Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/16/2015 12:21:58 PM

Përfaqësues të ZAP në vizitë studimore në Institucionet Publike në Wales të Britanisë së Madhe

Një delegacion nga Kosova i përbërë nga përfaqësues të MAPL, ZAP, Asociacioni I Komunave dhe Projekti DEMOS, nga data 7-13 Qershor 2015, kanë marrë pjesë në një vizitë studimore në institucionet publike në Wales të Britanisë së Madhe. ZAP në këtë vizitë është përfaqësuar nga z. Qerkin Morina, Ndihmës i Auditorit të Përgjithshëm, dhe z. Bujar Sejdiu, Drejtor i Departamentit për Qeverisjen Lokale. Kjo vizitë ka pasur për qëllim zhvillimin dhe avancimin e Sistemeve të Menaxhimit të Performancës në Kosovë,

Vizita është organizuar nga Projekti DEMOS (Programi për Decentralizim dhe Mbështetje Komunave) që financohet nga HELVETAS Swiss Intercooperation.

Qëllimi i kësaj vizite ishte njoftimi me organizimin dhe praktikat e zbatuara nga institucionet e Wales-it lidhur me Sistemin e Menaxhimit të Performancës në autoritetet lokale. Gjatë prezantimeve nga zyrtarët e institucioneve në fjalë (Këshillat e Qyteteve apo komunat, Asambleja dhe Qeveria e Wales-it, Zyra e Auditimit të Wales-it, Këshilli Britanik dhe Shkolla e Biznesit në Cardiff), janë paraqitur strukturat organizative, forma e menaxhimit, mënyra e raportimit dhe roli i Auditorit të Përgjithshëm në procesin e Menaxhimit të Performancës. Përveç kësaj, janë zhvilluar biseda inter-aktive ku përfaqësuesit e Republikës së Kosovës kanë pasur rastin që të njoftohen për së afërmi me aktivitetet që zhvillohen në këtë vend për të siguruar që qytetarët marrin shërbime cilësore si dhe mbajtja e zyrtarëve  llogaridhënës para të gjitha palëve të interesit në një kohë kur i tërë globi po ballafaqohet me shtimin e kërkesave për performancë cilësore të shërbimeve në njërën anë, ndërsa në anën tjetër po imponohen shkurtime të vazhdueshme të burimeve dhe fondeve.

Me gjithë progresin e bërë në Republikën e Kosovës, nga mësimi i marrur në këtë vizitë është konkluduar që është e nevojshme organizimi i disa punëtorive brenda vendit duke përfshirë edhe institucione tjera, përveç atyre pjesëmarrëse në vizitë, për të krijuar një dokument strategjik duke u bazuar në praktikat e mësuara, i cili do të shërbente si bazë për vendosjen dhe/apo avancimin e sistemeve ekzistuese në vendin tonë për menaxhimin e performancës.

Roli i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm në zhvillimin e tërë sistemit do të fokusohet në validimin/vlerësimin e procesit në mbledhjen dhe raportimin e të dhënave, si dhe cilësinë e indikatorëve të publikuar nga autoritetet qendrore dhe lokale. ZAP çmon organizimin e kësaj vizite dhe i konsideron shumë frytdhënëse praktikat dhe mësimet e marra me qëllim të ofrimit të shërbimeve dhe produkteve sa më cilësore për qytetarët e Republikës së Kosovës. 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Konferenca “Mbështetja e mëtutjeshme për Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës në arritjen e praktikave të mira dhe standardeve të BE-së”

Konferenca “Mbështetja e mëtutjeshme për Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës në arritjen e praktikave të mira dhe standardeve të BE-së”

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm së bashku me partnerët e vetë nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Britanisë së Madhe, Gjykata e Auditimit të Holandës dhe Zyra e Auditimit të Estonisë, sot ka mbajtur konferencën përmbyllëse të Projektit të Binjakëzimit “Mbështetja e mëtutjeshme për Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës në arritjen e praktikave të mira dhe standardeve të BE-së”, në vlerë prej 1.5 milion eurosh dhe financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti ka implementuar një program prej katër komponentëve të rëndësishme që mbështesin zyrën në kryerjen e auditimeve më cilësore dhe përmirësimin organizativ: Cilësia në audtime individuale; Cilësia në qeverisje korporative; Efektiviteti në procese të auditimit dhe Qëndrueshmëria Institucionale. E gjithë kjo ndikon në shfrytëzimin më të mirë të parasë publike dhe sisteme të zgjeruara të kontrollit financiar.

Konferenca u hap nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Artan Venhari, i cili u shpreh i kënaqur me punën që është bërë nga të dyja palët gjatë implementimit të Projektit dhe theksoi se fokusi kryesor ka qenë në ngritjen e cilësisë, çka ka ndikuar edhe në ngritjen e nivelit të llogaridhënies së Institucioneve Publike në Kosovë.

Z. David Goldsworthy nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Britanisë së Madhe dhe Z. Andre Van Ommeren nga Gjykata e Auditimit të Holandës, reflektuan mbi të arriturat e projektit.

