Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/27/2022 4:52:52 PM

Auditorja e Përgjithshme prezantoj në Kuvendin e Kosovës Raportin Vjetor të Auditimit për vitin fiskal 2021

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka prezantuar të enjten para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të Auditimit për vitin fiskal 2021, i cili përmban rezultatet kryesore të punës audituese duke përfshirë opinionin, gjetjet si dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ky Raport është rezultat i auditimit të Raportit Vjetor Financiar të Qeverisë për buxhetin e Republikë së Kosovës për vitin 2021 dhe i 132 raporteve individuale të auditimit të organizatave buxhetore, ndërmarrjeve publike, projekteve dhe auditimeve të performancës. Znj. Spanca ka bërë me dije se fokusi kryesor i këtij procesi të auditimit ka qenë në vlerësimet për cilësinë e raportimit financiar; në pajtueshmërinë e transaksioneve financiare me ligjet, rregulloret dhe standardet ndërkombëtare të raportimit financiar të sektorit publik; në efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm të shpenzuesve buxhetor; si dhe në zbatimin e rekomandimeve të auditimit. Para deputetëve të pranishëm, Auditorja e Përgjithshme, ka deklaruar se konkluzioni i përgjithshëm i auditimit është se organizatat buxhetore, në fushën e raportimit financiar vazhdojnë të kenë mangësi të theksuara në prezantimin e informatave financiare dhe shpalosjes së tyre. Po ashtu, edhe gjetjet në fushën e pajtueshmërisë janë mjaft të përhapura dhe domethënëse, të cilat kërkojnë masa më rigoroze për përmirësim. Kurse sa i përket rekomandimeve, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka treguar se në auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2021  për 90 organizata buxhetore janë dhënë 695 rekomandime, përderisa në vitin 2020 janë dhënë 654 rekomandime. Tek auditimet e ndërmarrjeve publike janë dhënë 207 rekomandime, ndërsa tek auditimet e performances 144 sosh. Për sa i përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimeve financiare dhe pajtueshmërisë për vitin 2020  është vërejtur se 50 për qind të tyre janë zbatuar, e që në raport me vitin paraprak (2019) paraqet një rritje prej 5 për qind ka theksuar ndër të tjera.  Përderisa ka shtuar se, në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2020, janë dhënë 54 rekomandime prej të cilave 12 janë zbatuar plotësisht, 10 ishin në proces të zbatimit dhe 32 rekomandime nuk janë adresuar fare. Fjalimi i plotë i Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës: I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Z. Konjufca, Të nderuar Deputetë, Të nderuar Ministra, Të nderuar të pranishëm, Bazuar në mandatin kushtetues dhe ligjor për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, kam kënaqësinë të prezantoj para jush Raportin Vjetor të Auditimit për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin fiskal 2021. Ky auditim kryhet në baza vjetore dhe fokusi kryesor i auditimit ka qenë të vlerësohet:

