Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/22/2022 5:15:32 PM

Bashkëpunimi ndërinstitucional në fushën e prokurimit publik është mëse i nevojshëm

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës mbetet e përkushtuar që përmes auditimeve të jap kontributin e saj dhe të jetë e pa kompromis në betejën që paraja publike të shpenzohet me kujdes të shtuar dhe për të mirën e qytetarëve. Kështu ka deklaruar Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në takimin “Bashkëpunimi ndërinstitucional në fushën e Prokurimit Publik në Republikën e Kosovës” të organizuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) në bashkëpunim me USAID-n përmes projektit “Aktiviteti për Integritet të Komunave të Kosovës”. Znj. Spanca ka vlerësuar se ky takim është një vazhdim i mbarë për të avancuar bashkëpunimin ndër institucional në fushën e prokurimit publik e cila është çështje me interes për të gjitha palët e përfshira dhe për secilin qytetarë të Kosovës. Ajo ka theksuar se implementimi i duhur i sistemit të prokurimit publik është mjaft kompleks dhe ngërthen në vete sfida të ndryshme, prandaj edhe raportet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit tregojnë se një numër i konsiderueshëm i gjetjeve i referohen kësaj fushe, me fokus procesin e tenderimit dhe menaxhimit të kontratave. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka folur edhe për nivelin e bashkëpunimit në mes të ZKA-së dhe KRPP-së i cili ka për qëllim që të fuqizojë zbatimin e kornizës ligjore të prokurimit dhe rritjen  e ndikimit  në përmirësimin e menaxhimit të parasë publike. Para të pranishmëve znj. Spanca ka bërë me dije se prioritet i auditimeve të planifikuara 2022/2023 është menaxhimi i kontratave publike, si një prej proceseve më komplekse dhe burim i shpeshtë i parregullsive. Përveç drejtuesve të ZKA-së, pjesëmarrës të kësaj ngjarje kanë qenë edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme, si: KRPP, USAID, OSHP, AQP, Agjencia për Parandalim të Korrupsionit, Zyra e Prokurorit të Shtetit, Autoriteti i Konkurrencës, Inspektorati Policor etj.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Konferenca Vjetore “Plani strategjik 2023-2026”

Konferenca Vjetore “Plani strategjik 2023-2026”

Zyra Kombëtare e Auditimit të martën ka mbajtur Konferencën Vjetore me temën “Plani strategjik 2023-2026”. Punimet e konferencës janë zhvilluar në dy panele, ku është prezantuar për diskutim draft Plani strategjik 2023-2026, si dhe është diskutuar për sfidat e mundshme dhe realizimin e planit vjetor të punës 2022 – 2023. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në fjalën e saj të hapjes së punimeve të konferencës, ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje dhe kontributin e dhënë për arritjen e sukseseve të vazhdueshme të ZKA-së. Znj. Spanca, ka vlerësuar se Zyra Kombëtare e Auditimit është ndërtuar mbi baza të forta ligjore dhe institucionale, ka staf kompetent dhe të përkushtuar, dhe si anëtare e INTOSAI dhe EUROSAI, po jep kontributin e saj edhe në aktivitete ndërkombëtare dhe në  kuadër të grupeve të ndryshme punuese të këtyre organizatave. Auditorja e Përgjithshme, ka thënë se gjatë kësaj periudhe ka marrë vendime të përgjegjshme të cilat kanë sjellë ndryshime në menaxhim për të vendosur sistem adekuat për adresimin dhe përmbushjen e vizionit strategjik. Kryerja e auditimeve duke respektuar plotësisht standardet ndërkombëtare të auditimit, dhe në interes të qytetarëve dhe Kuvendit të Kosovës, është prioritet i ZKA-së. “Besueshmëria në punën tonë audituese është thelbësore dhe shumë domethënëse, prandaj edhe është vendosur në vizionin tonë strategjik”, është shprehur Spanca. Sidoqoftë, karshi rezultateve te mira dhe sukseseve të treguara, ZKA-ja para vetes ka një numër objektivash të cilat synon t’i përmbush, prandaj edhe nevojiten plane, veprime dhe mbikëqyrje adekuate. Ndërsa Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka prezantuar qëllimet kryesore të Planit Strategjik të ZKA-së, përmes së cilit synohet avancimi i pavarësisë institucionale në përputhje me parimet kyçe të INTOSAI-t; ZKA-ja të jetë institucion shembull në sektorin publik duke respektuar parimet dhe vlerat kyçe lidhur me integritetin, llogaridhënien dhe transparencën në proceset tona të brendshme organizative. Gjithashtu,  komunikimi me Kuvendin dhe institucionet e tjera të rivendoset në një rol më proaktiv dhe dinamik, me dialog të sinqertë dhe të vazhdueshëm, në mënyrë që të ndihmojë autoritetet të marrin vendime të qëndrueshme dhe të bazuara ne informata të sakta. Në sesionin e parë, grupi punues/drejtuesit e departamenteve përkatëse kanë shpalosur në detaje objektivat dhe qëllimet e draft Planit strategjik, duke konstatuar se realizimi i tyre do ta ndihmojë ZKA-në të rris edhe më tej kredibilitetin institucional për të kryer misionin e saj në mënyrë të pavarur dhe objektive dhe për të përmbushur pritjet e qytetarëve. Me këtë rast stafi ka dhënë kontributin e tij nëpërmjet pyetjeve dhe komenteve të cilat i kanë shtuar vlerë prezantimit të Planit. Ndërsa në sesionin tjetër, punonjësit e ZKA-së në kuadër të grupeve punuese kanë diskutuar dhe kanë dhënë kontributin e tyre për mënyrën e realizimit të planit të punës dhe sfidat që mund të shfaqen. Mbi këtë bazë janë ngritur çështje me interes/të rëndësishme të cilat do të merren parasysh në planin operativ dhe kohor të punës. Në kuadër të Konferencës është bërë edhe shpërndarja e jubileve për punonjësit e ZKA-së  si dhe falënderimet për ish kolegët që tashmë nuk janë pjesë e Zyrës.
Lexo më shumë
Me mbi gjysmë milioni euro humbje mesatare mujore ka operuar Trepça në periudhën 2019 -2021

