Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/3/2022 5:47:06 PM

Auditorja e Përgjithshme: Dialogu kuptimplotë dhe efektiv me organizatat e shoqërisë civile, profesionale dhe donatorët rrit ndikimin e auditimit

Përfshirja e Shoqërisë Civile në procesin e auditimit mundëson rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe ndikon në përmirësimin e qeverisjes dhe shërbimeve ndaj qytetarëve. Kështu është thënë të enjten nga të pranishmit në tryezën e organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit me Organizatat e Shoqërisë Civile dhe organizatat ndërkombëtare me temën “Prezantimi i planit vjetor të auditimit 2022 – 2023 dhe përfshirja e shoqërisë civile në fazën e parastudimit”. Kjo tryezë kishte për qëllim prezantimin e Planit të Auditimit 2022-2023 si dhe diskutimin për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit përgjatë procesit të auditimeve të performancës. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se për Zyrën Kombëtare të Auditimit është tejet e rëndësishme që të ketë një dialog kuptimplotë dhe efektiv me Organizatat e Shoqërisë Civile me qëllim që puna audituese të ndikojë në rritjen e llogaridhënies, transparencës dhe integritetit në administrimin dhe përdorimin e fondeve publike. Znj. Spanca, ka ritheksuar se objektivë e saj dhe e ZKA-së është që OShC-të të jenë të përfshira, përveç në propozim të temave të auditimit, edhe në fazat e tjera në mënyrë që të arrihet objektiva e përbashkët që paraja publike të shfrytëzohet me kujdes dhe për të mirën e  qytetarëve. “Ashtu siç ju kam informuar, dhe për shkak se portofolio kryesore e auditimit është auditimi financiar si rrjedhojë e obligimeve ligjore, jemi të limituar në mbulimin më të madh me auditime të performancës. Pavarësisht kësaj si rezultat i tryezës së fundit, ne kemi përfshirë në Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2022-2023 dy tema të auditimit që janë propozuar nga Organizatat e Shoqërisë Civile”, është shprehur Auditorja e Përgjithshme. Tutje znj. Spanca, ka treguar se tashmë ZKA-ja ka dorëzuar Planin Vjetor të Auditimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, duke bërë me dije se për sezonin 2022/23 janë planifikuar 134 auditime, prej të cilave 113 auditime të rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë), 18 auditime të performancës dhe 3 auditime të pajtueshmërisë. “Unë dhe stafi im jemi të përkushtuar që në vazhdimësi t’i ofrojmë Kuvendit dhe qytetarëve informacion objektiv dhe të pavarur për fusha të rëndësishme që kanë të bëjnë me menaxhimin e fondeve publike.  Besueshmëria në punën tonë audituese është thelbësore. E puna jonë e sezonit që e përmbyllëm edhe u shpërblye me vlerësime pozitive si në Raportin e Progresit për vitin 2022 e ashtu edhe në Raportin e Barometrit Ballkanik sipas se cilit për 2022,  ZKA në të gjithë indikatorët prinë  në nivel rajonal dhe besueshmëria e qytetarëve në punën tonë është dyfishuar në krahasim me vitet e kaluara. Sidoqoftë, kjo vë para nesh një obligim që këtë besueshmëri ta mirëmbajmë dhe ta përkthejmë në rezultate konkrete”, ka theksuar ndër të tjera ajo. Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, ka prezantuar temat e auditimit të performances të parapara me Planin Vjetor të Auditimit 2022/2023. Ajo ka theksuar se “Në Planin Vjetor të Auditimit 2022/23 do të mbulojmë fusha me rëndësi ekonomike, sociale, shëndetësore, arsimore, mediale, kulturor e sportive si dhe tema të rëndësishme në fushën e prokurimit publik, sistemeve të informacionit dhe projekteve nga donatorët”. Ndërsa përfaqësuesit e Organizatave të Shoqërisë Civile kanë përgëzuar Zyrën Kombëtare të Auditimit për bashkëpunimin e vazhdueshëm si dhe kanë mirëpritur përfshirjen e propozimeve të tyre për temat e auditimit të performancës në Planin Vjetor të Auditimit. Ata kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar ZKA-në jo vetëm në përzgjedhjen e temave të auditimit, por edhe në fazat e  tjera të procesit, me theks të veçantë në monitorimin e zbatimit të rekomandimeve. Edhe përfaqësuesit e projekteve nga donatorët, kanë kërkuar nga OShC-të që të jenë zë aktiv i punës audituese në mënyrë që të rritet integriteti, transparenca, llogaridhënia si dhe të përmirësohet qeverisja dhe shërbimet ndaj qytetarëve. Kurse Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, në përmbyllje të këtij diskutimi, pasi ka përmbledhur rezultatet e kësaj tryeze, ka thënë se Shoqëria Civile është zëri i qytetarëve prandaj, përmes bashkëpunimit me të, ZKA-ja synon të përcjellë mesazhin te qytetarët. Z. Halilaj ka shprehur përkushtimin e menaxhmentit të ZKA-së që të gjej mundësitë që në vazhdimësi të rris bashkëpunim me OShC-të edhe sa i përket auditimeve të rregullsisë.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Zbatimi i projektit të USAID-it “Integriteti i Komunave të Kosovës” përmirëson qeverisjen dhe menaxhimin financiar në pushtetin lokal

