Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/22/2022 4:35:59 PM

Mbahet tryeza “Fuqizimi i bashkëpunimit mes ZKA-së dhe shoqërisë civile për të rritur ndikimin e auditimit në institucionet publike”

ZKA-ja synon rritjen e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile gjatë gjithë procesit të auditimit Në kuadër të bashkëpunimit dhe partneritetit me organizatat e shoqërisë civile,  shoqatat profesionale dhe donatorët, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka mbajtur të mërkurën tryezën me temën “Fuqizimi i bashkëpunimit mes ZKA-së dhe shoqërisë civile për të rritur ndikimin e auditimit në institucionet publike”. Në këtë tryezë zyrtarë të lartë të ZKA-së dhe përfaqësues të OShC-ve, shoqatave profesionale dhe donatorëve kanë trajtuar tema të rëndësisë së veçantë dhe me interes për t’u audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit në sezonin auditues 2022 – 2023. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është shprehur se qëllimi kryesor i kësaj tryeze është rritja e bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe nxitja e transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e fondeve publike. “Kjo tryeze është vazhdimësi e bashkëpunimit që institucioni ynë ka me organizatat e shoqërisë civile dhe palët tjera të interesit. Bashkëpunimi i ZKA-së si një Institucion Suprem i Auditimit me ju është i një rëndësie të veçantë për shkak se jo vetëm që marrim nga ju informacion lidhur me problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët dhe problematikat e menaxhimit të fondeve publike mirëpo përmes këtij bashkëpunimi ne rrisim edhe besimin e publikut për punën tonë”, ka deklaruar znj. Spanca. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka bërë më dije se deri më tani angazhimi i shoqërisë civile ka qenë kryesisht në dhënien e kontributit në përzgjedhjen e temave të auditimit. Mirëpo, objektivë strategjike e ZKA-së është që shoqëria civile të përfshihet edhe në fazat e tjera gjatë kryerjes se auditimit mirëpo edhe në fazën e raportimit. “Përmes kësaj synojmë të rrisim transparencën, llogaridhënien, pjesëmarrjen demokratike dhe besimin e publikut. Kjo rregullohet edhe me standardet ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të auditimit (ISSAI 20) që rregullojnë parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, është shprehur znj. Spanca. Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi, ka prezantuar informata mbi procesin, metodologjinë e auditimit dhe synimin e ZKA-së që të trajtojë me përparësi tema të interesit publik për auditimet e performancës. Gashi në vazhdim ka prezantuar para pjesëmarrësve disa tema të mundshme për auditim në fusha të ndryshme siç janë zhvillimi ekonomik, mjedisi dhe siguria, mirëqenia ekonomike dhe sociale, arsim dhe kulturë, prokurim publik si dhe sisteme dhe teknologji të informacionit. Ajo ka sqaruar se për identifikimin e këtyre temave nga stafi auditues janë marrë për bazë raportimet në media dhe problematikat më të shprehura përmes raportimeve apo diskutimeve publike. Ndërkohë, përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile kanë shprehur gatishmërinë për të dhënë kontributin e tyre në këtë proces duke e konsideruar si shumë të rëndësishëm. Ata, përveç që janë dakorduar dhe kanë konfirmuar propozimet e temave nga ZKA më tutje kanë propozuar tema të rëndësishme për tu konsideruar nga Auditorja e Përgjithshme nëse mund të përfshihen në planin e auditimit për sezonin 2022-2023 dhe kanë shprehur gatishmërinë e tyre të plotë për bashkëpunim. Ka pasur një pajtueshmëri të plotë nga ana e tyre për sa i përket nevojës që të rritet numri i auditimeve të performancës dhe që ZKA-ja të ketë mundësi të rris kapacitetet njerëzore në këtë aspekt. Fokus i veçantë nga ana e OSHC-ve ka qenë edhe niveli i zbatimit të rekomandimeve të të ZKA-së dhe masat e ndërmarra nga institucionet publike. Është theksuar se niveli aktual nuk është i kënaqshëm dhe se palët përgjegjëse duhet të bëjnë më shumë për adresimin e këtyre rekomandimeve të cilat drejtpërsëdrejti ndikojnë në përmirësimin e jetës se qytetarëve. Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se pavarësisht kërkesave dhe interesimit qoftë nga Kuvendi, OShC-të dhe palët tjera të interesit që të rritet numri i auditimeve të performancës, aktualisht kjo është e pamundur për shkak të obligimit ligjor për të kryer auditime të rregullsisë në të gjitha organizatat buxhetore. Megjithatë, ZKA-ja angazhohet që në vazhdimësi t’i ofrojë Kuvendit dhe qytetarëve informacion objektiv dhe të pavarur për fusha të rëndësishme që kanë të bëjnë me menaxhimin e fondeve publike dhe mbi këtë bazë orienton edhe angazhimin edhe burimet e veta në dispozicion për të arritur më të mirën e mundshme, ka theksuar znj. Spanca. Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, në përmbyllje të këtij dikutimi, pasi ka përmbledhur rezultatet e kësaj tryeze, ka vlerësuar se synimi i përbashkët dhe kryesor në këtë ngjarje dhe aktivitetet pasuese përkitazi më këtë është prioritizimi i temave të auditimit që janë të interesit më të lartë publik. Të pranishmit janë dakordur që dialogu i ZKA-së dhe OSHC-ve të vazhdojë dhe të forcohet edhe më tutje përmes formave të ndryshme të bashkëpunimit.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja organizon aktivitetin e përvitshëm të dhurimit të gjakut