  • Cilësia e raportimit financiar;
  • Pajtueshmëria e transaksioneve financiare me ligjet, rregulloret dhe standardet ndërkombëtare të raportimit financiar të sektorit publik;
  • Efektiviteti i sistemeve të kontrollit të brendshëm të shpenzuesve buxhetor; dhe
  • Zbatimi i rekomandimeve të auditimit.
Ky Raport është rezultat i auditimit të Raportit Vjetor Financiar të Qeverisë për buxhetin e Republikë së Kosovës për vitin 2021 dhe i 132 raporteve individuale të organizatave buxhetore, ndërmarrjeve publike, projekteve dhe atyre të performancës. Konkluzioni i përgjithshëm është se: Organizatat buxhetore, në fushën e raportimit financiar vazhdojnë të kenë mangësi të theksuara në prezantimin e informatave financiare dhe shpalosjes së tyre. Po ashtu, edhe gjetjet në fushën e pajtueshmërisë janë mjaft të përhapura dhe domethënëse, të cilat kërkojnë masa më rigoroze për përmirësim. Siç është shpalosur në këtë raport, por edhe siç është informuar opinionin publik përmes konferencave dhe publikimeve të tjera të vazhdueshme më herët, Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë sezonit auditues 2021-2022 përmes angazhimeve të saj, ka nxjerrë:
  • 90 raporte të auditimeve financiare dhe të pajtueshmërisë të organizatave buxhetore;
  • 12 raporte të auditimit të ndërmarrjeve publike;
  • 13 raporte të auditimit të projekteve të Bankës Botërore dhe të donatorëve tjerë;
  • 3 raporte të auditimit të pajtueshmërisë prej të cilave 2 raporte janë me informata të klasifikuara (niveli i klasifikimit i KUFIZUAR); dhe
  • 14 raporte të auditimit të performancës.
Në auditimin e Pasqyrave Financiare të 90 Organizatave Buxhetore kemi dhënë:
  • 46 opinione të pamodifikuara për PFV-të; dhe
  • 44 opinione të modifikuara (prej tyre 42 të kualifikuara dhe 2 të kundërta).
Përderisa për 12 ndërmarrjet publike të audituara kemi dhënë opinion të modifikuar (prej tyre 2 NP kanë opinione të kualifikuar ndërsa 10 të kundërt). Të nderuar deputetë, Për Raportin Vjetor Financiar të Qeverisë për Buxhetin e Republikës së Kosovës është dhënë: Opinion i Modifikuar përkatësisht Opinion i Kualifikuar. Arsyet e modifikimit të opinionit, kanë qenë për shkak se vlera e gabimeve të identifikuara në Pasqyra financiare ka qenë materiale, si:
  • Shpenzimet në vlerë prej 13,000,000€ janë klasifikuar në kategori jo adekuate. Prej tyre, si rezultat i buxhetimit jo adekuat janë keq klasifikuar 9,300,000€, mandej për shkak të vendimeve gjyqësore afër 2,000,000€, ndërsa si të ndikuara nga vetë Organizatat Buxhetore vlera e keq klasifikimeve është afër 2,000,000€. (E vlen te theksohet se krahasuar me vitin paraprak, keqklasifikimi i shpenzimeve që lidhen me vendimet gjyqësore është zvogëluar për 4 milionë e 800 mijë euro për shkak të masave në buxhetimin e fondeve).
  • Po ashtu, në pasqyrën e shpalosjeve, në shtojcat lidhur me pasuritë kapitale, llogaritë e arkëtueshme, detyrimet kontigjente dhe detyrimeve të papaguara të Raportit Financiar Vjetor të buxhetit të shtetit kishte shpalosje të vlerave të gabuara në vlerë materiale.
  • Mbi vlerësim i pasurisë është evidentuar në vlerë prej 84,600,000€, nënvlerësim i llogarive të arkëtueshme afër 4,500,000€ si dhe mbivlerësim i detyrimeve kontigjente për 12,600,000€. Kjo është rezultat i mos prezantimit të saktë të informatave financiare nga vet organizatat buxhetore e qe rrjedhimisht ato konsolidohen ne pasqyrat financiare te Buxhetit te Kosovës;
  • Kryerja e pagesave në vlerë prej mbi 900,000€, për 199 punonjës të komunitetit serb të angazhuar në bazë të Marrëveshjes se Brukselit pa u evidentuar vijueshmëria e tyre në punë;
