Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) sheh të nevojshme të sqarojë disa çështje të ngritura në shkrimin e titulluar “Zyra Kombëtare e Auditimit paguan trajnime për stafin në Institutin ku ligjërues është zv/Auditori i Përgjithshëm” i publikuar me datë 27.01.2026 nga “Kallxo.com”.
ZKA sqaron se Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj si ligjërues në Institutin për Certifikimin e Kontabilistëve, Auditorëve dhe Financiarëve (IKAF) është i angazhuar që nga viti 2015, ndërsa është emëruar Zëvendës Auditor i Përgjithshëm me 06.04.2022. Në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe aktet e brendshme të ZKA-së Komisioni për Etikë ka shqyrtuar kërkesën dhe ka lejuar vazhdimin e angazhimit duke vlerësuar se nuk është në kundërshtim me parimet e kodit të etikës dhe nuk përbën konflikt interesi.
Sa i përket Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së dhe IKAF-it, është e rëndësishme të nënvizohet se ky memorandum, sikurse edhe memorandumet të cilat ZKA i ka me shoqatat tjera profesionale, ka të bëjë ekskluzivisht me programin “Edukimi i Vazhdueshëm Profesional (EVP)”, e jo për programet e certifikimit të auditorëve të cilat i ofrojnë këto shoqata profesionale. Megjithatë, për dallim nga memorandumet të cilat ZKA i ka me shoqatat tjera profesionale, memorandumi me IKAF-in nuk ka asnjë implikim financiar për ZKA-në. Thjesht, realizohet pro bono në formë donacioni dhe parasheh lirimin nga pagesa për orët e ndjekura të trajnimeve profesionale (EVP) dhe anëtarësisë profesionale për stafin e ZKA-së. Prandaj pagesat e realizuara nga ZKA, të cilat përmenden në shkrim, nuk ndërlidhen me trajnime respektivisht EVP-të, por me programe të certifikimit profesional, ku punonjësit kanë statusin “student”. Këto pagesa (fjala është për programe të certifikimit profesional) janë bërë në bazë të një akti tjetër të brendshëm të ZKA-së, që rregullon rimbursimin e shpenzimeve për certifikim profesional, dhe vlejnë për cilëndo shoqatë profesionale të akredituar, e jo vetëm për IKAF-in.
Duhet theksuar se ndjekja e programeve të certifikimit bëhet në bazë të vullnetit individual të punonjësve dhe përzgjedhja e shoqatave bëhet paraprakisht, para punësimit të tyre në ZKA, dhe se ndikimi nga ZKA-ja apo referimi në përzgjedhjen e shoqatave është i pamundur.
Përmes akteve të brendshme ZKA ka mekanizma funksional të etikës dhe integritetit, si dhe përcakton procedurat dhe masat e nevojshme për të shmangur konfliktin e interesit, ruajtur kredibilitetin e institucionit si dhe mbrojtur të drejtat që burojnë nga marrëdhënia e punës për të punësuarit në ZKA.