Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/9/2026 11:26:00 AM

U mbajt Takimi i Komitetit Drejtues të projektit të bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së së Kosovës dhe ZKA-së së Suedisë

Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës dhe Zyra Kombëtare e Auditimit e Suedisë të hënën mbajtën Takimin e Komitetit Drejtues në kuadër të projektit të bashkëpunimit institucional ndërmjet dy Institucioneve Supreme të Auditimit. 

Takimi u kryesua nga Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, ku u  shqyrtua progresi i arritur deri më tani dhe u diskutuan aktivitetet e planifikuara për periudhën maj 2026 – qershor 2027. Auditoret e Përgjithshme të Kosovës dhe Suedisë prezantuan zhvillimet kryesore në institucionet e tyre, prioritetet strategjike dhe planet për periudhën në vijim, duke riafirmuar rëndësinë e bashkëpunimit bilateral dhe zhvillimit profesional të të dy institucioneve. 

Raporti i progresit të projektit evidentoi rezultatet kyçe të arritura në fushat e mbështetura nga projekti, përfshirë auditimet e performancës, udhëheqjen dhe komunikimin e brendshëm, si dhe menaxhimin e cilësisë. Gjithashtu u trajtuan sfidat e mundshme si dhe çështje të tjera me interes për vazhdimin e bashkëpunimit.

Në përfundim të takimit, Auditorja e Përgjithshme e Kosovës dhe Auditorja e Përgjithshme e Suedisë vlerësuan arritjet e deritanishme dhe rikonfirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit profesional, me synim forcimin e kapaciteteve të auditimit dhe rritjen e llogaridhënies në sektorin publik. Ato theksuan se partneriteti ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm të kapaciteteve profesionale të ZKA-së, forcimin e sistemeve të menaxhimit të cilësisë dhe rritjen e ndikimit të auditimit në sektorin publik.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës dhe ajo e Suedisë rikonfirmojnë bashkëpunimin 15-vjeçar

Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës dhe ajo e Suedisë rikonfirmojnë bashkëpunimin 15-vjeçar

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtoresha për Komunikim me Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj dhe bashkëpunëtorë të tjerë priten të hënën në takim Auditoren e Përgjithshme të Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg, Drejtoreshën për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Eva Theisz si dhe Këshilltarin e Lartë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Menaxher i Projektit, Kameran Khudur.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale në fushën e auditimit publik, prioritetet strategjike të dy Institucioneve Supreme të Auditimit, si dhe mundësitë për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional.

“Partneriteti afatgjatë me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë ka luajtur rol të rëndësishëm në avancimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Falë këtij bashkëpunimi, kemi forcuar funksionet tona të auditimit, kemi ngritur standardet e cilësisë dhe kemi konsoliduar praktika që sot janë pjesë përbërëse e punës sonë të përditshme, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e llogaridhënies, transparencës dhe qeverisjes së mirë në Republikën e Kosovës”, theksoi Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.

Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg, rikonfirmoi gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes profesionale në fusha me interes të përbashkët. “Jam e kënaqur teksa shoh se investimi ynë i përbashkët në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës po jep rezultate konkrete në forcimin e kapaciteteve, si në nivel individual ashtu edhe në nivel institucional, duke siguruar pajtueshmëri me parimet dhe standardet ndërkombëtare të auditimit”, deklaroi ajo.

Delegacioni suedez u prit në takim të veçantë edhe nga Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm, drejtorët e departamentit të auditimit si dhe departamenteve profesionale mbështetëse.

Auditorja e Përgjithshme e Suedisë me bashkëpunëtorë po qëndron për vizitë dyditore në Kosovë.

Lexo më shumë
Auditoret e Përgjithshme të Suedisë dhe Kosovës u pritën në takim nga U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës

Auditoret e Përgjithshme të Suedisë dhe Kosovës u pritën në takim nga U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti të martën në takim Auditoren e Përgjithshme të Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg dhe Auditoren e Përgjithshme të Kosovës, Vlora Spanca. 

Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e auditimit të pavarur në forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike. Po ashtu, u vlerësua bashkëpunimi i suksesshëm ndërmjet Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, si dhe mbështetja e vazhdueshme suedeze në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të ZKA-së. 

Në takim morën pjesë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj  si dhe nga delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, Drejtoresha për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Eva Theisz  dhe Këshilltari i Lartë për Bashkëpunim Ndërkombëtar njëherësh Menaxher i Projektit, Kameran Khudur. 

Lexo më shumë