Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
8/31/2022 2:10:21 PM

Auditorja e Përgjithshme dorëzon në Kuvend Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës se Kosovës për vitin 2021

Cilësia e raportimit financiar në institucionet publike duhet të përmirësohet  Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën i ka dorëzuar Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës se Kosovës për vitin 2021. Ky raport përmban rezultatet kryesore të punës audituese përfshirë opinionin, gjetjet si dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Në fjalën e saj, Auditorja e Përgjithshme, ka bërë më dije se në sezonin auditues 2021/22, ZKA-ja, ka kryer 133 auditime duke realizuar plotësisht planin vjetor të auditimit. Në kuadër të tyre përfshihën: auditimi i raportit vjetor financiar të buxhetit të Republikës së Kosovës me mbi 2.5 miliardë euro, auditimi i 90 organizatave buxhetore, 12 ndërmarrjeve publike, 13 projekteve të financuara nga Banka Botërore dhe donatorët e tjerë, 3 raporte të auditimit të pajtueshmërisë prej të cilave 2 janë raporte me informata të klasifikuara (niveli i kufizuar i klasifikimit) si dhe 14 auditime të performancës. Fokusi kryesor i auditimit ka qenë në cilësinë e raportimit financiar, efikasitetin dhe efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, pajtueshmërinë e vendimeve të subjekteve të audituara me kornizën ligjore, si dhe çështjet të tjera që kanë të bëjnë me vlerën për para. Auditimi ka identifikuar mangësitë kryesore dhe më të shpeshta si: klasifikimi jo adekuat i shpenzimeve, problemet me menaxhimin e pasurive, detyrimeve të pa paguara, zhvillimi jo i mirë i procedurave të prokurimit dhe menaxhimit të kontratave, dështimi për të mbledhur llogaritë e arkëtueshme, etj. Në raport paraqitet se auditimet për organizatat buxhetore për vitin 2021 kanë rezultuar me numër më të lartë të opinioneve të auditimit të modifikuar për pasqyrat vjetore financiare. Nga 90 auditimet e organizatave buxhetore, 46 kanë rezultuar me opinion të pamodifikuar dhe 44 me opinion të modifikuar. Kjo tregon se cilësia e raportimit financiar në institucionet publike duhet të përmirësohet. Në veçanti veprime më rigoroze dhe të shpejta përmirësuese duhet të ndërmerren tek qeverisja lokale dhe ndërmarrjet publike, përkundër që tek këto të fundit në vitin 2021 janë marrë disa veprime përmirësuese të cilat kanë reflektuar progres. Gjithashtu, edhe kontrollet e brendshme është e nevojshme të përmirësohen që të jenë më efektive dhe efikase në zhvillimin e proceseve të menaxhimit financiar. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në fjalën e saj ka theksuar se ka një trend pozitiv të zbatimit të rekomandimeve, por pavarësisht progresit të arritur gjatë vitit 2021, zbatimi i tyre ende nuk është në nivelin e duhur. Megjithatë ka thënë se përpjekjet e koordinuara të ZKA-së dhe komisioneve parlamentare të Kuvendit për rritjen e përgjegjësisë së drejtuesve të institucioneve të audituara kanë filluar të japin efekte pozitive. “Aktualisht është rritur përqindja e rekomandimeve të zbatuara nga 45% sa ishte në vitin 2019, në 50% për vitin 2020. Sidoqoftë, ky nivel është jo i kënaqshëm, prandaj përmirësimi i mëtejshëm në këtë fushë, kërkon përkushtim më të madh të vendimmarrësve”, është shprehur znj. Spanca. Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2021 e gjeni këtu

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme takoi Auditorin e Përgjithshëm të Autoritetit të Auditimit të Maqedonisë së Veriut për auditimin e fondeve IPA, flasin për përmirësimin e kapaciteteve audituese tek të dy institucionet

Auditorja e Përgjithshme takoi Auditorin e Përgjithshëm të Autoritetit të Auditimit të Maqedonisë së Veriut për auditimin e fondeve IPA, flasin për përmirësimin e kapaciteteve audituese tek të dy institucionet