Zbatimi i projektit të USAID-it “Integriteti i Komunave të Kosovës” përmirëson qeverisjen dhe menaxhimin financiar në pushtetin lokal

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka pritur të mërkurën në takim drejtorin e sapo zgjedhur të  projektit të USAID –it “Integriteti i Komunave të Kosovës” z. Enrique Giraldo, me të cilin ka diskutuar për progresin e deritanishëm dhe planet për zbatimin e këtij Projekti. Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e ka informuar z. Giraldo, për bashkëpunimin e deritanishëm të ZKA-së me USAID-in, me theks të veçantë avancimin e bashkëpunimit në kuadër të projektit “Integriteti i Komunave të Kosovës”. Znj. Spanca ka thënë se projekti “Integriteti i Komunave të Kosovës” është një mundësi e mirë për përmirësimin e qeverisjes dhe menaxhimit financiar në institucionet e pushtetit lokal. Projekti i USAID-it “Integriteti i Komunave të Kosovës” ka për qellim që të nxisë angazhimin e agjencive të qeverisë qendrore në mbikëqyrjen më efektive të financave publike dhe llogaridhënies; angazhimin e komunave për planifikim buxhetor, prokurim publik dhe menaxhim të kontratave;  aplikimin e praktikave të mira që ofrojnë një auditim të brendshëm llogaridhënës; si dhe angazhimin e shoqërisë civile, sektorit privat dhe mediave për përmirësimin e integritetit në sektorin publik dhe privat në prokurimin publik. Drejtori i Projektit të USAID –it “Integriteti i Komunave të Kosovës” z. Enrique Giraldo, i ofroj znj. Spanca gatishmërinë që përmes këtij projekti të ndihmojë ZKA-në fusha të ndryshme, si atë të auditimit të performancës, analizës se të dhënave, menaxhimit të rrezikut, aktiviteteve kundër mashtrimit, etj.  Z. Giraldo, ndër të tjera theksoj se “Roli i Zyrës Kombëtare të Auditimit është kyç në përmirësimin e integritetit në sektorin publik, në theks të veçantë të komunave”. Znj. Spanca dhe z. Giraldo u dakorduan që fillimisht, Projekti të zhvillojë një vlerësim të nevojave më qëllim të identifikimit të fushave për të cilat është e nevojshme për mbështetje. Të pranishëm në këtë takim bashkë më Auditoren e Përgjithshme kanë qenë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka, Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, Safet Berisha, ndërsa nga USAID-i, Aferdita Mekuli, Zëvendës Drejtoreshë e Projektit dhe Ruzhdi Zeqiri udhëheqësi i objektives së parë të projektit.
Lexo më shumë
ZKA-ja mbetet e përkushtuar që në mënyrë rigoroze t’i zbatojë Standardet  Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit në dhënien e opinionit të auditimit

ZKA-ja mbetet e përkushtuar që në mënyrë rigoroze t’i zbatojë Standardet Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit në dhënien e opinionit të auditimit

