Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/10/2022 11:08:35 AM

Auditori publikon edhe 26 raporte të auditimit të rregullsisë dhe performancës

Vazhdon publikimi i raporteve të auditimit edhe për trembëdhjetë komuna, gjashtë ministri, katër ndërmarrje publike, si dhe tri raporte të auditimit të performancës  Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka vazhduar me publikimin e raporteve të  auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë edhe për njëzetegjashtë institucione si: komuna, ministri dhe ndërmarrje publike, përfshirë këtu edhe tri raporte të auditimit të performancës siç janë: “Sistemi për Menaxhimin e Pagave”; Sistemi Informativ i Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrit Civil”;  si dhe “Menaxhimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës”. Në 23 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë janë dhënë 15 opinione të modifikuara, prej tyre 11 të kualifikuara dhe katër opinione të kundërta, si dhe tetë opinione të pamodifikuara. Opinioni i auditimit u është kualifikuar këtyre institucioneve: Komunës së Malishevës; Komunës së Zubin Potokut; Komunës së Ferizajt; Komunës së Deçanit; Komunës së Kllokotit; Komunës së Kaçanikut; Komunës së Prizrenit; Ministrisë së Shëndetësisë; Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës”; si dhe Universitetit të Prishtinës. Kurse opinion i kundërt i auditimit u është dhënë Radio Televizionit të Kosovës,  Ndërmarrjes Publike “Termokosi”, KRU “Hidroregjioni Jugor” sh.a, Prizren, dhe KRU “Hidromorava”, sh.a. Gjilan. Ndërsa opinion i pamodifikuar iu është dhënë institucioneve si në vijim: Komunës së Gjakovës; Komunës së Vitisë; Komunës së Drenasit; Komunës së Obiliqit, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve; Ministrisë së Drejtësisë; Ministrisë së Zhvillimit Rajonal; si dhe Administratës Tatimore të Kosovës. Institucioneve publike u është kualifikuar opinioni i auditimit për shkak se Pasqyrat Vjetore Financiare (PVF) përmbajnë keqdeklarime materiale, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me  regjistrimin dhe raportimin jo të saktë dhe jo të plotë të pasurive jofinanciare, si dhe keqklasifikimet e shpenzimeve në kode ekonomike. Ndërsa opinioni i kundërt i është dhënë atyre institucioneve që Pasqyrat Vjetore Financiare të tyre nuk prezantojnë një informacion të plotë dhe të saktë dhe ato përmbajnë gabime të përhapura në raportimin e zërave kontabël nëpër pozicione të caktuara (pasuri, paga, llogaritë e arkëtueshme dhe obligime). Përveç opinionit të auditimit, ZKA-ja ka vlerësuar edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve/operacioneve të institucioneve publike me kornizën ligjore në fuqi, për rrjedhojë rezultatet  e auditimit kanë nxjerrë në pah se ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe të kontrollit. Ndër parregullsitë kryesore dhe më të shpeshta të cilat ZKA-ja i ka identifikuar përmes këtyre auditimeve janë: dobësi në menaxhimin e pasurisë; dobësi në menaxhimin e llogarive të arkëtueshme; dobësi në procesin e prokurimit; dobësi në menaxhimin e të hyrave; dobësi në menaxhimin e subvencioneve; dobësi në menaxhimin e obligimeve; mos harmonizimi i raportit të inventarizimit me regjistra të pasurisë; mos prezantim i saktë i investimeve në vijim; vonesa në pagesën e faturave; mos funksionimi i Komitetit të Auditimit; mangësi në Sistemin e Auditimit të Brendshëm; klasifikimi jo adekuat i shpenzimeve; prezantimi jo i saktë i detyrimeve kontingjente në PVF; angazhime për shërbime të veçanta pa procedura ligjore; si dhe mangësi në ekzekutimin e pagesave. Në këto raporte të auditimit janë dhënë një numër i konsiderueshëm i rekoamandimeve për krerët e institucioneve për të kërkuar vëmendjen e tyre për veprime konkrete me qëllim të sigurimit se paraja publike shpenzohet në përputhje me kornizën ligjore dhe për qëllimin e synuar dhe planifikuar. Në përputhje me mandatin dhe kompetencat ligjore, Departamenti për Çështje Jurudike dhe Kundër Mashtrimeve në ZKA, deri tani ka analizuar 30 raporte të auditimit, me ç’rast ka identifikuar 24 raste të dyshimit për kryerjen e veprave penale. Për këto raste janë dërguar informacione te Prokurori i Shtetit për trajtim të mëtutjeshëm. Që nga fillimi i procesit të publikimit të raporteve për këtë sezon auditues, ZKA-ja ka përfunduar dhe publikuar gjithsej 52 raporte të auditimit. Tani ekipet e auditimit janë në fazën intensive të përfundimit të auditimeve dhe siç kërkohet me ligj deri në fund të qershorit 2022 do të publikohen të gjitha raportet individuale të auditimit të rregullsisë, të planifkiuara me Planin e punës për sezonën audituese 2021/2022.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja dhe Kuvendi diskutojnë për gjendjen në prokurimin publik nga perspektiva e auditimit

