Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/11/2022 4:13:20 PM

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2021

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, të martën ka prezantuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2021 i cili përfshinë opinionin, gjetjet kryesore dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Qeverinë dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës. Para të pranishmëve Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka treguar se konkluzioni i përgjithshëm i auditimit është se organizatat buxhetore, në fushën e raportimit financiar vazhdojnë të kenë mangësi të theksuara në prezantimin e informatave financiare dhe shpalosjes së tyre. Po ashtu, edhe gjetjet në fushën e pajtueshmërisë janë mjaft të përhapura dhe domethënëse, të cilat kërkojnë masa më rigoroze për përmirësim. Duke prezantuar Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2021, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, ka deklaruar se janë publikuar 133 raporte të auditimit, prej tyre; për 90 organizata buxhetore; për 12 ndërmarrje publike; 13 raporte të auditimit të projekteve të Bankës Botërore dhe të donatorëve tjerë;  3 raporte të auditimit të pajtueshmërisë prej të cilave 2 raporte janë me informata të klasifikuara (niveli i klasifikimit i KUFIZUAR); si dhe 14 raporte të auditimit të performancës. “Në auditimin e Pasqyrave Financiare të 90 organizatave buxhetore kemi dhënë 46 opinione të pamodifikuara dhe 44 opinione të modifikuara (prej tyre 42 të kualifikuara dhe 2 të kundërta). Përderisa për 12 ndërmarrjet publike të audituara është dhënë opinion i modifikuar prej tyre 2 NP kanë opinione të kualifikuar ndërsa 10 të kundërt”, është shprehur z. Halilaj, duke shtuar se për Raportin Vjetor Financiar të Qeverisë për Buxhetin e Republikës së Kosovës është dhënë Opinion i Modifikuar përkatësisht Opinion i Kualifikuar për shkak se vlera e gabimeve të identifikuara në Pasqyra financiare ka qenë materiale. Për të vlerësuar nëse fondet publike po shfrytëzohen në mënyrë efikase dhe efektive, Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer edhe 14 auditime të performancës nga fusha me interes shoqëror, si: ekonomi, shëndetësi, arsim, siguri, ambient, energji, teknologji të informacionit dhe në prokurim publik. Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka treguar se këto auditime kanë  nxjerr në pah mangësi në menaxhimin e programeve/aktiviteteve që kanë të bëjnë me mjedisin, arsimin, shëndetësinë, prokurimet publike në Korporatën Energjetike të Kosovës, KOSTT, menaxhimin e projektit kapital “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”, dhe menaxhimin e fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës. Po ashtu në fushën e teknologjisë se informacionit, ZKA-ja ka identifikuar se është e nevojshme të ndërmerren masa përmirësuese në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë se informacionit dhe në krijimin e parakushteve për vazhdimësinë e sistemit dhe ruajtjen e integritetit te të dhënave që procedohen përmes Agjencisë se Regjistrit Civil, listat e pagave, dhe sistemin e menaxhimit te financave publike. Ndërsa sa i përket rekomandimeve, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj ka bërë me dije se në auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2021 për 90 Organizata Buxhetore janë dhënë gjithsejtë 695 rekomandime, përderisa në vitin 2020 kanë qenë 654 rekomandime. Lidhur me nivelin e zbatimit të rekomandimeve për vitin 2020 është vërejtur se 50% të tyre janë zbatuar, e që në raport me vitin paraprak (2019) paraqet një rritje prej 5%. 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Përfundon me sukses zbatimi i planit të trajnimeve për muajin shtator në ZKA