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, të martën kanë pritur në takim Auditorin e Përgjithshëm të Autoritetit të Auditimit të Maqedonisë së Veriut për auditimin e fondeve IPA, Adem Curri. Takimi kishte për qëllim koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale për auditim efektiv dhe efikas në fushën e auditimit të fondeve nga IPA, e cila është nënshkruar në maj të vitit 2021 në mes të dy institucioneve. Ky bashkëpunim parasheh shkëmbimin e përvojës në qasjen e auditimit dhe metodologjinë e përdorur në pajtim me standardet e auditimit; shkëmbimin e përvojës dhe mësimet e nxjerra në fushën e auditimit; ofrimin e ndihmës dhe bashkëpunimit nga ekspertë në fushën e auditimit; organizimin e hulumtimeve, takimeve, konferencave, trajnimeve, vizitave studimore, si dhe praktikave profesionale për përmirësimin e kapaciteteve audituese tek të dy institucionet. Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e ka njoftuar z. Curri për përmbylljen me sukses të sezonit auditues 2021/2022 si dhe për të arriturat dhe sfidat e ZKA-së gjatë periudhës njëvjeçare prej kur ka marrë mandatin e Auditores së Përgjithshme nga Kuvendi i Kosovës. Po ashtu znj. Spanca ka folur edhe për rëndësinë e avancimit të raporteve të mira me institucionet supreme të auditimit, përfshirë këtu edhe Autoritetin e Auditimit të Maqedonisë së Veriut për auditimin e fondeve IPA, duke vlerësuar se shkëmbimi i praktikave profesionale mundëson përmirësimin e kapaciteteve audituese tek të dy institucionet në auditimin edhe të fondeve të tjera të huaja. Curri, ka përgëzuar Auditoren e Përgjithshme për realizimin e objektivave si dhe ka shprehur përkushtimin e tij për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Ai ka thënë se institucioni që ai drejton përmes ndarjes së njohurive profesionale dhe praktikave të mira do të ndihmojë stafin auditues të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës që të forcojnë njohuritë për specifikat e auditimeve të fondeve IPA.  
Lexo më shumë
Punonjësit e ZKA-së gjatë muajit shtator do të ndjekin një plan intensiv të trajnimeve për zhvillim profesional

Punonjësit e ZKA-së gjatë muajit shtator do të ndjekin një plan intensiv të trajnimeve për zhvillim profesional

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) vazhdon ta ketë prioritet zhvillimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale ku përmes planit vjetor të trajnimeve adreson nevojat dhe kërkesat e stafit për zhvillim profesional dhe avancim të njohurive. Prandaj, gjatë muajit shtator 2022 punonjësit e ZKA-së do të ndjekin një plan intensiv të trajnimeve të brendshme dhe të jashtme. Me qëllim që auditorët të jenë të informuar dhe në hap me zhvillimet e fundit profesionale, plani i trajnimeve përmban tema të rëndësishme përmes të cilave zgjerohen njohuritë aktuale dhe eksplorohen praktika të reja për të kryer punën në mënyrë sa më efikase në zbatim të planeve të punës dhe standardeve ndërkombëtare të auditimit. Një ndër temat me interes që është duke u mbajtur këtë javë është kursi për “Zhvillimin e Planeve Vjetore Operacionale dhe Planit për zbatim strategjik”. Po ashtu gjatë kësaj jave do të mbahet edhe trajnimi “Procesi i Auditimit dhe fazat e Auditimit”, si dhe trajnimi “Ndërtimi i strategjisë së përgjithshme të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë”. Ndërsa në javën e dytë do të mbahet trajnimi “Shkrimi i qartë i raportit të Auditimit” përmes së cilit auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit do t’i avancojnë njohuritë në analiza më të thella dhe metodat kërkimore për teknikat e shkrimit të raporteve të auditimit në mënyrë që ato të jenë të shkruara me gjuhë të thjeshtë dhe të jenë miqësore ndaj lexuesit. Ky trajnim do të jetë interaktiv me shembuj praktik të raporteve të auditimit si dhe përmban edhe video materiale dhe detyra për auditorët. Gjithashtu gjatë kësaj jave do të mbahet edhe trajnimi “Kërkimet (researching) dhe metodologjia e auditimit”. Në javën e tretë e muajit shtator do të ketë një serë trajnimesh të fokusuara në temat si: “Konfirmimet”, “Procesi i gjetjeve gjatë auditimit-ekzekutimi”, “Korniza e akteve ligjore në ZKA”, “Ndryshimet e SNISA-ve dhe zhvillimi i IFPP-së”, “Procesi i auditimit përmes SITA, me theks arkivimi i dokumenteve dhe dëshmive të auditimit”, “Mostrimi”, si dhe “Identifikimi i qartë i 3 E-ve gjatë procesit të parastudimit dhe auditimit”. Auditorët e ZKA-së do të përmbyllin ciklin e aktivitetit trajnues me ndjekjen e trajnimit, “Menaxhimi i riskut”, “Materialiteti Cilësor në auditimin financiar dhe të pajtueshmërisë”, “Opinioni i auditimit në auditimin e pajtueshmërisë”, si dhe me trajnimin për auditimet e performancës “Të shkruarit e qartë, përdorimi i teknikave të gjuhës së thjeshtë, dhe struktura e raporteve të auditimit ”. Trajnimet mbahen nga trajnerë profesionalë dhe ekspert me përvojë të ZKA-së, Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, Iniciativës për Zhvillim të INTOSAI-t, dhe Shoqatave Profesionale për Kontabilitet dhe Auditim, dhe ofrohen vetëm për punonjësit e ZKA-së.    
Lexo më shumë