Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
3/16/2022 12:41:46 PM

Auditorja e Përgjithshme merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “E ardhmja e Evropës” pas krizës shëndetësore Covid-19

Me 14 dhe 15 mars, në Paris të Francës, i ka zhvilluar punimet Konferenca Ndërkombëtare “E ardhmja e Evropës” e organizuar nga Gjykata Franceze e Llogarive në kuadër të Kryesimit të Këshillit të Bashkimit Evropian nga Franca, ku kanë marrë pjesë krerët e Institucioneve Supreme të Auditimit nga Evropa. Pjesë e kësaj konference kanë qenë edhe Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme Emine Simnica - Fazliu si dhe drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qëndresa Mulaj. Në ditën e parë të konferencës janë  zhvilluar sesionet punuese me pjesëmarrje të krerëve dhe përfaqësuesve nga Institucionet Supreme të Auditimit, ku është diskutuar për punën audituese gjatë krizës shëndetësore gjatë pandemisë me Covid-19, për monitorimin e efektivitetit dhe efikasitetit të veprimeve publike kundrejt Covid-19, sigurimi i  rregullsisë së shpenzimeve gjatë dhe pas Covid-19, nevojën për modernizimin e Institucioneve Supreme të Auditimit si dhe metodat inovative të punës audituese gjatë pandemisë. Me këtë rast të pranishmit kanë shprehur përkushtimin e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) për të luajtur një rol kyç në adresimin e sfidave që kanë dal nga kriza e Covid-19. Për këtë qëllim, ata janë zotuar që të intensifikojnë bashkëpunimin në të ardhmen. Për të adresuar sfidat kryesore dhe për të kontribuar në një ofrim më të mirë të shërbimeve publike, drejtuesit e ISA-ve pjesëmarrëse kanë vlerësuar se shkëmbimi i informacionit përkatës, metodave të vlerësimit dhe praktikave të mira të auditimit janë të një rëndësie të madhe, prandaj kanë bërë thirrje për rritje të bashkëpunimit në auditim. Sipas tyre, një bashkëpunim i tillë mundëson shkëmbimet e stafit dhe trajnimet e përbashkëta për tema me interes të përbashkët. Përveç kësaj, dhe për të rritur më tej ndikimin e auditimeve të tyre dhe identifikimin dhe zbatimin e praktikave më të mira në Evropë dhe më gjerë, drejtuesit e ISA-ve kanë theksuar nevojën për të rritur përpjekjet për të ndarë dhe shpërndarë informacionin rreth punës së tyre në disa gjuhë dhe platforma. Gjithashtu në këtë konferencë është vlerësuar puna dhe roli i ISA-ve gjatë krizës shëndetësore Covid-19, me ç’rast është thënë se ISA-të iu kanë përgjigjur me shpejtësi këtij konteksti të jashtëzakonshëm duke mbuluar çështje të ndryshme si shëndeti publik, përgjigjet socio-ekonomike dhe qëndrueshmëria e financave publike. Po ashtu është thënë se cilësia dhe afati kohor i auditimeve kanë kontribuar në rritjen e llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë në ofrimin e shërbimeve publike. Në ditën e dytë, të konferencës në Universitetin e Sorbonës është mbajtur Forumi me shoqërinë civile i cili ka mbledhur së bashku përfaqësues të lartë të institucioneve nga tërë Evropa, profesionistë nga sektori publik dhe privat, akademikë, përfaqësues të medias shoqërisë civile dhe qytetarë për të diskutuar të ardhmen e Evropës pas krizës shëndetësore. Në kuadër të konferencës, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, ka takuar Presidentin e Gjykatës Franceze të Llogarive z. Pierre Moskovic, Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu, Auditoren e Përgjithshme të Suedisë, znj. Helena Lindberg, si dhe Presidentin e Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë, z. Marian Banas. Auditorja e Përgjithshme u prit në takim nga ambasadori i Kosovës në Francë Në kuadër të vizitës në Francë, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është pritur në takim edhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Mehdi Halimi. Me këtë rast znj. Spanca e ka njoftuar Ambasadorin për punën audituese, sfidat dhe rezultatet e auditimit. Diplomati kosovar ka falënderuar znj. Spanca për vizitën, si dhe ka përgëzuar për punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit për një menaxhimin më të mirë  të parasë publike përmes auditimeve, respektivisht zbatimit të rekomandimeve të auditimit.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Përfaqësuesit e ZKA-së morën pjesë në konferencën rajonale “Monitorimi dhe kontrolli i zbatimit të rekomandimeve të auditimit”