Përfundon me sukses zbatimi i planit të trajnimeve për muajin shtator në ZKA

Cikli njëmujor i trajnimeve për zhvillimin dhe avancimin e njohurive të auditorëve dhe stafit tjetër në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) është përmbyllur me mbajtjen e trajnimit “Materialiteti cilësor në auditimin financiar dhe të pajtueshmërisë” nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë  dhe “Menaxhimi i rrezikut” nga Instituti për Kontabilitet, Auditim dhe Financa (IKAF). Në kuadër të këtyre trajnimeve janë shqyrtuar mjetet dhe teknikat praktike për të zhvilluar në mënyrë efektive vlerësimin e materialitetit dhe menaxhimin e rrezikut në organizatë përmes rasteve studimoreve, ushtrimeve praktike dhe çështjeve aktuale. Marrë parasysh se Institucionet Supreme të Auditimit kanë rol të domethënës në aspektin e vlerësimit të menaxhimit të rrezikut për institucionet e sektorit publik, mbajtja e trajnimit “Menaxhimi i rrezikut” për auditorët ishte i rëndësishëm. Identifikimi i fushave të rrezikut që rrjedhin nga puna e auditimit kontribuon në parandalimin e keqmenaxhimit, jo-efektivitetit dhe parregullsive, si dhe të kuptohen më mirë sfidat dhe dobësitë me të cilat përballën organizatat buxhetore. Punonjësit e ZKA-së kanë marrë më shumë informata mbi menaxhimin e rrezikut; çfarë është rreziku; konteksti dhe objektivat;  vlerësimi i rrezikut; veprimet ndaj rreziqeve; si dhe monitorimi, komunikimi dhe raportimi. Po ashtu në javën e fundit të muajit shtator janë mbajtur edhe programet e trajnimit “Metoda Kuantitative” dhe “Procesi i gjetjeve gjatë auditimit-ekzekutimi”.
Lexo më shumë
Raporti i Progresit për Kosovën kërkon nga institucionet publike angazhim sistematik për zbatimin e rekomandimeve të auditimit të jashtëm

Raporti i Progresit për Kosovën kërkon nga institucionet publike angazhim sistematik për zbatimin e rekomandimeve të auditimit të jashtëm

Puna dhe rezultatet e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës janë adresuar në Raportin e Progresit për Kosovën i publikuar të mërkurën nga Komisioni Evropian në kuadër të Pakos së Zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE). Një prej çështjeve të adresuara në këtë Raport, është theksuar nevoja për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit. Tutje është thënë se këto ndryshime do të mundësonin rritjen e numrit të auditimeve të ndërmarrjeve publike dhe auditimeve të performancës. “Në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, korniza kushtetuese dhe ligjore e Kosovës parasheh funksionimin organizativ dhe pavarësinë financiare të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Ligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës duhet të ndryshohet, për të hequr obligimin për të kryer auditime të rregullsisë çdo vit për të gjitha organizatat buxhetore, pavarësisht nga madhësia e tyre, kompleksiteti dhe rreziku në mënyrë që auditimet të përzgjidhen bazuar në vlerësimin e nivelit të rrezikut të financave publike. Këto ndryshime do të rrisnin numrin e auditimeve të ndërmarrjeve publike dhe auditimeve të performancës”, është thënë në Raport. Në Raport është theksuar se është shënuar një rritje prej pesë për qind e zbatimit të rekomandimeve të auditimit, nga 45 për qind sa ka qenë në vitin paraprak, në 50 për qind në 2020.  Megjithatë, është kërkuar nga Qeveria dhe institucionet tjera publike angazhim më i madh që të sigurojnë një përcjellje sistematike për zbatimin e rekomandimeve të auditimit të jashtëm. Ndër të tjera, Komisioni Evropian ka vlerësuar institucionet e pavarura, veçanërisht Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe Avokatin e Popullit, për adresimin e të drejtës së qytetarëve për administrim më të mirë, megjithatë është potencuar se rekomandimet e këtyre institucioneve nuk po zbatohen në mënyrë efikase nga institucionet publike. Në Raport është vlerësuar edhe bashkëpunimi i ZKA-së me Kuvendin e Kosovës, përkatësisht shqyrtimi i raporteve të auditimit nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP). “Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar 25 raporte të auditimit, prej të cilave 6 raporte të ministrive, 9 raporte të auditimit të performancës dhe 7 raporte të ndërmarrjeve publike”, është thënë në raport. Po ashtu është vlerësuar rritja e numrit të auditimeve të performancës, bashkëpunimi me shoqërinë civile, si dhe qëndrueshmëria e ZKA-së sa i përket kapacitetit të resurseve njerëzore. “Kapaciteti institucional i Zyrës mbetet kryesisht i qëndrueshëm me 165 punonjës deri në fund të vitit 2021, prej të cilëve 82% janë staf auditues duke përfshirë pozitat drejtuese dhe 18% janë staf  profesional. Zyra ka finalizuar 14 raporte të auditimit të performancës, krahasuar me 11 në vitin 2020. Ajo ka punuar me organizatat e shoqërisë civile, veçanërisht në nivel lokal, për të përmirësuar ndikimin e punës së auditimit përmes mbajtjes së debateve publike në komuna për rekomandimet e auditimit”, është theksuar më tutje në këtë Raport. Gjithashtu vëmendje i është kushtuar edhe hartimit të Planit Strategjik të Zyrës Kombëtare të Auditimit 2022-2025  dhe objektivave të këtij plani përfshirë kontrollin dhe sigurimin e cilësisë në auditim si dhe certifikimin e stafit auditues.
Lexo më shumë