Me fjalën e tyre të pranishmëve ju drejtuan edhe Ambasadori i Britanisë së Madhe, Z. Ruari O’Connell; Ambasadori i Holandës, Z. Robert Bosch; Z. Ali Sadriu nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike – Kuvendi i Kosovës; dhe Z. Thomas Gnocchi nga Zyra e BE-së në Kosovë. 

 

Lexo më shumë
Konferenca e VII-të Vjetore e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm

Konferenca e VII-të Vjetore e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm

Kosum Aliu-MF, Ali Sadriu-KMFP, Artan Venhari- ZAP; Bujar Leskaj- KLSH,  Nikola Kovacevic – ISA të Malit të Zi

Në datat 9 dhe 10 korrik 2015, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, ka mbajtur Konferencën e VII-të Vjetore të Zyrës. Kjo konferencë është një mjet për të festuar sukseset e arritura, identifikuar anët e forta dhe të dobëta dhe për të nxjerr në pah veprimet që duhet ndërmarrë për përmirësimet e nevojshme dhe zhvillimin e sektorit publik.

Në konferencë ishin të pranishëm përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës, Qeveria, partnerë nga shoqëria civile dhe mediat si dhe partnerët tanë ndërkombëtarë nga Institucionet Supreme të Auditimit nga Shqipëria, Mali i Zi, dhe Suedia.

Zv. Auditori i Përgjithshëm, Z. Artan Venhari, hapi punimet e konferencës duke theksuar se fokusi kryesor gjatë dy ditëve të konferencës do të përqendrohej në rezultatet e arritura nga auditimi i jashtëm në raport me pritshmërinë e Kuvendit, Qeverisë, palëve të interesit dhe publikut si dhe format dhe tematikat e bashkëpunimit rajonal në fushën e auditimit.

Në fjalën e tij z. Venhari po ashtu theksoi se duhet të marrim parasysh gamën e mjeteve të vlerësimit dhe auditimit si dhe aftësitë e stafit për të maksimizuar ndikimin tonë në përmirësimin e performancës së sektorit publik ndërkohë që zhvillojmë fushëveprimin e punës tonë në auditim; dhe mënyrën se si shërbimet tona mund të jenë aq fleksibile sa t’i përshtaten një mjedisi që ndryshon shpejt dhe unik duke i balancuar presionet për vlerën për para dhe kohën e volitshme me rishikimet gjithëpërfshirëse dhe angazhimet efektive.

Në ditën e parë të punimeve të pranishmëve me fjalë rasti u janë drejtuar edhe Z. Ali Sadriu nga Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike të Kuvendit të Kosovës; Z. Kosum Aliu nga Njësia Qendrore Harmonizuese e Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Financave; Z. Naim Ismaili nga Asociacioni i Komunave të Kosovës; Adrijana Hodzic nga Zyra Administrative për Mitrovicën e Veriut; Florina Ujupi nga BIRN; Bujar Leskaj nga Kontrolli i Lartë i Shtetit të Shqipërisë dhe Nikola Kovacevic nga Senati i Institucionit Supreme të Auditimit të Malit të Zi.

Një vlerë të veçantë punimeve në konferencën vjetore të ZAP-it i japin grupet punuese, që u mbajtën pasditen e ditës së parë dhe gjatë ditës së dytë të konferencës. Në këto grupe punuese zhvillohen debate, propozime dhe konkluzione që nxirren lidhur me temat me interes e që kësaj radhe ishin: të kuptohet konteksti; të qenit në hap me ndryshimet në pritshmëri; të qenit i rëndësishëm; sigurimi i cilësisë dhe kryerja me kohë e operacioneve; marrja e impakteve më të mira; promovimi i qeverisjes së mirë në dizajnimin e sistemit dhe implementimi; dhe të qenit një model. Tashmë është bërë traditë që në grupet punuese të përfshihen edhe Auditor nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe kësaj radhe pjesë aktive e këtyre grupeve ishin edhe 15 auditor ku ndanë përvojën dhe praktikat e tyre në auditimet financiare dhe të performancës dhe dhanë kontributin e tyre në diskutimet lidhur me temat e përcaktuara.

Në kuadër të konferencës një takim i veçantë u mbajt nga menaxhmenti i zyrës me mysafirët nga Shqipëria dhe Mali i Zi ku u bisedua për bashkëpunimet e mundshme dhe krijimin e grupeve të përbashkëta punuese në identifikimin e sfidave dhe nevojave të përbashkëta.

Në mbrëmjen e 9 korrikut u organizua darkë solemne për nder të ish Auditorit të Përgjithshëm Z. Lage Olofsson me ç’ rast ju nda mirënjohje e veçantë në shenjë falënderimi për kontributin e tij dhënë për Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm, auditimin e jashtëm dhe sektorin publik në përgjithësi në Kosovë, gjatë pesë viteve të mandatit të tij.

 

Lexo më shumë