Përfaqësuesit e ZKA-së morën pjesë në konferencën rajonale “Monitorimi dhe kontrolli i zbatimit të rekomandimeve të auditimit”

Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Qerkin Morina, dhe përfaqësuesit e Departamentit të  Kontrollit të Cilësisë, Kapllan Muhaxheri e Imer Vitija, kanë marrë pjesë të premten në konferencën rajonale “Monitorimi dhe kontrolli i zbatimit të rekomandimeve të auditimit” në Podgoricë të organizuar nga Fondacioni Westminster për Demokraci në Mal të Zi në bashkëpunim me Institucionin Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi. Pjesëmarrës në këtë konferencë kanë qenë më shumë se 30 përfaqësues të institucioneve supreme të auditimit nga rajoni, Britania e Madhe dhe Belgjika. Po ashtu në konferencë të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësuesit e Parlamentit të Malit të Zi. Qëllimi i kësaj konference ishte përmirësimi i monitorimit sistematik dhe cilësor të zbatimit të rekomandimeve të auditimit që luajnë një rol kyç në matjen e ndikimit të auditimit. Me këtë rast përfaqësuesit e Gjykatës së Auditorëve të Belgjikës dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Britanisë së Madhe kanë prezantuar praktikat dhe sfidat në monitorimin dhe kontrollin e zbatimit të rekomandimeve të auditimit në vendet evropiane. Po ashtu edhe përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit të Sllovenisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe  Kosovës kanë shpalosur përvojat dhe praktikat e tyre. Përveç shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira të institucioneve supreme të auditimit, është diskutuar edhe për prioritizimin e rekomandimeve të auditimit, mënyrat dhe mjetet për të ndjekur rekomandimet e auditimit, si dhe modalitetet e mbështetjes dhe përdorimit të rezultateve pasuese nga parlamentet.
Lexo më shumë
Mbahet në Paris takimi i presidentëve të Institucioneve Supreme të Auditimit

