Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/29/2022 4:50:41 PM

Ndërtimi i shtëpive për të kthyerit në fokus të auditimit të ZKA-së

- A po ndërtohen shtëpitë për të kthyerit me çmime të pranueshme dhe brenda afateve të planifikuara Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin me temën “Ekonomiciteti dhe efikasiteti në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit”, i cili ka për qëllim të vlerësojë nëse Ministria për Komunitete dhe Kthim ka arritur të kontraktojë ndërtimin e shtëpive për të kthyerit me çmim të arsyeshëm, nëse ndërtimi është bërë brenda afateve kohore dhe sipas planit dhe limiteve buxhetore. Subjekt i këtij auditimi është Ministria për Komunitete dhe Kthim (MKK) e cila zhvillon dhe menaxhon programe dhe mekanizma për të ndihmuar integrimin e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në kushte të barabarta, që aktualisht banojnë në Kosovë, si dhe për të siguruar kthimin e qëndrueshëm të të shpërngulurve dhe refugjatëve. Gjatë viteve 2019-2022, nga buxheti i Republikës së Kosovës për banim janë shpenzuar afërsisht 20,5 milionë euro, ndërsa vetëm Ministria për Komunitete dhe Kthim ka shpenzuar rreth 7 milionë euro apo 35 % të këtij buxheti. Fushëveprimi i auditimit “Ekonomiciteti dhe efikasiteti në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit”, përfshinë periudhën 2019-2022 dhe kontratat e nënshkruara nga MKK gjatë kësaj periudhe, duke përfshirë vlerësimin e nevojave, zhvillimin e procedurave të prokurimit dhe menaxhimin e kontratave. Janë gjithsej tri kontrata  në vlerë mbi 11 milionë euro, dhe për çështje të krahasimit të çmimeve do të trajtohen edhe shtatë kontrata të institucioneve tjera. Krahasime do të ketë edhe me çmimet e përcaktuara nga institucionet e  tjera. Përmes këtij auditimi ZKA-ja synon të ofrojë rekomandime të rëndësishme për përmirësimin e  procesit të kontraktimit të ndërtimit të shtëpive në aspektin ekonomik dhe menaxhimit më të mirë.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Me mbi gjysmë milioni euro humbje mesatare mujore ka operuar Trepça në periudhën 2019 -2021

Me mbi gjysmë milioni euro humbje mesatare mujore ka operuar Trepça në periudhën 2019 -2021

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP Trepça Sh.A” për periudhën 2019-2021. Rezultatet e këtij auditimi tregojnë se  “Trepça” Sh.A nuk ka  arritur të jetë efikase dhe efektive në shfrytëzimin dhe përpunimin e burimeve minerare, me synim të tejkalimit të operimit me humbje mesatare mujore prej 620,307€ dhe arritjes së rentabilitetit. “Trepça” Sh.A nuk ka arritur të krijojë as parakushtet e duhura për operim të cilat do të siguronin shfrytëzim efikas dhe fitimprurës të burimeve minerare. Rezultatet e auditimit kanë nxjerr në pah dobësi dhe mungesë efektiviteti në sistemin e kontrollit të brendshëm që do të mundësonin produktivitet të lartë në nxjerrjen e xehes, përpunimin dhe pasurimin e mëtejshëm të saj. “Analizat e indikatorëve kyç të performancës financiare kanë rezultuar me tregues negativ për gjendjen e rënduar financiare që e ka përcjellë kompaninë ndër vite. Teknologjia dhe infrastruktura e vjetëruar në Trepça Sh.A, si dhe mungesa e investimeve kapitale kanë ndikuar në produktivitet të ulët. Përderisa rrjedhjet (humbje) e mëdha të metaleve në steril gjatë procesit të flotimit të xehes ishin rezultat i teknologjisë së vjetëruar dhe mungesës së investimeve kapitale dhe mos standardizimit të procesit të punës në flotacione”, theksohet në raport. Gjithashtu, “Trepça” Sh.A nuk ka arritur të sigurojë menaxhim optimal të burimeve njerëzore në procesin e prodhimit. Kjo, si rezultat i mungesës së analizës dhe identifikimit të nevojave për angazhim të stafit në prodhim nëpër njësi biznesore, me synim të ngritjes së produktivitetit. Shpallja e konkurseve të paplanifikuara në plan të biznesit, tejkalimi i stafit të punësuar në njësitë biznesore në krahasim me shpalljen e konkursit publik si dhe angazhimi i punëtorëve me punë dhe detyra specifike për pozita të rregullta pa shpallje të konkursit publik, janë vetëm disa nga parregullsitë e shumta të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe të cilat kishin rezultuar edhe me shpenzime shtesë gjatë periudhës 2019-2021. Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca,  ka deklaruar se “Trepça” Sh.A nuk ka arritur të vendos sisteme dhe kontrolle të brendshme adekuate të cilat do ta mbështesnin arritjen e performancës financiare dhe operative pozitive, me theks në procesin e prodhimit. Në raportin e auditimit janë dhënë 22 rekomandime, 3 për Qeverinë e Kosovës dhe 19 për “Trepça” Sh.A. me qellim të përmirësimit të procesit të prodhimit në përgjithësi dhe forcimin e kontrolleve të brendshme në ndërmarrje. Raportin e plotë të auditimit “Performanca financiare dhe operative NP Trepça Sh.A”e gjeni këtu.
Lexo më shumë
Automatizohet transferimi i të dhënave nga Thesari te Zyra Kombëtare e Auditimit për të rritur sigurinë dhe efektivitetin e komunikimit në procesin e auditimit

Automatizohet transferimi i të dhënave nga Thesari te Zyra Kombëtare e Auditimit për të rritur sigurinë dhe efektivitetin e komunikimit në procesin e auditimit

Sot, Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Enis Spahiu dhe ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Thesarit Nysret Koca, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për transferimin automatik të të dhënave nga Ministria e Financave Punës dhe Transfereve (MFPT) dhe Thesari në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA). Qëllimi i kësaj marrëveshje është definimi i hapave dhe përgjegjësive për transferimin automatik të të dhënave nga bazat e të dhënave të Thesarit dhe MFPT-së në bazën e të dhënave të ZKA-së, të cilat janë të nevojshme për auditim. Zyra Kombëtare e Auditimit ka krijuar bazën e të dhënave për importimin/transferimin automatik të shënimeve të librit të përgjithshëm, buxheteve, pasurive dhe shënimeve të pagave për entitetet përkatëse. Në këtë bazë të të dhënave janë krijuar tabelat për të gjitha këto shënime dhe tabelat mbështetëse për të gjitha kodet e bllokut kodues Kjo procedurë e transferimit automatik të të dhënave do të rrisë sigurinë dhe saktësinë e shënimeve dhe transferimin e tyre në mënyrë efektive dhe efikase për qëllime të auditimit. Palët janë zotuar që informacionin në shkëmbim ta shqyrtojnë dhe trajtojnë me kujdes dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi për sa i përket konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave. Të gjitha të dhënat dhe informacionet të cilat vihen në dispozicion do të trajtohen vetëm për qëllime të parapara sipas marrëveshjes. Të pranishëm në këtë takim bashkë me Auditoren e Përgjithshme ishin edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza Ramadan Gashi dhe Shqipe Azemi, Specialiste e TI-së. Marrëveshja hyn në fuqi nga sot, 30 dhjetor 2022.  
Lexo më shumë