Me mbi gjysmë milioni euro humbje mesatare mujore ka operuar Trepça në periudhën 2019 -2021

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP Trepça Sh.A” për periudhën 2019-2021. Rezultatet e këtij auditimi tregojnë se  “Trepça” Sh.A nuk ka  arritur të jetë efikase dhe efektive në shfrytëzimin dhe përpunimin e burimeve minerare, me synim të tejkalimit të operimit me humbje mesatare mujore prej 620,307€ dhe arritjes së rentabilitetit. “Trepça” Sh.A nuk ka arritur të krijojë as parakushtet e duhura për operim të cilat do të siguronin shfrytëzim efikas dhe fitimprurës të burimeve minerare. Rezultatet e auditimit kanë nxjerr në pah dobësi dhe mungesë efektiviteti në sistemin e kontrollit të brendshëm që do të mundësonin produktivitet të lartë në nxjerrjen e xehes, përpunimin dhe pasurimin e mëtejshëm të saj. “Analizat e indikatorëve kyç të performancës financiare kanë rezultuar me tregues negativ për gjendjen e rënduar financiare që e ka përcjellë kompaninë ndër vite. Teknologjia dhe infrastruktura e vjetëruar në Trepça Sh.A, si dhe mungesa e investimeve kapitale kanë ndikuar në produktivitet të ulët. Përderisa rrjedhjet (humbje) e mëdha të metaleve në steril gjatë procesit të flotimit të xehes ishin rezultat i teknologjisë së vjetëruar dhe mungesës së investimeve kapitale dhe mos standardizimit të procesit të punës në flotacione”, theksohet në raport. Gjithashtu, “Trepça” Sh.A nuk ka arritur të sigurojë menaxhim optimal të burimeve njerëzore në procesin e prodhimit. Kjo, si rezultat i mungesës së analizës dhe identifikimit të nevojave për angazhim të stafit në prodhim nëpër njësi biznesore, me synim të ngritjes së produktivitetit. Shpallja e konkurseve të paplanifikuara në plan të biznesit, tejkalimi i stafit të punësuar në njësitë biznesore në krahasim me shpalljen e konkursit publik si dhe angazhimi i punëtorëve me punë dhe detyra specifike për pozita të rregullta pa shpallje të konkursit publik, janë vetëm disa nga parregullsitë e shumta të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe të cilat kishin rezultuar edhe me shpenzime shtesë gjatë periudhës 2019-2021. Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca,  ka deklaruar se “Trepça” Sh.A nuk ka arritur të vendos sisteme dhe kontrolle të brendshme adekuate të cilat do ta mbështesnin arritjen e performancës financiare dhe operative pozitive, me theks në procesin e prodhimit. Në raportin e auditimit janë dhënë 22 rekomandime, 3 për Qeverinë e Kosovës dhe 19 për “Trepça” Sh.A. me qellim të përmirësimit të procesit të prodhimit në përgjithësi dhe forcimin e kontrolleve të brendshme në ndërmarrje. Raportin e plotë të auditimit “Performanca financiare dhe operative NP Trepça Sh.A”e gjeni këtu.
Lexo më shumë