Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
1/18/2022 11:12:02 AM

Zyra Kombëtare e Auditimit fillon zbatimin e planit të trajnimeve të brendshme për muajin janar

Me qëllim të zhvillimit profesional dhe avancimit të mëtutjeshëm të njohurive punonjësit e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) gjatë muajit janar do të zbatojnë planin e trajnimeve të brendshme. Zhvillimi i vazhdueshëm i kapaciteteve profesionale është prioritet i Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe sipas planit vjetor të trajnimeve dhe zhvillimit profesional adresohen nevojat dhe kërkesat e stafit për zhvillim. Aktualisht është duke u mbajtur trajnimi për shkrimin e raporteve dhe përdorimin e gjuhës së thjeshtë. Ky trajnim është organizuar në kuadër të projektit të bashkëpunimit bilateral me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë sipas projektit “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023”. Trajnimi ofrohet nga ekspertët dhe kolegët nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë. Po ashtu në kuadër të planit të trajnimeve për muajin janar do të mbahet edhe trajnimi i brendshëm me temën “Puna në sistemin SITA problemet kryesore teknike, si të shfrytëzohen manualet dhe udhëzimet të cilat janë vendosur në SITA (teknika të shpejta dhe efikase të mësimit)”. Një trajnim tjetër që do të mbahet gjatë këtij muaji është edhe “Qasja e auditimit në auditimin e pasurive” si dhe trajnimi “Përdorimi i procedurave analitike substanciale”. Gjithashtu deri në fund të muajit janar do të mbahen edhe trajnimi për Ligjin nr.03/L-178 për klasifikimin e informacioneve si dhe ai për aktet nënligjore të ZKA. Sipas Standardeve Ndërkombëtarë të Institucioneve Supreme të Auditimit, institucionet e auditimit duhet të promovojnë zhvillim të vazhdueshëm profesional i cili i kontribuon auditorëve, ekipit dhe përsosmërisë së organizatës. Në përputhje me këto kërkesa, ZKA është e përkushtuar që të siguroje se stafi i saj ka kompetenca profesionale dhe ka mbështetjen e kolegëve dhe menaxhmentit për ta kryer punën si duhet.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme dhe Avokati i Popullit realizuan një takim virtual me Avokatin e Popullit dhe Auditorin e Përgjithshëm të Izraelit

Auditorja e Përgjithshme dhe Avokati i Popullit realizuan një takim virtual me Avokatin e Popullit dhe Auditorin e Përgjithshëm të Izraelit

Auditorja e Përgjithshme znj. Vlora Spanca dhe Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj realizuan një takim njoftues virtual me z. Matanyahu Engelman, Auditor dhe Avokat i Popullit të Izraelit si dhe znj. Dr. Esther Ben-Haim, Shefe e Zyrës së Avokatit të Popullit në Izrael. Auditorja e Përgjithshme znj. Spanca dhe Avokati i Popullit z. Qelaj e njoftuan homologun e tyre lidhur me rolin, mandatin dhe bazën kushtetuese dhe ligjore mbi të cilën realizojnë misionin e tyre, por gjithashtu edhe për sfidat me të cilat përballën dhe mundësitë dhe vizionin e tyre për t’i trajtuar ato në ardhmen. Në anën tjetër, z. Matanyahu dhe znj. Ben- Haim, prezantuan mandatin dhe punën e tyre dhe gjithashtu njoftuan lidhur me organizimin unik të këtij institucioni në Izrael, në të cilin institucioni i Avokatit të Popullit dhe Auditorit Shtetëror veprojnë nën të njëjtën ombrellë, të ndara në dy departamente të veçanta, njëri sa i përket auditimit dhe tjetri për trajtimin e ankesave lidhur me të drejtat e njeriut. Ata njoftuan që ky institucion u themelua në vitin 1949, i cili në baza vjetore auditon 1500 autoritete shtetërore, lëshon 120 raporte të auditimit dhe pranon 18,000 ankesa. Ata tutje shtuan se me kënaqësi mirëpresim iniciativa të shkëmbimit të stafit përmes organizimit të tryezave të diskutimit për tematika të auditimit në fusha me interes për qytetaret. Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës e falënderoi homologun e saj izraelit për takimin dhe e mirëpriti gatishmërinë e tij për bashkëpunim në të ardhmen. Marr parasysh përvojën shumëvjeçare të Auditorit Shtetëror të Izraelit në fushën e auditimit publik si dhe rolin që ky institucion ka në komunitetin ndërkombëtarë të auditimit si INTOSAI dhe EUROSAI, Auditorja e Përgjithshme mirëpret forcimin e bashkëpunimit me qëllim të rritjes së ndikimit të punës së ZKA-së në përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike në Kosovë.
Lexo më shumë
Suedia dhe Kosova fillojnë dekadën e dytë të bashkëpunimit në fushën e auditimit

