Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
1/22/2026 10:53:00 AM

Raportimi financiar në komuna në fokus të punëtorisë së përbashkët ZKA-DEMOS

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në bashkëpunim me projektin DEMOS, të mërkurën organizoi punëtorinë “Përmirësimi i cilësisë së raportimit financiar në nivelin komunal”, me pjesëmarrjen e zyrtarëve kryesorë financiarë dhe zyrtarëve të tjerë nga komunat e Kosovës. 

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, në fjalën e saj tha se rezultatet e auditimit të pasqyrave financiare vjetore për vitin 2024 tregojnë se raportimi financiar në nivelin lokal vazhdon të përballet me sfida serioze. “Nga 38 komuna, 31 prej tyre kanë marrë opinion të modifikuar, dhe ky fakt flet qartë se ende ekziston një hendek i konsiderueshëm ndërmjet kërkesave të standardeve të raportimit financiar dhe praktikës aktuale në shumicën e komunave”, u shpreh znj. Spanca. 

Auditorja e Përgjithshme kërkoi vëmendjen e zyrtarëve komunalë për çështjet që kanë ndikuar në përcaktimin e opinionit të auditimit, e që kryesisht lidhen me klasifikimin jo të saktë të shpenzimeve, menaxhimin e pasurive, menaxhimin e llogarive të arkëtueshme, si dhe mangësitë në shpalosjen dhe paraqitjen e detyrimeve të papaguara dhe atyre kontigjente. Ajo tha se kjo punëtori duhet të shërbejë si thirrje për veprim dhe se zbatimi i rekomandimeve të auditimit nuk duhet të shihet vetëm si obligim formal, por si një mjet praktik për përmirësimin e qeverisjes financiare në komuna. 

Nga ana e tij, Menaxheri Projektit DEMOS, Ertan Munoglu, ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me ZKA-në por edhe me Thesarin dhe Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, duke theksuar se projekti do të vazhdojë të mbështesë komunat në adresimin e çështjeve që ndikojnë në opinion dhe uljen e gabimeve në raportim. 

Gjatë punëtorisë, drejtorët e auditimit, Blerim Kabashi dhe Lavdim Maxhuni, prezantuan çështjet kryesore që kanë ndikuar në opinionin e auditimit në nivelin lokal, si dhe çështjet që lidhen me pagesat për vendime gjyqësore dhe shpjegimet për shpalosje. 

Gjatë diskutimeve të hapura, zyrtarët komunalë ngritën shqetësime lidhur me vështirësitë në trajtimin e çështjeve që kanë ndikuar në opinionin e auditimit, përfshirë pagesat nga vendimet gjyqësore dhe përmbarimore, veçanërisht ato që lidhen me kontratën kolektive dhe barrën financiare që paraqesin për komunat.

Punëtoria shërbeu si platformë për dialog profesional dhe shkëmbim përvojash, duke riafirmuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së, DEMOS-it dhe komunave për rritjen e transparencës, përmirësimin e raportimit financiar dhe forcimin e llogaridhënies në nivelin lokal.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja fillon auditimin paralel “Fuqizimi i rolit të grave në udhëheqje dhe marrje të vendimeve”

ZKA-ja fillon auditimin paralel “Fuqizimi i rolit të grave në udhëheqje dhe marrje të vendimeve”

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës “Fuqizimi i rolit të grave në udhëheqje dhe marrje të vendimeve”. Ky auditim po realizohet në bashkëpunim me Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë dhe Zyrën e Revizionit të Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e UN Women. 

Auditimi do të përfshijë subjektet kryesore përgjegjëse për menaxhimin e burimeve njerëzore dhe do të shqyrtojë përfshirjen e indikatorit gjinor në pozitat vendimmarrëse në kuadër të administratës shtetërore. Subjekt i auditimit do të jenë Agjencia për Barazi Gjinore, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil, Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht  Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë dhe Departamenti për Reformat e Administratës Publike.

Auditimi synon të vlerësojë nëse institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë hapa konkretë për realizimin e objektivave strategjike globale të BE-së, përkatësisht objektivit të pestë strategjik, i cili synon krijimin e kushteve dhe qasjes  së barabartë për të gjitha gratë dhe vajzat. Ky auditim do të shqyrtojë masat e ndërmarra dhe efektin e tyre në realizimin e pjesëmarrjes, sigurimit të mundësive dhe përfaqësimit të barabartë gjinor.

Sipas të dhënave statistikore, administrata shtetërore nuk ka arritur balancim gjinor në pozitat e kategorive drejtuese. Gratë janë të nënpërfaqësuara në masë të konsiderueshme në krahasim me burrat në pozitat vendimmarrëse të kategorisë së ulët, të mesme dhe të lartë. Edhe pse gratë përbëjnë 42% të të punësuarve në administratën publike, ato zënë vetëm 20–25% të pozicioneve drejtuese.

Lexo më shumë
ZKA auditon efektivitetin e shërbimit të ngrohjes qendrore nga Termokosi

ZKA auditon efektivitetin e shërbimit të ngrohjes qendrore nga Termokosi

Në vazhdim të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës “Efektiviteti i shërbimit të ngrohjes qendrore”, për periudhën 2023–2025.

Objektivi i këtij auditimi është të vlerësojë nëse Ndërmarrja Publike “Termokos” Sh.A. menaxhon në mënyrë efektive rrjetin e shpërndarjes së energjisë termike, duke siguruar furnizim të barabartë, matje të saktë dhe ngrohje të qëndrueshme për konsumatorët. Po ashtu, auditimi synon të identifikojë mangësitë që ndikojnë në cilësinë, besueshmërinë dhe koston e shërbimit publik të ngrohjes qendrore.

Sistemi i ngrohjes qendrore në Prishtinë mbulon mbi 2.1 milionë metra katror hapësira banimi komerciale dhe institucionale. Në bazë të shqetësimeve të ngritura nga mediat dhe qytetarët rezulton se pavarësisht investimeve të realizuara sistemi i ngrohjes qendrore vazhdon të përballet me humbje të larta në rrjet dhe furnizim të pabarabartë të ngrohjes, duke u përcjellë me ankesa prej konsumatorëve si dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë dhe besueshmërinë e shërbimit publik të ngrohjes qendrore.

Lexo më shumë