Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
4/21/2022 4:04:51 PM

ZKA-ja dhe USAID-i avancojnë bashkëpunimin përmes projektit të ri ‘Integriteti i Komunave të Kosovës’

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka pritur sot në takim Zëvendës Drejtorin e Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje të USAID-it, Jamie Evans Butler, për të diskutuar modalitetet e bashkëpunimit në mes të ZKA-së dhe USAID-it përmes zbatimit të projektit të ri  nga USAID “Integriteti i Komunave të Kosovës”. Fillimisht Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e deritanishëm të ZKA-së me USAID-in, si dhe ka shprehur përkushtimin e saj për avancimin e këtij bashkëpunimi në kuadër të projektit të ri. Në veçanti znj. Spanca, ka përmendur bashkëpunimin e shkëlqyer në mes të dy organizatave në kuadër të projektit “Komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse” përmes të cilit ZKA-ja ka përfituar shumë në fushën e prokurimit publik dhe të performancës. “Një përfitim i cili i ka shtuar vlerë institucionit tonë është ndihma që kemi marrë nga USAID-i në themelimin e njësisë kundër mashtrimit, ofrimin e trajnimeve në fushën e mashtrimit dhe korrupsionit që kanë ndikuar në avancimin e kapaciteteve tona profesionale, si dhe hartimin e udhëzuesit kundër mashtrimit. ZKA, përmes kësaj njësie bën filtrimin shtesë të rezultateve të auditimit duke selektuar çështjet me elemente të mashtrimit dhe duke i dërguar tek Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit. Ndërlidhur më këtë, deri më tani janë raportuar mbi 193 raste të tilla”, ka deklaruar Auditorja e Përgjithshme. Sa i përket projektit të ri nga USAID “Integriteti i Komunave të Kosovës” Auditorja e Përgjithshme ka theksuar se është një mundësi për përmirësimin e qeverisjes dhe menaxhimit financiar në institucionet e pushtetit lokal. Ky projekt ka për qellim që të nxisë: angazhimin e agjencive të qeverisë qendrore në mbikëqyrjen më efektive të financave publike dhe llogaridhënies; angazhimin e komunave për planifikim buxhetor, prokurim publik dhe menaxhim të kontratave;  aplikimin e praktikave të mira që ofrojnë një auditim të brendshëm llogaridhënës; si dhe angazhimin e shoqërisë civile, sektorit privat dhe mediave për përmirësimin e integritetit në sektorin publik dhe privat në prokurimin publik. Të pranishëm në këtë takim bashkë më Auditoren e Përgjithshme kanë qenë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, dhe u.d i Ndihmës Auditorit të Përgjithshëm, Zukë Zuka, ndërsa nga USAID-i, Jeton Cana menaxher i projektit,  Aferdita Mekuli u.d i drejtorit të projektit “Integriteti i Komunave të Kosovës” dhe Ruzhdi Zeqiri udhëheqësi i objektives së parë të projektit.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme i jep vëmendje qasjes strategjike në menaxhimin e financave publike në vend

Auditorja e Përgjithshme i jep vëmendje qasjes strategjike në menaxhimin e financave publike në vend

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe drejtoresha për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qëndresa Mulaj, sot kanë mbajtur takim me ekspertin nga Lituania, Rimantas Veckys, i cili është i angazhuar në kuadër të Projektit të BE-së për reformën në menaxhimin e financave publike, i zbatuar nga GIZ-i. Z. Veckysi është i angazhuar për të mbështetur ekipin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në zhvillimin e objektivave dhe prioriteteve strategjike të cilat do të jenë pjesë e Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin e Financave Publike (2022-2026). Gjatë këtij takimi është diskutuar për qasjen strategjike në menaxhimin e financave publike në Kosovë përkatësisht për objektivat  dhe prioritetet strategjike të ZKA-së në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin e Financave Publike. Auditorja e Përgjithshme, znj. Spanca ka shprehur përkushtimin e saj dhe të bashkëpunëtorëve të ZKA-së për një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe frytdhënës në dhënien e kontributit për vendosjen e objektivave afatgjata të kësaj fushe, si dhe realizimin e synimeve për një menaxhim më të mirë dhe të shendosh të parasë publike. Nga ana tjetër eksperti  Rimantas Veckys ka falënderuar Auditoren e Përgjithshme dhe përfaqësuesit tjerë të ZKA-së për pritjen duke e vlerësuar të rëndësishme mundësinë që të jap kontributin e tij në kuadër të këtij projekti. Veckys ka një përvojë disa vjeçare në vende të ndryshme përfshirë edhe ato të rajonit.
Lexo më shumë
ZKA-ja avancon metodologjinë e punës për auditimet e performancës dhe auditimet e sistemeve të informacionit