Mbahet në Paris takimi i presidentëve të Institucioneve Supreme të Auditimit

Në kuadër të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për Bashkimin Evropian dhe Gjykatës Evropiane të Auditimit, SIGMA ka organizuar të mërkuren në Paris takimin me kryetarë të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) për të disktuar për aktivitetet e fundit të Rrjetit, sfidat në realitetin e ri të krijuar nga Covid-19, si dhe prioritetet për të ardhmen. Krerët e ISA-ve anëtare të rrjetit gjatë takimit kanë prezantuar për arritjet në kryerjen e mandatit kushtetues dhe ligjorë në insitucionet e tyre si dhe sfidat me të të cilat ballafaqohen dhe fushat ku mendojnë se Rrjeti mund t’ju ndihmojë në rritjen e cilësisë së punës audituese. Po ashtu në këtë takim u diskutua edhe plani i ardhshëm trevjeçar i punës së Rrjetit për të siguruar që aktivitetet e ardhshme do të ndihmojnë në zhvillimin e ekspertizës së ISA-ve të Rrjetit dhe kapacitetin e tyre për të zbatuar standardet më të larta profesionale në mjediset e tyre specifike, duke mundësuar një kontibut pozitiv në arritjen e praktikave të qeverisjes së mirë nga qeveritë kombëtare. Bazuar në diskutimet e zhvilluara është theksuar nevoja për bashkëpunim në nivel rajonal dhe ndërkombëtarë, si dhe prioritetet strategjike të ISA-ve, në mënyrë që të sigurohet që Rrjeti të vazhdojë t’u shtojë vlerë anëtarëve të tij dhe të lehtësojë forcimin e mëtejshëm të ISA-ve në respektimin e standardeve ndërkombëtare Të pranishëm në takim ishin edhe Roger Cazala nga Gjykata Evropiane e Audituesve,  dhe Auditorja e Përgjithshme Helena Lindberg të cilët kanë shprehur gatishmërinë e institucioneve të tyre për të mbështetur Rrjetin në realizmin e planit të punës. Kurse krerët e Institucioneve Suprem të Auditimit nga Kosova, Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia kanë diskutuar për rëndësinë e Rrjetit dhe mënyrën se si ai mund të mbështesë sa më mirë ISA-të duke pasur parasysh rrethanat e ndryshuara që ndodhën gjatë viteve të fundit. Gjatë adresimit para të pranishmëve,  Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, ka konfirmuar zotimin e saj dhe të ZKA-së për të kontribuar dhe bashkëpunuar me ISA-të në këtë Rrjet me qellim të ngritjes së cilësisë se punës audituese dhe kryerjen e mandatit kushtetues dhe ligjor.  Ndonëse ZKA-ja  nuk është angazhuar mënyrë aktive në Rrjet, megjithatë ka ndejkur disa aktivitete dhe punëtori lidhur me shpenzimet e ndërlidhura me pandeminë Covid 19, programin për zhvillimin profesional të auditorëve të performancës si dhe punëtoritë për sigurimin e cilësisë në auditim. Znj. Spanca, ka theksuar se programi për zhvillimin profesional të auditorëve të performancës ka rritur njohuritë e auditorëve për zbatimin e standardeve të auditimit të performancës, shkathtësitë analitike, shkathtësitë e shkrimit si dhe rishikimin kolegial si pjesë e kontrollit të cilësisë i cili aplikohet tashmë në ZKA si pjesë normale e punës.  Andaj iniciativa të tilla për të aplikuar një program të strukturuar mirë të zhvillimit profesional në auditim të performancës do t’i shtojë vlerë punës që kryhet nga institucionet tona supreme të auditimit. Tutje Auditorja e Përgjithshme ka thënë se duke marrë parasysh që Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në BE pothuaj se janë në fazë të njëjtë të zhvillimit dhe kalojnë në procese dhe ballafaqohen me sfida të njëjta, shkëmbimi i përvojave mes tyre është mëse i nevojshëm. “ZKA-ja është në proces të hartimit të planit strategjik për vitet 2022-2025 dhe për mua si drejtuese e këtij institucioni objektiv kryesore është kryerja e auditimeve të rëndësishme për Kuvendin dhe qytetarët. Aplikimi i plotë i Standardeve Nderkombetare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA) është i padiskutueshëm. Për sezonin auditues 2021/2022 kemi planifikuar 130 auditimie prej të cilave 4 auditime të papërfunduara nga viti i kaluar, 91 auditime financiare dhe të pajtushmërisë, 14 projekte të financuara nga fondet e donatoreve; 12 ndërmarrje publike dhe 10 auditime të përformancës  dhe 3 auditime sipas kërkesës”, është shprehur Spanca. Sfide mbetet  zbatimi i rekomandimeve të auditimit, sepse vetëm 45% të rekomandimeve të auditimit janë zbatuar në vitin 2019 edhe pse krahasuar me vitin 2018 kishte një ngritje akoma nuk është në nivelin e kënaqshëm. Gjithashtu gjatë këtij takimi janë prezantuar rezultatet e anketës së realizuar nga  SIGMA e cila ka pasur për qëllim të identifikojë temat në të cilat Rrjeti duhet të fokusohet në tri vitet e ardhshme. SIGMA ka dhënë pikëpamjet e saj mbi sfidat me të cilat përballen vendet në lidhje me përpjekjet e tyre për reformimin e sistemeve të tyre të menaxhimit të administratës publike dhe financave publike. Krerët e ISA-ve janë dakorduar që gjatë vitit 2022 aktivitetet kryesisht do të mbahen në formatin online. Ndërsa,  pikëpamjet dhe sugjerimet e tyre për sa i përket planit final të punës për periudhën tri vjeçare do t’i shkëmbejn përmes komunikimit elektronik, para miratimit të planit.
Lexo më shumë