Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
2/10/2022 3:05:50 PM

Projekti “Bashkimi i qytetit të Ferizajt” i nënshtrohet auditimit publik

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës në Komunën e Ferizajt me temën “Menaxhimi i projektit bashkimi i qytetit të Ferizajt”.  Fokus kryesor i auditimit janë të gjitha fazat e projektit prej fillimit deri në përfundim të tij. Objektiv i këtij auditimi është që të vlerësohet nëse Komuna e Ferizajt ishte efikase në planifikimin dhe menaxhimin e projektit "Bashkimi i qytetit". Ky auditim synon të vlerësojë edhe nëse janë arritur objektivat e këtij projekti. Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit në mes Komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës. Sipas Memorandumit të Mirëkuptimit kjo e fundit është përgjegjëse për aspektin financiar të projektit ndërsa Komuna e Ferizajt për procedurat e prokurimit, përfshirë edhe menaxhimin e kontratës. Komuna ka filluar zbatimin e projektit në vitin 2018, një pjesë e tij është inauguruar në vitin 2021 ndërsa është duke u punuar edhe në pjesët e fundit që projekti të përfundohet në tërësi. Ndërtimi i projektit “Bashkimi i qytetit” ka për qëllim uljen e aksidenteve në trafik, rritjen ekonomike/të hyrave të Komunës përmes qirave dhe parkingjeve nëntokësore, uljen e fluksit të automjeteve dhe lehtësimin e qarkullimit për automjetet që janë në transit. Projekti i lidh dy pjesët e qytetit të ndara nga hekurudha dhe ka vlerën mbi 5.5 milionë euro. Aktivitetet e prokurimit në Komunën e Ferizajt, sikurse në çdo autoritet tjetër kontraktues, duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik që kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi për mallra/shërbime/punë e arrin qëllimin e përcaktuar të Autoritetit Kontraktues. Duke pasur parasysh vlerën e lartë të projektit, rëndësinë që ka për qytetarët e Ferizajt si dhe duke qenë se është prej projekteve të rralla të kësaj natyre dhe të përmasave të tilla, është me interes për publikun që projektit t'i bëhet një vlerësim i përgjithshëm nga aspekti i efikasitetit dhe objektivave të synuara të projektit. Subjekt i këtij auditimi do të jetë Komuna e Ferizajt me njësitë vartëse siç janë: Departamenti i Prokurimit, Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit dhe Drejtoria e Infrastrukturës. Departamenti i Financave në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës përfshihet në fushëveprim sa i përket çështjes së pagesave të kryera në emër të projektit. Për të siguruar se zyrtarët e zgjedhur veprojnë në interesin më të mirë të qytetarëve që ata i përfaqësojnë, administrata publike duhet të jetë llogaridhënëse për administrimin dhe përdorimin e fondeve publike. Në këtë aspekt, Zyra Kombëtare e Auditimit është e përkushtuar që përmes auditimit të projekteve kapitale të një rëndësie si financiare ashtu edhe sociale të forcojë llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e administratës publike dhe aty ku është e mundshme të ofroj rekomandime që fondet  publike të shfrytëzohen në mënyrë efektive dhe efikase.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja anëtarësohet në Task Forcën e EUROSAI-t për auditimin e komunave

ZKA-ja anëtarësohet në Task Forcën e EUROSAI-t për auditimin e komunave

Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës është bërë pjesë e Task Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave. Kjo Task Forcë shërben si platformë e hapur për ndarjen e praktikave dhe përvojave më të mira në auditimin lokal si dhe ka për synim përmirësimin e sistemit të auditimit të komunave në vendet që janë pjesë e EUROSAI-t. Kryetari i Task Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave njëherësh Auditor i Përgjithshëm i Lituanisë, Mindaugas Macijauskas, ka mirëpritur anëtarësimin e ZKA-së në këtë Task Forcë duke thënë se pret një marrëdhënie të suksesshme pune në të ardhmen. Ai ka vlerësuar se bashkëpunimi i suksesshëm i Institucioneve Supreme të Auditimit në kuadër të kësaj Task Force dhe kontributi i tyre individual në aktivitete do të lehtësojë shkëmbimin e praktikave dhe përvojave më të mira në auditimin e komunave në rajonin e EUROSAI-t. “Besoj gjithashtu se dëshira jonë për të krijuar një kulturë auditimi cilësor në sektorin publik dhe për ta bërë sistemin e auditimit të jashtëm komunal më efikas do të ndihmojë në përballimin e sfidave me të cilat  Institucionet Supreme të Auditimit po përballen në fushën e auditimit komunal”, është thënë në letrën e kryetarit të Task Forcës së EUROSAI-t për auditim të komunave, Mindaugas Macijauskas dërguar Auditores së Përgjithshme të Kosovës, Vlora Spanca. Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës tash e tutje do të jap kontributin e saj në kuadër të aktiviteteve të ndryshme të Task Forcës së EUROSAI-t për auditim të komunave.
Lexo më shumë
Reforma në menaxhimin e financave publike me interes për vendin

Reforma në menaxhimin e financave publike me interes për vendin

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka pritur sot z. Bill Fraser, Udhëheqës i ekipit të Projektit të BE-së për zbatimin e reformës në menaxhimin e financave publike. Në fokus të bisedës gjatë takimit ishte ndikimi i rezultateve të auditimit në rritjen e kontrollit dhe përmirësimin e performancës së organizatave buxhetore. Znj. Spanca dhe z. Faser vlerësuan se shkëmbimi i informatave është me interes për të dyja palët dhe u dakorduan që projekti dhe ZKA-ja të kenë dialog të rregullt për çështje teknike dhe operative. Në fund, z. Fraser ka falënderuar Auditoren e Përgjithshme për bashkëpunimin e vazhdueshëm. Në takim morën pjesë edhe Qendresa Mulaj, Udhëheqëse e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në ZKA dhe Menaxherja e projektit të binjakëzimit, nga Zyra e BE-së znj. Burbuqe Kelmendi.
Lexo më shumë