ZKA-ja organizon aktivitetin e përvitshëm të dhurimit të gjakut

Me iniciativë të Sindikatës së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe me përkrahjen e menaxhmentit, si dhe në koordinim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, të martën në ambientet e ZKA-së është organizuar aktiviteti  i përvitshëm i dhurimit të gjakut. Në kuadër të shënimit të Javës për dhurim të gjakut si dhe me moton “Dhuroni gjak, shpëtoni jetë” në mënyrë vullnetare dhjetëra punonjës të ZKA-së kanë dhuruar gjak. Punonjësit e ZKA-së më këtë rast kanë shprehur gatishmërinë për t’u solidarizuar me të gjithë ata që kanë nevojë për marrje të dozave të gjakut, duke kontribuar kështu sado pak për shërimin e tyre. Drejtuesit e Sindikatës së ZKA-së kanë falënderuar të gjithë punonjësit për realizimin me sukses të këtij aktiviteti human. Aksioni i ZKA-së për dhurimin e gjakut është mirëpritur dhe përshëndetur nga zyrtarë të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Aktiviteti human për dhurimin e gjakut në ZKA tashmë është bërë traditë meqë ky institucion organizon tash e disa vjet me radhë këtë aktivitet.
Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme dhe Avokati i Popullit kërkojnë rritjen e vëmendjes për mbrojtjen e mjedisit dhe ujrave në vend

Auditorja e Përgjithshme dhe Avokati i Popullit kërkojnë rritjen e vëmendjes për mbrojtjen e mjedisit dhe ujrave në vend