ZKA-ja avancon metodologjinë e punës për auditimet e performancës dhe auditimet e sistemeve të informacionit

-ZKA-ja publikon Udhëzuesin për Planifikimin Strategjik të Auditimeve të Performancës dhe Udhëzuesin e Auditimit të Teknologjisë së Informacionit Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës për herë të parë ka hartuar dhe publikuar dy udhëzues të rëndësishëm për punën audituese përmes të cilëve synon të siguroj cilësinë e auditimeve të performancës dhe atyre të sistemeve të TI-së.   Udhëzuesi për Planifikimin Strategjik të Auditimeve të Performancës paraqet procesin e planifikimit strategjik të auditimeve të performancës duke dhënë udhëzime të qarta për mënyrën se si ZKA-ja do të fokusojë burimet e saja për auditim në fushat me rëndësi, që duhet të vihen në vëmendjen e Kuvendit dhe janë në interes të qytetarëve; të sigurojë qëndrueshmëri në planifikimin e temave të auditimit të performancës; si dhe të shërbejë si bazë për një proces planifikimi strategjik të strukturuar mirë në përzgjedhjen e temave bazuar në rrezik. Ky dokument është zhvilluar në bashkëpunim me KPMG-në dhe me përkrahjen e projektit TEAM i financuar nga USAID. Udhëzuesi i Auditimit të Teknologjisë së Informacionit (TI), përfshin një pamje të përgjithshme të fushave të reja në auditimin e TI-së, dhe ka për qëllim pajisjen e auditorëve të Teknologjisë së Informacionit me udhëzime të detajuar mbi fusha të ndryshme të auditimit të TI-së ashtu si edhe të udhëzojë hap pas hapi se si të planifikohen auditimet. Manuali përfshin përmbledhjen e përkufizimit të auditmit të TI-së, mandatin e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA), si dhe qëllimin dhe objektivat e auditorëve të TI-së. Gjithashtu shpjegon kontrollet e përgjithshëm të TI-së dhe kontrolleve të aplikacionit si dhe marrëdhënien në mes tyre. Manuali i Auditimit të Teknologjisë së Informacionit është produkt i grupeve punuese të teknologjisë së informacionit të EUROSAI-t (WGITA) si dhe Iniciativës për Zhvillim të INTOSAI-t (IDI) për caktimin e rregullave dhe standardeve të Auditimit të Teknologjisë së Informacionit. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka falënderuar punonjësit e ZKA-së për punën e pakursyer në zhvillimin e auditimeve të teknologjisë së informacionit si dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë për bashkëpunimin e shkëlqyer me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës në fushën e auditimit të teknologjisë së informacionit. “Duke marr parasysh rëndësinë e tyre, Zyra Kombëtare e Auditimit ka fuqizuar auditimet e sistemeve të informacionit, përmes vendosjes në përdorim të këtij manuali dhe zhvillimit profesional të kapaciteteve njerëzore. Krahas zhvillimit profesional, ZKA-ja ka kryer një numër të auditimeve të teknologjisë së informacionit si kombinim i auditimeve të performancës, atij financiar e tashmë edhe si auditime të veçanta të sistemeve të informacionit”, ka deklaruar Spanca, duke shtuar se në Planin Strategjik 2022-2025, ZKA-ja do t’i jep prioritet zhvillimit dhe rritjes së mëtutjeshme të kapaciteteve në fushën e auditimit të teknologjisë së informacionit. Znj. Spanca, ka thënë se këto dokumente do t’ju shërbejnë auditorëve për kryerjen e auditimeve cilësore të cilat do të ndikojnë në rritjen e ekonomicitetit, efikasitetit dhe efektivitetit në institucionet publike si dhe rritjes së besueshmërisë në sistemet e teknologjisë si informacionit të cilat përdoren nga sektori publik.
Lexo më shumë