Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
4/29/2022 5:58:55 PM

Raporti Vjetor i Performancës së ZKA-së për vitin 2021 dorëzohet në Kuvendin e Kosovës

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të premten i ka dorëzuar Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të Performancës (RVP) për vitin 2021. Ky raport përmban informata të rëndësishme rreth performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit në përmbushjen e obligimeve të saj kushtetuese e ligjore, gjatë këtij viti. Puna e Institucionit të Auditorit të Përgjithshëm gjatë vitit 2021 është mbështetur në Planin Strategjik 2018-2021 duke u fokusuar në përmbushjen e misionit kushtetues e ligjor, zhvillimin e kapaciteteve profesionale si dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira me palët e jashtme. Aktiviteti auditues është kryer sipas Planit Vjetor të Auditimit  për sezonin auditues 2020/21, ku janë publikuar 131 raporte të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë si dhe performancës. Auditorja e Përgjithshme, znj. Spanca, në fjalën e saj ka theksuar se pavarësisht sfidave me pandeminë Covid 19, ZKA-ja ka arritur të përmbushë objektivat institucionale në afat ligjor duke audituar fusha me interes për Kuvendin dhe qytetarët. “Gjatë vitit 2021, kemi kryer auditimin e Raportit Vjetor Financiar, përfshirë evidencat përkatëse të buxhetit të shtetit për vitin 2020, i cili është mbështetur nga auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë të të gjitha organizatave buxhetore, dhe ndërmarrjeve publike. Gjithashtu, kemi kryer auditimet e performancës, prokurimit publik dhe të teknologjisë së informacionit, si dhe auditimet e projekteve të financuara nga fondet e donatorëve”, është shprehur znj. Spanca, duke shtuar se për herë të parë në vitin 2021 janë kryer auditimet e veçanta të pajtueshmërisë dhe po ashtu janë audituar informata të klasifikuara me ligj. Këto auditime kanë rezultuar me një numër të konsiderueshëm të rekomandimeve për përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe shfrytëzimin e fondeve publike me efikasitet, efektivitet dhe arritjen e vlerës për para. “Përmes rekomandimeve të auditimit ZKA-ja ka shtrirë më tej ndikimin e saj, ku është vërejtur një progres i lehtë në rritjen e shkallës së zbatimit të tyre”, ka theksuar znj. Spanca në fjalën e saj. Për të rritur përgjegjshmërinë në sektorin publik, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka shpalosur se janë dërguar 52 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit në Prokurori të Shtetit. Po ashtu gjatë vitit 2021, ZKA-ja ka avancuar metodologjinë për auditime financiare dhe të pajtueshmërisë, digjitalizimin e punës audituese, duke shtuar dhe përsosur me mundësi të reja sistemin elektronik të auditimit. Raporti përmban informacion të hollësishëm edhe për menaxhimin financiar dhe administrativ të ZKA-së, burimet njerëzore, zhvillimin profesional të stafit si dhe komunikimin dhe bashkëpunimin me publikun dhe palët e interesit. Vlen të theksohet se në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, ZKA-ja ka marrë pjesë në aktivitete të organizatave ndërkombëtare si: INTOSAI, EUROSAI dhe atyre regjionale, ndërsa është përmbyllur me sukses zbatimi i projektit të binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës” me Institucionin Suprem të Auditimit të Polonisë, i financuar nga Bashkimi Evropian. Gjithashtu, ka vazhduar bashkëpunimi me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë në fusha të ndryshme të zhvillimit institucional, me theks në fushën e auditimit të përformancës. Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2021 mund ta gjeni këtu.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja konfirmon zotimin për të bashkëpunuar me projektin e ri të DEMOS-it në përmirësimin e qeverisjes lokale

ZKA-ja konfirmon zotimin për të bashkëpunuar me projektin e ri të DEMOS-it në përmirësimin e qeverisjes lokale

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe  Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj kanë takuar të premten përfaqësuesit e projektit të DEMOS-it, Ertan Munoglu, Menaxher i Projektit, Ilire Daija Buza, Menaxhere e lartë e ndërhyrjes dhe Drilon Shala, Menaxher i lartë i  ndërhyrjes. Takimi kishte për qëllim formësimin e vazhdimit të bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA)  dhe zbatimin e projektit të ri katër vjeçar të DEMOS-it. Përfaqësuesit e DEMOS-it prezantuan objektivat e projektit të ri dhe fokusuan diskutimin në kushtin minimal të Grantit të Performancës Komunale që ndërlidhet me opinionet e auditimit të dhëna nga ZKA-ja për komunat e Kosovës, auditimet sociale dhe auditimin e veçantë për grantet. Auditorja e Përgjithshme znj. Spanca, duke theksuar rëndësinë e madhe që ka ky projekt për të ndihmuar komunat në përmirësimin e menaxhimit të financave publike, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies si dhe avancimin e qeverisjes lokale,  ka ofruar  bashkëpunimin e nevojshëm të saj dhe të ZKA-së për të mbështetur dhe lehtësuar zbatimin e këtij projekti. Pjesëmarrësit u dakorduan që në vazhdën e aktiviteteve të këtij projekti të krijohen grupe punuese të përbashkëta të cilët përmes takimeve, punëtorive dhe formave tjera do të kontribuojnë dhe lehtësojnë procesin e përmbushjes së objektivave të këtij projekti.
Lexo më shumë
Ftesë për media

Ftesë për media

Të nderuar përfaqësues të mediave, Ju ftojmë të ndiqni konferencën për media të Auditores se Përgjithshme, Vlora Spanca, me rastin e fillimit të publikimit të raporteve të auditimit për sezonin auditues 2021/22. Konferenca do të mbahet:

   Të enjten, me datë 12.05.2022

   në ora 11:00

                                    në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit,

                        Lagjja Arbëria, Rr.Ahmet Krasniqi, 210

                     Prishtinë

Në këtë konferencë Auditorja e Përgjithshme do të prezantojë çështjet kryesore të paraqitura në raportet e auditimit të rregullsisë për:
  • Komunën e Gjilanit;
  • Komunën e Skenderajt;
  • Komunën e Vushtrrisë;
  • Komunën e Graçanicës;
  • Komunën e Zveçanit;
  • Komunën e Shtërpcës;
  • Komunën e Mitrovicës së Jugut;
  • Komunën e Mitrovicës së Veriut;
  • Komunën e Novobërdës;
  • Komunën e Kamenicës; dhe
  • Ministrinë e Ekonomisë.
Si dhe çështjet në dy raporte të auditimit të performancës që janë:
  • Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare (Testi PISA); dhe
  • Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018 – 2020)
   
Lexo më shumë