Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/9/2022 5:56:02 PM

ZKA-ja do t’i auditojë projektet për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e teknologjisë së informacionit me temën “Menaxhimi i Projekteve për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (AShI)” për  periudhën  2019 - 2022. Subjekt i auditimit është Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (AShI) që është përgjegjëse për zhvillimin dhe zbatimin e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit (TIK) për institucionet e Republikës së Kosovës, si dhe menaxhon Qendrën e të Dhënave Shtetërore. Qëllimi i këtij auditimi është që të vlerësohet se si Agjencia i ka menaxhuar projektet e sistemeve të TIK-ut si dhe sa ka qenë efektive në vlerësimin e projekteve përfshirë procesin e inicimit, planifikimit, zbatimit dhe monitorimit. AShI-ja ka për qëllim digjitalizimin e shërbimeve të institucioneve dhe lehtësimin e qasjes në këto shërbime përmes platformave elektronike. Prej vitit 2013 deri më tani AShI-ja ka bërë investime të vazhdueshme në TIK duke realizuar dhe menaxhuar rreth 45 kontrata në vlerë mbi 24 milionë euro. Investimet kryesisht janë drejtuar në projekte të ndryshme, si: blerjen dhe mirëmbajtjen e harduerit, ruajtjen dhe procesimin e të dhënave dhe sigurisë kibernetike për Qendrën e të Dhënave Shtetërore. Poashtu, është investuar në ofrimin e shërbimeve të TI-së për institucionet publike, në zhvillimin e sistemeve të softuerit, zhvillimin e sistemit për ndërveprim të sistemeve elektronike të Qeverisë së Kosovës, zhvillimin e e-shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, në marrjen e shërbimeve si dhe në trajnime të stafit për ngritje të kapaciteteve profesionale.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme angazhohet që buxhetimi i përgjegjshëm gjinor dhe auditimet në këtë fushë të jenë me prioritet

Auditorja e Përgjithshme angazhohet që buxhetimi i përgjegjshëm gjinor dhe auditimet në këtë fushë të jenë me prioritet

Vendet demokratike kanë dëshmuar se buxhetimi i përgjegjshëm gjinor ndikon në rritjen ekonomike, në zhvillim dhe në stabilitet. Kështu ka deklaruar Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në hapjen e seminarit dyditor për përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit  dhe Institucionit të Avokatit të Popullit për integrimin gjinor në proceset e auditimit i organizuar nga UN Women. Znj. Spanca, ka thënë se mbajtja e këtij seminari është një iniciativë e mirë për të shtyrë përpara procesin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor e me këtë edhe proceset e auditimit. Prandaj e ka vlerësuar seminarin si një mundësi të mirë për ndarjen e praktikave të vendeve të tjera në zbatimin e angazhimeve për barazi gjinore, si dhe një mundësi që në vitin 2023 të kryhet një auditim paralel së bashku me ISA-t e tjera për barazinë gjinore dhe çështjet gjinore. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka rikujtuar se shteti ka marrë angazhime ligjore të rëndësishme dhe detyruese për të luftuar diskriminimin, përfshirë këtu edhe diskriminimin gjinor e që nënkupton shpërndarje të fondeve publike, programeve dhe vendimmarrjes në mënyrë të drejtë për të gjitha gjinitë. “Kosova është në fazën fillestare të hartimit të politikave për buxhetim të përgjegjshëm gjinor. Edhe pse në praktikë Qeveria ka filluar t’i jap vëmendje më të madhe financimit të skemave të ndryshme në përkrahje të grave, përfshirë edhe ato në pozita vendimmarrëse, këto procese kërkojnë politika të qarta dhe sisteme të cilat përkrahin informatat lidhur me këtë.  Me qellim që të vlerësohen nëse po bëhet shpërndarje e drejtë e parasë publike dhe nëse po arrihen qëllimet e përcaktuara, këto procese është e nevojshme t’i nënshtrohen auditimit të jashtëm”, ka deklaruar znj. Spanca. Duke marrë parasysh se barazia gjinore është një prej objektivave të Agjendës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030, si dhe aktualitetin në Kosovë, në tetor të këtij viti, Auditorja e Përgjithshme ka treguar se ka aprovuar auditimin e  performancës “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” përmes se cilit do të vlerësohet nëse organet përgjegjëse kanë ndërmarr masat e duhura për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, siç janë reagimi, mbrojtja dhe rehabilitimi i viktimave të dhunës.  
Lexo më shumë
Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë partner kyç për zhvillimin institucional të ZKA-së

Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë partner kyç për zhvillimin institucional të ZKA-së

Me ftesën e Auditores së Përgjithshme të Suedisë, Helena Lindberg, Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm, Qerkin Morina, Emine Fazliu, Naser Arllati, Zukë Zuka, Myrvete Gashi; ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, Safet Berisha; drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qëndresa Mulaj, si dhe Fjoralba Kokonozi, udhëheqëse e Njësisë së Përkthimit, kanë zhvilluar vizitë zyrtare në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë, në Stokholm. Kjo vizitë është realizuar në kuadër të projektit “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023”. Gjatë qëndrimit në Stokholm, delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKA) së bashku me homologët e tyre suedez, kanë analizuar dhe diskutuar për të arriturat dhe sfidat me të cilat ZKA-ja ballafaqohet. Në fokus të agjendës së takimeve ishin tema me interes për ZKA-në siç janë: mjetet dhe praktikat më të mira të udhëheqjes; menaxhimi i ndryshimit i bazuar në besim dhe të qenurit organizatë e hapur; planifikimi strategjik; kontrolli i cilësisë dhe sigurimi i cilësisë; procesi i auditimit dhe standardet, si dhe integrimi ndërkombëtar dhe komunikimi. Qëllimi i këtyre diskutimeve ishte identifikimi i nevojave të ZKA-së për mbështetje dhe planifikimi i aktiviteteve për vitin 2023 në kuadër të projektit. Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, dhe Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Helena Lindberg, kanë zhvilluar një takim bilateral, me ç’rast, znj.  Spanca, e ka falënderuar znj. Lindberg për përkrahjen e vazhdueshme për ZKA-në duke theksuar se kjo ndihmë është shumë e rëndësishme për zhvillimin profesional dhe ngritjen e kapaciteteve të institucionit. Falë edhe bashkëpunimit dhe përkrahjes nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë, ZKA-ja ka arritur rezultate të kënaqshme në përgjithësi në punën e vet, dhe ato janë janë mëse të dukshme dhe lirisht mund të shprehem e kënaqur me nivelin e arritur, u shpreh Spanca. Nga ana e saj znj. Lindberg ka shprehur angazhimin e saj për të vazhduar mbështetjen për ZKA-në dhe zbatimin e projektit të bashkëpunimit. Në kuadër të kësaj vizite, gjithashtu janë zhvilluar takime në mes të dy menaxhmenteve të institucioneve si dhe një vizitë në Parlamentin e Suedisë përkatësisht në sekretariatin e Komisionit për Financa.  Auditorja e Përgjithshme u prit në takim nga ambasadorja e Kosovës në Suedi Në kuadër të vizitës në Suedi, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj janë pritur në takim edhe nga ambasadorja e Republikës së Kosovës në Suedi, Sh. S. Shkendije Geci Sherifi. Me këtë rast znj. Spanca e ka njoftuar Ambasadoren për punën audituese, sfidat dhe rezultatet e auditimit. Diplomatja kosovar ka falënderuar znj. Spanca për vizitën, si dhe ka përgëzuar për punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit për një menaxhimin më të mirë  të parasë publike përmes auditimeve, respektivisht zbatimit të rekomandimeve të auditimit.
Lexo më shumë