Në këtë raport për vitin 2021, kemi dhënë konkluzionin e pajtueshmërisë te përmbledhur nga auditimi i 90 OB-të. Fakti qe për 55 OB kemi dhënë konkluzione të modifikuara për pajtueshmërinë (49 të kualifikuar dhe 6 të kundërt), tregon se jo të gjitha shpenzimet dhe të hyrat të cilat janë pjesë e këtyre Pasqyrave janë menaxhuar në pajtim me kornizën ligjore në fuqi. Arsyet kryesore për konkluzion të modifikuar ishin kryesisht për çështjet si: zhvillimi i procedurave jo adekuate të prokurimit dhe në mungesë të projekteve ekzekutive, përzgjedhje e ofertës të papërgjegjshme; angazhimi i zyrtarëve me marrëveshje për shërbime të veçanta pa udhëhequr procedurat e prokurimit, mos verifikimi i 20% të pronave të tatueshme dhe aplikimi i zbritjeve në më shumë se një pronë, dhënia e subvencioneve jo në përputhje me kriteret e përcaktuara si dhe vonesa në arsyeshmërinë e subvencionit, përdorimi i kontratave jo adekuate, vonesa në pagesën e faturave. Përveç opinionit të auditimit, ne po ashtu kemi vlerësuar pajtueshmërinë e deficitit buxhetore me kornizën ligjore. Sipas auditimit, kufiri i deficitit buxhetor në fund të vitit 2021 ishte në kuadër të limiteve të përcaktuara ligjore dhe nga realizimi i buxhetit vërehet se niveli i inkasimit të të hyrave ishte përmirësuar dukshëm dhe ishte ulur kërkesa për financim nga deficiti. Në raport me vitin paraprak, shfrytëzimi i deficitit buxhetor është ulur nga 5.3% (2020) në 0,64% (2021). Te nderuar deputet, Në vitin 2021, të hyrat ishin në vlerë prej 2 miliard e 491 milion mijë euro që krahasuar me vitin 2020 janë rritur për 13%. Niveli i inkasimit të të hyrave në raport me shpenzimet ishte më i lartë për mbi 112,000,000€, e që rrjedhimisht për këtë vlerë është rritur bilanci bankar në para të gatshme nga 330,000,000€ sa ishte në 2020 në 442,000,000€ apo rreth 34% në 2021, por që ishte brenda kufirit të lejuar prej 3% të BPV. Vlera e borxhit të përgjithshëm publik kishte arritur në 1,683,000,000€ apo rreth 22% e Bruto Produktit Vendor nga 40% sa është i lejuar me ligj. Në raport me vitin paraprak, borxhi i përgjithshëm publik është rritur për 195,000,000€ apo 13%. Përkundër kësaj rritje, niveli i shpenzimit të këtyre fondeve nga borxhi  ndërkombëtar mbetet i ulët. (Për 7 projekte te financuara nga borxhi ndërkombëtarë nuk janë tërhequre fare mjetet financiare). Në këtë nivel të shpenzimit ka ndikuar planifikimi jo i mirë i projekteve, vonesat në procesin e shpronësimeve si dhe mangësi tjera. Si pasojë e këtyre mangësive, në vazhdimësi është duke u paguar tarifë të zotimit për kreditë e pashfrytëzuara, që në vitin 2021 kjo tarifë ishte në vlerë prej 435 mijë euro. Sa i përket shpenzimeve, buxheti final për shpenzimet e përgjithshme ishte në vlerë prej 2 miliard e 722 milion€, ndërsa realizimi ishte 2,miliard e 379 milion€ apo 87% e buxhetit. Niveli i realizimit të shpenzimeve për investimet kapitale ishte 68% apo 424 milion€ nga buxheti final. Krahasuar me vitin e kaluar, vërehet një realizim më i lartë i shpenzimeve për 40 milion € ( në vitin 2020 ishte 384 milion € apo 53% e buxhetit final). Përkundër kësaj, edhe më tutje niveli i realizimit të buxhetit për shpenzimet mbetet jo i kënaqshëm. Ndërsa, vlera e obligimeve të papaguara, në fund të vitit 2021 ishte rreth 191,000,000€, e që krahasuar me vitin paraprak është bërë një progres sepse janë shlyer detyrime në vlerë prej 127,000,000€ apo rreth 40% të totalit të përgjithshëm. (Këto shlyerje janë bërë për shpronësimet e viteve të më hershme (në vlerë prej afër 66,000,000€) si dhe shlyerja e obligimeve tjera (në vlerë prej mbi 61,000,000€)). Përkundër shlyerjes së obligimeve, kemi rritje të llogarive të arkëtueshme për afërsisht 78,500,000€ apo në masën prej 11,3% në raport me vitin paraprak. Vlera e llogarive të arkëtueshme në fund të vitit 2021 ishte 778,000,000€. (Pjesa më e madhe e tyre prej mbi 560,000,000€ i përket nivelit qendror (kryesisht Administratën Tatimore, KPMM, MPB, ARKEP …) si dhe mbi 217,000,000€ niveli lokal). Shlyerja e obligimeve të pa paguara është inkurajuese sepse ndër të tjera parandalon rrjedhje të shpenzimeve shtesë që mund të rezultojnë nga procedurat gjyqësore, prandaj, Qeveria duhet të vazhdoj me këtë qasje sa i përket shlyerjes së  detyrimeve të papaguara. Përderisa, për trajtimin e llogarive të arkëtueshme duhet të ketë një qasje më proaktive, pasi që me kalimin e kohës ato shndërrohen në borxhe të këqija, dhe si pasojë, mbledhja e tyre mund të bëhet e pamundur. Pagesat përmes vendimeve gjyqësore dhe përmbaruese në raport me vitin e kaluar janë rrit në rreth 22 milion €. Ndërsa, duhet theksuar se nga informatat e Thesarit, prej vlerës 40.5 milion € të këtyre pagesave për vitin 2021 të ekzekutuara direkt rezultojnë shpenzime shtesë për gjykata e përmbarime në vlerë prej 9 milionë €. Të nderuar deputetë, Procesi i raportimit dhe sistemi i menaxhimit financiar dhe kontrollit tek Ndërmarrjet Publike, përkundër disa veprimeve të ndërmarra edhe më tutje kërkon përmirësime thelbësore. Këtë e dëshmon fakti se për 12 ndërmarrjet e audituara janë dhënë opinione të modifikuara. Stabiliteti financiar i këtyre ndërmarrjeve, përkundër masave të ndërmarra se fundmi për vite me radhë vazhdon të jetë i brishtë. Në vitin 2021, vlera e akumuluar e detyrimeve afatshkurtra e këtyre NP-ve së bashku ka arritur në rreth 114 milion €, ndërsa ajo e detyrimeve afatgjata në rreth 124 milion € e që gjithsejtë kapin vlerën prej 238 milion €. Kthimi i këtyre detyrimeve është mjaft i pasigurt, marrë parasysh faktin se 9 Ndërmarrje Publike operojnë me një humbje të akumuluar në total prej 177,8 milion € dhe se këto ndërmarrje aktualisht e kanë të vështirë të mbulojnë shpenzimet operative. Aksionarët (Qeveria dhe komunat) duhet të trajtojnë thellësisht problemet me të cilat përballen ndërmarrjet publike. Për të vlerësuar nëse fondet publike po shfrytëzohen në mënyrë efikase dhe efektive, Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer edhe 14 auditime të performancës në fusha të ndryshme me interes shoqëror, si: ekonomi, shëndetësi, arsim, siguri, ambient, energji, teknologji të informacionit dhe në fushën e prokurimit publik. Për mos ta zgjatur më shumë, auditimet e publikuara gjate vitit 2021 dhe 2022 kanë nxjerr në pah mangësi në menaxhimin e programeve/ aktiviteteve që kanë të bëjnë me mjedisin, arsimin, shëndetësinë, prokurimeve publike si në Korporatën Energjetike të Kosovës, KOSTT, menaxhimin e projektit kapital “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”, menaxhimin e fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës. Po ashtu në fushën e teknologjisë se informacionit të dhënat e rëndësishme për vendin që procedohen përmes Agjencisë se Regjistrit Civil, listat e pagave, sistemin e menaxhimit të financave publike, ZKA ka identifikuar se është e nevojshme të ndërmerren masa përmirësuese në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë së informacionit dhe në krijimin e parakushteve për vazhdimësinë e sistemit dhe ruajtjen e integritetit të të dhënave. Të nderuar deputetë, Në auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2021  për 90 Organizata Buxhetore kemi dhënë gjithsejtë 695 rekomandime, përderisa në vitin 2020 kemi dhënë 654 rekomandime. Tek auditimet e Ndërmarrjeve publike kemi dhënë 207 rekomandime, ndërsa tek auditimet e performances 144 sosh. Për sa i përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimeve financiare dhe pajtueshmërisë për vitin 2020  kemi vërejtur se 50% të tyre janë zbatuar, e që në raport me vitin paraprak (2019) paraqet një rritje prej 5%. Përderisa në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2020, kemi dhënë 54 rekomandime prej te cilave 12 janë zbatuar plotësisht, 10 ishin ne proces dhe 32 rekomandime nuk janë adresuar. Ne kemi pranuar planin e veprimit nga Ministria e Financave për zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportin i cili po shqyrtohet sot. Ne e mirëpresim zotimin e Ministrit të Financave për të zbatuar këto rekomandime dhe me këtë shfrytëzoj rastin të kërkojmë nga z. Murati qe t’i kushtoj rëndësi rekomandimeve që kanë të bëjnë me klasifikimin e buxhetit posaçërisht tani kur Ligji i buxhetit për vitin 2023 është në përgatitje e sipër si dhe në vendosjen e kontrolleve që kanë të bëjnë me regjistrimin, konsolidimin dhe raportimin e të dhënave lidhur me shpalosjen e informatave financiare. Në fund të këtij adresimi, më lejoni t’ju falënderoj për mbështetjen dhe bashkëpunimin korrekt me ZKA-në, gjatë këtij sezoni auditues. Dëshiroj po ashtu, të shpreh vlerësimin tim për sjelljen bashkëpunuese të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Thesarit përgjatë gjithë auditimit. Ju faleminderit për vëmendjen!  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

30

30

Rritja e llogaridhënies dhe transparencës ndaj angazhimeve për barazi gjinore
Lexo më shumë
30

30

Prokurimi publik në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në fokus të auditimit të performancës
Lexo më shumë