ZKA-ja dhe Kuvendi diskutojnë për gjendjen në prokurimin publik nga perspektiva e auditimit

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, kanë pritur sot në takim përfaqësues të Grupit Punues të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere i cili ka për qëllim mbikëqyrjen e zbatimit të  Ligjit nr.04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, në përbërje të Pal Lekaj kryesues, Visar Korenica anëtar, si dhe përfaqësues të administratës së Kuvendit dhe  shoqërisë civile. Grupi punues ka shprehur interesim që të informohet lidhur me aktivitetet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) sa i përket zbatimit të këtij ligji, problemet dhe vështirësitë në implementimin e tij si dhe nevojat eventuale për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës. Znj. Spanca i ka njoftuar pjesëmarrësit, për gjendjen në prokurimin publik në Kosovë nga perspektiva e auditimit, për gjetjet më të shpeshta të auditimit në fushën e prokurimit si dhe për rekomandimet përkatëse që Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dhënë me qëllim të përmirësimit të nevojshëm. Me këtë rast, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se Ligji për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës është mjaft i konsoliduar, por ka nevojë që të amandamentohet për t’iu mundësuar organizatave buxhetore që t’i arrijnë në mënyrë më efikase objektivat e veta të prokurimit. Gjithashtu gjatë këtij takimi anëtarët e Grupit punues të Komisionit parlamentar kanë parashtruan pyetje lidhur me zbatimin e këtij Ligji nga ana entiteteve që janë subjekt i auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe se bashku është diskutuar për çështjet të ndryshme për përmirësim në këtë fushë.
Lexo më shumë
ZKA-ja identifikon mangësi në sistemin e menaxhimit të pagave në sektorin publik

