Auditoret e Përgjithshme të Suedisë dhe Kosovës u pritën në takim nga U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti të martën në takim Auditoren e Përgjithshme të Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg dhe Auditoren e Përgjithshme të Kosovës, Vlora Spanca.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e auditimit të pavarur në forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike. Po ashtu, u vlerësua bashkëpunimi i suksesshëm ndërmjet Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, si dhe mbështetja e vazhdueshme suedeze në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të ZKA-së.
Në takim morën pjesë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj si dhe nga delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, Drejtoresha për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Eva Theisz dhe Këshilltari i Lartë për Bashkëpunim Ndërkombëtar njëherësh Menaxher i Projektit, Kameran Khudur.
