Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
2/16/2022 5:21:43 PM

Spanca e Shehu zotohen për avancim të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë (KLSH), Arben Shehu, i shoqëruar nga  Drejtoresha e Përgjithshme e KLSH-së, Marjola Llanaj, Sekretarja e Përgjithshme e KLSH-së, Valbona Gaxha, Drejtori i Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Shtetit, Gjovalin Preçi, Drejtori i Departamentit të Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit, Vullnet Karafilaj dhe Audituesi i Lartë, Rezario Kuçaj të mërkurën kanë zhvilluar një vizitë pune në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës. Me këtë rast janë pritur në takim nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu. Auditorja e Përgjithshme, ka falënderuar kryetarin Shehu për vizitën si dhe ka shprehur përkushtimin e saj për avancimin e bashkëpunimit në mes të dyja institucioneve. “Lidhja natyrale mes vendeve tona dhe interesi i përbashkët profesional dhe kombëtar na çon drejtë avancimit të qëndrueshëm të bashkëpunimit në mes institucioneve tona, me qëllim që rezultatet e auditimit të përmirësojnë qeverisjen dhe shërbimet ndaj qytetarëve në të dyja vendet”, ka deklaruar Spanca. Edhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, Arben Shehu, ka falënderuar homologen e tij për mikpritjen, si dhe ka rikonfirmuar përkushtimin personal dhe institucional për thellimin e mëtutjeshëm të raporteve në mes të dy institucioneve. Shehu ka thënë se bashkëpunimi cilësor dhe frytdhënës midis Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, ka një bazë të fortë të zhvilluar ndër vite, që i ka shërbyer ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe modernizimit të dyja institucioneve. Me këtë rast z. Shehu e ka uruar homologen Spanca edhe për 14-vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në kuadër të kësaj vizite delegacioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit i kryesuar nga kryetari Arben Shehu, është njoftuar në detaje nga përfaqësuesit e ZKA-së për: Zbatimin e  metodologjisë së auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë; procesin e auditimit të buxhetit të Kosovës; si dhe për funksionimin e sistemit elektronik për menaxhimin e auditimit-SITA. Po ashtu gjatë qëndrimit në Kosovë kryetari i KLSH-së, Arben Shehu, së bashku me Auditoren e Përgjithshme, Vlora Spanca, të enjten do të marrin pjesë në ceremoninë shtetërore të organizuar me rastin e 14-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, si dhe do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Reforma në menaxhimin e financave publike me interes për vendin

Reforma në menaxhimin e financave publike me interes për vendin

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka pritur sot z. Bill Fraser, Udhëheqës i ekipit të Projektit të BE-së për zbatimin e reformës në menaxhimin e financave publike. Në fokus të bisedës gjatë takimit ishte ndikimi i rezultateve të auditimit në rritjen e kontrollit dhe përmirësimin e performancës së organizatave buxhetore. Znj. Spanca dhe z. Faser vlerësuan se shkëmbimi i informatave është me interes për të dyja palët dhe u dakorduan që projekti dhe ZKA-ja të kenë dialog të rregullt për çështje teknike dhe operative. Në fund, z. Fraser ka falënderuar Auditoren e Përgjithshme për bashkëpunimin e vazhdueshëm. Në takim morën pjesë edhe Qendresa Mulaj, Udhëheqëse e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në ZKA dhe Menaxherja e projektit të binjakëzimit, nga Zyra e BE-së znj. Burbuqe Kelmendi.
Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme uron Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Auditorja e Përgjithshme uron Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka uruar qytetarët për 14-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Me këtë rast znj. Spanca ka vlerësuar lartë sakrificën e të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Auditorja e Përgjithshme ka bërë thirrje që vlerat shtetit të lartësohen në piedestalet më të larta, duke punuar me përgjegjësi dhe përkushtim për  ta forcuar  sa më shumë demokracinë e vendit për një të ardhme sa më të mire për brezat që vijnë pas. “Me rastin e 17 shkurtit, kam nderin që në emrin tim personal dhe në emër të Zyrës Kombëtare të Auditimit t’ju uroj ditën historike të Pavarësisë së Kosovës. Datë kjo e cila na kujton sakrificat dhe përpjekjet shekullore të popullit tonë për liri dhe shtet të pavarur. Shpreh urimet e mia më të mira në këtë ditë të veçantë dhe historike për popullin  e Kosovës”, ka deklaruar Spanca. Për shënimin e 14-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka pranuar urime nga homologët e saj.
Lexo më shumë