Suedia dhe Kosova fillojnë dekadën e dytë të bashkëpunimit në fushën e auditimit

- Mbahet mbledhja e  Komitetit Drejtues të projektit “Bashkëpunimi për zhvillimin institucional në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Suedisë” Komiteti Drejtues i Projektit për bashkëpunim në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës të enjten kanë mbajtur mbledhjen e rregullt vjetore. Përfaqësuesit e të dyja institucioneve supreme të auditimit kanë diskutuar për Raportin e progresit Dhjetor 2020 - Dhjetor 2021, reflektimet mbi sfidat, mësimet e nxjerra dhe rreziqet, si dhe për  planin e aktiviteteve për vitin 2022 që do të zbatohet në kuadër të projektit “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023”. Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Helena Lindberg, dhe Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, kanë vlerësuar lartë bashkëpunimin prej një dekade në mes të dy institucioneve të auditimit, me ç’rast janë zotuar për avancimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi, në dekadën e ardhshme. Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, ka thënë se përkrahja profesionale nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë për ZKA-në ka qenë e rëndësishme dhe e gjithanshme në ngritjen e kapaciteteve institucionale në përgjithësi, e në fushën e auditimit të performancës në veçanti. “Bashkëpunimi ynë zyrtar tashmë është i vjetër një dekadë dhe jam e gatshme të vazhdoj miqësinë dhe bashkëpunimin tonë në dekadën e ardhshme. Aktualisht jemi në proces të hartimit të synimeve tona strategjike për tri vitet e ardhshme dhe presim të vazhdojmë traditën tonë të shkëlqyer të bashkëpunimit me ju”, ka deklaruar ajo. Tutje znj. Spanca ka thënë se gjatë këtyre viteve Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ka bërë një progres të madh si në ngritjen e kapaciteteve njerëzore ashtu edhe në rritjen e kredibilitetit të saj si partner i besueshëm për qytetarët e Kosovës dhe Kuvendin, duke u bërë një pjesëmarrës aktiv edhe në familjen ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit. “Kemi një agjendë ambicioze për vitet e ardhshme. Do të vazhdojmë me punën tonë të mirë audituese duke përmbushur mandatin ligjor dhe kushtetues dhe duke siguruar produkte cilësore dhe në kohë”, është shprehur Auditorja e Përgjithshme. Ndërsa Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Helena Lindberg, edhe një herë e ka përgëzuar znj. Spanca për emërimin e saj si Auditore e Përgjithshme, duke theksuar se është shumë e kënaqur që bashkëpunimi ndërmjet tyre do të jetë jo vetëm dypalësh, por gjithashtu edhe në kuadër të komunitetit ndërkombëtar të auditimit. Znj. Lindberg është shprehur krenare për arritjet e të dyja institucioneve në realizimin e projektit në kohë të tilla të vështira të krijuara nga pandemia. Sipas saj, puna e përbashkët nga distanca dhe arritja e rezultateve nuk do të ishte e mundur sikur të mos kishte bashkëpunim të mirë dhe të gjatë në mes të dy institucioneve. Projekti “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023” ka për qëllim të mbështesë ZKA-në për të përvetësuar standardet e përditësuara dhe parimet e INTOSAI-t (IFPP) nëpërmjet dy objektivave: forcimin e proceseve të brendshme organizative në ZKA, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve për të kryer auditime të performancës me cilësi më të lartë, në mënyrë që ato të jenë sa më të dobishme për palët e interesit.
Lexo më shumë