“Ekzekutimi i Buxhetit nga Organizatat Buxhetore dhe zbatimi i rekomandimeve të dala nga RVA 2021” ka qenë tema e punëtorisë së përvitshme e organizuar për dy ditë më radhë nga Ministria e Financave, përkatësisht Departamenti i Thesarit të Republikës së Kosovës me mbështetjen e USAID-it, Programi për Qeverisje Ekonomike në Kosovë, në të cilën ka marrë pjesë Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka, drejtori i Departamentit të Auditimit, Faruk Rrahmani si dhe përfaqësues të tjerë të organizatave buxhetore nga niveli qendror dhe ai lokal. Fokus i diskutimit kanë qenë; sfidat e ballafaquara gjatë vitit 2022, çështjet që kanë nevojë për përmirësim, rekomandimet e Raportit Vjetor të Auditimit 2021; rregullat financiare dhe zbatimi i tyre si dhe Reformat në menaxhimin e financave publike. Gjatë pjesëmarrjes se tij në dy sesione, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka potencuar se cilësia e raportimit financiar ka nevojë të përmirësohet dhe zbatimi i rekomandimeve të auditimit ndihmon institucionet publike të përmirësojnë sistemin e raportimit financiar dhe të rrisin kontrollet për menaxhim të parasë publike. Në këtë kontekst ai ka theksuar se me qëllim të përmirësimit të raportimit dhe menaxhimit financiar për institucionet publike, ZKA për vitin 2021 ka dhënë rekomandimet përkatëse për evitimin e mangësive. “Në auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2021 kemi dhënë gjithsej 695 rekomandime, përderisa në vitin 2020 kemi dhënë 654 rekomandime”. Ndonëse është shënuar një progres i lehtë sa i përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve, posaçërisht në nivelin qendror, z. Halilaj ka bërë më dije se për të rritur nivelin e rekomandimeve të zbatuara, nevojitet të shtohet kujdesi dhe përgjegjshmëria në kryerjen e detyrave zyrtare, masa shtesë nga ana e qeverisë ndaj organizatave buxhetore si dhe forcimi i masave të llogaridhënies nga Kuvendi i Kosovës dhe Asambleve Komunale. “Niveli i zbatimit të rekomandimeve për vitin 2020 ka qenë 50% që krahasuar me vitin paraprak (2019) paraqet një rritje prej vetëm 5%”, është shprehur z. Halilaj. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka mirëpritur organizimin e kësaj ngjarjeje dhe ka theksuar se përmirësimi i proceseve në fushën e menaxhimit financiar dhe kontrolleve, në theks të veçantë të sistemit të raportimit financiar do ta rris nivelin e llogaridhënies dhe transparencës publike. “Do të doja që numri i opinioneve të modifikuara për pasqyrat financiare të zvogëlohet sepse kjo do të jetë tregues se në të vërtetë cilësia e raportimit financiar është përmirësuar. Prezantimi jo i drejtë, jo i vërtetë dhe i pasaktë, apo mungesa e informatave shpjeguese financiare janë çështje që bien në kundërshtim me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, prandaj në raste të tilla ne obligohemi që opinionin e auditimit për Pasqyra financiare ta modifikojmë”. ZKA, përveç ndaj mekanizmave mbikëqyrës të zbatimit të kornizës ligjore që përcaktojnë kryerjen e punës sonë në përputhje me standardet profesionale, ka detyrime dhe është llogaridhënës edhe ndaj institucioneve ndërkombëtare që mbikëqyrin zbatimin e këtyre standardeve në të cilat ZKA është e anëtarësuar, si INTOSAI, EUROSAI, etj.  “Si Auditore e Përgjithshme, në bazë të mandatit tim kushtetues dhe ligjor jam e përkushtuar që në mënyrë rigoroze të zbatoj standardet ndërkombëtare të auditimit përmes dhënies se opinioneve për pasqyra financiare të cilat duhet të reflektojnë gjendjen e vërtetë, të drejtë dhe të saktë të informatave financiare”, ka cituar znj. Spanca.
Lexo më shumë