe treguesit fillestar të problemeve në këtë fushë kanë shërbyer që ZKA-ja të fillojë këtë auditim. Objektivë e këtij auditimi është vlerësimi i dhënies së licencave për hidrocentralet dhe aktivitetet e institucioneve publike për mbrojtjen e mjedisit nga veprimtaria e hidrocentraleve. Qëllimi  kryesor i këtij auditimi është që të kontribuojë në përmirësimin e procesit të licencimit dhe të sigurojë se shfrytëzimi i ujërave bëhet në mënyrë më efikase dhe efektive duke arritur qëllimin e synuar dhe të sigurohet mbrojtja e ujërave dhe mjedisit. Procesit të auditimit do t’i nënshtrohen  Zyra e Rregullatorit të Energjisë; Ministria  e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; Ministria e Ekonomisë si dhe komuna e Dragashit, Mitrovicës, Deçanit dhe komuna  e Shtërpcës. Poashtu, auditimit mund t’i nënshtrohen edhe Agjencia e Pyjeve të Kosovës dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit varësisht nëse kanë ndërlidhje me fushën e audituar. Në kuadër të këtyre institucioneve fokus i auditimit do të jenë departamentet e lëshimit të lejeve dhe departamentet e inspektoratit lidhur me ndikimin në mjedis dhe ujëra. Fushëveprimi do të fokusohet te dhënia e licencave për hidrocentralet përgjatë viteve 2015 -2020 dhe ndikimi i tyre në mjedis dhe ujëra. Qëllimi kryesor i ndërtimit të hidrocentraleve në Kosovë është arritja e cakut prej 25% krahas marrëveshjes së Direktivës së vendosur të BE-së 2019/32/EC për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme deri në vitin 2020 duke zvogëluar ndikimin në mjedis dhe ujëra. Në Kosovë përgjatë viteve 2015–2020 janë ndërtuar rreth 20 hidrocentrale të vogla të cilat ofrojnë një kapacitet të prodhimit rreth 86 MW. Hidrocentralet duhet të ndërtohen në koncesion me institucionet publike, të pajisen dhe të zbatojnë rregullat dhe kriteret e lejeve mjedisore me qëllim të mbrojtjes së ujërave dhe mjedisit dhe të sigurojnë cilësinë e prurjes së ujërave dhe rrjedhën e tyre. Aktivitetet e secilit institucion përgjegjës për ndërtimin e hidrocentraleve dhe funksionalizimin e tyre me qëllim të prodhimit të energjisë elektrike duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e pajtueshmërisë, ekonomisë, efikasitetit dhe efektivitetit. Po ashtu të ofrojnë transparencë dhe trajtim të barabartë për operatorët ekonomik të cilët synojnë shfrytëzimin e ujërave për prodhim të energjisë. ZKA-ja është e përkushtuar të kryej tema relevante dhe të rëndësishme për Kuvendin e Kosovës dhe qytetarët duke ofruar rekomandime të dobishme për mbrojtjen e mjedisit dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Lexo më shumë