Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/30/2022 4:42:04 PM

ZKA-ja publikon raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”. Objektivë e këtij auditimi ishte të vlerësohej nëse Komuna e Ferizajt ishte efikase në planifikim dhe menaxhim si edhe nëse janë arritur objektivat e këtij projekti. Zyra Kombëtare e Auditimit ka audituar projektin që nga zanafilla e tij në dhjetor të vitit 2017 e deri në prill të vitit 2022, përfshirë planifikimin, procedurat e prokurimit, menaxhimin dhe arritjen e objektivave të projekti. Subjekt i këtij auditimi janë Komuna e Ferizajt dhe departamenti i Financave në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, i cili është përfshirë në fushëveprim sa i përket çështjes së pagesave të kryera në emër të projektit. Auditimi ka konstatuar se Komuna e Ferizajt nuk ishte efikase në planifikimin dhe menaxhimin e projektit "Bashkimi i qytetit" sepse kishte marrë më shumë kohë dhe kishte kushtuar më shumë se që ishte paraparë. Auditimi ka nxjerrë në pah, se si pasojë e planifikimit jo të mirë të projektit, komuna kishte kontraktuar shumë punë të cilat nuk ishin parashikuar në fillim dhe për pasojë kishte kosto shtesë, menaxhim jo efektiv të kontratave, kishte vonesë në kryerjen e punëve dhe ende nuk është bërë pranimi teknik i projektit. Po ashtu, komuna nuk ka bërë vlerësim lidhur me nivelin e arritjes së objektivave të ndërtimit të projektit, që do të thotë se nuk ka informacion se çfarë vlere i ka shtuar investimi jetës së qytetarëve të komunës. Komuna nuk e kishte përfshirë projektin në dokumentet strategjike duke e zbehur kështu transparencën ndaj qytetarëve. Nuk ishin buxhetuar mjete të mjaftueshme për realizimin e projektit dhe si pasojë projekti nuk ka arritur të realizohet me kohë. Komuna nuk kishte marrë të gjitha masat për të siguruar parakushte për ndërtim të papenguar të projektit. Përveç kësaj, kishte kontraktuar shërbime apo punë me çmim shumë më të lartë se vlera e parashikuar e kontratave duke e kufizuar konkurrencën mes operatorëve ekonomik. Kemi gjetur edhe se Komuna i kishte paguar operatorit ekonomik punë të cilat ende nuk janë përfunduar dhe në anën tjetër operatori ekonomik ka përfunduar punë për të cilat ende nuk është paguar. Komuna nuk ka njohuri se a i ka arritur objektivat e projektit sepse nuk ka hartuar një metodë për të matur ndikimin që do të ketë projekti në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca,  lidhur me këtë auditim ka shprehur shqetësimin lidhur me mungesën e kontrolleve në fazën e planifikimit, tenderimit dhe menaxhimit të projektit dhe ka deklaruar se është më se  e nevojshme që fondet publike të shpenzohen me përgjegjshmëri të plotë. Planifikimi i dobët dhe menaxhimi jo efektiv i kontratave publike që ndërlidhen me projektin “Bashkimi i qytetit” i ka kushtuar buxhetit të Kosovës shpenzime shtesë, dhe, edhe pas katër viteve projekti nuk ka përfunduar. Projektet e tilla me interes publik dhe me kosto të lartë financiare, duhet t’i nënshtrohen një diskutimi gjithëpërfshirës dhe me kohë me qytetarët dhe duhet të ketë objektiva të qarta dhe të matshme për realizmin e tyre. Me qëllim të përmirësimit të procesit të menaxhimit të projekteve të tilla ndërtimore kemi dhënë dy rekomandime për Ministrinë e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe 11 rekomandime për Komunën e Ferizajt. Raportin e plotë mund ta lexoni këtu.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme priti në takim Bordin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik

Auditorja e Përgjithshme priti në takim Bordin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka pritur sot në takim Bordin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik i kryesuar nga Osman Vishaj, Kryetar ku për qëllim kryesor kishte fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e prokurimit publik nga këndvështrimet e mandateve të dy institucioneve. Në takim u diskutuan çështje me interes e që kanë të bëjnë me fushën e prokurimit publik dhe mundësitë e ZKA-së dhe KRPP-së që përmes aktiviteteve të përbashkëta të ndikojnë në përmirësimin e menaxhimit të prokurimit publik dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Ndër çështjet kryesore që morën vëmendje të shtuar gjatë diskutimit në takim ishin, ndryshimi i Ligjit të prokurimit publik, prokurimi elektronik dhe përmirësimi i procesit të menaxhimit të kontratave. Procesi i menaxhimit të kontratave aktualisht nuk është i rregulluar mjaftueshëm përmes akteve ligjore dhe kjo po shkakton sfida të shumta në përmbushjen praktike të kontratave, prandaj kërkon nevojën për përfshirje më të gjerë në ndryshimet e Ligjit të prokurimit publik, u theksua në takim. Për shkak se autoritetet kontraktuese nuk po janë mjaftueshëm të përgjegjshme në këtë aspekt, shpesh herë moduli i sistemit elektronik e-prokurimi që është i dizajnuar enkas për menaxhim të kontratave publike po anashkalohet. Për pasojë,  për autoritetet  përgjegjëse për monitorim të aktiviteteve të prokurimit sikurse KRPP-ja por edhe ZKA-ja gjatë procesit të auditimit hasin në vështirësi në marrjen e informatave dhe përcjelljen e procesit në tërësi. Palët u dakorduan që të rritet bashkëpunimi në mes tyre dhe në të ardhmen të konkretizohet me trajnime, konferenca të përbashkëta dhe forma të tjera të ndërgjegjësimit, që kanë për synim të përmirësojnë në përgjithësi prokurimin publik në Kosovë. Përveç krerëve të të dy institucioneve, në takim morën pjesë nga ZKA edhe Zevendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Ushtruesi i Detyrës se Departamentit të Auditimit të Prokurimit Arben Selimi, ndërsa nga KRPP, anëtarët e Bordit, Avni Sahiti dhe Fidane Spahija Gjikolli.
Lexo më shumë
Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Të nderuar përfaqësues të mediave, Ju ftojmë të ndiqni konferencën për media të Auditores se Përgjithshme, Vlora Spanca, me rastin e përfundimit të sezonit auditues 2021/22 dhe procesit të publikimit të 121 raporteve të auditimit. Konferenca do të mbahet:                                             Sot, me datë 05.07.2022                                             në ora 11:00                                             në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit,                                             Lagjja Arbëria, Rr.Ahmet Krasniqi, 210                                             Prishtinë Në këtë konferencë Auditorja e Përgjithshme do të prezantojë çështjet kryesore të paraqitura në raportet e auditimit të rregullsisë dhe performancës/opinionet dhe parregullsitë kryesore të cilat ZKA-ja i ka identifikuar përmes auditimeve për vitin 2021. Auditorja e Përgjithshme në këtë konferencë do të paraqes edhe numrin e rasteve të dyshimit për kryerje të veprës penale të identifikuara nga procesi i auditimit dhe të dorëzuara në Prokurori. Ju mirëpresim!
Lexo më shumë