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj kanë organizuar tryezën “Ujrat e drejtë e njeriut – mbikëqyrja dhe llogaridhënia”. Me këtë rast, Auditorja e përgjithshme është shprehur se krijimi i mjedisit të sigurt jetësor si dhe mbrojtja e tij, janë çështje vendimtare për shëndetin e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit. “Sipas praktikave të mira evropiane, një sistem i qëndrueshëm, efikas dhe i integruar për mbrojtjen e mjedisit ekziston kur autoritetet publike bashkëpunojnë dhe koordinojnë veprimet mes veti për hartimin dhe zbatimin e çdo aktiviteti apo mase me qëllim të mbrojtjes së mjedisit. Praktikat e këtilla kërkojnë monitorim të vazhdueshëm të veprimeve karshi mjedisit. Monitorimi i mbrojtjes së mjedisit, rezulton me raportim të gjendjes mjedisore për ligjdhënësin dhe publikun.”, ka deklaruar znj. Spanca. Auditorja e Përgjithshme ka shtuar se duke e ditur rëndësinë mjedisore, implikimet buxhetore të veprimeve për mbrojtjen mjedisore, ZKA-ja po thuasje cdo vit i ka ofruar Kuvendit të Kosovës dhe qytetareve informacion objektiv dhe të pavarur për disa segmente të veçanta të mbrojtjes së mjedisit siç janë; auditimi i sistemit të licencimit të gurëthyesve, trajtimi menaxhimi dhe asgjësimi i mbeturinave komerciale, cilësia e ajrit dhe auditimi për qëndrueshmërinë e masave kombëtare për mbrojtjen e mjedisit. Ajo ka theksuar në veçanti se sot poashtu publikohet dhe prezantohet një auditim mjaft i rëndësishëm i cili trajton sistemin e licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimin e tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra. Nga ana tjetër Avokati i Popullit në fjalën e tij ka deklaruar se Institucioni i Avokatit të Popullit përmes raporteve të veta ka konstatuar se edhe mëtutje në Kosovë nuk janë shënuar përmirësime në mjedis dhe se gjendja në këtë fushë nuk është e mirë. Janë identifikuar probleme me mos trajtimin e ujrave si duhet, më përdorimin e lumenjve në mënyrë të pa kontrolluar. “E drejta për mjedis është po aq e rëndësishme sa edhe e drejta për jetë, prandaj mbrojtja e kësaj të drejte sot në botë trajtohet jo rrallëherë edhe në gjykatat e niveleve më të larta” ka theksuar Avokati i Popullit. Në kuadër të tryezës janë paraqitur të gjetura dhe rekomandime të rëndësishme të rezultuar nga raporti i auditimit të performancës“ Sistemi i licencimit të hidrocentraveleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra” dhe të gjeturat nga Avokati i Popullit lidhur me gjendjen e ujërave në vend si dhe paraqitja e raportit me rekomandime për hidrocentralet. Raporti i auditimit të performancës “Sistemi i licencimit të hidrocentraveleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra” është preznatuar nga Labonit Sadiku, Udhëheqës i Ekipit të Auditimit. Me këtë rast, Sadiku ka thënë se objektivë e këtij auditimi ishte të vlerësojmë nëse sistemi i licencimit të hidrocentraleve është menaxhuar si duhet, ofron transparencë dhe siguron mbrojtje të ujërave dhe mjedisit përmes zbatimit të kritereve për licencim nga hidrocentralet e njëkohësisht janë arritur synimet për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme. Ai ka theksuar se konkluzioni i auditimit vë në pah se pavarësisht se institucionet e audituara kanë vendosur një sistem të licencimit të hidrocentraleve i cili është funksional, megjithatë karakterisohet me mangësi të thkeksuara në zbatimin e kritereve, i cili nuk siguron shfrytëzim efikas të ujrave në vend dhe menaxhim e mbrojtje të duhur të tyre dhe të mjedisit. Në anën tjetër, Deputet të Komisioneve Parlamentare, z. Salih Zyba, znj. Mirlinda Sadiku-Tishuku, znj. Albana Bytyqi pasi kanë përgëzuar dy institucionet për raportet e prezantuara dhe janë pajtuar më gjetjet përkatëse, kanë shprehur gatishmërinë e Kuvendit që kjo temë të trajtohet në Komisione dhe seanca plenare dhe të nxirren rekomandime për veprime konkrete.  Ndërsa, përfaqësues të shoqërisë civile dhe institucioneve publike kanë shprehur pikëpamjet e tyre se çështja e mbrojtjes se mjedisit duhet të jetë prioritet i veçanet për institucionet publike dhe palët tjera të përfshira. Në këtë tryezë morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe avokues të mbrojtjes të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së mjedisit.
Lexo më shumë