ZKA-ja identifikon mangësi në sistemin e menaxhimit të pagave në sektorin publik

Pavarësisht ekzistencës se kontrolleve manuale për të ruajtur besueshmërinë e sistemit, rezultatet e auditimit kanë venë në pah se procesi i ekzekutimit të pagave si dhe sistemi që menaxhon këtë proces ka nevojë për përmirësim, me qëllim të rritjes së efektivitetit dhe saktësisë së të dhënave. Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) sot ka publikuar raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi për Menaxhimin e Pagave”. Ky auditim kishte për qëllim vlerësimin nëse ekziston një mjedis efektiv i kontrollit që siguron se Sistemi për Menaxhimin e Pagave (Payroll) mbështet procesin e pagave, si dhe ofron të dhëna të sakta, të besueshme, të tërësishme dhe në kohë. Rezultatet e auditimit tregojnë se Thesari nuk ka të vendosur strukturë organizative të përshtatshme për funksionimin e duhur të sistemit dhe procesi i punës nuk ishte i bazuar në objektiva strategjike për të mbështetur këtë sistem duke rrezikuar që të mos përmbush objektivin e tij rreth menaxhimit të pagave për sektorin publik. Në mungesë të procedurave dhe planeve adekuate strategjike, Thesari rrezikon që të mos arrihet objektivi i paraparë i organizatës dhe ndryshimet në proceset për realizimin e pagave të mos arrihen. “Vendosja e divizionit të TI-së dhe divizionit të pagave në pozicion jo të duhur, ndarja joadekuate e detyrave si dhe mungesa e strukturës së qartë organizative, bëjnë që procesi i pagave të mos mund të jetë transparent dhe llogaridhënës, gjithashtu rrezikon në mosarritjen e qëllimeve dhe përmbushjen e nevojave të tij”, thuhet në raportin e auditimit. Po ashtu Sistemi për menaxhimin e pagave nuk ka dokumentim të proceseve si dhe nuk ka kontrolle të mjaftueshme për ndryshimet që bëhen në këtë sistem. Kjo rrit rrezikun që në sistem të ketë gabime, ndryshime të pa aprovuara ose aksidentale. Auditimi ka venë ne pah se kontrollet e aplikacionit të vendosura në sistemin e pagave nuk janë të mjaftueshme për të mbështetur procesin e pagave. Kontrollet e aplikacionit kishin mangësi që nga vendosja e të dhënave hyrëse, përpunimit të pagave si dhe në kontrollet e sigurisë së informacionit në këtë sistem. Gjithashtu në sistemin e pagave fusha për regjistrimin e përvojës së punës nuk kishte të vendosur kontrollet hyrëse të nevojshme. Sistemi nuk mundëson regjistrimin e kategorive të veçanta për zyrtarët publik si dhe janë identifikuar raste me statusin e dy pagave primare në sistem. Mangësi janë identifikuar edhe në kalkulim te përvojës së punës ku shtesa e përvojës së punës nuk kalkulohet në muajin në të cilin përmbushet kriteri prej një viti si dhe kalkulimi i shtesës së përvojës së punës bëhet për një vit më pak nga sa ju takon dhe  nuk është në përputhje me vitet në sistem. Kjo mangësi kishte filluar të paraqitet qysh nga viti 2018.    Sipas gjetjeve të këtij auditimi, Thesari nuk kishte hartuar një procedurë për menaxhimin dhe  monitorimin e llogarive të përdoruesve të sistemit për menaxhimin e pagave, ekzistojnë qasje të plota të të njëjtit zyrtarë në aplikacion dhe në bazën e të dhënave të SMP-së si dhe nuk ka mekanizma për monitorimin e aktiviteteve të këtyre përdoruesve. Kjo mund të ndikoj në rritjen e rrezikut të mos identifikimit të gabimeve apo keqpërdorimeve të mundshme. Meqenëse përmes sistemit për menaxhimin e pagave paguhen të gjithë të punësuarit në sektorin publik në Republikën e Kosovës, dhe se në këtë sistem menaxhohen rreth 30% të shpenzimeve të buxhetit të shtetit dhe administrohen mesatarisht tetëdhjetëetremijë (83,000) paga çdo muaj,   Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se rezultatet e auditimit kanë venë në pah se procesi i ekzekutimit të pagave si dhe sistemi që menaxhon këtë proces kanë nevojë për përmirësim, me qëllim të rritjes së efektivitetit dhe saktësisë së të dhënave.  Prandaj ka rekomanduar institucionet përgjegjëse që t’i ndërmarrin hapat e nevojshme për të siguruar se sistemi që përdoret për menaxhimin e pagave t’i përmbajë standardet e kërkuara duke  menaxhuar  në mënyrë efikase shpërndarjen e tyre. Me qëllim të adresimit të çështjeve rreth qeverisjes së TI-së, operacioneve të TI-së dhe kontrolleve të aplikacionit si dhe procesit të pagave në përgjithësi, përmes këtij raporti të auditimit Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 19 rekomandime për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve. Raportin e plotë të auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi për Menaxhimin e Pagave” e gjeni këtu.
Lexo më shumë